Ghosn: Fundi i një legjende
“Kur fton njerëz në një festim, të përgjigjen “ndoshta”. Ama kur i fton në Versajë, sigurisht që vijnë”. Cinizëm?
Është biznesmeni idhtar i aleancës Renault – Nissan. Ka jetuar midis Brazilit, Libanit, Francës dhe Japonisë. Nga 19 nëntori është në burg me akuzën se ka përvetësuar para nga kompania e tij
Historia e tij është e pabesueshme. Kur janë parë vallë kaq shumë artikuj dhe libra entuziastë kushtuar një administratori të deleguar? Në qelinë e tij në Kosuge, afër Tokios, i akuzuar për evasion fiskal nga autoritetet japoneze, Carlos Ghosn i kujton komplimentat që i bënin? Për “Financial Times” ishte “the boss among the bosses”, shefi i shefave. Në të gjithë botën shtypi e lavdëronte “ikonën”, “perandorin”, “strategun” dhe, natyrisht, “samurain”, kur në fillimvitet ‘2000 biznesmeni pranoi misionin e paumundur e rishëndoshjesh së japonezes Nissan në pragun e falimentimit. “Ghosn sensei” (padroni Ghosn) ia arriti, duke mbyllur 5 stabilimente, duke pushuar nga puna 21000 punonjës dhe duke vënë në krizë dogmën japoneze e vendit të punës fiks. Provohet një ndjenjë marramendjeje kur mendohet për të gjitha vëmendjet që ka përfituar Administratori i Deleguar i Renault – Nissan – Mitsubishi, që i mohon të gjitha akuzat. Në Japoni është bërë personazhi i një mange, mirënjohja më e lartë për këtë gaijin (të huaj) të parë që e zë një vend kaq të lartë në establishmentin vendas. Në Brazil, vendi ku ka lindur, më 5 gusht 2016 Ghosn ka pasur privilegjin që të sjellë flakën olimpike gjatë Olimpiadës së Rios (Nissan ishte një prej sponsorëve kryesorë). Kështu, për disa qindra metra, Ghosn ka kaluar me hapa të shkurtër përgjatë plazhit të Copacabana, i inkurajuar nga mijëra njerëz. Adhurohet edhe në Liban, atdheu i prindërve. Pas arrestimit të tij, të ndodhur më 19 nëntor, Ministri i Brendshëm libanez Nohad Machnouk ka deklaruar: “Dielli i Japonisë nuk do ta djegë dot feniksin libanez”. Në qelinë e tij, tashmë i detyruar që të japë dorëheqje nga Nissan (i të cilit ishte Administrator i Deleguar) dhe nga Mitsubishi (i të cilit ishte President), Ghosn do të mendojë akoma për bisedat e tij me Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, padronët e botës?
“Super-Carlos” është një njeri jo i zakonshëm. Si ta shpjegosh ndryshe rezistencën e tij ndaj udhëtimeve të pandërprera midis Europës dhe Japonisë? Një zyrë në Boulogne – Billancourt, afër Parisit, në selinë e Renault, dhe një tjetër në Yokohama, port i madh në jug të Tokios, ku në 2009 Nissan kishte ngritur selinë e tij qendrore. Gjithësej më shumë se 10000 kilometra për t’u përshkuar me një Gulfstream G550, Rolls-Royce i xheteve private, kodi i regjistrimit i të cilit N155AN mund të lexohet si “Nissan”. Nganjëherë Ghosn i mbante mbledhjet e këshillit administrative në bordin e këtij miniAir Force One, i vlerësuar më shumë se 50 milion dollarë (44 milion euro), i pajisur me wi-fi dhe telefon satelitar; kalonte në këtë avion pothuajse çdo natë të vitit. Dhe kur N155AN ulej, “qytetari i botës”, siç pëlqente ta quanin, hipte në makinën me shofer që e priste për të shkuar direkt në mbledhje, pavarësisht diferencës orare. Një cyborgnë të gjitha aspektet. “Nëqoftëse mendoni, edhe arrestimi i tij ka qenë i ekzagjeruar”, thotë një burim i Elizeut. “Avioni i tij, i nisur nga Libani, u ul në Aeroportin e Tokios. Është hapur dera dhe Ghosn ka kaluar nga Campidoglio, ku romakët nderonin Jupiterin, tek Rupe Tarpea, ku hidheshin të dënuarit me vdekje”.
