Home | Business | Eurozona rikthen aleancat e vjetra

Eurozona rikthen aleancat e vjetra

image
Balanca në mes fuqive evropiane u prish me fillimin e Luftës së Parë Botërore dhe përpjekjeve të Anglisë, Francës dhe Rusisë për të dobësuar hegjemoninë gjermane, nëpërmes krijimit të aleancave ushtarake. Kurse sot, eurozona përsëri i ka përçarë evropianët për sa i përket se kush dihet të ketë rolin kryesorë në çështjet financiare.
 

Selim Ibrahimi, SHBA


Si rezultat përkeqësimit të euros, dhe interesave në rritje të shteteve anëtare të BE-së, për të influencuar kontinentin, për disa vite do të shohim ndërrime gjeopolitike në Evropë duke përfshirë Ballkanin Perëndimorë dhe Evropën Lindore.
 
Kriza në shtetet e eurozonës dhe ndërmarrja e masave të rrepta ekonomike nga ana e këtyre qeverive për të shpëtuar ekonomitë e dobëta të shteteve periferike, si duket e ka zhvendosur thellimin e krizës për një kohë të shkurtër.
 
Gjermania dhe Franca si shtete të cilët janë duke luajtur një rol rreth vendosjes së këtyre rregullave të reja financiare, veçse janë duke ndikuar që në shtetet, si Greqia, Spanja apo Italia, të shohim atje trazira të brendshme sociale, për shkak të dobësimit ekonomik të këtyre shteteve dhe qeverive për të vërë nën kontroll ekonomik dhe statistikor shpenzimet e brendshme.
 
Ndërkohë që krizën që jemi duke e parë tani në EU, dhe që morri dinamikë tjetër gjatë këtij viti, nuk është vetëm problem financiarë dhe ekonomik i shteteve periferike apo atyre të quajtura stabile (Gjermania, Finlanda, Austria, Holanda), por është më i thelle,duke ngërthyer interesat e vjetra të evropianëve për dominim politik dhe financiarë të kontinentit dhe më gjerë.
 
Eurozona paralajmëron ndryshime gjeopolitike

Por këtu çështja rreth borxheve dhe stabilizimit të euros, është duke paralajmëruar ndryshime politike dhe gjeopolitike në BE dhe në Ballkan.
 
Së pari BE për katër dekada, qëllimi i së cilës ishte të zhvillojë dhe të avancojë bashkëpunimin tregtarë të shteteve të Evropës Perëndimorë, që nga fillimi i vitit 1991 si rezultat i ndërrimeve gjeopolitike në Evropën Lindore, ndryshoi rolin drejt një institucioni më të gjerë politik dhe financiarë, që të projektonte fuqi jo vetëm në Evropë por edhe me gjerë. Kështu në një farë drejtimi duke tentuar të emitojë Amerikën në kontekstin global, ky qëllim global i BE-së për shkak të dallimeve nacionale dhe historike, vazhdoi të jetë i vështirë dhe i komplikuar, ashtu siç jemi duke e vërtetuar, sot me krizën në shtetet anëtarë të eurozonës.
 
Ëndrra evropiane për të themeluar një union të fuqishëm u konkretizua me Traktatin e Mastritit (1992) duke i dhënë BE-së një rol të ri, me dizanj politik, diplomatik dhe ushtarak që të balanconte Amerikën dhe shtetet e Azisë në sistemin e ri ndërkombëtarë. Kjo nismë si duket përfundoi me Traktatin e Lisbonës (2007), ku përveç suksesit u pa një farë dobësimi dhe përçarje të shteteve pjesëmarrëse, në çështjet e jashtme dhe të brendshme.
 
Nuk vonoi shumë, kriza ekonomike botërore e vitit 2008, fillimisht si duket nuk preki fuqishëm BE–në, por me të vërtetë gjatë vitit 2010-2011 u pa se sa në gjendje të mjerueshme janë shtetet anëtare të euroznës, për sa i përket shpenzimeve të brendshme. Kjo situatë sot, ka shtuar dilemat e vazhdimit të mëtejme të euros dhe ndoshta të vetë BE-së.
 
Tronditjet në sistemin financiarë evropian janë duke thelluar përçarjet në mes aktorëve evropianë, duke lënë më tej dallime thelbësore në mes shteteve më të fuqishme të BE-së. Në fakt në krahasim me Amerikën, ku kriza financiare e nisur këtu dhe që përfundoi gjetiu rreth globit, ka shumë pak gjasa të rrezikojë unitetin e shtetit, në krahasim me Evropën, pra me shtetet anëtare të eurozonës.
 
