Mungesa e një strategjie në Perëndim
Një Perëndim i përçarë dhe i ngadaltë, nuk ka arritur të përballet ...
Nga Anders Fogh Rasmussen *
Kopenhagen – Në shekullin XIX-të, fuqia botërore i përkiste atyre që kontrollonin detet. Në shekullin XXI, ajo do t’u përkasë atyre që sundojnë mbi autostradat tona dixhitale. Nëse Perëndimi nuk arrin të ndërmarrë veprime të shpejta, autokratët e botës, dhe shtetet jo demokratike të udhëhequr nga Kina, do të jenë ata që do ta fitojnë këtë garë.
Një Perëndim i përçarë dhe i ngadaltë, nuk ka arritur të përballet si duhet me qasjen strategjike të investimeve kineze, dhe qasja e tij e çuditshme, se si të menaxhojë propozimet nga gjigandi kinez i telekomunikacionit Huaëei, ka dëshmuar një mungesë të rrezikshme të strategjive.
Në mbarë Evropën, përgjigjet variojnë në varësi të shqetësimit të shteteve vetjake, si për shembull në Danimarkë, ndërsa ka një qëndrim më të hapur, në Hungari, Itali dhe Republikën Çeke. Edhe brenda komunitetit anglofon të inteligjencës “Five Eyes”, qeveritë nuk mund të bien dakord, se si t’i përgjigjen kërcënimit të mundshëm në prapaskenë, të teknologjisë së Huaëei. Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Zelanda e Re, kanë një qasje kufizuese, ndërsa Mbretëria e Bashkuar këmbëngul se ka mundësi që të zbusë rreziqet potenciale, edhe pse Uashingtoni mbetet i shqetësuar.
Kjo është një situatë delikate. Nëse vendet demokratike, duan të mbeten lojtare të besueshme, ato do të duhet të lënë mënjanë dallimet e tyre, dhe të bëhen bashkë për të vendosur standartet dhe rregullat për gjeneratat e ardhshme. Nëse ne i përmbahemi qasjes sonë të rastësishme për të ardhmen e teknologjisë, do ta lejojmë Kinën të diktojë kushtet e revolucionit të ardhshëm industrial.
Huaëei tani po ndërmerr një fushatë të marrëdhënieve me publikun, për të siguruar shtetet që janë skeptike mbi infrastrukturën e saj 5G. Qeveritë duhet të mendojnë me kujdes mbi rreziqet:5G do të ndryshojë rregullat e lojës, duke i bërë të vjetëruara lidhjet me fibra, dhe shumë nga teknologjitë ekzistuese.
Nëse dominon kjo kompani kineze e mbështetur nga Pekini, bota do të mbështetet mbi një shtet komunist. Dhe kjo nuk është një perspektivë që unë e dëshiroj për nipërit e mbesat e mia. Kina paraqet sfidën më afatgjatë, por ajo nuk është kërcënimi i vetëm, që ka nevojë për një përgjigje të përbashkët perëndimore.
Shtetet keq-dashëse Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut, po synojnë që të gjitha në mënyra të ndryshme, të militarizojnë internetin, të përhapin informacione të rreme, dhe të shkatërrojnë sisteme jetike për sigurinë tonë. Këto vende, po përdorin platforma që mund të anashkalojnë filtrat tradicionalë, dhe kanë krijuar narrativa të shtrembëruara, të cilat e kanë polarizuar diskursin tone, dhe kanë dëmtuar unitetin e Perëndimit.
Komuniteti demokratik duhet të zgjohet. Nëse vazhdojmë të qëndrojmë vetëm, do ta humbasim këtë garë vendimtare. Ne kemi nevojë për një Aleancë Dixhitale të Demokracive. Kjo aleancë e re duhet ta fillojë punën e vet, duke rënë dakord mbi një sërë standardesh dhe parimesh, dhe me krijimin e organeve ndërkombëtare, që do t’i monitorojnë ato.
Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë (GATT), u nënshkrua për të menaxhuar standardet e tregtisë globale, dhe ajo evoluoi më pas në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Ngjashëm, një Marrëveshje Globale mbi Flukset Dixhitale, mund të evoluojë në një Organizatë Botërore të të Dhënave.
Bashkimi Evropian ka ndjekur një qasje të ngjashme për mbrojtjen e të dhënave, duke miratuar Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR), si standard që lehtëson marrëveshjet mbi shkëmbimin e të dhënave me Japoninë, Korenë e Jugut, dhe potencialisht një kontratë të Mburojës së Privatësisë, që të përpiqet të harmonizojë standardet e SHBA-BE në këtë fushë.
Është një fillim i mirë, por jo aq sa duhet. Natyra përshkruese e GDPR, nënkupton se ajo ishte e vjetëruar pa u tharë mirë boja. Ai e trajton botën siç është, dhe jo siç ka të ngjarë të jetë në 20 vitet e ardhshme. Japonia ka thënë se do ta bëjë standardizimin e të dhënave, si prioritet të presidencës së saj të G20.
BE-ja duhet t’ia huazojë kësaj nisme, superfuqinë e saj rregullatore, dhe SHBA-ja fuqinë e saj të madhe teknologjike. Përveç rregullave dhe standardeve të përbashkëta, që do të zbatohen dhe mbikëqyren në mënyrë uniforme në këtë aleancë, Perëndimi duhet të ketë ndërkohë një bashkëpunim praktik, përfshirë zbulimet teknologjike, që do të na lejojnë të rimarrim avantazhin në garën me Kinën, në fusha të tilla si informatika kuantike.
Nuk ka asnjë alternativë të mirë. Nëse ne i përmbahemi qasjes sonë të rastësishme, mbi të ardhmen e teknologjisë, do të lejojmë që Kina të diktojë kushtet e revolucionit të ardhshëm industrial. Dhe nëse ia dorëzojmë botën dixhitale shteteve jodemokratike, do të kemi vetëdorëzuar demokracinë. /“Politico.eu” – Bota.al
* Anders Fogh Rasmussen, ish-kryeministër i Danimarkës dhe ish-sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, është themeluesi i Fondacionit të Aleancës së Demokracive.
Comments (0 posted)
Post your comment