Home | Business | Investimet e huaja, pas TAP dhe Devollit

Investimet e huaja, pas TAP dhe Devollit

image
Investimet e Huaja Direkte kanë qëndruar në nivele të larta...

 

 

Teksa investimet e huaja arritën rekordin e 1 miliard eurove në 2018-n, ka pak arsye për t’u gëzuar. Gazsjellësi TAP, investimi më i madh në Shqipëri, që dha ndikimin kryesor në këtë rritje, është drejt fundit. Punimet po ecin me shpejtësi edhe në projektin tjetër të madh, atë të HEC-eve mbi lumin Devoll. Nga 2.1 miliardë euro që ishte investimi total i planifikuar nga këto dy projekte të mëdha, për 2019-n kanë mbetur më pak se 300 milionë euro, ndërsa në 2020-n, këto dy burime do të jenë ezauruar tërësisht…

 

Investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, ai i gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP), është drejt fundit. Burime zyrtare nga kompania pohuan për “Monitor” se, në Shqipëri, ka përfunduar tërësisht pastrimi i gjurmës së gazsjellësit dhe rreth 99% e tubave janë salduar. Më shumë se 200 kilometra gazsjellës tashmë është nëntokë. Më shumë se 80% e tokës është kthyer në gjendjen e mëparshme dhe pronarët apo përdoruesit po e kultivojnë përsëri.

 

Punimet aktualisht po zhvillohen në një terren shumë të vështirë malor, midis zonës së Korçës dhe Skraparit, në lartësi mbi 2,000 metra mbi nivelin e detit. Në tokë ka mbetur vetëm një segment i shkurtër në Qafën e Martës ku pritet që të ndërtohet një mikro-tunel, teksa stacioni i kompresorëve (Fier) dhe ai i matjes (Devoll), përfundojnë në vjeshtë.

 

Në seksionin detar, punimet po vijojnë në pikën e daljes në det. Anija Castoro 10 tashmë po punon pranë bregdetit të Fierit, për segmentin e parë të pjesës detare. Tashmë, thonë burimet e TAP, fokusi është te pjesa operacionale, si ngritja dhe trajnimi i burimeve njerëzore që do të merren me mirëmbajtjen e tubacionit, që po bëhet në bashkëpunim me kompaninë e përbashkët Albgaz-Snam.

 

Investimi i gazsjellësit në Shqipëri është vlerësuar në rreth 1.5 miliardë euro nga vetë kompania. Punimet nisën në verën e 2015, me infrastrukturën rrugore, por 2 vitet më intensive ishin në 2017-2018, ku vlerësohet se janë investuar më shumë se 500 milionë euro në vit. Aktualisht, burimet zyrtare të TAP pohojnë se e kanë të vështirë të llogarisin se sa për qind e vlerës së investimit ka mbetur ende.

 

Indirekt, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, stoku i investimeve nga Zvicra, shteti nga i cili raportohen investimet nga TAP, ishte rreth 1.3 miliardë euro në fund të 2018-s, çka nënkupton se mbi 80% e investimit është kryer tashmë, duke mbetur rreth 200 milionë euro për 2019-n.

 

Edhe investimi tjetër i madh, ai i hidrocentraleve që po ndërtohen mbi lumin Devoll nga kompania Statkraft është drejt fundit. HEC-i i Banjës tashmë është funksional, ndërsa HEC-i i Moglicës po përparon me shpejtësi. Burime zyrtare nga Statkraft thanë se në vitin 2018, investimet ishin rreth 86 milionë euro dhe në 2018-n, ato priten në rreth 73 milionë euro, ndërsa dhe HEC-i i dytë parashikohet që të përfundojë në 2019-n. Investimi total i Devollit është 590 milionë euro, sipas burimeve zyrtare. Në total, nga 2.1 miliardë euro që ishte investimi total i planifikuar nga këto dy projekte të mëdha, për 2019-n kanë mbetur më pak se 300 milionë euro, ndërsa në 2020-n, këto dy burime do të jenë ezauruar tërësisht.

