Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Këshillat Mbikëqyrës
Fryma e ligjit projekton një autoritet spitalor në sintoni me kërkesat e maxhorancës, pritshmëritë e publikut...
Nga Altin Tafilaj*
Regjimi juridik i disa ndërmarrjeve shtetërore në Shqipëri është i tillë që, në përputhje me objektin e parashikuar në aktin e krijimit të tyre, mbikëqyren nga organe kolegjiale, të cilët përcaktohen si Këshilla Mbikëqyrës, Këshilla Drejtimi dhe Këshilla Administrimi.Këto organe kolegjiale në Shqipëri vuajnë nga mungesa e përmbushjes së detyrimeve ligjore, fenomen ky që vihet re në shoqëritë publike, sidomos në rastet kur ka mungesë vendimmarrje në kundërshtim me detyrat funksionale që ato kanë dhe për të cilat janë krijuar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë auditimeve në shoqëritë publike, ku kapitali është 100% i qeverisjes së përgjithshme, e cila mund të jetë ministri ose pushtet vendor, këshillat kolegjial vuajnë autoritetin vendimmarrës. Nëse do ti specifikonim, në Spitalet Rajonal të vendit, ku 100% e kapitalit është e Ministrisë së Shëndetësisë, është konstatuar se këshillat administrative nuk mblidhen në pjesën më të madhe edhe pse kanë një rol të rëndësishëm mbi orientimin e buxheteve të spitaleve, emërimin e drejtuesve të tyre, nevojave për barna, etj.
Ligji nr. 9106, datë 17.07.2003, “Për shërbimin spitalor në RSH”, krijon një strukturë drejtuese, kontrolluese autonome që quhet Këshilli Administrativ, e cila ka përbërje nga Këshilli i Qarkut, Këshilli Bashkiak i qendrës së Qarkut, Prefekti i qarkut, Urdhëri i mjekut të qarkut, Drejtori i FSDSH, Drejtori i Spitalit Rajonal, Kryeinfermieri i Spitalit Rajonal. Ky raport, rezulton 3 anëtar nga pushteti vendor kolegjial, Urdhëri i mjekut shoqatë e pavarur, 3 anëtarë me zgjedhje nga maxhoranca qeverisëse, pra një balancë e plotë mes dy pushteteve qendror dhe lokal me një gurë balance nga profesionistët e pavarur.
Fryma e ligjit projekton një autoritet spitalor në sintoni me kërkesat e maxhorancës, pritshmëritë e publikut, dhe betimin e Hipokratit. Ky autoritet propozon shkarkimin/emërimin e Drejtorit të Spitalit Rajonal, por edhe emëron drejtorët e spitaleve të Bashkive respektive në qark. Pra, nëse do të funksiononte vendimmarrja siç duhet, këshilli administrativ do të ishte realisht autoritet spitalor.
Sipas rregullit klasik të anarkisë, ku rregulli është përjashtim dhe përjashtimi rregull, çuditërisht këshilli nuk mblidhet dhe autoritetin vendimmarrës të spitaleve rajonal e ushtron Ministria e Shëndetësisë, ku rasti më pararojë i mosfunksionimit është Spitali Rajonal Shkodër. Shkeljet e konstatuara atje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit lidhur me shërbimet e specializuara dhe barnat, janë dy objekte që duhej t’i trajtonte këshilli administrimit, i cili ishte i pambledhur prej 8 vjetësh.
Sipas po të njëjtit parim, funksionojnë edhe këshillat e ndërmarrjeve të ujësjellësve. Deri para Janarit të vitit 2016, Shoqëritë e Ujësjellës Kanalizimeve, kishin Këshillat Mbikëqyrës me 6 anëtarë, ndërsa pas Janarit 2016, janë në funksion këshillat administrativ me 3 anëtarë.