Vanitet dhe komplot
Kjo histori suksesi e ndërprerë kaq fuqishëm ngre njëmijë pikëpyetje. Ka qenë ndonjë komplot? Një hakmarrje japoneze? Apo, më thjesht, Ghosn është viktime e vanitetit, që ka qenë fatal edhe për kapitenë të tjerë të industrisë? Prokuroria japoneze e akuzon se ka “fshehur nëpërmjet mashtrimit shpërblimin e tij midis qershorit të 2011 dhe qershorit të 2015”, duke deklaruar 4.9 miliard jen (38 milion euro), ndërkohë që kishte marrë dyfishin. Si ta imagjinosh një shpërblim të ngjashëm? Në vitin 2016 Ghosn ka fituar 15.4 milion euro, një gjë normale në Shtetet e Bashkuara, ku homologu i tij tek General Motors po atë vit ka future në xhep më shumë se 22 milion dollarë (19.4 milion euro), ama as në Francë, as në Japoni. “Fakti që Ronaldo apo Messi fitojnë kaq shumë konsiderohet normale, pasi për ne është ndryshe?”, thoshte shpesh drejtuesi me 3 pashaporta (braziliane, libaneze dhe franceze). “Jam e tronditur për këtë që ka ndodhur. Carlos Ghosn nuk mund të jetë lakmiqar deri në këtë pikë”, thotë 68 vjeçarja Aude de Thuin, themeluesja e Women’s Forum, Davosit të grave, që e ka pritur në shumë raste. Renault sponsorizonte eventin që mbahet çdo vit në Deauville të Francës. “Është baba i 3 vajzave dhe i 1 djali, ka inkurajuar hyrjen e grave në këshillat administrativë. Është e vërtetë se e nderonin dhe ia kishin frikën. I ka ikur mendja? Nuk arrij ta besoj”. Megjithatë, prapa fytyrës së rreptë të njeriut që i kishte ditët e kronometruara me minuta, fshihej një nevojë e fortë për të rënë në sy. Louis Schweitzer, kreu i Renault që e mori në punë më 1996 dhe i kërkoi të merrte shtetësinë franceze, e kishte kuptuar qysh nga vera e 2000, kur “Paris Match” botoi një artikull lidhur me “shogun-in francez që ka ringjallur Nissan”. Sipas revistës, në Tokio Ghosn ishte i famshëm si Alain Delon. Në artikull, biznesmeni që në atë kohë ishte 46 vjeç, pozonte në shtëpinë e tij me familjen dhe gruan e parë Rita, gjatë mëngjesit. Më 26 nëntor 2005, 6 muaj pasi është emëruar në drejtimin e Renault, “padroni gjithmonë i ngutur” vallëzoi me smoking të zi me vajzën 16 vjecare Nadine, në ballon e 15-të e debutuesve në Hotel Crillon, në Place de la Concorde. Falë revistës “Express” u mësua se fustani i zi i vajzës ishte firmosur nga Didier Ludot. Kim Kardashian dhe kinezët e pasur janë të fiksuar pas dyqanit të Ludot, tempull i modës vintage në zemër të lagjes parisiane Palais-Royal. Një vit më pas i takoi vajzës më të madhe, 19 vjecares Caroline, që ta festonte hyrjen në botën që ka peshë. Duke shfaqur një fustan të gjatë të zi të firmosur nga stilisti libanez Elie Saab, edhe vajza vallëzoi në parketin e Crillon. “Im atë e pëlqen modën dhe më pëlqen që ta shoqëroj nëpër dyqane. Argëtohem kur vishem”, rrëfeu vajza për “Paris Match”, e ulur në prehërin e babait, veshjet me masë të të cilit qenë firmosur nga Louis Vuitton. “Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme t’i çosh fëmijët e tu në ballon e debutuesve, shumë biznesmenë të mëdhenj e kanë bërë”, siguron një menaxher tjetër. “Por gjërat më pas kanë nisur të marrin një kthesë të çuditshme me festën në Versajë. Tashmë Carlos Ghosn ishte transformuar në Borgjezin fisnik të Molière”.