 

Energjia mbajti në këmbë investimet

 

Investimet e huaja në 2018-n arritën në 1 miliard euro, me një rritje prej rreth 13%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një nivel rekord. Investimet në energji mbajnë peshën kryesore të fluksit të investimeve që hyjnë në vend, me rreth 60%. Vetëm në energji, stoku i investimeve u rrit me 122 milionë euro në tremujorin e tretë 2018 dhe 590 milionë euro për të gjithë vitin, si rrjedhojë e investimeve nga gazsjellësi TAP dhe HEC Devolli, sipas statistikave të BSH.

 

Për rreth katër vjet, Investimet e Huaja Direkte kanë qëndruar në nivele të larta, për shkak të dy projekteve të mëdha në energjetikë, punimet për hidrocentralin në lumin Devoll nga Statkraft dhe gazsjellësi TAP. Statistikat e tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve në energji u rrit me shpejtësi, nga vetëm 13 milionë euro në fillim të 2014-s, në 2 miliardë euro në fund të 2018, duke zënë 27% të stokut direkt të investimeve dhe duke kaluar në vend të parë, si pasojë e stanjacionit të telekomunikacioneve dhe bankave.

 

Pa këto dy investime, stoku i investimeve në 2018-n do të shënonte një rritje minimale dhe do të ishte rreth 5.5 miliardë euro në fund të tremujorit të tretë 2018, nga 7.7 që rezulton realisht, ose 36% më i ulët. Edhe rritja e investimeve do të kishte qenë minimale katër vitet e fundit, pa dy projektet e mëdha në energji.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se deri para fillimit të punimeve për TAP dhe Devollin, sektori i industrisë nxjerrëse kryente investimet më të mëdha në Shqipëri. Në 2014-n, fluksi i investimeve të reja i industrisë nxjerrëse ishte rreth 500 milionë euro, ose 58% të totalit. Në 2018-n, investimet në këtë sektor ishin vetëm 170 milionë euro, ose 17% të totalit. Vlerat e larta të disa viteve më parë është pothuajse e pamundur të arrihen më, edhe për shkak të çmimit të ulët të naftës në bursa.

 

Bankers Petroleum, investitori më i madh në industrinë nxjerrëse, ka deklaruar se planet janë për shpimin e rreth 88 puseve të reja nafte në 2019-n dhe investime rreth 150 milionë dollarë, që mund të jetë maksimumi i investimit. Por që të zbatohet ky plan kërkohet likuiditet i qëndrueshëm dhe me çmime të qëndrueshme të Brent-it mbi 75-80 dollarë për fuçi. Në tre muajt e parë të këtij viti, çmimi i naftës në bursa është luhatur midis 60 dhe 66 dollarëve, çka mund të ulë planet e investimit të Bankers.

 

Kompanitë e telekomunikacioneve, që vijnë të dytët për nga stoku i investimeve, janë në fazë maturimi dhe tkurrjeje dhe nuk pritet të kryejnë investime të mëdha, me përjashtim të planeve që mund të ketë aksioneri i ri i Telekom Albania. Sistemi bankar, një tjetër investitor i madh, kryesisht përmes rritjes së kapitalit, është i përfshirë në proceset e shitblerjeve dhe tregu po tkurret nga 16 në 13 banka.

 

Institucionet ndërkombëtare kanë tërhequr shpesh vëmendjen për nevojën e zëvendësimit të këtyre projekteve me investime me vlerë të shtuar të lartë dhe të orientuara drejt teknologjisë. Për shkak të përfundimit të projekteve të mëdha, FMN, në raportin e fundit të tetorit, uli parashikimin për rritjen e vendit në 2019-n, nga 3.8% në 3.7%, ndërkohë që për 2018-n, zgjerimi ekonomik është mbi 4%.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0