Kërcim dashurie drejt Londrës!
E. S: Gjithmonë më kanë pëlqyer sfidat.
(Intervistë me balerinin Erion Sanxhaku)
Sytë e tij janë blu të thellë si deti, madje në kaltërsinë tyre mund të “mbytesh”. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe me Adelën, gazetaren dhe moderatoren e lajmeve në ABC News, zemra e së cilës “notoi” drejt balerinit të talentuar, korridoreve të këtij televizioni dhe u shndërua në “love story”. Njohja e tyre do të kthehej në dashuri, kur të dy do punonin në Top-Channel. Ai si balerin i trupës së baletit dhe ajo përsëri gazetare... Erion Sanxhaku do gjendej kështu mes suksese rolesh në TKOB, mes koreografish në spektakle televizionesh kombëtare, por edhe mes dashurisë që vinte nga fuasha gazetarisë, fryt i sëcilës është një vajzë e vogël bukuroshe me emrin Arsh. Në këtë kohë, Ola dhe Esdalini, koreografët e TCH, di t’i besonin Erionit, atij dhe vetëm atij, të interpretonte role të dashuruarish në spektakle të ndryshme televizive. Erioni gjithashtu, ndjen mirënjohje për mjeshtrin Agron Aliaj, për rolet që ai i besoi t’i interpretojë, në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Së fundmi, në natën finale të DWA, Erion Sanxhaku do të vuloste shkëlqim me interpretimin e tij dhe do të largohej drejt Londrës, pa lënë gjurmë. Rrëmbeu duartrokitjet e bublikut që e do dhe la pas jehonën e suksesit..., për t’u kujtuar gjatë me interpretimin e tij. Aroma e suksesit të balerinit që emigroi drejt Anglisë, ka mbetur ende e freskët në artin shqiptar të kërcimit. Zor s’e i harron dot njeri, performancat që ai realizoi...! Synimi i tij në jetë është të arrijë gjërat që nuk realizohen lehtë. Në Londrën e largët, në shtëpinë tij të dytë, ai ka zhvendosur aktualisht edhe familjen. Bashkëshortja dhe vajza mbeten dashuritë e mëdha të jetës. Kur e pyes rreth zonjës së tij, nuk harron të më kujtojë se ajo ende është zonjushë!:) Sigurisht që ka të drejtë. Nuk është e lehtë t’i rrëmbësh zemrën, një zonjoshe të mençur dhe bukuroshe si Adela Zeza. Në vijim ju ftoj të lexoni intervistën e balerinit, që mbetet sërish modest në përgjigjet që ai i jep.
Intervistoi: Ilir Shyta
I. Shyta: Erion Sanxhaku, çfarë e shtyn një artist të largohet nga Tirana artistike?
E. Sanxhaku:-Tirana është vendi ku unë mësova të hedh hapat e para të artit tim dhe nuk u ndala për më shumë se 20 vite, deri në momentin që u largova. Sa më shumë rritesh, aq më shumë kupton që Tirana artistike nuk të ofron siguri për të ardhem dhe detyrimisht mendon për një vend alternativ, ku e shikon veten më të sigurtë dhe në progres të vazhdueshëm.
I. Shyta:Pse e zgjodhe Londrën për të jetuar, çështë ajo për ty? E ushtron kërcimin atje, akoma?
E.Sanxhaku:- Gjithmonë më kanë pëlqyer sfidat. Londra ishte vendi që nuk vije dot kollaj. Dhe si çdo gjë e pamundur, ajo të tërheq më shumë. Nuk ka pasur ndonjë arsye të veçantë, thjesht kur mendova të largohesha e shikoja veten më shumë në Londër sesa në ndonjë vend tjetër të Europës. Ndërkaq, kërcimin e ushtroj, me kohë të pjesshme! E bëj në radhë të parë për të mos humbur gjithë ato vite shkollë dhe mund, por gjithashtu ende nuk më është zbehur dëshira, pasioni apo dashuria për profesionin tim.
I. Shyta: Keni qenë pjesë e TKOB... Përmendim disa role që ke realizuar në atë skenë magjike... Çështë baleti për ty, përtej patetizmit...?
E.Shanxhaku: -Kam qenë pjesë e TKOB! Do veçoja baletin “Halili dhe Hajria”, i vënë në skene nga i madhi Agron Aliaj. Është një nga veprat e baletit që akoma sot e kam para syve, sikur të kishte ndodhur dje. Baleti... Unë me kulturën e baletit jam rritur, kam nisur që 5 vjeç, kur edhe kam kujtimet e para. Nuk e di, zor se mund ta ndaj ndonjëherë nga vetja baletin. Per mua është mënyra e të shprehurit të asaj që ndjen me anë të lëvizjeve. Mund të shprehësh trishtimin dhe gëzimin apo çdo emocion tjetër. Ndjehem me fat, pasi për mua baleti është talent i lindur, jo të gjithë e kanë këtë mundësi.
I.Shyta: Kush ju bindi që duhet të vijoni rrugën e kërcimit, kur dihet që në art ka xhelozi, brryla...?
