Të bësh muzikë në kohën e kolerës!
" Shqiptar " erdhi krejt natyrshëm...
(Intervistë me kantautorin Julian Lekoçaj)
Juli ka mbaruar studimet e larta në Ekonomi. Prej disa kohësh është doktor shkencash në këtë fushë. Ka qenë, kjo arsyeja, që e largoi atë nga fansat e tij, në muzikën që ai krijon. Ndërkaq, sapo ka publikuar këngën e re me titull “Shqiptar”, një bashkëpunim me shokun e fëmijërisë. Tërmeti dhe Kovid-19 fokusohen në këngë. Për këdo që e dëgjon, ajo mbetet këngë e bukur, revoltë, është dhimbja e vetë shpirtit… Vajza e tij, Daria, refrenin e këngës “Shqiptar” e ka mësuar dhe e këndon me babin në shtëpi. Gjatë xhirimeve të videoklipit, pjesë e tij, bëhet aktori dhe regjisori i mirënjohur Bujar Kapexhiu. Nëse vendos fjalën shqiptar përpara çdo vargu të tekstit, atëherë fjalia përvetësohet dhe i drejtohet çdo shqiptari. Tempi i këngës është 81 Bpm dhe përkon me vitin 1981, që është viti i lindjes së kantautorit. Familja mbetet mbështetja kryesore në rrugëtimin e tij muzikor. Dëshiron, që kënga “Shqiptar” të bëhet kolona zanore e bashkëpunimit me regjisorin Edmond Budina, në filmin e radhës. Julian Lekoçaj është kantautori i parë në vend, që ka kënduar një këngë për fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja. Ai është autor edhe i baladave të dashurisë… “Shqiptar”, momentalisht është publikuar në radiot digjitale si Spotify, Itunes, Apple Store, Shazam, Tik Tok, YouTube Store dhe është mirëpritur nga publiku…
1. Përshëndetje Julian! I riktheheni tregut muzikor me një këngë revoltë. Ka një arsye që ju shtyu për ta krijuar “Shqiptar”?
“Shqiptar” erdhi krejt natyrshëm. Subkoshienca fliste teksa unë shkruaja tekstin, tri ditë pasi përjetuam i madh dhe i vogël, të gjithë së bashku, fatkeqësinë natyrore të tërmetit të 26 nëntorit. Ndërsa shpirti kalonte në trishtim, zhgënjim, hidhërim, frikë, pasiguri, revolta u mishërua brenda meje dhe heshtja vendosi të flasë. “Shqiptar” është një realitet historik, fakte reale të rishkruara në një poezi dhe të kënduara në një këngë. “Shqiptar” sot është zëri i çdo qeniejeje njerëzore që e quan veten të tillë.
2. Kënga vjen në bashkëpunim me Bessin. Diçka rreth këtij projekti…?
Me Bessin jemi shokë të vjetër, që në fëmijëri. Bashkë kemi realizuar disa projekte, dy nga të cilat i kemi prezantuar në Top Fest. Planet ishin për të realizuar një videoklip së bashku. Bessi ka qenë iniciator i kësaj ideje prej shumë kohësh. Në verën e 2019-ës, ne realizuam të dy, këngën me titull “We Can”. Evokuam mesazhin social të paqes nëpër botë dhe po përgatiteshim për klipin e saj, por ndodhi termeti dhe plani ynë mori një kthesë të papritur. Ndërkaq, telefonoj Bessin dhe i them, kam kompozuar një këngë për gjakun tonë, për atdheun, për njerëzit tanë. Duhet të fokusohemi te kjo këngë. I dërgova tekstin dhe pas pak çastesh më telefonoi, duke më thënë: -E ke qa… Shtoj se me Bessin kemi edhe shumë bashkëpunime të tjera… Rolet tona janë të ndara, dikush merret me realizimin e dikush me menaxhimin. Shoqëria jonë është unike.
3. Më rendisni disa fakte që s’i dimë rreth këngës “Shqiptar”?
–Nëse vendos fjalën shqiptar përpara çdo vargu, atëherë fjalia përvetësohet dhe i drejtohet në rastin konkret çdo shqiptari.
–Tempi i këngës është 81 Bpm dhe përkon me vitin e ditëlindjes sime 1981.
–Videoklipi i këngës, u realizua një javë para se të ndodhte lockdown-i dhe një ditë përpara rastit të parë me covid-19 në Shqipëri.
–Çdo varg është bazuar në fakte dhe thënie të personaliteteve të historisë dhe letërsisë sonë.
–Klipi është realizuar brenda një dite, ku çdo skenë e xhiruar, ka qenë e përllogaritur me precizion.