Ftesa
Ghosn dhe gruaja e tij e dytë dhe aktuale Carole Nahas janë të magjepsur nga Luigji i XIV-të. “Marie Antoinette” e regjisores Sofia Coppola është prej filmave të tyre të preferuar. Në vjeshtën e 2016, pak muaj pasi janë martuar në Komunën e Parisit, të sapomartuarit kanë ftuar miqtë të ta festojnë ngjarjen dhe 50 vjetorin e Carole në Grand Trianon të Versajës. E intervistuar nga e përmuashmja amerikane “Toën & Country”, zonja Ghosn do të thoshte më pas: “Donim që miqtë tanë të ndjeheshin si në shtëpinë tonë, asgjë e kërkuar shumë”. sigurisht, gota të kristalta Saint-Louis, pjata porcelain dhe aktorë në me veshje të epokës. Skenografia ishte madhështore. 120 të ftuarit nuk po u besonin syve. Ghosn mbante një smoking të zi. Në foto, të realizuara nga një mik fotograf dhe që teorikisht nuk duhej të qarkullonin, Ghosn rrezaton. Edhe ai i ka rrëfyer gazetares së “Town & Country”: “Kur fton njerëz në një festim, të përgjigjen “ndoshta”. Ama kur i fton në Versajë, sigurisht që vijnë”. Cinizëm? Narcizistët e mëdhenj e imagjinojnë veten mbi ligjet. Sipas shtypit japonez, llogaria e Versajës është paguar nga Nissan. Sikur të ishte kështu, do të kishim të bënim me përvetësim të palejueshëm. Veç kësaj, kompania ka kontribuar edhe në blerjen e shtëpive luksoze të ish drejtuesit të saj, si të asaj në Bejrut.
Ky itinerar personal nuk shpjegohet vetëm me çmenduritë e një njeriu që përdorte një trukuese personale për të fshehur difektet e fytyrës, gjithmonë e mbuluar me dyllë. Ghosn e ka rrëfyer jetën e tij në autobiografinë “What drives Carlos Ghosn”, e botuar në uebsajtin e së përditshmes ekonomike japoneze “Nihon Keizai Shinbun”. Në libër ka një emër që përsëritet vazhdimisht: ai i Bichara Ghosn, gjyshit nga babai, heroi i familjes. Në fillimet e ‘900, në moshën 13 vjeçare, si adoleshent analfabet e la fshatin e tij në Malin Liban, toka e kristianëve maronitë. Shkoi në Portin e Bejrutit dhe u nis drejt Brazilit, duke pasur me vete vetëm një valixhe. Në atë kohë, i varfër dhe akoma i shënuar nga masakrat e vitit 1860 që kanë prekur druzë dhe maronitë, Libani ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Pas 3 muajsh, kur anija arriti në Rio, emigrant ishte bërë “turk”, nofkë e dhënë nga latinoamerikanët njerëzve të diasporës nga Lindja e Mesme. Bichara Ghosn fliste vetëm arabisht. Shpirti i tij aventuresk e çoi më pas në kufijtë e Brazilit dhe të Bolivisë, në mes të pyllit amazonas, afër Sao Miguel do Guaporé. Ndaloi në Porto Velho, që më pas do të bëhej kryeqyteti i Shtetit të Rondônia. Një punë pas tjetrës, u bë biznesmen. Bëri pasuri. Më pas gjërat ndryshuan: u martua me një libaneze, që e takoi në një udhëtim në Bejrut, dhe lindi me të 8 fëmijë, midis të cilëve Jorge, babai i ardhshëm i Carlos. Por për Carlos Ghosn, që thotë “se e ndjen veten Brazilian kur është në Brazil” (ku i jetojnë akoma 2 motra dhe e ëma 86 vjeçare Rose, e quajtur “Zetta”), aventura latinoamerikane përfundoi shpejt. Në moshën 2 vjeçare u sëmur, pasi një prej shërbëtorëve të shtëpisë i dha të pijë ujë jo të zier, gjë që nuk duhet bërë në pyjet tropikale të mbushura me miza. Pas një qëndrimi 4 vjeçar në Rio, ku shërimi po vononte t’i vinte, në vitin 1960 Zetta dhe 2 djemtë e mëdhenj shkuan në Liban. Babai Jorge, që e kishte trashëguar aktivitetin familjar pas vdekjes së “turkut”, qëndroi në Brazil duke bërë ecejake midis Porto Velho dhe Bejrutit.
