Home | Business | Davos 2013

Davos 2013

image JOHANNES EISELE/AFP/Getty Images
Bankierët ndërkombëtarë dhe ministrat e Financave paralajmëruan dje se kriza e Europës nuk është kapërcyer ende, edhe pse monedha euro tashmë është stabilizuar. Sipas tyre, do të duhen shumë vite që problemet ekonomike të papunësisë masive të mund të kapërcehen në kontinent.

 

 

 

 

 

 

 

 

Bankierët ndërkombëtarë dhe ministrat e Financave paralajmëruan dje se kriza e Europës nuk është kapërcyer ende, edhe pse monedha euro tashmë është stabilizuar. Sipas tyre, do të duhen shumë vite që problemet ekonomike të papunësisë masive të mund të kapërcehen në kontinent.

 

Pas takimeve private me udhëheqës të bankave tregtare, zyrtarë të qeverive dhe guvernatorë bankash qendrore, ministri suedez i Financave Anders Borg, i tha “Reuters”: “Ka një ndarje të madhe mes tregjeve financiare, të cilët mendojnë se shumë nga problemet janë zgjidhur, dhe njerëzve dhe ekonomisë reale, dhe veçanërisht nga ana jonë si qeveri”.

 

Papunësia në Europë pritet të bjerë nga 11.8 në 11.7 për qind këtë vit, ndërsa rritja ekonomike do të jetë në stanjacion, pagat reale nuk do të rriten në shumicën e vendeve, ndërsa disa vende si Suedia dhe Franca do të duan shumë vite për të reformuar tregjet e tyre të punës, tha ai.

 

“Është shumë e rrezikshme të deklarosh se kriza është kapërcyer pasi një gjë e tillë mund të minojë perceptimin e krizës nga kompanitë, popullata dhe sindikalistët, perceptim që ne na nevojitet për të mundësuar vijimin e reformave”, tha Borg.

 

Suedia nuk është vend anëtar i euros dhe Borg ka qenë nga kritikët më të ashpër për mënyrën e menaxhimit të krizës së borxheve sovrane që nga viti 2009.

 

Udhëheqësit e botës janë mbledhur në Forumin Ekonomik të Davosit. Pjesëmarrësit thanë se këtë vit, klima është shumë më e lehtësuar se sa 12 muaj më parë, kur kishte shumë çështje urgjente për t’u diskutuar dhe në rrezik ishte vetë shpërbërja e euros.

 

Shefja e FMN-së, Lagarde, tha se ishte shumë e rëndësishme për Europën, Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë të kapin momentin për reforma ekonomike dhe për të shëndoshur financat e veta publike me shpejtësinë e duhur, pa dëmtuar rritjen ekonomike.

 

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kinës, Yi Gang, deklaroi në Davos shqetësimin e këtij vendi mbi sjelljen proteksioniste dhe pasojave negative të prodhimit me tepri të parave nga SHBA, Japonia, Britania e vende të tjera.

 

“Proteksionizmi është një problem i madh dhe mund të shohësh se lehtësimi sasior në ekonomitë e zhvilluara po krijon paqartësi në tregjet financiare në termat e flukseve të kapitalit”, tha ai.

 

“Ka shumë tepër likuiditet në tregun botëror. Zhvlerësimi për konkurrencë është sigurisht një aspekt i kësaj. Nëse të gjithë po bëjnë lehtësim sasior apo lehtësim supersasior dhe dëshiron të zhvlerësosh, kundër cilës monedhe mund të zhvlerësosh?”.

 

Një bankier i lartë evropian, që refuzoi të identifikohet, tha se optimizmi i tregjeve financiare mbi rënien e rrezikut të shpërbërjes së euros, ishte i tepruar.

 

“Kriza nuk është kapërcyer dhe mendimi se rreziku kryesor është larguar, është një mendim i rrezikshëm në vetvete”, tha ai. Gjithsesi, një pjesë e madhe e bankave në Europë riktheu në BQE para kohe disa kredi të lira trevjeçare të marra gjatë krizës. Kjo rriti besimin se më e keqja është kapërcyer dhe se tregjet po stabilizohen.

 

BQE dha kredi shumë të lira me vlerë 1 triliard euro në fillim të vitit 2012 për bankat në vështirësi. Deri në fund të kësaj jave, bankat pritet të kthejnë 130 miliardë nga këto kredi, në një shenjë se së paku një pjesë e sistemit financiar po rikthehet në normalitet.

 

Euro u rrit në nivelin më të lartë në 11 muaj ndërsa tregjet e aksioneve shënuan rritje në të gjithë botën gjatë ditëve të fundit si një shenjë se ekonomia europiane po gjallërohet. Bursat në SHBA kanë njohur rritje gjatë tetë ditëve të fundit, duke shënuar ecurinë më të mirë që nga viti 2004. Bursa Dow Jones në SHBA ka shënuar nivelin më të lartë që nga tetori i vitit 2007.

 

Lajmet pozitive si riparimi i parakohshëm i kredive nga bankat europiane te Banka Qendrore Europiane apo përmirësimi i fitimeve të korporatave në SHBA, bëri që investitorët të jenë të interesuar të blejnë më shumë asete të rrezikshme për fitime më të larta.

 

Duke tërhequr kreditë e saj të lira trevjeçare vetëm një vit pasi i dha, BQE po bëhet banka e parë qendrore që po tërhiqet nga metodat jokonvencionale të politikës monetare që u zbatuan gjatë kësaj krize. Në SHBA dhe Japoni, në fakt, po ndodh pikërisht e kundërta. Këtu bankat qendrore vijojnë të prodhojnë para për të luftuar krizën.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0