Ekonomia mes euros dhe dollarit
E megjithatë, megjithë rreziqet e dukshme për ndoshta edhe stanjacion (mos rritje), apo rënie ekonomike, euro, e trazuar nga vullnete të brejtura të 17 vendeve anëtare të eurozonës, e ndukur për të rënë në greminë nga kriza greke dhe problemet spanjolle, portugeze, irlandeze e italiane, po reziston...
Fatos Çoçoli
Edhe pse vapa nuk po dëgjon të largohet me gushtin, “termometri” i çmimeve pësoi rënie, për shkak të ofertës së bollshme të prodhimit vendas të perimeve dhe frutave. Inflacioni në muajin korrik rezultoi 3.6 për qind, duke u ulur në krahasim me qershorin e majin. E qetësuar, banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë nuk e rriti normën e saj të interesit. Megjithatë, përqindja e interesit të bonove të thesarit është rritur disi, ç’ka tregon se qeveria ka nevojë për para në tregun e brendshëm. Sipas bankës sonë qendrore, besimi konsumatorit është ngritur, duke shtuar disi edhe konsumin në këtë periudhë vere. Shkak është edhe mendësia jonë që kursejmë disa para dhe i harxhojmë gjatë verës në pushime. Turizmi ende nuk ka dhënë bilancet e tij të sezonit më të rëndësishëm që ka, por shpresojmë të ketë qenë i mbarë, edhe pse hotelet dhe restorantet e Vlorës nuk u mbushën këtë vit.
Një gjë për t’u përshëndetur, kredia konsumatore është shtuar këto dy muajt e fundit. Sidomos kredia për sektorin privat shënoi një rritje prej 11.6 për qind në muajin qershor 2011, në krahasim me të njëjtin muaj një vit më parë. Aktiviteti i shtuar bankar dhe eksportet që sërish u shtuan në tremujorin e dytë prill-qershor 2011(edhe pse më pak si ritëm, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2010) sollën rritjen e ekonomisë sonë pothuajse po aq sa në muajt janar-mars 2011, pra 3.5-3.6 për qind. Dikujt mund t’i duket një rritje modeste, por nuk duhet të harrojmë se ekonomia më e zhvilluar e kontinentit tonë, ajo gjermane, pasi u rrit me 1.3 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, shënoi një ngadalësim të fortë në tremujorin e dytë, me një rritje vetëm 0.1 për qind. Shenjë që rimëkëmbja e vendeve më të zhvilluara të kontinentit tonë po has vështirësi serioze.
E megjithatë, megjithë rreziqet e dukshme për ndoshta edhe stanjacion (mos rritje), apo rënie ekonomike, euro, e trazuar nga vullnete të brejtura të 17 vendeve anëtare të eurozonës, e ndukur për të rënë në greminë nga kriza greke dhe problemet spanjolle, portugeze, irlandeze e italiane, po reziston. Edhe ndaj lekut tonë, megjithë fluksin e ndjeshëm të valutës së sjellë kryesisht në euro nga emigrantët tanë këto tre muajt e verës, euro nuk ra, ose ra fare pak. Kush e mban euron në pozita ende konkurruese është një dollar në gjendjen ndoshta më të vështirë të historisë së vet, me 14 mijë miliardë dollarë borxh publik të SHBA-ve. Ky borxh duket sa kolosal, aq edhe i pashlyeshëm. Ai po e gërryen ngadalë aftësinë borxh-marrëse të shtetit amerikan, si dhe vlerën e dollarit. Ekonomia jonë është me fat që praktikisht ndodhet e euronizuar (shumë veprime, madje edhe vendosje çmimesh në tregun tonë, kryhen me euro). Urojmë që edhe rezervat valutore banka jonë qendrore të ketë bërë në kohë t’i ketë kthyer në euro, e të mos i mbajë më në monedhën e gjelbër. Për dollarin ngushtohet gjithnjë e më shumë hapësira e manovrës dhe e marrjes së vetes, ndërsa euro është aty ende e fortë.
Dhe është një shenjë tejet pozitive në rajon, që ekonomia jonë vijon rritjen, edhe pse modeste, kur Italia rrezikon stanjacionin (mosrritjen), Greqia ka rënë teposhtë dhe edhe ekonomitë më të zhvilluara, si Gjermania, Britania e Madhe apo Franca e kanë të vështirë ta marrin të plotë shtegun e rritjes. Ekonomia jonë po reziston, por edhe për sa kohë? Ndoshta telashet e fqinjit tjetër, jo tashmë grekut, por italianit, mund ta godisnin më rëndë. Në Itali dërgojmë 37 për qind të eksporteve dhe rënia e porosive nga ky shtet do pakësonte gjasat tona për rritje. Por edhe pse kemi ulur ndjeshëm eksportin e energjisë elektrike për shkak të thatësirës, prodhimet tona me material porositësi po përjetojnë një lulëzim të vërtetë. Porositë e humbura nga struktura prodhuese në Tunizi, Libi, Egjypt e vende të tjera të Afrikës së Veriut, investues italianë, gjermanë, belgë e deri britanikë po i sjellin këtu, në Shqipëri. Është mundësia jonë për t’u zhvilluar nëpërmjet kësaj industrie të fasonit, që ka pjesën e luanit në eksportet tona.
Dhe nëse rrisim eksportet ndjeshëm dhe për këto katër muaj të fundit të vitit, të jemi të sigurt se telashet e euros dhe sidomos të dollarit në muajt e ardhshëm do t’i ndjejmë fare pak. Nuk është se do të jemi ekonomikisht një ishull i qetë dhe që nuk preket nga furtunat e tregjeve të kapitalit, por të paktën për fundin e këtij viti mund ta shohim veten dhe ekonominë tonë një liman të qetë(sigurisht, në se na lejon antagonizmi i politikës sonë).
Comments (0 posted)
Post your comment