Babai fantazmë
Në autobiografinë e tij, Carlos Ghosn nuk zgjatet shumë lidhur me ndarjen e prindërve, të cilën e konsideron “një skemë klasike” në komunitetet e emigruara jashtë vendit. Por në realitet gjëja nuk qe e thjeshtë dhe më vazhdimin e faqeve Jorge zhduket nga jeta familjare. Kështu, figurën e gjyshit e pason ajo e nënës. “Le Monde” i ka kërkuar pa sukses gjurmët e Jorge Ghosn. Në Brazil, ku arkivat nuk japin ndonjë indicie, kujtohet se të drejtoje biznes në kohën e diktaturës (1964 – 1985) ishte e rrezikshme. Në Bejrut dhe në paris zëra të pamundur për t’u verifikuar flasin për një falimentim. Ky baba fantazmë influencoi mbi karrierën e Carlos, që do të identifikohej me Bichara, pionierin, në vend se me Jorge të padukshmin? Ndoshta donte t’i rijepte familjes shkëlqimin e humbur? Ghosn u apasionua pas industrisë automobilistike sepse mendonte se mund të arrinte horizonte të reja, si gjyshi? Ka të ngjarë. Por kur ishte i ri mekanika nuk e tërhiqte. Përkundrazi, e tërhiqnin gjuhët dhe letërsia. Kur studionte tek jezuitët e e Kolegjit Notre-Dame de Jamhour në Bejrut ishte i prirur, por shumë i gjallë. Në këtë institute zbuloi një disiplinë thuajse ushtarake dhe gjeti një konkurrencë që i pëlqente, si tek “Risiko”, loja e tij e preferuar e strategjisë. Në moshën 17 vejcare hyri në klasën që përgatiste konkurset për universitetet franceze, në Liceun Saint-Louis të Parisit. Industria nuk dukej se e tërhqite kushedi se çfarë, por notat e shkëlqyera në Matematikë e drejtuan drejt Politeknikut dhe Ecole des Mine. “Donte të binte në sy, frekuentonte fëmijët e biznesmenëve të mëdhenj dhe shpenzonte para në fliper”, kujton një shoku i tij i kursit. Por për hyrjen në elitën e biznesit duhej durim. Në vitin 1978 Ghosn pranoi të transferohej në Clermont-Ferrand, në Puy-de-Dôme, për të hyrë tek Michelin, pasi kompania, për shkak të origjinës së tij braziliane, i paraqiti mundësinë e një vendi pune në Rio de Janeiro. Priti 7 vjet për të arritur në tokën e premtuar. Ama çfarë metamorfoze midis Carlos Ghosn të vitit 1981, i ulur në skrivani si drejtor i fabrikës Michelin në Puy-en-Velay, dhe atij që ka pritur të ftuarit në Grand Trianon vjeshtën e 2016 apo që hipte shkallët e Festivalit të Cannes.