–Klipi është realizuar nga dy djem të talentuar kosovarë. Inicialet e tyre janë ER dhe AM.
–Përgjatë klipit na është dashur të mërzisim shpesh herë Bessin, për ta futur në rol, pasi ishte gjithë kohës high dhe i qeshur.
–Për realizimin e klipit kanë ndihmuar shumë miq, të cilët dua t’i falënderoj pa masë.
–Masteri dhe miksimi u realizuan në studion e kantautorit Sajmir Çili, i cili, gjithashtu, nuk hezitoi në asnjë çast të na ndihmonte për disa detaje të orkestrimit.
–Violinisti në klip është një tjetër mik i vjetër, njëkohësisht violinë e parë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
–Disa skena kryesore të klipit janë realizuar brenda Teatrit Kombëtar.
–Gjatë xhirimeve të videoklipit patëm fatin dhe kënaqësinë të na nderonte me praninë e tij, artisti i mirënjohur Bujar Kapexhiu, i cili na tha shprehimisht: “Këndoni rini, këndoni sa më shumë që të mundeni!”.
–Masterin final të klipit u desh të shkonim ta merrnim më këmbë, me maska në fytyrë dhe doreza në duar, për shkak të pandemisë.
4. Videoklipi i ri është gati për publikun apo jo?
Videoklipi ka kohë që është gati. Ishte planifikuar që të publikohej në fillim të prillit, por për shkak të koronavirusit që përfshiu edhe Shqipërinë, na u desh të frenoheshim dhe të prisnim një tjetër moment për ta publikuar. Mendojmë se tani është çasti i duhur, për ta bërë publike veprën tonë artistike.
5. Julian, nëse “Shqiptar” do të ishte përzgjedhur nga një regjisor si kolonë zanore për filmin e tij të radhës, si do reagoje pas telefonatës së produksionit?
Do isha i lumtur nëse “Shqiptar”, një material i krijuar së fundmi, do të përzgjidhej si kolana zanore e një filmi artstik, që do të trajtonte problemet tona ndër vite… Do e mirëprisja këtë telefonatë nga çdo regjisor, përveç Ermal Mamaqit ???? shaka e imja kjo. Në aspektin profesional do të ndjehesha i vlerësuar prej tyre. Personalisht, do të më vinte mirë, nëse një ditë z. Edmond Budina, krijimtaria e të cilit shkon në linjë me “Shqiptar”, do të më telefononte dhe do më ofronte bashkëpunim, në filmin e tij të ri.
6. Në krijimet tuaja të fundit me sa shoh aktualiteti bëhet njësh me emocionin tuaj muzikor. Kam parasysh këtu fenomenin e gjakmarrjes në veriun shqiptar. Kam idenë se jeni i pari artist në vend, që i këndoni ngujimit të fëmijëve prej gjakmarrjes…?
Në jetë njeriu nuk përballet vetëm me dashuri, njeriu përjeton situata dhe probleme të ndryshme. Dikush duhet t’i prekë dhe të flasë për to. Në rastin e fenomenit të ngujimit prej gjakmarrjes, ishte një projekt i sugjeruar nga kompozitori dhe miku im Bujar Daci, i cili kishte krijuar muzikën. Shkrova një tekst të ndjerë dhe pas një muaji e regjistruam këngën. Jemi duke medituar për realizimin e një videoklipi…
7. Pra Julian Lekoçaj, ju sillni një impenjim jo vetëm muzikor, por edhe social me tekstet plot aktualitet, që vetë i shkruani?
Kam provuar të këndoj disa herë tekste të shkruara nga autorë të tjerë, por të jem i sinqertë nuk arrij t’i ndjej ato. Gjatë këndimit nuk arrij të marr emocionin e nevojshëm dhe kjo më ka shtyrë që shumicën e teksteve të këngëve që këndoj, t’i shkruaj vetë.
8. Njeriu i parë që ia tregoni kompozimet tuaja është…?
Janë bashkëshortja dhe vajza ime. Kjo pasi, gjatë kohës që punoj, unë jam i shoqëruar prej tyre. Nëse ato nuk e aprovojnë materialin, atëherë vazhdoj me diçka tjetër.
9. Vajza juaj Daria, a ka talent për të kënduar? Mendon për një bashkëpunim me të, për të qenë pjesë e bukur, të dy, në kujtimet familjare?
Vajza është mjaft e apasionuar pas artit në përgjithësi. Ndoshta është akoma herët për të përcaktuar talentin e saj, megjithatë, shoh që refrenin e këngës “Shqiptar”, ajo e ka mësuar dhe e këndon. Në të ardhmen, sigurisht që do përpiqem të influencoj te ajo idenë për të realizuar një këngë bashkë.