Në pamje të parë, duket se përgjysmimi i numrit të anëtarëve do të përmirësonte situatën, por në fakt, VKM nr. 63 ,datë 27.01.2016, “Për riorganizimin e operatorëve që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimin, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura” ka autorizuar krijimin e këtyre këshillave, ku 1 prej tre anëtarëve është vetë administrator i shoqërisë. Po kjo VKM, ka eleminuar Asambletë e Aksionerëve më herët të zgjedhura nga këshillat vendor, duke autorizuar, si përfaqësues të njësisë vendore në asambletë përkatëse, kryetarët e bashkive. Nga ana tjetër këta kryetar bashkish, zgjedhin në Këshillat Administrativ, dy punonjës të bashkisë, që së bashku me administratorin përsëri caktuar nga ana e bashkisë, janë tre të emëruar të kryetarit të bashkisë, që administrojnë çështjet e ujit në gjithë Ujësjellësit e vendit, duke e kthyer shoqëri në nga një shoqëri tregtare sipas ligjit nr. 9901, date 14.04.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” në një drejtori të bashkisë që varet nga vendimi monokratik i një të zgjedhuri.
Si pronë e njësisë vendore, ujësjellësit, nuk kanë asnjë kontroll nga parlamenti lokal ose ndryshe Këshilli Bashkiak, duke krijuar kështu, një precedent të anashkalimit të kontrollit të legjislativit lokal (këshillit) mbi ekzekutivin lokal (kryetarin e bashkisë). Kuadri ligjor, ende mban në këmbë një Drejtori të Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, edhe pse kjo e fundit prej vitit 2007, ka lëshuar aksionet që ka patur në ujësjellësit e vendit, duke detyruar ujësjellësit të raportojnë tek ajo, pavarësisht egzistencës së Entit Rregullator të Ujit si organ monitorues ose/dhe pushtetit lokal si monitorues dhe vendimmarrës. Ende sot, Ujësjellësit nuk dijnë kujt i përkasin. Nëse pyet departamentet juridike të tyre, për çudi, ata thonë se varen nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Nëse i pyet pse zbatojnë një vendim të pushtetit vendor, specifikisht për mbledhjen e detyrimeve vendore, të përgjigjen, se janë pronë e bashkisë. Nëse i pyet pse kanë këshilla administrimi, të përgjigjen se janë shoqëri tregtare.
Aq kaotike është situata e drejtimit të ujësjellësve, saqë çdo ngarkesë e tepërt, bllokon drejtimin e shoqërive. Asambletë e Aksionerëve, për shkak të VKM 63, përbëhen nga kryetarët e bashkive. Ata duke qenë “pronarë” unitarë të aksioneve, e konsiderojnë ulje të personalitetit të tyre që takimet ti zhvillojnë nëpër selitë e ujësjellësve, sipas ligjit për shoqëritë tregtare, por firmosin dhe vulosin nga zyrat e të zgjedhurve vendor, bile nuk denjojnë as të përdorin logo apo vulë ujësjellësish në shkresat zyrtare, por i dërgojnë vendimet e tyre si aksioner me protokoll të njësisë vendore, ndaj ujësjellësve. Organet kolegjiale në ujësjellësit e vendit, asambletë dhe këshillat, nuk kanë uniformitet vendimmarrës, por janë funksion i peshës së njësisë vendore.
Referuar auditimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, lidhur me ekstraktet historike të të gjithë ujësjellësve, dhe materialeve bashkëlidhur, të depozituara në QKB, konstatohet se në mjaft bashki, edhe pse VKM 63, detyron kryebashkiakët të jenë aktiv, në vendimmarrjet e shoqërive, ata delegojnë vendimmarrjen në vartësit e tyre, që t’i përfaqësojnë në asamblenë e aksionerëve, ku si shembull kemi Bashkinë Durrës dhe Tiranë.
Pra, logjikisht VKM 63, heq disa kompetenca nga këshillat vendor, në kundërshtim me ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, duke ja deleguar kryebashkiakëve, të cilët nga ana tjetër e shikojnë të pavend ta zbatojnë. Mos është ky momenti që funksionalitetin e tyre, Asambletë e Aksionerëve dhe Këshillat e Administrimit në ujësjellës, ta rregullojnë me një vendim tjetër Qeverie në respekt të ligjit nr. 139/2015. Ashtu siç mund të jetë edhe momenti i aplikimit të penaliteteve në këshillat e administrimit të spitaleve, në rast se nuk mblidhen sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9106.
*Auditues i I. Dep/Shoqërive Publike dhe Investimeve të Huaja
Comments (0 posted)
Post your comment