Home | Business | Alkimia e krizës

Alkimia e krizës

image
Shkurt, ky është një vend në reanimacion të plotë, i shtrirë në prag të agonisë, pa një mjek specialist tek koka që të mund t’i kurojë plagët dhe t’i pakësojë dhimbjet. Ky është vendi ynë, që na dhemb të gjithëve, pavarësisht nga statusi social e politik, pavarësisht nëse jemi pronarë apo proletarë, rozë apo blu...

 

 


Nga Astrit Kosturi

 

 


Kryeministri ynë i nderuar nuk lë vend e rast pa folur për marshimin fitimtar të tranzicionit shqiptar, për faktin se, sipas tij, ne qenkemi i vetmi vend në botë që nuk qenkemi prekur nga kriza globale, se gjoja paskemi rritjen ekonomike më të lartë në rruzullin tokësor dhe se vetë Gjermania dhe SHBA duhet të mësojnë nga përvoja antikrizë e Shqipërisë. Aq shumë na i thotë këto pallvra kryeministri ynë dhe aq shumë i pasojnë këto lloqe mashtruese ministrat e tij, sa, nganjëherë, edhe pse ne shqiptarët kemi shumë halle e andralla, edhe pse pensionistët nuk kanë lekë për të blerë bukë e ilaçe, edhe pse në disa zona rurale fëmijët nuk shkojnë dot në shkollë se nuk kanë lekë për të blerë librat etj, edhe pse bankat tona kanë interesat më të larta në Europë dhe më gjerë për kreditime dhe më të ulëtat për depozitime, edhe pse një litër ujë kushton më shumë se një litër qumësht, edhe pse minatorët luftojnë me urinë dhe vdekjen në emër të jetës, edhe pse gjithçka rrjedh në këtë vend kundër interesave të qytetarëve të thjeshtë, kundër shumicës së popullatës së kësaj republike të një mijë e një çudirave, nga retorika entuziaste e Doktorit të krijohet përshtypja se gjithçka shkon për mrekulli, se i kemi dhënë dërmën krizës dhe ia kemi vënë kufirin tek thana çdo halli e barre.Shqipëria e këtij të ashtuquajturi tranzicion, që nuk i duket askund fundi është një vend i nxjerrë në ankand që nga pasuria publike deri tek mendjet dhe kapacitetet intelektuale si dhe elita kombëtare, që shesin trurin metropoleve të botës dhe hedhin gur prapa për vendin e tyre, i cili nuk kishte dhe akoma nuk ka mundësi t’i respektojë për kontributet e dhëna.Doktori ynë rreket të na mbush mendjen se në Shqipëri nuk ka krizë, por kriza këtu është ulur këmbëkryq. Raporti i këtij vendi me krizën është si raporti i të mbyturit me çadrën. Ky vend është si ai i mbyturi në det që nuk ka nevojë për çadër. Këtyre njerëzve të nëpërkëmbur në dinjitetin njerëzor, të grabitur, të papaguar, të mashtruar në besimin dhe shpresën e tyre, nuk iu hyn në punë çadra e Doktorit.

Shqipëria është mbytur në borxhe, ka shitur pasuritë e veta, ka tjetërsuar pasuritë publike, që janë kthyer në një monopol të mafies politike dhe të grupeve të interesit që sillen rreth qeverisë. Pronarët legjitimë janë me copa letrash në dorë duke u endur gjykatave, pronarët e rinj, me copa letrash të lëshuara nga zyrat e partisë-shtet gëzojnë pronat e pronarëve të vjetër. Populli tjetër, populli pa prona e katandi, populli i listave të gjata të bukës dhe ushqimeve në dyqanet në prag falimenti, populli që nuk ka kohë të dëgjojë retorikën aristoteliane të Kryeministrit, rropatet në kufijtë e urisë, pa punë, pa bukë, pa shpresë për të nesërmen. Ky popull nuk e di se kreu i qeverisë shëtit në llozhat luksoze të kancelarive të Perëndimit, në takime të dorës së dytë (pasi në takime të rëndësishme të burrave të shtetit ka kohë që nuk e ftojnë më), duke u përbetuar për mirëqenien e bashkëqytetarëve të tij, duke I ftuar dhe këto vende metropolesh të fuqishme të ekonomisë dhe biznesit të ndjekin shembullin largpamës të Shqipërisë.Por Shqipëria e këtij zotërie që kemi në krye të ekzekutivit, është Shqipëria e plagëve të Gërdecit, që akuzojnë majën e Keopsit të piramidës shtetërore, me një ministër Mjedisi që ka hedhur në erë jo vetëm mjedisin por dhe jetën e gjallë të njerëzve të varfër, me një ish zv/kryeministër, kryetar i njërës nga partitë të koalicionit qeverisës që shëtit nga njëra shkallë e gjykatës në tjetrën, me një mal akuzash për korrupsion të shkallës së gjerë në shpinë, me një komision qendror të zgjedhjeve që i nxjerr rezultatet e fitimtarëve dhe të humburve në Tiranë në tavolinë, sipas urdhërit të partisë në pushtet, me një shoqëri civile që paguhet nga qeveria për të bërë lojën e dikurshme të organizatave të masave, me një sistem bankar të falimentuar.

