Home | Culture | Arsimi, sfidat, demokracia

Arsimi, sfidat, demokracia

image
Në Universitet, ne mund të përqafojmë kulturën e Tjetrit...

 

 

 © Dea J Klosi, në Shqip

 © Carlos Fuentes

 

Në Universitet, ne mund të përqafojmë kulturën e Tjetrit...

 

Arsimi është bërë baza e prodhimtarisë. Shekulli i XXI-të hapet me një të vërtetë, rritja ekonomike varet nga cilësia e informacionit, dhe ky i fundit nga cilësia e arsimit. Vendi i parapëlqyer i modernitetit ekonomik është i zënë nga krijuesit dhe prodhuesit e informacionit, më tepër se nga ato të prodhimeve materiale. Kinema, televizion, kaseta, CD-ROM , industritë e telekomunikacionit dhe pajisjeve informatike janë sot në qendër të ekonomisë së globalizuar. Të pasurit e dikurshëm prodhonin çelik (Carnegie, Krupp, Manchester). Të pasurit e ditëve tona prodhojnë pajisje elektronike (Bill Gates, Sony, Silicon Valley). Një hedhje syri e shpejtë mbi shifrat, na e pohon këtë menjëherë. Humnera e varfërisë në vendet e ashtuquajtura të « botës së tretë » përkthehet në nivele në ulje të arsimimit. Ka në botë 900 milionë madhorë analfabetë, 130 milionë fëmijë pa shkollë dhe 100 milionë fëmijë që e braktisin shkollën që në vitet e para. Kombet e Jugut numërojnë 60% të popullatës shkollore në shkallë botërore, por duke mos zotëruar as 12% të buxhetit të përgjithshëm. Në Meksikë, shkollimi mesatar është gjashtë klasë e gjysmë. Në Argjentinë, nëntë klasë, përkundër dymbëdhjetë në Kanada. Vetëm 28% e të rinjve marrin një arsim të mesëm dhe përgatitor në Meksikë, dhe 14% e studentëve ndërmjet nëntëmbëdhjetë dhe njëzetekatër vjeç hyjnë në Universitet. Së fundi, numërohen vetëm 2% mastera dhe 0.1% doktoratura. Bota e tretë mezi përfaqëson 6% të shkencëtarëve, ndër të cilët 1% LatinoAmerikanë ; 95% e dijetarëve i përkasin botës së parë.

 

E drejta për arsim, sipas Nadine Gordimer, është një e drejtë themelore e njeriut po aq sa e drejta për ajër apo ujë. Bota shpenzon çdo vit tetëqind miliardë dollarë për armatim, por nuk arrin të gjejë gjashtë miliardët e nevojshme për t’iu dhënë më në fund një shkollë të gjithë fëmijëve të planetit më 2010. « Do të mjaftonte një përqind ulje shpenzimesh ushtarake për t’i ulur të gjithë fëmijët përpara një tabele të zezë » (vlerësim i UNESCO-s dhe Bankës Botërore). Një avion luftarak në një vend LatinoAmerikan kushton sa 80 milionë libra shkollorë.

 

Themeli i pabarazisë në Amerikën Latine është përjashtimi nga sistemi arsimor. Stabiliteti politik, përparimet demokratike dhe mirëqenia ekonomike nuk do të mund të mbështeten gjatë nëse popullsia nuk futet ende më shumë tek arsimi. A mund të flitet për zhvillim kur shkollën fillore e mbaron vetëm një ndër dy ? A mund të ketë zhvillim kur paga vjetore e një mësuesi në nënkontinentin tonë është 4 000 dollarë, ndërsa kolegu i tij gjerman apo japonez merr 50 000 ?

 

Atëherë ka disa zgjidhje. Të përforcohet vazhdimësia e mësimdhënies, të mbushet humnera dramatike ndërmjet shkollës fillore dhe mësimit të teknologjisë dhe informatikës. Të shtohet numri i trupës mësimdhënëse. Nuk mund t’iu kërkosh mësuesve gjithnjë e më shumë punë dhe përgjegjësi, duke ua brejtur pagat dhe refuzuar mjete pune më të përshtatshme. E ardhmja e Amerikës Latine ndriçohet sa herë që një mësues merr një formim të mirë, përmirëson statusin e vet dhe gëzon një vend më të mirë në shoqëri. Për më tepër, në procesin më të shpejtë por gjithnjë të vështirë të demokratizimit të vendeve tona, mësuesi nuk ka vetëm të drejtë si çdo qytetar që të marrë pjesë në jetën politike , por ai duhet gjithashtu që, në klasën e vet, të zgjerojë konceptin e politizimit, përtej militantizmit të partive, duke kaluar nga koncepti i pushtetit mbi njerëzit në atë të pushtetit me njerëzit. Sot, zgjerimi i demokracisë në shkollë qëndron në studimin e asaj se ç’është pushteti, si shpërndahet ai ndërmjet individëve, grupeve dhe bashkësive. Por edhe, si shpërndahen burimet e vendeve të pasura, té populluara nga miliona të varfër. Edhe, të kuptohet se veprimi qytetar nuk kufizohet në partitë politike, se ai mund të ushtrohet në thellësi përmes klasës shoqërore, luftës së grave, komitetit të lagjes, përkatësisë ndaj një etnie apo shoqate.

