Katër “jo”-të e politikës ekonomike
Në situatën ekonomike aktuale të brendshme dhe të jashtme, euforia qeveritare shqiptare bëhet realisht e pakuptimtë. Aq më tepër në kushtet e një vendi të ndodhur në mes të Europës nuk ka se si të mos pasqyrohet përkeqësimi ekonomik i vendeve më të industrializuara të BE-së dhe i ekonomisë amerikane në vetë ekonominë shqiptare.
Rexhep Mejdani
Dy orientime ekonomike jo të njëjta
Që në vitet e para të administratës “Klinton” u zhvillua një debat intensiv mbi rrugën më të mirë të rimëkëmbjes ekonomike. Nëpërmjet tij u arrit në përfundimin se reduktimi i deficitit buxhetor duhej të konsiderohej si një stimul i veçantë për ekonominë amerikane të kohës. Ndryshe nga stafi politik i Presidentit, që ishte në favor të rritjes së shpenzimeve dhe për ulje e reduktim taksash, stafi ekonomik i tij mbështeste të kundërtën: reduktimin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Fitoi koncepti i stafit ekonomik, natyrisht edhe me mbështetjen e demokratëve të moderuar në Kongres. Kështu, strategjia ekonomike amerikane gjatë administratës “Klinton” kishte 3 kolona bazë: (1) rivendosjen e disiplinës fiskale, eliminimin e deficitit buxhetor, mbajtjen e normave të interesit të ulëta e nxitjen e investimeve në sektorin privat; (2) investimin e drejtpërdrejtë te njerëzit nëpërmjet edukimit, trajnimit, kualifikimit e kërkimit shkencor; (3) hapjen e mëtejshme ndaj tregjeve të huaja. Rezultati i saj ishte tërësor: deficiti buxhetor i mëparshëm u zëvendësua me “surplus”, u krijuan mbi 22 milionë vende të reja pune, duke e bërë kështu papunësinë, por dhe inflacionin bazë, më të ulëtin në dekadat e fundit. Amerika përjetoi, kështu, një ekspansion ekonomik ndër më të gjatët në histori.
Po ashtu, në administratën “Obama” është debatuar, që në fillim, mbi strategjinë ekonomike për daljen nga kriza. Edhe qëndrimi i stafeve politike e ekonomike nuk ka qenë i njëjtë, veçse i kundërt në shenjë me atë të administratës “Klinton”. Konkretisht, stafi politik i Presidentit ka qenë për reduktim të deficit, duke pasqyruar, në njëfarë mënyre, pakënaqësinë publike mbi rritjen e këtij deficiti dhe të borxhit publik. Ndërkohë, stafi ekonomik, i mbështetur dhe nga Obama, ka argumentuar të kundërtën. Pra, qeveria duhet të vazhdojë investimet në sektorin publik, të stimulojë më tej ekonominë, të shfrytëzojë incentiva të ndryshëm për të shmangur një recension tjetër. Dhe për këtë kërkohen para të tjera, që e bën të domosdoshme rritjen e tavanit të lejuar të borxhit publik. Ai u arrit para pak ditësh, nëpërmjet një kompromisi jo të plotë dhe të vështirë midis republikanëve dhe demokratëve. Për më tepër, me kushtëzime serioze!…
Katër “jo”-të e tavanit të borxhit
Siç thekson ish-kryeministri britanik, Gordon Braun, në qendër të vendimit të marrë në Uashington për tavanin e borxhit u përcaktuan si të panegociueshme, pra dhe të pakapërcyeshme, katër shtylla të politikës ekonomike, apo katër “Jo” thelbësore. Pikërisht ato janë: “jo më taksa, jo më stimuj, jo më investime publike dhe jo më shkurtime apo rritje shpenzimesh” (G. Brown, Global crisis calls for G-20 growth pact, “The Washington Post”, august 10). Veçse, me këto politika të detyruara, apo nën trysninë e këtyre kufizimeve të imponuara politikisht, ka shumë mundësi që, sipas tij, të bllokohet rritja e lidhur ngushtë me shpenzimet konsumatore e investimet publike; shtuar këtu dhe gjasat e dobëta të investimeve private në një treg të brendshëm me prirje për stanjacion. Bile, për Braunin, Amerika, në vitet që vijnë, mund të futet në një cikël me rritje të ulët ekonomike. Me sa duket, një proces ekonomik me pasoja të ngjashme mund të zhvillohet edhe në Europë.
Në periudhën e parë, menjëherë pas shpërthimit galopant të krizës globale, janë trajtuar edhe dy rrugët për kapërcimin e saj. Kështu, njëra kishte të bënte me çmontimin apo prishjen në origjinë të skemës ekonomike – financiare që provokoi krizën, kurse mundësia tjetër kishte të bënte thjesht me disiplinimin e tregjeve të sotme, me ruajtje e ngritje çmimesh, mallrash e shërbimesh, duke tejkaluar problemet e likuiditeteve apo shtetëzim-privatizimet, nëpërmjet rikapitalizimit shtetëror, ndërhyrjeve qeveritare dhe bankave të fuqishme. E thënë ndryshe, njëra mundësi është ngritja e një teorie dhe praktike të re, bazuar mbi falimentin e vërtetë të sistemit ekonomik (pra dhe rivendosja për nga poshtë e një sistemi të ri pagesash dhe çmimesh, përfshirë dhe ato të “real estate”), kurse mundësia tjetër është ajo që po tenton të konservojë sistemin politik-ekonomik, nëpërmjet rregullimeve teknike – disiplinore, procedurale e kontrolluese, krahas rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Pikërisht u zgjodh rruga e dytë me konservim të përmbajtjes së sistemit ekonomik-financiar. Ajo, siç dhe mund të pritej, ende po e mban të varur pezull vetë procesin e kapërcimit të krizës…
Megjithatë, sipas Braunit, ka një “litar shpëtimi”. Për këtë qëllim, të dyja kontinentet duhet “të eksportojnë mënyrën e tyre për të arritur te rritja ekonomike. Por, nëse kjo është politika e SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë dhe tanimë edhe e Eurozonës, ajo është e deklaruar si e tillë edhe prej Kinës, Indisë, Brazilit apo pjesës tjetër të botës. Një mekanizëm eksporti që funksionon nënkupton se disa shteteve do t’u duhet të importojnë më shumë se sa eksportojnë. Veçse, pa një plan të madh të përbashkët strategjia “eksporto ose vdis” ngjan me një lojë me shumë zero (zero-sum game)”.
