“Të përqafojmë modernen pa humbur identitetin”
Përshëndetja e Nobelistit, Orhan Pamuk, me rastin e marrjes së titullit “Honoris Causa” në Universitetin i Tiranës.
Orhan Pamuk
Orhan Pamuk në Shqipëri: “Një ditë e paharrueshme!”. Universiteti i Tiranës i ka akorduar Nobelistit Orhan Pamuk, titullin “Honoris Causa” me motivacionin: “Për Kontributin e shquar në fushën e letrave, të emancipimit shoqëror dhe dialogimin mes qytetërimeve”.
Ju falënderoj shumë për fjalët e ngrohta që thatë për mua. Më keni bërë një nder të madh. Dita e sotme është një ditë e paharruar për mua. Unë kam shkruar romane prej 40 vjetësh, pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar në dhomën time të punës dhe kam pesë vjet që bashkëpunoj me një universitet. Gjatë gjithë jetës sime nuk kam bërë asnjë punë tjetër veçse kam shkruar romane, këto pesë vitet e fundit unë jam pedagog në Universitetin e Kolumbias në Amerikë. Kam edhe aspektin tim akademik. Në këtë aspekt dhe në aspektin teorik, unë mund ta konsideroj veten si një autodidakt. Gjithçka e kam mësuar vetë. Vetëm se këto pesë vjetët e fundit në kontaktet e shumta me profesorë të ndryshëm të botës po fitoj më shumë edhe unë aspektin tim akademik dhe teorik.
Sigurisht këtu u fol për shumë probleme që na shqetësojnë në botën e sotme, por këto probleme na shqetësojnë, sepse ne ndodhemi në periferi të qendrës, nuk ndodhemi në qendër dhe vendet që ndodhen në periferi të saj, qoftë Turqia, qoftë Shqipëria, qoftë Kina apo Amerika Latine, të njëjtat probleme jetojnë. Ne kemi një histori për të cilën ndjejmë përgjegjësi dhe kemi një ndjesi të veçantë ndaj saj. Por është edhe një botë e re, një familje e re së cilës ne duhet t’i bashkohemi dhe bëjmë përpjekjet tona për t’iu bashkuar asaj. Të gjitha shoqëritë, të gjithë popujt sot bëjnë përpjekje për të përqafuar këtë modernizëm, këtë botë moderne, por që në asnjë mënyrë nuk duhet të harrojmë identitetin e secilit, identitetin tonë. Përqafimi që po i bëjmë ne modernes, na krijon edhe disa probleme morale. Ne duhet ta ndiejmë të gjithë barrën e historisë me një përgjegjësi të thellë morale dhe ne duhet të jemi patjetër edhe të lirë në këtë botë të re moderne që dëshirojmë të përqafojmë. Ka shumë njerëz, ndërmjet tyre jam edhe unë, që duke e ndjekur verbërisht identitetin kombëtar, të kaluarën tonë, kjo procedurë, ky proces, na e vështirëson, na ngadalëson në përqafimin tonë me modernen. Por ekziston edhe mendimi, se nëse ne do ta përqafojmë qorrazi këtë botë moderne, këtë modernitet, kjo do të na largojë nga ndjenjat tona kombëtare, nga identiteti ynë kombëtar. Probleme të tilla, çështje të tilla nuk kanë mbaruar dhe nuk do të mbarojnë menjëherë.
Pra kudo, qoftë në Amerikën Latine, qoftë në Azinë e largët këto probleme ekzistojnë, identiteti dhe moderniteti, e kaluara dhe liria. Por në fund të fundit krijimtaria, qoftë ajo krijimtari letrare qoftë ajo krijimtari akademike, mbështeten në fuqinë imagjinare të vetë njeriut. Ne jemi të ndërgjegjshëm se nuk jemi robër të historisë, por nëse do të shkëputemi prej saj, do të gabojmë rëndë. Të gjitha këto çështje që sapo trajtova, janë shprehur në mënyrë modeste në librat e mi. Unë jam tepër i lumtur që jam pritur kaq ngrohtë nga personalitetet e larta shtetërore dhe në këtë rast, edhe nga profesorati i nderuar i Universitetit të Tiranës. Për mua kjo do të jetë një ditë e paharruar!
Ju falënderoj së tepërmi!
Comments (0 posted)
Post your comment