Për më shumë, edhe për kundër masave të fundit të nisura nga Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy, për të parandaluar fundosjen e eurozonës, ideja për një BE të fuqishme në kontekstin global, si duket është kthyer në ankth. Dhe këtu tani janë duke u vërejtur tendencat historike të evropianëve për të formuar aleanca dhe unione (Grupi i Vishegradit) dhe përpjekjeve të Gjermanisë nga ana tjetër për të dominuar BE-në.
 
Kjo situatë e re si në të kaluarën dhe tani ka dëmtuar interesat e evropianëve për qenë bashkë në një union, ose më shkurt është duke kthyer Evropën në gjendje të konflikteve të brendshme , ashtu siç ishte para se të arrihej Paqja e Vestfalisë (1648) apo diku në vitet para se të fillonte Lufta e Parë Botërore (1914).
 
Pra kriza në eurozonë, faktorët e brendshëm dhe të jashtëm për rreth shteteve të BE-së, janë duke çuar drejt transformimeve kontinentin e vjetër. Nga ky fakt është bërë e mundshme që interesat shtetërore dhe rajonale të disa shteteve si të Gjermanisë, të mos përfundojnë vetëm në BE apo eurozonë, port të jenë të projektuara të shkojnë më gjerë, në forcimin e shtetit gjerman, për të kontrolluar BE-në financiarisht, nëpërmes fondeve shtesë të nisura nga vetë Berlini apo Parisi.
 
Megjithatë eurozona si ide e prezantuar në fund të dekadës së kaluar u bë zyrtare në fillim të vitit 2002 si monedhë që të unifikonte vendet anëtare të BE-së, dhe të kontrabalanconte dollarin amerikan apo për të dobësuar dhe zëvendësuar atë më një monedhë tjetër ndërkombëtare.
 
Mirëpo për shkak të rrethanave historike, ishte e njohur se një lëvizje e këtillë për sa i përket politikave financiare të BE-së, do të sillte këtë krizë të re që jemi duke e parë. Për të mos harruar, është vështirë të kontrollohen të gjitha shtetet e BE-së, kur bëhet fjalë rreth shpenzimeve dhe programeve sociale që i bëjnë vetë qeveritë. Dhe me të vërtetë, shpenzimet e mëdha dhe të pakontrolluara shteteve periferike të eurozonës (Greqia, Spanja,Portugalia, Islanda) kanë vënë në pikëpyetje anëtarësimin e mëtejme në këtë mekanizëm, ose më shkurt, janë para kolapsit ekonomik.
 
Kriza në Eurozonë rikthen Gjermaninë në skenën politike evropiane
 
Në këtë linjë, është bërë e komplikuar për Gjermaninë apo Francën për të bindur qytetarët vendas për pasurinë kombëtare dhe personale që duhet të drejtohet rreth politikave financiare për të shpëtuar shtetet e dobëta pjesëmarrëse në tregun evropian. Sidomos ky fakt vlen për Gjermaninë si shtet më i fuqishëm në Evropë dhe që ka përsipër të sotmen dhe të ardhmen e BE-së.
 
Kur diplomati dhe shtetari gjerman Oto Von Bismark (Otto Von Bismarc) si rezultat i politikave të balancuara, në vitin 1871 ribashkoi Gjermaninë, ky unitet u pa nga shtetet jo aleate si rikthim i fuqisë gjermane në Evropë dhe në atë kohë të ndërrimeve të shpejta gjeopolitike në Euroazi, armiqtë e Prusisë (Gjermanisë) dhe Austro-Hungarisë, kundërshtuan çdo lëvizje ushtarake, politike dhe financiare që do të sillte dominim gjerman dhe austriak në Evropë dhe në Ballkan.
 
Balanca në mes fuqive evropiane u prish me fillimin e Luftës së Parë Botërore dhe përpjekjeve të Anglisë, Francës dhe Rusisë për të dobësuar hegjemoninë gjermane, nëpërmes krijimit të aleancave ushtarake. Kurse sot, eurozona përsëri i ka përçarë evropianët për sa i përket se kush dihet të ketë rolin kryesorë në çështjet financiare.
 
Nga ana tjetër, kundërshtimet e shteteve të vogla kundër rolit agresiv të Berlinit në union ka bërë që fati i BE të jetë i papërcaktuar. Diskutimet rreth fatit të eurozonës shpeshherë, na e përkujton nocionin e njohur komb –shtet, apo më shkurt në rastin e krizës në eurozonë, është vetë droja e shteteve të vogla kundër forcimit të mëtejmë gjerman.
 