 

Kapitalizmi ka ngadhnjyer mbi feudalizmin sepse i ka shumëfishuar mundësitë për të hyrë tek qytetaria, duke ia filluar nga arsimi. Kapitalistët latinoamerikanë duhet të ndihmojnë në krijimin e bankave kombëtare për arsimin, me fonde dhe një administratë të përzier, duke përfshirë aty ndërmarrjet, shtetin dhe shoqërinë civile ; të investojnë në formimin e të rinjve, të japin kredi, duke i shtuar dhurimet dhe bursat, si në shkollat rurale dhe artizanale ashtu dhe në institute të teknologjisë së lartë. Dhe sigurisht, në universitet.

 

Besoj tek Universiteti. Universiteti nuk ndan, por bashkon. Ai njeh dhe mirënjeh, në vend që të shpërfillë dhe harrojë. Tek ai lënë takim ajo që ka mbijetuar, ajo që është e gjallë dhe ajo që, në kulturë, është ende për të lindur. Por, që të jetojë kultura, duhet një hapësirë kritike ku njerëzit të përpiqen të kuptojnë tjetrin, jo ta mposhtin – dhe aq më pak ta zhdukin, universitet dhe totalitarizëm janë të papajtueshëm. Që të jetojë kultura, ne kemi nevojë për hapësira universitare ku mbizotëron refleksioni, kërkimi dhe kritika, mburoja këto kundër intolerancës, mistifikimit, dhunës.

 

Në universitet, të gjithë ne kemi të drejtë, por asnjëri nëpërmjet forcës dhe asnjëri s'ka forcën e një arsyeje të vetme.

 

Së fundi, në universitet ne mësojmë se mendimi dhe veprimi ynë mund të vëllazërohen. Logjikë e njëkuptimtë dhe poetikë e shumëkuptimtë. Këto dy pemë, a nuk mund të lulëzojnë bashkë në mjediset e fakulteteve ?

 

Megjithatë, universiteti është thjesht një stad – më i larti, sigurisht – i një procesi arsimor që fillon në shkollën fillore dhe s’mbaron kurrë , ky është arsimimi i pandërprerë. Po e përsëris , nuk ka përparim pa njohuri, e as njohuri pa arsim. Ja përse ky i fundit është një përparësi e të gjitha kombeve të botës, qofshin ato të zhvilluara, apo në zhvillim e sipër.

 

Të mos harrojmë se kultura paraprin kombin dhe institucionet e tij. Sadopak e zhvilluar të jetë, kultura është e përparme ndaj formave të organizimit shoqëror, në të njëjtën kohë që i kërkon ato. Që prej agut të historisë, disa forma të ndryshme bashkëpunimi dhe ndarjeje të punës kanë shoqëruar zhvillimin e teknikave, përhapjen e njohurive dhe konfliktet e lindura nga fërkimet ndërmjet gjuhëve, zakoneve dhe territoreve, ndërmjet zemërgjerësisë amtare, e cila i përqafon njësoj të gjithë fëmijët e vet, dhe nevojshmërisë atërore e cila i ndan ata, cakton më të rriturit, ndan tokën, iu lë trashëgim të mirat, vendos pushtete dhe detyrën për të mbrojtur, ruajtur dhe shtuar trashëgiminë, dhe për ta larguar tjetrin, demonin, gjëmën natyrore, zotin armiqësor dhe vdekjen, të mbajtur si krimi origjinal, vrasje hyjnore.

 

Gjatë gjithë këtij procesi lindin dhe përpunohen mënyra të qenuri, të ngrëni, të ecuri, të dashuruari, të biseduari, të veshuri, të kënduari dhe vallëzuari. Mënyra të ëndërruari, gjithashtu. E tërë kjo përshtat ditë për ditë një kulturë, duke krijuar atë që José Ortega y Gasset e quante një konstelacion përgjigjesh. I tillë është procesi i kulturës , një tërësi pyetjesh dhe përgjigjesh. Dhe filozofi spanjoll shtonte , meqë ka mundësi për përgjigje të shumta, atëherë rrjedh se kulturat e shumta ekzistojnë dhe kanë ekzistuar. Përkundrazi, ajo që nuk ka ekzistuar kurrë, është një kulturë absolute, që të ofrojë një përgjigje të kënaqshme për të gjitha pyetjet. Ja përse kultura dhe universiteti, rreth së njëjtit bosht, përpiqen njëherësh që t’i ngulin rrënjët e tyre dhe të marrin fluturimin, të mbështeten tek dheu dhe t’i ngjiten kupolës universale.

 

Le të fillojmë pra të mbetemi në truallin tonë, meksikane dhe latinoamerikane.

 

Dhe le të jemi të sinqertë , vazhdimësia jonë e shënuar kulturore nuk ka përkuar kurrë plotësisht me një vazhdimësi politike dhe ekonomike të krahasueshme.

