Home | Business | Goodbye, homo economicus!

Goodbye, homo economicus!

image
Debatet dhe propozimet për një ekonomist me profil të ri, simbol i problematikës dhe zhvillimeve të shekullit XXI, duket se po shkojnë nga “njeriu i sjelljes racionale dhe fitimit maksimal” drejt një “qenie më emocionale, etike e multidimensionale”.

 

 

 

 


Adrian Civici

 

 

 


Shekulli XXI me globalizimin e tij galopant dhe krizën ekonomiko-financiare që ka mbërthyer pjesën dërrmuese të globit ka hapur një debat me një pikëpyetje të madhe për ekonomistët. Me standardet e sotme dominuese në ekonomi, të bazuara thuajse ekskluzivisht në konceptet neoklasike dhe të famshmin “homo economicus”, po gjen vend një pyetje fondamentale: “Duhet të quhet ekonomist Smithi, Keynes-i, Rikardo, Shumpeteri etj., që janë nga themeluesit dhe personalitetet kryesore të shkencës ekonomike? Shumë prej tyre, zor se do të pranoheshin të botonin artikujt apo studimet e tyre në revistat e sotme prestigjioze ekonomike, duke u sugjeruar ndoshta revista sociologjie, psikologjie apo historie. Te këta ekonomistë mungon boshti i “racionalitetit në preferencat apo maksimizimi i fitimit, duke njohur si zot të vetëm tregun” si dhe “modelimi sasior matematik” i çdo sjelljeje apo logjike veprimi që karakterizon “homo economicus”, simbolin e ekonomisë moderne.

Debatet dhe propozimet për një ekonomist me profil të ri, simbol i problematikës dhe zhvillimeve të shekullit XXI, duket se po shkojnë nga “njeriu i sjelljes racionale dhe fitimit maksimal” drejt një “qenie më emocionale, etike e multidimensionale”. Ekonomia duhet të bëhet një shkencë e hapur kundrejt disiplinave të tjera, si sociologjia, historia, psikologjia, mjedisi dhe klima, globalizimi, ligji dhe drejtësia, antropologjia, bile dhe teologjia. Profili dhe përmbajtja e re që po kërkohet për ekonomistët po analizohet mbështetur në ato që quhen tre portretet apo figurat e ekonomistëve.

“Portreti” i parë është ai i një ekonomisti teoricien, që nëpërmjet matematikës, statistikës apo ekonometrisë tenton që çdo gjë ta formalizojë në një ekuacion apo formulë të përgjithshme me spektër të gjerë dhe të pakufizuar në kohë e hapësirë. Por, me gjithë sukseset e ekonomistëve të cilësuar si neo-klasikë, të cilët e ngritën në art një profil të tillë, aktualisht të gjithë po binden se kjo mënyrë veprimi për të ndërtuar hipoteza të përgjithshme përmban mjaft subjektivitet. “Portreti” i dytë u konsolidua në vitet 1960, të cilët prodhuan atë që quhet makroekonomia e aplikuar e tipit keynes-ian, e cila bashkonte në një të vetme modelet ekonometrike me politikat ekonomike. Por, në periudhën 1980-‘90 filluan të evidentohen një sërë anomalish. Kritika u fokusua në vlerën dhe besueshmërinë e parashikimeve afat-mesme dhe afatgjata të ecurisë së fenomeneve të tilla si papunësia, rritja apo rënia ekonomike, inflacioni, përqindjet e këmbimit të monedhave, ekuilibrat dhe dizekuilibrat strukturorë, lidhjet shkak-pasojë ndërmjet konsumit dhe investimeve etj. Politikat ekonomike nuk ndiheshin të sigurta në objektivat dhe instrumentet kryesore të tyre duke u mbështetur vetëm në seritë makroekonomike. “Portreti” i tretë i takon 15-20 viteve të fundit dhe është ai që e cilëson ekonomistin si një inxhinier social të politikave ekonomike. Detyra e tij është orientimi i të gjitha mjeteve dhe instrumenteve që disponojnë autoritetet publike drejt realizimit të disa objektivave themelorë në dobi të komunitetit si: stimulimi i rritjes ekonomike, mbajtja e nivelit të lartë të punësimit, lufta kundër inflacionit, ekuilibri i tregtisë së jashtme, rritja e fuqisë blerëse, stabiliteti i pensioneve dhe mbrojtjes sociale, cilësia e shërbimeve publike etj. Ky evolucion u cilësua si trilogjia: të parashikosh, të  veprosh,të garantosh. U duk se ekonomistët e gjetën veten dhe u bënë aq të rëndësishëm sa pretendonin se ishin në shoqëri dhe politikë. Por vitet ‘90 të shek XX dhe fillimi i mijëvjeçarit të ri dëshmuan për disa kufizime të kësaj trilogjie. Kur vinte fjala për politikat ekonomike, ekonomistët rezultonin mjaft të fragmentuar, të ndarë në shkolla e rryma të shumta. Zgjedhja e politikave ekonomike, larg të qenit rezultat i njohurive shkencore dhe kërkimit bazë, varej nga koalicionet dhe ekuilibrat politikë të pushtetit. Kjo i dha fund konceptit të neutralitetit të ekonomistit si zëdhënës i njohurive dhe koncepteve shkencore, duke e bërë atë palë me politikën.

