BERZH: 1.5% rritja ekonomike për 2013
Rritja e Shqipërisë pritet të jetë afër mesatares së rajonit të Europës Juglindore prej 1.4%. Sipas raportit, rritja ekonomike e Shqipërisë u ngadalësua ndjeshëm në 2012, megjithëse ishte ende më e lartë se në shtetet e tjera në rajon, përveç Kosovës.
Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2013 pritet të jetë 1.5%, sipas bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Banka rishikoi në ulje rritjen ekonomike në Shqipëri, në krahasim me pritshmëritë e muajit janar, ku rritja pritej të ishte 2%. Ndryshimi, pas vetëm katër muajsh është me -0.5 pikë përqindjeje. Rritja në 2013 pritet të jetë madje më e ulët se në 2012, ku BERZH ka të njëjtin vlerësim me INSTAT për një zgjerim prej 1.6%. Rritja e Shqipërisë pritet të jetë afër mesatares së rajonit të Europës Juglindore prej 1.4%. Sipas raportit, rritja ekonomike e Shqipërisë u ngadalësua ndjeshëm në 2012, megjithëse ishte ende më e lartë se në shtetet e tjera në rajon, përveç Kosovës. Amortizatorët monetarë dhe fiskalë janë ezauruar ndjeshëm dhe sektori bankar ka një nivel të lartë të kredive me probleme dhe mbetet i brishtë ndaj infektimit të jashtëm. Këto rreziqe janë menaxhuar me kujdes deri tani dhe janë bërë përpjekje nga autoritetet për të mbajtur nën kontroll inflacionin dhe deficitin fiskale.
Në tërësi, sipas BERZH, rritja ekonomike në vendet në tranzicion pritet të ngadalësohet më tej, nga një normë tashmë e ngadaltë prej 2.6% vitin e kaluar në 2.2% në 2013 – pothuajse një pikë përqindjeje më e ulët se parashikimi i janarit. Një rimëkëmbje modeste prej 3.2% pritet vitin e ardhshëm. BERZH thekson se një gjallërim i reformave strukturore është i nevojshëm në mënyrë që të shtrohet rruga për një rritje më të fortë në të ardhmen. Rreziku më i madh për momentin, sipas raportit, mbetet një përkeqësim i mëtejshëm i krizës së eurozonës. Rimëkëmbja mund të ngecë në mungesë të politikave më miqësore ndaj rritjes në Europën e përparuar, tha raporti.
Shefi i bankës, Erik Berglof tha se ngadalësimi i fundit ishte një “thirrje zgjimi në të gjithë rajonin për të rigjallëruar reformat strukturore, që janë lënë mënjanë që nga fillimi i krizës”. Duke iu referuar debatit të fundit lidhur me meritat relative të nxitjes së rritjes kundrejt nevojës për masa të rrepta fiskale, z. Berglof tha: “Ky shkëmbim nuk është çështje kryesore për rajonin. Përgjegjshmëria fiskale është pa dyshim e rëndësishme. Por pjesa më e madhe e vendeve kanë bërë tashmë progres domethënës në këtë fushë gjatë krizës. Ajo që tashmë është e rëndësishme është që të përparohet me reformat strukturore”.
Comments (0 posted)
Post your comment