Home | Culture | Disa këshilla largpamëse të Mark Twain për mëtuesit e botës letrare

Disa këshilla largpamëse të Mark Twain për mëtuesit e botës letrare

image
Kthjelltësia e shkëlqyer e stilit të të shkruarit të Mark Twain ...

 

 

 Nga Elvi Sidheri

 

 

Të flasësh për penën, mendjen dhe gjenialitetin krijues të Mark Twain, mund të cilësohet si ushtrim i tepërt shkrues në kohët e sotme, sepse vështirë që dikush që lexon, të mos ketë lexuar diçka nga shkrimtari legjendar amerikan, që është shndërruar në pjesë të pandashme të letërsisë bashkëkohore, qysh nga gjysma e dytë e shekullit XIX kur u frymëzua, shkroi, vëzhgoi ngjarjet e dukuritë e epokës së tij, dhe na la trashëgimi veprat e tij të pavdekshme.

Veçoria e Mark Twain, është pikërisht aftësia e tij për të qenë jo vetëm i pavdekshëm në përshtypjen letrare të lexuesve nga tërë anët e botës, por edhe njëkohësisht krejtësisht bashkëkohor me stilin e tij të të shkruarit, por gjithaq edhe me tematikat e përzgjedhura për t’u shënjestruar nga pena dhe mendja e tij pafundësisht e pashtershëm krijuese.

Stili letrar i Mark Twain ngërthen veçorinë e një humori të pazakontë dhe tiparet aventureske e endacake të personazheve të tij.

Ndërkaq, shpërfaqja në letër e përfytyrimit të përditshmërisë së SHBA të kohës, ofron një kronikë të shkëlqyer të shoqërisë amerikane të epokës në fjalë, plot kundërthënie dhe arsyesh për të nxjerrë mësimet e rastit, sidomos çështjen e skllavërisë.

Gjithaq Mark Twain shquhet për përdorimin e gjerë të dialekteve amerikane të gjuhës angleze në librat e tij, që ndërthuren larmishëm, duke pasqyruar pikërisht zonat ku vetë autori pati banuar gjatë jetës së tij, duke e shndërruar realitetin e përshkruar në librat e tij në diçka të vërtetë e të prekshme nga përfytyrimi i lexuesve.

Kthjelltësia e shkëlqyer e stilit të të shkruarit të Mark Twain pati qenë padyshim një risi e fuqishme për periudhën e tij, duke e shndërruar shkrimtarin një ndër përfaqësuesit më të shquar të letrave të shekullit XIX, që do të dinte të shtjellonte analiza sociale të veçanta duke shqyrtuar disa zhanre të ndryshëm përmes përdorimit të një gjuhe të folur rëndom nga gjindja, të folmet e ndryshme dhe dialekte të shumtë, duke u bërë pjesë e Olimpit të shkrimtarëve amerikanë, krahas Ernest Hemingway dhe Edgar Allan Poe.

Vlen të lexohet një libërth i titulluar “Si të tregojmë një histori dhe arti i gënjeshtrës”, që nga Mark Twain cilësohet si “manual i mirëfilltë shkrimi për humoristë që synojnë të bëhen të tillë” (fare mirë do të vlente ky cilësim edhe për shkrimtarë mëtues), “që shoqërohet nga anekdota dërrmuese dhe refleksione gjysmëserioze, për të mësuar gjithçka lidhur me profesionin e të treguarit të historive”.

Ja disa prej rregullave për t’ia nisur sa më mirë në rrugëtimin e të shkruarit sipas Mark Twain:

 

1) Tregimi përkatës  nevojitet të ndjekë një skicë të saktë duke arritur diku si përfundim.

2) Episodet që tregohen në tregimin përkatës nevojitet domosdo të jenë pjesë përbërëse e tregimit në fjalë dhe duhet të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm të tij.

3) Nevojitet që personazhet e tregimit përkatës të jenë të gjallë, përjashtuar të vdekurit syresh, padyshim, e gjithaq që lëçitësi t’ia dalë gjithmonë mbanë t’i dallojë kufomat nga të gjallët.

4) Nevojitet që personazhet e një tregimi, të gjallë apo të vdekur qofshin, të shpërfaqin motive të mjaftueshëm sa për të përligjur praninë e tyre në historinë e tregimit përkatës.

5) Që, atëherë kur personazhet e një tregimi janë të përfshirë në bisedë, rrjedhimisht dialogu nevojitet të duket mirëfilli si një dialog mes qeniesh njerëzore: nevojitet gjithashtu të shpërfaqen sjellje të përputhshme me rrethanat përkatëse, të ketë një kuptim dhe synime individuale, si dhe njëfarë përkitje me argumentin që del në pah në këtë rast. Për më tepër, dialogu nevojitet të duket grishës për lexuesin dhe të shërbejë për zhvillimin e mëtejshëm të tregimit dhe të ndërpritet kur protagonistët nuk kanë më asgjë për të thënë.

6) Që atëherë kur, në nisje të tregimit përkatës, një personazh flet sikur të ishte pjesë e ndonjë përralle të mahnitshme të ilustruar, rrjedhimisht ky personazh nuk mundet ta mbyllë të njëjtën skenë letrare duke folur sikur të ishte alter-ego  e pagjasë e ndonjë shërbëtori zezak.

7) Që personazhet e një tregimi përkatës të mjaftohen me bërjen e gjërave që janë materialisht të mundura, duke hequr dorë njëherë e mirë nga mrekullitë; ose që, nëse përçapen në fushën e mrekullive, atëherë autori të bëjë të pamundurën për t’i bërë të tingëllojnë si bindës në sytë e lexuesve.

8) Që autori të ngjallë te lexuesi një interes të thellë lidhur me personazhet dhe fatin e tyre.

 

Gjithaq autori shtjellon:

 

1) Që nevojitet  të thuhet çfarë shkrimtari nënkupton qartësisht, pa i trazuar ujrat.

2) Të përdoret fjala e duhur, aspak ndonjë kushërirë e saj e dorës së dytë.

3) Të hiqet dorë nga gjërat e panevojshme.

4) Të mos fshihen hollësirat thelbësore.

5) Të përdoret një stil i thjeshtë dhe i drejtëpërdrejtë.

 

Kjo është magjia e personazhit, shkrimtarit dhe njeriut Mark Twain, edhe në këto pak rreshta këshilla praktike për shkrimtarët e rinj, të frymëzuar kaq mprehtësisht nga kjo mendja gjeniale.

 
Image result for mark twen
 
Mark Twain and Nikola Tesla, 1894.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0