Pas Brazilit, Michelin e transferoi në Shtetet e Bashkuara për të përfunduar shkrirjen me Uniroyal Goodrich, e sapoblerë nga kompania franceze. Drejtuesi e mbaroi me sukses detyrën, duke e prishur monopolin e sindikatave amerikane. Kjo kurajo i dha nofkën cost cutter(shkurtues kostosh). I afërt me François Michelin, padron dhe patriark i grupit, priste momentin e tij, por që në fakt nuk i erdhi. Në fakt, mbreti i rrotave donte të vinte në fron Edouard, djalin më të vogël, dhe e dërgoi përtejoqeanit, duke i kërkuar Ghosn që t’i mësonte bazat e zanatit. “Nuk kisha emrin e duhur”, do të thotë me hidhërim në biografinë e tij. sepse donte “të mirën absolute”, si i gjyshi. Një mbrëmje të prillit 1996 një ish shok i Politeknikut, që drejtonte një studio ndërkombëtare gjuetarësh të kokave, e takoi në Shtetet e Bashkuara. “Të intereson sektori automobilistik?”, e pyeti në restorantin ku e kishte ftuar për darkë. “Pse jo?”, ju përgjigj Ghosn. “Louis Schweitzer kërkon një “delfin””, i tha ai. Ngjitja ishte e mundshme. Për të shmangur përvoja si ajo me Michelin, të cilit i kishte kushtuar 18 vite të jetës duke marrë pak në shkëmbim, u rrethua me miq besnikë dhe gjithmonë të gatshëm që t’i jepnin të drejtë, “një oborr i denjë për një mbret të Marokut”, thotë një ish koleg i Renault. “Ghosnmania” u përhap me shpejtësi. Ghosn u ngjit në nivelet drejtuese të kompanisë. Në 2001 u emërua Administrator i Deleguar i Nissan, 8 vite më vonë mori pushtetet e plota tek Renault dhe në 2016 bëhet President i Mitsubishi. Ghosn ka qenë çelësi i lidhjes së aleancës midis dy kompanive. Disa thonë se mënyra e tij e menaxhimit të punonjësve ishte e bazuar mbi frikën. Pas arrestimit të tij u këmbëngul mbi dëshirën e tij për ta ruajtur pushtetin me çdo kusht, siç e demonstron një episod i njohur vetëm nga pak njerëz. Më 2008, në kulmin e krizës financiare, Ghosn u thirr në Elize nga Nicolas Sarkozy, me të cilin kishte një raport shumë të keq. Presidenti francez kishte mësuar se Ghosn donte ta kalonte pjesëmarrjen e Renault tek Nissan nga 43.4% në më pak se 40%. Kjo manovër do t’i mundësonte kompanisë japoneze, aksionere e Renault me 15%, që të rikuperonte të drejtën e votës në këshillin administrative të kompanisë franceze dhe Ghosn që të kishte të njëjtin numër votash sa shteti, të cilit nuk ia duronte dot tutelën. Me sa duket biseda qe e ashpër.
Një mendim në qeli
Në 2011 Ghosn rrezikoi burgun prej aferës së “spiunëve falsë”. 3 drejtues të Renault qenë akuzuar pa të drejtë nga një përgjegjës i shërbimit të sigurisë se i kishin shitur konkurrencës informacione lidhur me bateritë elektrike. Në lajmet televizive e kanalit francez TF1, Administratori i Deleguar njoftoi se “kishte prova” lidhur me tradhëtinë e drejtuesve. Por më pak se 2 muaj më pas u kthye në television dhe pranoi se akuzat e tij qenë të pabaza. Qeveria donte kokën e dikujt dhe Ghosn sakrifikoi kokën e numrit 2 të tij, Patrick Pélata. “Ia hodhi paq për një motiv të vetëm: katastrofës bërthamore të Fukushima”, rrëfen një dëshmitar. “Parisi nuk donte që të dorëhiqej Administratori i Deleguar i Nissan menjëherë pasi një prej fabrikave të kompanisë ishte goditur në Iëaki, jo larg nga brigjet ku kishte ndodhur tsunami”. Plumbi i kishte kaluar afër. Por sot çfarë mendon në qeli Carlos Ghosn? Për gjyshin apo babain e tij?
(nga Le Monde)
Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al
Comments (0 posted)
Post your comment