 

Një komb, na e rikujton Isaiah Berlin, ndërtohet duke u nisur nga plagët e veta. E plagosur nga bota dhe vetvetja – Pushtim, kolonizim, revolucione, imperializëm –,  Amerika Latine, pavarësisht të papriturave të rrugës, ka arritur të krijojë kombe, ku shumica mbajnë kufinjtë e luftrave të pavarësisë, madje të administrimit kolonial , ne nuk jemi Ballkani. Të mos e humbasim identitetin tonë kombëtar dhe as vëllazërinë tonë latinoamerikane, duke ndarë së bashku një qëndrim ndërkombëtar zemërgjerë, pa shovinizëm e ksenofobi.

 

Për këtë qëllim, duhet forcuar njëjësimi i kombit me kulturën. Kombi është i fortë nëse mishërohet në kulturën e vet ; është i dobët nëse shpalos thjesht një ideologji. Pyetja ime është si më poshtë : -  A mund të shërbejë arsimi si urë ndërmjet pasurisë kulturore dhe nevojave politike dhe ekonomike të Amerikës Latine ? Le të kuptohemi , nuk bëhet fjalë për ta paraqitur arsimin si lëng magjik, si feja në epokën koloniale (« Nënshtrohuni »), si kushtetutat në ditën e pavarësisë (« Bëni ligje »), si shtetet në gjysmën e parë të shekullit të XX-të (« Shtetëzoni »), apo si ndërmarrjet në gjysmën e dytë (« Privatizoni »). Më tepër bëhet fjalë për t’i siguruar një vend dhe funksione të sakta procesit arsimor në sektorin publik dhe privat, pa lëçitur askënd, por duke i nënshtruar të dy ndaj nevojave globale të shprehura nga sektori i tretë , shoqëria civile.

 

Urtësia klasike na mëson se bashkimi i vërtetë lind nga larmia. Dhe përvoja bashkëkohore na tregon se respektimi i dallimeve e forcon një vend, ndërsa mohimi i tyre e dobëson. Së fundi, kujtesa historike na ripohon se kryqëzimi i racave dhe kulturave është në zanafillë të kombeve të mëdha moderne. Nuk mund të ketë arsimim latinoamerikan pa u shqetësuar për veçoritë tona kombëtare dhe rajonale. Vetëm nga larmia jonë e respektuar mund të lindë një bashkim i respektueshëm.

 

Arsimi duhet të mbështetet mbi një projekt publik. Me fjalë të tjera, bumi i kërkesës mund të çojë në një lloj nëntregu, me cilësi të dobët për popullatat, por tejet fitimprurës për furnizuesit. Duhet mbrojtur pra arsimi publik. Por një projekti të tillë i duhet ndihma e sektorit privat. Le ta përsërisim , një prodhim më i mirë është i pandarë nga një arsimim më i mirë, kusht i domosdoshëm për rritjen e nivelit të mirëqenies.

 

Por e tërë kjo nevojit ende, dhe po nxitoj dhe shtoj, mbështetjen e një sektori të tretë, që llogarit një pjesë të mirë të kapitalit njerëzor. Ndërkohë që burokracitë e shumta janë të verbëra, shoqëria civile është ajo, që e kupton skamjen e fshatrave të braktisur, gjendjen e gruas që punon dhe është nënë në familje, apo gjendjen e të harruarve të Bunuelit në zonat urbane ; bidonvilet, favellat, qytetet e humbura…

 

Për mendimin tim, arsimi duhet të jetë një projekt publik i mbështetur nga sektori privat, dhe i fuqizuar nga sektori shoqëror. Baza e tij është shkolla tetëvjeçare ; asnjë djalë, asnjë vajzë më pak se gjashtëmbëdhjetë vjeç s’duhet të privohet nga një bankë shkolle. Dhe në ditët tona, arsimimi është një proces i pandërprerë ; asnjë qytetar s’duhet të pushojë kurrë së mësuari. Sigurisht, ky arsimim duhet të sjellë njohuri të përshtatura për botën e punës. Një arsimim artizanal për nevojat e fshatit, të lagjes, të rajonit të veçuar. Një arsimim për shëndetin. Për kursimin. Dhe së fundi, për demokracinë në latinitetin e ri amerikan. Ne duhet ta nxisim nismën qytetare, veprimtarinë bashkiake, zgjidhjet lokale ndaj problemeve lokale, në kornizën ligjore të ndarjes së pushteteve, me zgjedhje të ndershme dhe autoritete nën kontroll.

 

Asnjë nuk e humbet dijen e vet duke e ndarë me të tjerët.

 

Kulturat veniten kur rrinë mënjanë, dhe lulëzojnë kur takohen.

 

Nga vetë emri i vet, Universiteti sugjeron  për të ndërhyrë mes kulturave, duke i sfiduar paragjykimet, zmbrapsur caqet tona, rritur aftësinë tonë për të dhënë dhe marrë, dhe zgjuarsinë tonë për të kuptuar atë që na është e huaj.

 

Në Universitet, ne mund të përqafojmë kulturën e Tjetrit, me qëllim që të Tjerët të mund ta përqafojnë tonën.

 

 

 

 

 

 © Dea J Klosi, në Shqip

 

 

 © Carlos Fuentes

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00