Në këtë kontekst, për afro një shekull që kur fillojë Lufta e Parë Botërore dhe dominimit global amerikan, tentimet e fuqishme të dy dekadave të fundit të fuqive evropiane për të dominuar sistemin politik dhe financiarë nëpërmes BE-së dhe eurozonës përfunduan keq, edhe atë me thellim të mëtejmë të krizës brenda dhe jashtë anëtarëve të BE-së dhe me mundësinë e dështimit të idesë së evropianëve për një union, që asnjëherë nuk do të thyej.
 
Pra, tani për tani, jo vetëm që është vënë në pikëpyetje ekzistenca e eurozonës, por edhe e vetë BE-ja si tërësi, për shkak të rritjes së interesave të shteteve me të fuqishme për dominim të kontinentit. Këtu duhet veçuar Gjermaninë, që duke shfrytëzuar fuqinë ekonomike, është duke vazhduar të shfrytëzojë krizën për të influencuar në politikat fiskale të shteteve më të brishta, anëtare të BE-së dhe eurozonës.
 
Kërcënimi gjerman është real, dhe është duke u parë me Greqinë, dhe shtetet tjera të quajtura periferike, për mundësinë e përjashtimit nga zona dhe dukë bërë përpjekje për të themeluar unione tjera më specifike dhe më të forta, që do të përfshinte disa vende anëtare të unionit aktual nën influencën gjermane. Themelimi i mundshëm i unioneve të reja në Evropë, që kryesisht do të iniciohej nga Gjermania, do të shkonte paralel me idenë ruse të themelimit të Unionit Aziatik, që kryesisht ka për qëllimtë vendosë nën kontroll gazin natyrorë në Azinë Qendrore.
 
Kjo nuk është kaq, viteve të fundit kemi parë një rritje të marrëdhënieve diplomatike ruso–gjermane, për të vënë nën dominim Evropën Qendrore dhe Lindore. Kriza në eurozonë i nxori në pah këto kërkesa maksimalistë gjermane për the rreth Evropës dhe më gjerë në rajon. Britania e Madhe, është duke parë rastin për të forcuar pozitat gjeostrategjike, në rast të dështimit të Francës për të menaxhuar sistemin bankarë. Takimi i fundit i shefave të shteteve të BE-së për sa i përket Greqisë dhe së ardhmes së euros, përfundoi me idenë e grumbullimit të më shume së 700 bilion eurove, në një fond strategjik me seli në Luksemburg, dhe që do të shfrytëzohej nga vendet anëtare, në rast të paraqitjes së ndonjë krize në të ardhmen.
 
Nuk duhet harruar një detaj se nisma franko- gjermane, drejtohet nga Berlini dhe ka për qëllim të përjashtojë në të ardhmen, çdo anëtar të zonës që do të veprojë dhe sillet i “pa disiplinuar”, për sa i përket çështjeve financiare. Gjendja rreth politikave ekonomike ashtu siç jemi duke e parë aktualisht në BE, është kthyer në gjeopolitikë rajonale, për të dominuar dhe influencuar këtë pjesë të Evropës. Në rast të kthimit eventual të markës gjermane apo të monedhave të tjera në tregun kombëtare të këtyre shteteve, atëherë euro do të jetë vetëm një histori, që ka lënë prapa një Evropë tjetër dhe të përcarë.
 
Eurozona dhe gjeopolitika e re e Ballkanit

Ngjarjet rreth krizës në BE nuk lënë pa ndikuar në situatën në Ballkan, kryesisht në shtetet të përfshira nga konfliktet dhe intervenimet ushtarake ndërkombëtare (Bosnja, Kosova, Serbia, Maqedonia).
 
Përderisa brenda BE-së, jemi duke parë zhvillime që janë duke shtuar drojën e vazhdimit të unionit, në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimorë, për më shumë se dy decenie, kemi parë nisma të këtyre shteteve, për tu anëtarësuar në këto organizata të vërshuar nga kriza dhe dështimi gradual. Në këtë trend të anëtarësime dhe përjashtimeve, është e paqartë, se nga do të shkojnë qeveritë e vendeve të brishta të Ballkanit, pra në cilën zonë këto shtete të vogla të rajonit cila do të gravitojnë.
 
Përveç premtimeve reale të bëra nga amerikanët për tu anëtarësuar në NATO, këto vende kanë ecur prapa për sa i përket reformave demokratike. Shpresat e shteteve aktuale, për të integruar në sistemin evropian, mund të ulen në rast se kriza në shtetet e eurozonës do të thellohej edhe më shumë, dhe këtu duke marrë në konsideratë masat e rrepta të kursimit të vëna nga dyshja Gjermani –Francë për shtetet anëtare të zonës dhe anëtarëve të ardhshëm.
 
