Panairi i Librit në Ulqin dhe Prizren
“Ulqini 2010”, veprimtaria e rëndësishme kushtuar librit do të nisë më 28 Korrik dhe do të përfundojë më 4 Gusht.
28 Korrik - 4 Gusht 2010, në Ulqin
Ulqini pret për të dhjetin vit radhazi panairin e librit, “Ulqini 2010”. Nga data 28 korrik e deri më 4 gusht ky edicion do të presë, sikundër edhe vitet e shkuara, shkrimtarë, poetë, akademikë e politikanë, të cilët vijnë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bosnja etj.
I ftuar i veçantë këtë vit do të jetë shkrimtari nga Shqipëria, Besnik Mustafaj, dhe një shkrimtar i njohur nga Mali i Zi, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur.
Stendat do të vendosen në pjesën bregdetare të qytetit të Ulqinit, në vendin e quajtur Plazhi i Vogël. Do të jenë ministrat e Kulturës të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës të ftuarit specialë në ceremoninë e çeljes së panairit. Sipas kryetarit i të Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, prania e ministrave të Kulturës nuk do të jenë vetëm zyrtare në këtë ngjarje të rëndësishme për kulturën e rajonit, por do të shfrytëzohet edhe për bisedime për realizimin e ideve të bashkëpunimit ndërkulturor.
Në këtë edicion të dhjetë të panairit të librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 6000 tituj librash, nga të cilët mbi 500 janë tituj të rinj.
29 Korrik- 2 Gusht, në Prizren
Ndërsa, Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim (AKEA) njoftoi se nga data 29 Korrik deri me 2 Gusht organizohet Panairi i librit në Prizren dhe synon të jetë tradicional.
“Ky është edicioni i 2-të i panairit të librit që organizohet nga OJQ /AKEA. Panairi i Librit 2010 do të mbahet në ambient të hapur (por e mbuluar me tenda) në qendër të Prizrenit, te ish-parkingu, afër Sheshit Shatërvan”, bëhet e ditur në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se deri tani e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre rreth 20 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.
Disa nga Shtëpitë Botuese do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në Panairin e Librit 2010 në Prizren, pasi vet synojnë të marrin pjesë në Panairin e librit që do të mbahet në Ulqin, thuajse në ditët e njëjta.
Comments (0 posted)
Post your comment