Home | Business | Mbi përgjegjësinë sociale të biznesit

Mbi përgjegjësinë sociale të biznesit

image
 Por, veçanërisht duke filluar nga mesi i viteve ‘90, ka një ringjallje vullnetare të këtij koncepti, dhe veçanërisht në aplikimin e tij në politikat dhe vendimmarrjet e korporatave dhe të bizneseve. Dhe ky fenomen, sigurisht, ka një arsye: në një ekonomi gjithnjë e më...

 
 
 



Eno Bozdo
 
 
 

 
Në fillimin e shekullit të kaluar, Presidenti Ruzvelt shprehej se “korporatat janë elemente esenciale të qytetërimit tonë modern, por ato duhet të rregullohen dhe monitorohen me qëllim që të veprojnë në të mirën e përgjithshme të komunitetit”. Ishte kjo, ndoshta, konsiderata e parë zyrtare e një niveli kaq të lartë politik përsa i përket konceptit të “përgjegjësisë sociale të biznesit”. Megjithatë, literatura hulumtuese ekonomike mbi këtë çështje “vonoi” të paktën dy dekada, deri në publikimin e librit të parë të Howard R. Bowen (1953), titulluar “Përgjegjësitë sociale të një biznesmeni”.
 
 Ideja që Bowen parashtronte zinte fill nga konsiderata që bizneset e mëdha (ende nuk përdorej termi “korporatë” në atë kohë) ishin qendra të fuqishme të pushtetit dhe vendimmarrjes, të cilat influenconin jetën e komunitetit përreth tyre. Sot, përgjithësisht, bihet dakord që ky libër ka shënuar fillimin e literaturës moderne ekonomike në lidhje me këtë temë.
 Koncepti i “përgjegjësisë sociale korporative” (PSB) pati ndikimin e tij të konsiderueshëm edhe në mendimin ekonomik historik. Ai gjeti shprehjen e tij ndoshta më të plotë, por sigurisht, trajtuar nga një perspektivë e ndryshme, në filozofinë ekonomike libertariane të pas-Luftës së Dytë Botërore, me aplikimin e asaj që sot quhet “ekonomi sociale e tregut”. Ky mendim ekonomik jo vetëm që pranon rolin e shtetit si rregullator, por e nxit atë të marrë një rol edhe më aktiv në marrëdhëniet e tij me tregun dhe korporatat, me synim kontributin ndaj shtresave sociale dhe aplikimin e parimit të shtetit të mirëqenies.
 
 Por, veçanërisht duke filluar nga mesi i viteve ‘90, ka një ringjallje vullnetare të këtij koncepti, dhe veçanërisht në aplikimin e tij në politikat dhe vendimmarrjet e korporatave dhe të bizneseve. Dhe ky fenomen, sigurisht, ka një arsye: në një ekonomi gjithnjë e më të globalizuar, por në një botë me burime gjithnjë e më të kufizuara të lëndëve të para, të vulnerabilitetit të mjedisit dhe paparashikueshmërisë së klimës, të konkurrencës për thithjen e burimeve njerëzore më të kualifikuara, aplikimi i parimeve të PSB kontribuon në rritjen e performancës së biznesit duke dhënë ndikim pozitiv për të gjithë: stafin e kompanisë, komunitetin ku ajo bën pjesë dhe mjedisin që e rrethon atë. Mishërimi i këtyre parimeve si pjesë e pandarë e kompanisë, mundëson në të njëjtën kohë një avantazh konkurrues, një menaxhim të qëndrueshëm dhe, me shumë gjasa, edhe një sukses afatgjatë për kompaninë.
 Përgjegjësia Sociale e Biznesit sot nënkupton marrjen parasysh nga operatorët ekonomikë të pasojave të plota të vendimeve menaxheriale dhe veprimeve të tyre kundrejt mjedisit, kundrejt luftës kundër varfërisë dhe korrupsionit, kundrejt punonjësve dhe të drejtave të tyre në pune, punës së të miturve, kundrejt të gjitha palëve të interesuara, të cilat pashmangshmërisht janë pjesë dhe ndikohen nga kjo vendimmarrje. Kjo përgjegjësi sociale nuk mund të konsiderohet thjesht si një zgjatim i politikave të marketingut të kompanisë apo i marrëdhënieve të saj me publikun. Zhvillimi i një standardi të ri të propozuar nga vetë biznesi, siç është ISO 26000, është një ndryshim madhor në mentalitet dhe veprim konkret drejt përgjegjësisë korporative sociale në sektorët publikë dhe privatë. Edhe sipas normave të reja të BE-së, vlerësimi i performancës së kompanive bëhet nëpërmjet indikatorëve të rinj ku janë përfshirë edhe përgjegjësitë sociale në biznes, pra vlerësimi i performancës nuk bëhet vetëm për produktivitetin e tij, por ajo shihet e lidhur ngushtë me ndikimin e saj në mjedis si dhe ndikimin social përsa u takon kushteve të punës e shëndetit të punonjësve.
 
