Latest News
Kush do të fitojë: Amerika apo Kina?
Rritja e Kinës me të vërtetë paraqet sfidë për Shtetet e Bashkuara. Fuqitë në rritje synojnë të fitojnë sa më tepër autoritet në sistemin global, ndërsa fuqitë në rënie rrallëherë shkojnë poshtë pa luftë.
Nga Juan Ksuetong
Me influencën në rritje të Kinës ndaj ekonomisë globale dhe aftësisë së saj të shtuar për projektim të fuqisë ushtarake, gara ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është e paevitueshme. Liderët e të dyja vendeve thonë se gara mund të menaxhohet pa përleshje, të cilat kërcënojnë rendin botëror. Por, shumica e analizave akademike nuk janë kaq optimiste. Rritja e Kinës me të vërtetë paraqet sfidë për Shtetet e Bashkuara. Fuqitë në rritje synojnë të fitojnë sa më tepër autoritet në sistemin global, ndërsa fuqitë në rënie rrallëherë shkojnë poshtë pa luftë.
Duke pasur parasysh dallimet ndërmjet sistemeve politike amerikane dhe kineze, pesimistët mund të besojnë se ekzistojnë gjasa, bile edhe më të mëdha, për luftë. Unë jam realist politik. Analistët perëndimorë i kanë cilësuar pikëpamjet e mia si “agresive”, por e vërteta është se unë kurrë nuk e kam mbiçmuar rëndësinë e moralitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Realizmi, megjithatë, nuk do të thotë se politikanët duhet të jenë të shqetësuar vetëm me mjetet ushtarake dhe ekonomike.
Në fakt, moraliteti mund të luajë rol kryesor në krijimin e garës ndërkombëtare ndërmjet fuqive politike dhe t’i ndajë fituesit nga humbësit.
Ky konkluzion është nxjerrë nga studimi i teoricienëve politikë kinezë, siç janë: Guanzi, Konfuçi, Ksunzi dhe Mençius. Ata kanë shkruar për periudhën para se Kina të bashkohej si një perandori, para më se 2 mijë vjetësh - botë në të cilën vendet e vogla kanë garuar në mënyrë të pamëshirshme për avancime territoriale.
Me gjasë, ishte periudha më e ndritshme për mendimin kinez dhe disa shkolla kishin bërë gara për supremaci ideologjike dhe ndikim politik. Ata ishin pajtuar në një çështje themelore: çelësi për ndikim ndërkombëtar është fuqia politike, ndërsa atribuimi qendror për fuqi politike është udhëheqja moralisht e informuar. Sunduesit, që kanë vepruar në harmoni me normat morale, çdoherë që ka qenë e mundur, del se kanë fituar garën për lidership gjatë një kohe të gjatë.
Njëherë, Henri Kisinxher më tha se ai besonte se mendimi i vjetër kinez, me gjasë më tepër se çfarëdo ideologjie e jashtme, është shndërruar në forcë dominante intelektuale pas politikës së jashtme kineze. Fragmentimi i para më se 2 mijë vjetëve është i ngjashëm me ndarjet globale të kohës sonë dhe përshkrimet nga teoricienët politikë nga ajo periudhë janë direkt relevante edhe sot; veçanërisht, shtetet të cilat mbështeten në forcën ushtarake ose politike, pa shqetësim për lidership të informuar moral, janë të gatshme për dështim.
Për fat të keq, pikëpamjet e këtilla sot nuk janë aq me ndikim.
Qeveria kineze pretendon se udhëheqja politike e Partisë Komuniste është bazë e mrekullisë ekonomike të Kinës, por ajo shpeshherë vepron pothuajse sikur gara me Shtetet e Bashkuara do të luhet jashtë fushës ekonomike. Në Amerikë, politikanët rregullisht i atribuohen progresit, por kurrë dështimit të vetë udhëheqjes së tyre. Të dyja qeveritë duhet të kuptojnë se lidershipi politik, e jo hedhja e parave në probleme, do të përcaktojë se kush e fiton garën për supremaci globale. Synimi i Kinës për ta forcuar statusin e saj të lidershipit botëror dhe përpjekjet e Amerikës për mbajtjen e pozicionit aktual të saj, janë ndeshje me rezultat zero. Është beteja për zemrën dhe shpirtin e njerëzve që do të përcaktojë se kush eventualisht do të mbizotërojë. Siç kanë parashikuar filozofët antikë të Kinës, vendi i cili tregon më tepër autoritet human, do të fitojë.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment