Fluturimet “low cost” ?!
Operatori hungarez, Wizz Air, pritet të nisë fluturimet direkte nga Tirana drejt Londrës...
Wizz Air, operatori hungarez i fluturimeve me çmime të ulëta, pritet të nisë fluturimet direkte nga Tirana drejt Londrës ka publikuar tashmë kalendarin e fluturimeve drejt kryeqytetit anglez.
Fluturimet do të nisin në datën 31 Maj dhe do të jenë 3 herë në javë, të Hënë, të Enjte dhe të Shtunë, nga Rinasi në aeroportin e London Luton.
Por, sa do të kushtojnë fluturimet. Nëse prenoton sot, për nisjet në ditën e parë, 31 maj, bileta me një drejtim nga Tirana në London Luton kushton 70 euro. Por, është kthimi ai që e rëndon faturën. Në datën 9 Qershor, kthimi nga London Luton në Tiranë kushton 160 euro, duke e çuar faturën në total në 230 euro.
Me afrimin e verës, biletat shtrenjtohen edhe më shumë, duke iu afruar 300 eurove dhe madje edhe duke e kaluar atë. Një biletë vajtje-ardhje në datat 25 Gusht me 30 Gusht arrin deri në 340 euro.
Nëse e krahasojmë me linjat e tjera ajrore normale, biletat nuk janë edhe aq të lira. Një udhëtim për në London Heathrow, me tranzit përmes Vjenës, kushton 243 euro për datat 31 Maj dhe 7 Qershor, ndërsa në verë, po me këtë linjë, çmimi shtrenjtohet në rreth 300 euro.
Udhëtim realisht low cost për në Londër mund të bëhet nga Podgorica e Malit të Zi, ku vepron operatori tjetër low cost, Ryanair. Bileta vajtje-ardhje në datat 30 Maj-6 Qershor për në London Stansted kushton 120 euro.
Nga Tirana në Londër, me Wizz Air, biletat fillojnë e bëhen më të lira vetëm nga fundi i shtatorit. Psh, nëse prenoton sot, për një udhëtim vajtje-ardhje 22 - 29 Shtator mund të gjesh biletë edhe me 120 euro.
Ndërsa po me Wizz Air në Londër, përmes aeroportit të Ohrit, çmimet e biletave vajtje-ardhje janë pak a shumë njësoj si nga Tirana, rreth 230 euro në Maj - Qershor dhe 300 euro në Korrik - Gusht.
Comments (0 posted)
Post your comment