Deri më tani BE ka dërguar ndihma dhe ka aprovuar grante financiare për të përmirësuar ekonomitë lokale dhe kombëtare të Ballkanit Perëndimor. Shtetet e rajonit gjatë ditëve të mira të euros, pothuajse për dhjetë vite, nuk arritën që të modernizohen dhe në këtë drejtim mundësitë e konflikteve të izoluara apo të ngrira (Bosnja dhe Kosova) ngelin si rrezik i përhershëm për rajonin.
 
Në këtë ekuacion të ri gjeopolitik, përderisa kriza në Evropë do të vazhdojë të thellohet, duke përfshirë edhe kërkesat në rritje të shteteve të BE-së për të shkurtuar buxhetin e jashtëm ndaj Ballkanit Perëndimor, është e mundur që të kemi zhgënjim të vendeve të rajonit për sa i përket anëtarësimit në BE dhe kërkimit të alternative të tjera ekonomiko-financiare, apo mundësisht do të linte hapur krijimin e aleancave apo unioneve brenda dhe për tej Ballkanit.
 
Në këtë drejtim duhet përmendur faktin se vullneti i qytetarëve të rajonit në disa shtetet ballkanike për tu bërë anëtare e organizatave të krijuara nga Brukseli ka rënë. Kështu dëshira e serbëve për tu integruar në BE, sipas statistikave ka pësuar një rënie për shtatë për qind në krahasim me të dhënat e vitit të kaluar. Kriza e në veri të Kosovës në një farë mënyre i ka dhënë Serbisë gjasa të manipulojë me politikat rajonale, herë me Perëndimin e herë me Lindjen. Lidhja strategjike serbo-ruse dhe aktivitetet e fundit diplomatike për të thirrur një konferencë ndërkombëtare që do të diskutonte rreth veriut dhe do të siguronte depërtimin rus në Adriatik nëpërmes Serbisë dhe Malit të Zi.
 
Rusët dukë shfrytëzuar dobësim amerikan në rajon, dhe krizën në Evropë janë duke u munduar të krijojnë edhe një partnership tjetër më të fortë, edhe atë me Maqedoninë, dukë e ndihmuar lidhjen e këtij vendi me rrjetin e gazit natyrorë (Rryma Jugore) dhe nga ana tjetër dukë bërë investime në Maqedoni nëpërmes Lukoil.
 
Poshtë lartë, përderisa tensionet në eurozonë vazhdojnë, diplomatët evropian janë të hutuar çfarë të bëjnë rreth Kosovës dhe planeve serbe për një dominim në rajon.
 Dilemat se çfarë zgjidhje ti jepet konfliktit në veri të Kosovës dhe çfarë të bëhet me Bosnjën vazhdojnë paralel me krizën në eurozonë. Së duhet përmendur se në vitet 1992-1994 të gjithë konferencat ndërkombëtare të organizuara në kohën e lulëzimit të idesë së BE-së, nga vetë evropianët dështuan duke lënë pasoja për popullatën e rajonit.
 
Tani kur është vënë në rrezik Kosova, përsëri BE, me problemet e eurozonës atje, përpiqet të gjejë zgjidhje nëpër mes diplomacisë së butë, që në një farë forme do të përfundonte më një zgjidhje që do të dëmtonte apo do të avanconte pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe rajon.
 
Pozicionet strategjike të shqiptarëve ende nuk janë saktësuar, kundrejt këtyre vlimeve dhe dëshirës së madhe për ty bërë pjesë e BE-së. Përveç anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, gjatë dy viteve të fundit nuk kemi parë hapa seriozë nga shqiptarët në Ballkan për të përballuar krizën që vjen si nga eurozona po ashtu edhe nga forcat gjeopolitike që përpiqen të ndërrojnë baraspeshën në rajon.
 
Optimizmi rreth ndryshimeve pozitive në rajon, është në rënie dhe duket e paqartë se çfarë perspektive do të ketë atje, duke marrë në parasysh krizën financiare në BE. Ky vakum që është duke u krijuar, ngadalë po plotësohet nga fuqitë rajonale (Turqia), atyre të rangut të mesëm me tendencë të rritjes në fuqi globale (Gjermania, Rusia) dhe ndoshta nga ato me status aktual global (Kina).
 
Kriza e tanishme dhe presionet që vijnë nga ekonomitë në zhvillim të Azisë mund të shkaktojnë lëvizje në BU nëpërmes vërshimeve tregtare dhe diplomatike, për të shpëtuar euron, dhe ana tjetër këto ngjarje nuk do të anashkalonin edhe Ballkanin.
 Për më shumë, si rezultat përkeqësimit të euros, dhe interesave shtetërore të vendeve anëtare të BE-së, do të shohim ndërrime gjeopolitike në Evropë, pra duke përfshirë Ballkanin Perëndimorë apo edhe Evropën Lindore.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0