E.Sanxhaku: -Askush! Mendoj, që në fillimet e mia si fëmijë, ka qenë talenti im dhe dëshira e madhe që kam pasur për vallet tradicionale shqiptare. Nuk dua të lë pa përendur, që kam pasur dhe kam akoma, një vesh absolut në muzikë! Kam pasur gjithmonë shumë besim tek aftësitë e mia. Në kërcim nuk i kam ndjerë brrylat.
I.Shyta: A është profesionale të jesh balerin i një trupe baleti, në një televizion kombëtar dhe të largohesh nga premierat e TKOB?
E.Sanxhaku: -Pse nuk është? Nuk është e thënë që pasi të mbarosh shkollën të performosh vetëm në TKOB. Edhe po të ishte ashtu, besoj nuk do kishte vende për të gjithë. Nuk ka një ndarje me thikë për këtë. Mund të jesh njësoj balerin shumë i mirë, shumë profesional dhe të punosh në një Tv. Nuk t’i shton apo t’i heq vlerat vendi ku punon, mendoj unë.
I.Shyta: Kam parasysh, që pjesë “love story” në Top-Channel, koreografët i linin enkas për ty…
E.Sanxhaku: -Kjo është shumë e vërtetë. Paske qenë i vëmendshëm (qesh). Do thoja i linin për mua, se i “qaja me lot” (me shaka), por ka dhe një pjesë të vërtetë, ndoshta koreografët shikonin diçka të veçantë tek unë që nuk e shikonin tek të tjerët, në mënyrë që rezultati i duetit të përcillej në mënyrën më të mirë të mundshme, te publiku.
I. Shyta: Me rikthimin tënd në DWM Albania, prezantuat shkëlqim artistik dhe menjëherë u larguat pa lënë gjurmë? Përse...?
E.Sanxhaku: -Nuk isha kthyer për të qëndruar gjatë në Shqipëri, por nuk mund të ikja pa e prekur dhe një herë skenën shqiptare. Ishte malli i një kohe të gjatë larg asaj skene, e doja të gjithën për vete. Ishte dëshirë e imja, e madhe.
I.Shyta: Stërviteni fort. Këtë e tregojnë videot dhe fotot që poston në rrjetet sociale. E bën për të mbajtur trupin në formë...?
E.Shanxhaku: -Stërvitem pothuajse çdo ditë, ndoshta dhe dy herë në ditë kur kam kohë. E bej, sepse stërvitja është pjesë e imja, ashtu si baletin nuk e veçoj dot nga vetja. Nuk e kam parë ndonjëherë veten jo në formë të mirë dhe as nuk dua ta shoh. Stërvitem edhe se ndonjëherë më duhet të mbaj çantat e pazarit (qesh). Nuk mendoj se do e lë ndonjëherë stërvitjen.
I.Shyta: Alketa Vejsiu ju cilëson, si balerinin simpatik me fizik perfekt, që fiton vëmendje në skenë falë talentit, por që i largohet zhurmës mediatike. E ke një shpjegim për këtë përkufizim?
E.Sanxhaku: -Me sinqeritet të them që zhurmën mediatike nuk e kam kërkuar ndonjëherë, por gjithnjë e kam parë veten pjesë të saj. Nuk e di pse me ndodhte, edhe pse mundohesha t’i largohesha. Jam vetë tip që e tërheq zhurmën. Nuk di ta shpjegoj ndryshe...
I.Shyta: Si u njohët me bashkëshorten tuaj? Fryt i dashurisë është edhe një vajzë e vogël bukuroshe…
E.Sanxhaku: -Me Adelën jemi parë në ambientet e televizionit ku punoja. Aty ka nisur gjithçka. Vajza jonë quhet Arsh, është 20-muajshe dhe është bekimi më i madh i yni.
I.Shyta: Tregoni dashuri edhe për kafshët. Sa të tillë ka familja Sanxhaku?
E.Sanxhaku: -Unë i dua shumë kafshët, po ashtu edhe bashkëshortja ime. Të njëjtën dashuri ka trashëguar edhe vajza jonë. Kemi një Dalmat që quhet PIKA, besoj ka emrin më të veçantë në qytet. Në fakt Pika erdhi bashkë me pajën e nuses, nuk e rrefuzoja dot. (qesh) Ishte kusht, pa të drejtë kthimi!
I.Shyta: Keni qenë imazh reklamash, videoklipesh e modelingu. Nëse rikthehesh një ditë në Shqipëri, ku e shikon veten...?
E.Sanxhaku: -E shikoj shumë larg të gjitha këtyre që përmende. Mendoj që çdo gjë është me moshë, me faza. Unë i kam ezauruar të gjitha këto në kohën e tyre, nuk kam asnjë pishman apo peng që do të doja t’i rikthehesha përsëri. Nëse do më duhej të kthehesha në Shqipëri, padyshim e shikoj veten me një biznes timin, jo në lidhje me baletin.
I.Shyta: Faleminderit!
E.Sanxhaku: -Faleminderit ju!
Intervistoi: Ilir Shyta
Comments (0 posted)
Post your comment