Dubai vuan pasojat e krizes
"Është bërë si lojë shahu. Duhet të reagojmë. Mua më pëlqejnë sfidat, ndaj edhe po qëndroj”.
Mendi Klark
Emirati i vogël i Dubait po përpiqet prej kohësh të shndërrohet në një qendër ndërkombëtare finance dhe tregtie në ekonominë botërore. Ky vend ka krijuar një imazh ultramodern me hotele luksoze dhe qendra pushimesh si dhe me aktivitete sportive ekskluzive. Por, kriza ekonomike botërore e ka goditur rëndë Dubain. Banka zvicerane e investimeve, UBS, parashikon një rënie prej 8% të popullatës në Dubai, emirat ku 90 përqind e njerëzve janë të huaj.
Dikur në Dubai dëgjohej kudo zhurma e ndërtimeve dhe çdokund mund të shiheshin vinçat e ndërtimit. Këto grataçela dhe qendra pushimi janë ndërtuar nga punëtorë të huaj, shumica e të cilëve vijnë nga India dhe Pakistani. Dubai u shndërrua në një magnet ndërkombëtar për financat si dhe një mekë për turistët në Gjirin Persik. Por, kriza botërore përfshiu shumë shpejt edhe Dubain dhe bumi ekonomik mori fund.
Kështu, shumë nga punonjësit e huaj kanë mbetur tanimë pa punë. Zafar Abazi ka punuar në industrinë e çelikut. Ai emigroi në Emiratet e Bashkuara Arabe para dy vjetësh, por kohët e fundit humbi vendin e punës. Dhe, siç thotë ai, jeta pa të ardhura është vështirësuar tej mase. Siç thotë ai, i mungojnë paratë për ushqime, pasi çdo gjë është shtrenjtuar përfshirë ilaçet dhe qiranë.
Këta punëtorë i përkisnin ushtrisë së punëtorëve të huaj që ndërtuan Dubain në një kohë kur ekonomia e atjeshme po lulëzonte. Shumë prej tyre janë të papunë që prej një muaji. Ata nuk mund as të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi punëdhënësit ua kanë marrë pasaportat dhe i kanë urdhëruar të presin derisa të rifillojë puna. Disa nga projektet vazhdojnë punën, kjo edhe si pasojë e planit prej 10 milardë dollarësh për të shpëtuar ekonominë, të lëvruar nga kryeqyteti i Emirateve, Abu Dhabi. Ndërkaq, shumë ekspertë perëndimorë janë larguar nga Dubai.
Sipas njoftimeve nga mediat e huaja, rreth 3000 makina janë lënë në parkimin e Aeroportit të Dubait nga të huajt e mbytur në borxhe të cilët janë larguar nga vendi. Por, shefi i policisë së Dubait, nuk e pranon këtë.
Mari-Zhoze Primo ka biznesin e saj në Dubai dhe thotë se shumë prej miqve të saj janë larguar.
"Ekonomia këtu mbështetet në pronat e patundshme dhe turizmin. Në mes të janarit ekonomia pësoi tronditje të mëdha ndaj shumë veta u larguan nga puna”.
Por zonja Primo thotë se do të vazhdojë të qëndrojë në Dubai, megjithë krizën ekonomike.
"Është bërë si lojë shahu. Duhet të reagojmë. Mua më pëlqejnë sfidat, ndaj edhe po qëndroj”.
Por, këta punëtorë kanë tjetër mendim. Zafar Abazi thotë se duhet të gjejë punë sa më shpejt.
"Vetëm shpresa më mban këtu”, thotë ai.
Të gjithë këtu shpresojnë se kohët e arta ekonomike do të rikthehen dhe puna do të rifilloë në këto godina gjysëm të ndërtuara. Por kjo shpresë duket shumë e largët për momentin.
Comments (0 posted)
Post your comment