Shekulli XXI duket ka filluar “punën” edhe për profilizimin e një figure të re ekonomistësh. Ja roli si dhe disa nga tiparet dhe cilësitë e tij kryesore që po kristalizohen në figurën e ekonomistit modern.

Së pari, ekonomistët duhet të jenë të aftë jo vetëm ta evidentojnë fenomenin, por në radhë të parë ta kuptojnë në thelbin e tij dhe të propozojnë konkretisht mjetet dhe mënyrat për transformimin e tij. Në vend që të merren pafund me modele e vërtetime teorike, ata duhet të preokupohen me problemet më shqetësuese aktuale si papunësia, destabiliteti financiar, varfëria dhe moszhvillimi, zgjidhja e problemeve të ushqimit dhe energjisë, problemet e cilësisë së jetës etj.

Së dyti, ekonomistët duhet të bëhen dishepujt e shpërndarjes së koncepteve dhe praktikave të asaj që cilësohet si shoqëri e qëndrueshme, që garanton lirinë individuale, drejtësinë sociale dhe respektin për natyrën dhe mjedisin. Ata duhet të profilizohen në një rol të ri, atë të reformatorit social, duke kërkuar një impakt më të madh në organizimin e shoqërisë. Kërkimet në fushën e Ekonomisë historike po hapin perspektivën e riintegrimit të ekonomisë në shkencat sociale. Edhe vetë ekonomia eksperimentale po kërkon hapësira të reja për të shpjeguar sjelljen e individëve apo grupeve, hapësira që duhet të jenë më të gjera se ato të propozuara deri tani nga homo oeconomicus.

Së treti, ekonomistët duhet të shkrihen më shumë me shkencat dhe disiplinat e tjera, duke synuar përgatitjen e ekonomistëve mjedisorë, ekonomistëve të informacionit, të shëndetësisë, të arsimit, të teknologjive të reja, të zhvillimit, të transportit, ekonomistëve urbanë, të territorit etj.

Së katërti, ekonomistët duhet të kenë këndvështrim e formim sa më global e ndërkombëtar, duke qenë në gjendje të njohin dhe përballen me debatet dhe sfidat që vijnë si pasojë e fenomenit të ngrohjes globale, ndryshimeve klimatike, emigracionit, gjeopolitikës së naftës dhe energjisë, aksesit në burimet dhe lëndët e para jetësore, si uji, tokat, pyjet, ajri, problemet e ushqimit dhe varfërisë; rolit dhe ndikimit të institucioneve ndërkombëtare, si FMN, OBT, Banka Botërore, rolit të ideologjive, fesë etj. Zgjerimi i fenomenit të globalizimit po e bën përditë e më të qartë se gjithnjë e më pak problemet janë lokale apo nacionale, ato po bëhen përditë e më tepër komplekse e ndërkombëtare.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0