Por, si të zgjidhet ky “hall” eksportesh në ekonominë shqiptare kur deficiti tregtar shqiptar është shumë i madh, madje raporti import-eksport është pothuajse 5 me 1 (në pesë njësi import kemi një njësi eksport)?!…
Po “jo”-të në ekonominë shqiptare?
Një konsensus e kompromis politik kërkohet edhe në situatën ekonomike shqiptare. Aq më tepër që aty ndjehet një ngopje në rritje me “masa mbrojtëse”. Bile, ka shumë mundësi që, në rrjedhje të kohës, të bëhet problematike çdo ngritje e mëtejshme e tavanit të borxhit publik. Po ashtu, mund të rezultojë me një efekt negativ të menjëhershëm rritja e mëtejshme e taksave apo rritja e shpenzimeve. Mund të mos kenë më efekt stimuj të ndryshëm për rritjen e prodhimit dhe konsumit; bile nuk mund të vazhdohet si më parë me “teknologjinë” e investimeve publike, apo atë të shkurtimeve buxhetore të njëpasnjëshme (që mund të prekin rëndë fusha të tilla si shëndeti, edukimi, mbrojtja e mjedisit etj.). Bile, në këtë kuptim, Shqipëria me borxhin e saj, sidomos me deficitin buxhetor, e ka mjaft të kufizuar hapësirën e vet fiskale për të shtuar apo realizuar shpenzime të programuara në fushën e shëndetit, mjedisit, edukimit etj.
Në fakt, vendet e Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë, si shumë vende me të ardhura relativisht të ulëta, fillimisht nuk u prekën në mënyrë të dukshme nga kriza financiare. Kjo edhe në sajë të nivelit të dobët të integrimit të tyre me tregjet financiare ndërkombëtare. Por, me kalimin e kohës, sidomos me rrënimin ekonomik tepër të rrezikshëm të Greqisë, kjo krizë i shtriu kthetrat e saj edhe në këtë rajon. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe! Në kushte globalizimi, çdo vend, në një mënyrë apo tjetrën, rezulton i integruar me pjesën tjetër të botës, nëpërmjet lidhjeve tregtare, eksportit e importit, investimeve të huaja të drejtpërdrejta, remitancave etj., në këtë mënyrë, me shfaqjen e recensionit në mjaft vende të zhvilluara, kriza filloi të prekë në mënyrë horizontale dhe ekonomi modeste si ato të rajonit. Kurse në Shqipëri, goditjet që ka marrë, sidomos dy vitet e fundit, monedha kombëtare e ka përkeqësuar situatën e borxhit, sidomos me reduktimin e të ardhurave nga eksportet apo, në përgjithësi, të ardhurave tatimore. Nga ana tjetër, një gjë e tillë mund të ndikojë apo të nxisë deri largimin e investitorëve nga tregu i brendshëm i letrave me vlerë. Kështu mund të “thahen” edhe rrugët e financimit të buxhetit, pikërisht kur kjo kërkohet e nevojitet më shumë se kurrë…
Në situatën ekonomike aktuale të brendshme dhe të jashtme, euforia qeveritare shqiptare bëhet realisht e pakuptimtë. Aq më tepër në kushtet e një vendi të ndodhur në mes të Europës nuk ka se si të mos pasqyrohet përkeqësimi ekonomik i vendeve më të industrializuara të BE-së dhe i ekonomisë amerikane në vetë ekonominë shqiptare. Këtu duhet shtuar dhe ndikimi në rritje i krizës greke, i shoqëruar me turbullimet ende të paqarta në ekonominë italiane. Problemi bëhet akoma më kompleks nisur nga përmasa e emigracionit shqiptar në të dy këto vende, nga niveli i shkëmbimeve, nga shkalla e depërtimit ekonomik etj. Rritja e vështirësive ekonomike në Greqi dhe Itali, rënia e shkallës së punësimit, shkurtimet e ndryshme në pagë apo në cilësinë dhe sasinë e shërbimeve sociale etj., mund të shoqërohet me goditje të reja ndaj këtij emigracioni, deri me humbje vendesh pune në vendet pritëse, apo me rënie apo reduktim të konsumit në Shqipëri. Kjo po ndjehet aktualisht deri dhe në sektorin e ndërtimit. Parë me këtë sy, edhe premtimet e tjera për gjoja investime apo rritje page duhen parë me kujdes në kontekstin e kësaj situate, për të mos provokuar as rritje të mëtejshme të deficitit buxhetor, nëpërmjet marrjes së kredive të tjera akoma më të kushtueshme, apo dhe provokimit të ndonjë ngacmimi të pakontrollueshëm të spirales së inflacionit, nga njëra anë, apo reduktimit të mëtejshëm të konsumit, nga ana tjetër…
Comments (0 posted)
Post your comment