 Ashtu si edhe Michael Portman argumenton, operatorët ekonomikë duhet të ndryshojnë perceptimin e tyre dhe të mos e konsiderojnë “suksesin ekonomik dhe përmbushjen e përgjegjësive sociale si një lojë me shumë zero”, pra një lojë që ka vetëm një humbës dhe vetëm një fitues.  Marrëdhënia e biznesit me shoqërinë, thekson Portman, nuk është një marrëdhënie “e tensionuar”, por ajo duhet trajtuar si një marrëdhënie me varësi të ndërsjellë. Sot praktika tregon shembuj kuptimplotë të përfshirjes së parimeve të “përgjegjësisë sociale të biznesit” në mënyrë të natyrshme dhe plotësisht të integruar me vizionin dhe misionin afatgjatë të organizatës. Për më tepër, për shumë nga korporatat që veprojnë në një mjedis gjithnjë e më shumë konkurrues dhe global,  skarciteti i burimeve të të gjitha llojeve dhe vështirësia në rritje për të pasur akses në lëndët e para po konsiderohet si një mundësi e artë (nëpërmjet politikave mjedisore dhe përdorimit të teknologjisë ricikluese) për të rritur qëndrueshmërinë afatgjatë të biznesit, ulur kostot e burimeve, mbrojtur mjedisin si dhe, në të njëjtën kohë, aftësinë e tyre për të qenë konkurruese.
 Në një pyetësor me drejtorët ekzekutivë të 300 kompanive të mëdha në botë, të ndërmarrë këtë vit nga Ernst&Young, 44% e tyre u përgjigjën se investimet e kompanisë sipas parimeve të Përgjegjësisë Sociale të Biznesit kanë sjellë rritje të ndjeshme e të qëndrueshme të biznesit. 40% të tjerë deklaruan se pavarësisht krizës globale, investimet e tyre në biznesin e gjelbër apo në rritjen e eficiencës së proceseve energjetike-industriale ishin rritur ndjeshëm dhe do të rriteshin edhe më shumë sepse ato po i siguronin kompanisë një avantazh afatgjatë konkurrues dhe kursime të ndjeshme si pasojë e uljeve të kostove në periudhë afatmesme.
 Nën këtë frymë, disa ditë më parë dhe për herë të parë në Shqipëri, me iniciativën e Ministrisë së Ekonomisë, në bashkëpunim të ngushtë me zyrën e PNUD-it, u mblodh Forumi shumëpalësh i Përgjegjësisë Sociale të Biznesit (PSB). Pjesë e të këtij forumi janë: Ministria e Ekonomisë dhe institucione të tjera shtetërore, komuniteti i biznesit, OJF, si dhe palë të tjera të interesuara. Forumi do të ketë si objektiv të tij parësor promovimin, nxitjen dhe aplikimin e këtij parimi  kaq të rëndësishëm për shoqërinë, komunitetin, por edhe për vetë biznesin shqiptar dhe mundësitë e tij për të qenë i suksesshëm. Forumi kërkon veçanërisht ta nxitë komunitetin e biznesit në zbatimin e praktikave më të mira mbi përgjegjësitë sociale, si dhe ndërmarrjen e aksioneve të përbashkëta me administratën publike për çështje shumë të rëndësishme, siç janë: mbrojtja e mjedisit, mbështetja sociale, nxitja e investimeve dhe e punësimit.
 Për të mbështetur këtë iniciativë, METE, me mbështetjen e PNUD-it, ka hartuar një dokument të politikave dhe të një plani konkret veprimi. Të dyja dokumentet do të jenë pjesë e një procesi të hapur dialogu me të gjithë aktorët dhe faktorët e këtij procesi. Në dokumentin e politikave jepet një analizë e qartë SWOT e pikave të forta, të dobëta, mundësitë dhe problematikat në kuadër të përshpejtimit të angazhimeve për këtë iniciativë për kompanitë që operojnë në Shqipëri. Objektivat kryesorë të këtij projektplan-veprimi mbështeten në gjashtë kolona kryesore:
 Rritja e ndërgjegjësimit për Përgjegjshmërinë Sociale të Biznesit si një element kyç për një biznes të qëndrueshëm në një ekonomi tregu.
 
 Krijimi dhe matja e indikatorëve për vlerësimin e performancës së PSB ndërmjet kompanive, ndërmjet sektorëve kyçë të ekonomisë, në nivel kombëtar.
 Krijimi i një mjedisi në të cilin ka incentiva të qarta, të përshtatshme dhe kuptimplota për përfshirjen e praktikave të PSB në sjelljen e biznesit.
 Forcimi i aftësimit dhe kompetencave të PSB me një fokus të veçante në një numër fushash kryesore, përshirë ndërtimin, turizmin, SME-të, kompani të orientuara në eksport dhe FDI.
 Forcimi i kulturës së deklarimit dhe mbështetje për raportime transparente në kohë të përshtatshme nga kompanitë, mbi impaktin e tyre social dhe mjedisor.
 Vlerësimi me çmim për ekselencën dhe progresin në PSB ndërmjet kompanive në Shqipëri dhe në sektorë specifikë.
 Është, sigurisht, një rrugë ende e gjatë dhe e vështirë deri në ndërgjegjësimin e plotë të kompanive shqiptare, të biznesit shqiptar, në aplikimin e këtyre parimeve, të cilat nuk janë dhe nuk duhen parë thjesht si kontribut i biznesit ndaj shoqërisë, por, në radhë të parë, si një përpjekje që ka vetëm fitues, komunitetin, mjedisin, por edhe kompanitë dhe aftësitë e tyre për të qenë të suksesshme në treg. Për këtë nevojitet që forumi të kthehet në një pikë referuese dhe promovuese dhe, në të njëjtën kohë, të kërkojë mbështetjen e medias dhe mjeteve të tjera të komunikimit. Por tashmë ne i kemi hyrë kësaj rruge dhe, siç thuhet në këto raste, është shumë e rëndësishme të hedhësh hapin e parë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0