10. Dikur baladat e dashurisë që ti këndoje, të drithëronin. Këngë të tilla tani kanë mbetur në hije për ty… Në fakt, tregu muzikor është gjithë vesh e sy ndaj tyre?
Përgjithsisht këngëtarët që i këndojnë dashurisë e kanë përjetuar atë. Frymëzimi lind nga një eksperiencë. Askush nuk shtiret dhe fantazon. Mund të përpiqesh ta bësh, por është pak e vështirë të ndërtosh një tekst, mbi eksperienca imagjinare. Por kjo nuk do të thotë që unë e kam mbyllur këtë kapitull, përkundrazi mund të rikthehem, duke marrë shkas nga historitë e miqve të mi, në të cilat jam involvuar duke i dëgjuar apo i ndarë bashkë mendimet.
11. A ka në planet e tua artistike një baladë dashurie…?
Do të risjell balada dashurie të konceptuara ndryshe, sipas trendit të muzikës aktuale. Më së shumti do fokusohem në ndërtimin e kanalit tim, në YouTube. Një nismë, sa e vështirë për t’u realizuar, aq edhe sfiduese për mua. Do të ketë shumë covera këngësh të ndryshme si dhe këngë të miat aktuale. Edhe balada të reja dashurie, sigurisht!
12. Jeni imazhi mashkullor që i mungoni këngës shqiptare. Jam i sigurtë që rikthimi juaj në muzikë, tani do të rrisë fanset e gjinisë femërore?
Ju falënderoj për konsideratën. Në skenën shqiptare ka dhe këngëtarë të tjerë që janë simbole apo përfaqësojnë imazhin mashkullor. Personalisht, mendoj se kam nevojë të rikthehem aty ku duhet të isha me kohë, gjatë kësaj mungese disavjeçare për arsye të miat, që s’kanë lidhje me muzikën. Çdo fans është i mirëpritur që ta dëgjojë dhe ta vlerësojë artin tim.
13. Disa këngë i keni krijuar në anglisht. Mbase vizita juaj, vjet në ShBA, synonte tregun ndërkombëtar?
Kam eksperimentuar në gjuhën angleze disa materiale, por kjo nuk ka qenë arsye për të tentuar tregun ndërkombëtar. Për ta bërë një gjë të tillë, duhet një projekt i mirëfilltë dhe një buxhet i caktuar për promovim. Aktualisht po ndjek strategjitë e mia për të ecur gradualisht drejt rikthimit tim, në muzikë.
14. Kënga Magjike apo Festivalet e Këngës në Rtsh, përfshinin dikur edhe garimin tuaj. Pse kjo tërheqje nga eventet muzikore në vend?
Nuk është së nuk kam dashur të garoj më, por impenjime personale më kanë shpërqëndruar nga bota e muzikës. Mendoj se këtë vit, pas publikimit të klipit, kam planifikuar dy materiale të reja për konkurim, në eventet kryesore të muzikës shqiptare. Sigurisht, çdo gjë varet nga frymëzimi i artistit dhe materiali që ai përzgjedh për prezantim. Veprat e mëdha garantojnë sukses. Ju siguroj që ato do t’i prezantoj tashmë para jush…
15. Keni mbaruar studimet e larta në Ekonomi. Jeni doktor shkencash në këtë fushë. Sa e ndihmon bota e shifrave një kantautor?
Nuk e ndihmon aspak. Përkundrazi e frenon atë. Në vendimarrje hyn në lojë logjika për të marrë përsipër rriskun e dështimit, e cila qëndron gjithmonë në nivele të barabarta, por edhe më të larta se suksesi. Kjo, shpesh herë, ka ndikuar tek unë personalisht, duke më bërë më racional në zgjedhjet e mia.
16. Projektet tuaja në të ardhmen në planin muzikor dhe atë personal janë…?
Në planin muzikor do të kem një tjetër bashkëpunim me Bessin. Është një këngë e re, baladë dashurie. Pastaj një klip, rikthimi në skenën e madhe të eventeve muzikore në vend, si dhe do të përpiqem të shtoj numrin e ndjekesve të m’i në rrjetet sociale. Veçanërisht në YouTube, përmes publikimeve që do bëj. Në aspektin profesional do të vazhdoj të jem pjesë e një kompanie që operon prej kohësh suksesshëm në Shqipëri, duke dhënë kontributin tim profesional, në ecurinë e biznesit të saj.
-Julian Lekoçaj faleminderit që gjetët kohë për këtë intervistë!
–Faleminderit ju!
© Intervistoi: Ilir Shyta
Comments (0 posted)
Post your comment