 Shkurt, ky është një vend në reanimacion të plotë, i shtrirë në prag të agonisë, pa një mjek specialist tek koka që të mund t’i kurojë plagët dhe t’i pakësojë dhimbjet. Ky është vendi ynë, që na dhemb të gjithëve, pavarësisht nga statusi social e politik, pavarësisht nëse jemi pronarë apo proletarë, rozë apo blu, shqiptarë den-baba-den apo pakica kombëtare, romë apo ballkano-egjyptianë, heronj apo frikacakë. Ky vend është në krizë dhe dëshpërim. Ky vend është i sëmurë rëndë, i shtrirë në shtratin e hekjes dhe këtë vetëm Kryeministri ynë dhe disa njerëz që sillen rreth tij nuk e kuptojnë. Shoqëria shqiptare, nën tam-tamet e politikave të ditës, të trumbetuara nën sloganet euroatlantike, tash njëzet vjet ndihet e braktisur në vizionin dhe ëndrrën e saj, për një Shqipëri normale. Për një Shqipëri së pari të shqiptarëve dhe për shqiptarët, ku të ketë ligj e drejtësi sociale, ku të ketë starte reale konkurrence dhe jo dogma primitive që të bëjnë të vjellësh. Ku efektet e një qeverisje normale të shtrihen deri thellë në shtresat më të zbuluara të shoqërisë dhe jo vetëm një qeverisje për grupet e kontrollit të interesave të klaneve afër pushtetit. Jo thjeshtë një qeverisje për t’u hedhur hi syve të huajve, të cilëve iu pëlqen të vetëmashtrohen, pasi me anë të këtij vetëmashtrimi përfitojnë shuma marramendëse në kurriz të shqiptarëve, që po shkojnë drejt kufirit të mbijetesës.Politikanët tanë e kanë kthyer euroatlantizmin në ideologji se ashtu iu intereson, për të vënë në gjumë vetëdijen kolektive të një populli, që vazhdon të zvarritet në baltovinën e një tranzicioni të sëmurë, dirigjuar nga një klasë politike xhahile, nën kontrollin e mafies rajonale e europiane.

Ky euroatlantizëm, që i ka përfaqësuesit e saj në Shqipëri, me biznese të majme që kontrollojnë gjithçka, lyp me çdo kusht që të besojë euforinë e Kryeministrit, përkundër realitetit të trishtë dhe të prekshëm, që thërret për ndihmë. Të huajt në ftojnë ne të gjithëve të besojmë këtë mrekulli, pasi vërtet për ta ky vend është një mrekulli, ndërkohë që për biznesin shqiptar, që është i rrethuar nga shteti me taksa e tatime marramendëse, për punëtorët dhe fshatarët e këtij vendi, për intelektualët, ushtarakët në rezervë, pensionistët, gratë, fëmijët etj ky vend që është vendi i tyre, vendi ynë i përbashkët që e duam pa kushte dhe me çdo çmim, është kthyer në një vend të pamundur për të jetuar. Ne do të donim, bile lutemi me shpirt, që profecitë virtuale të qeverisë për fatlumturinë e shqiptarëve, nën udhëheqjen e Doktorit, të dalin të vërteta. Ne lutemi të gjithë që ky vend të jetë një shkollë lirie e demokracie, siç pretendon Kryeministri. Ne nuk do të donim kurrë që kriza të ulej ndonjëherë në këtë vend, por ja që nuk është në dorën tonë. Kriza është ulur këmbëkryq dhe nuk do që nuk do të lëviz nga ky vendi, ku ka gjetur një terren të plotë e të favorshëm për të lulëzuar. Ky stacion ku po qëndrojmë sot shumica e shqiptarëve është një stacion i trishtë, një stacion dëshpërimi dhe këtë realitet klithës, këtë krizë të gjithanshme dhe alarmante, nuk do që të shohë vetëm qeveria dhe mafia politike, që pret të vjelë, siç dhe ka bërë deri më tash, fitimet e krizës.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0