Berati, "magjia" e turizmit shqiptar
Qyteti i Beratit ose qyteti i "një e mbi një dritareve" përbën rastin më unikal të një qyteti turistik, që pret e përcjell turistë gjatë gjithë stinës së vitit.
Rushan Dosti
Berati vërtet nuk ka det si shumë qytete të tjera, por ai ka një det të madh monumentesh kulturore që sot listohen në Trashëgiminë Kulturore Botërore.
Harta e ekoturizmit dhe ajo e turizmit kulturor është mjaft e pasur me vlera që ndoshta u mungojnë edhe qyteteve më të vjetra të botës.
Qyteti i Beratit ose qyteti i "një e mbi një dritareve" përbën rastin më unikal të një qyteti turistik, që pret e përcjell turistë gjatë gjithë stinës së vitit. Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse ndryshe nga shumë qytete të tjera, të cilat kushtëzohen nga periudha e plazhit, Berati ka një turizëm kulturor në gjithë stinët e vitit.
Mosha mbi 2400-vjeçare si dhe qenia anëtar i Trashëgimisë Kulturore Botërore (UNESKO) e bëjnë Beratin që të gëzojë një status të veçantë turistik. Të mos harrojmë se Berati ka një inventar dhe një menu të pasur, që frekuentohen nga shumë turistë, gjë që mundëson një menaxhim sipas standardeve të turizmit botëror.Harta e ekoturizmit dhe ajo e turizmit kulturor është mjaft e pasur me vlera që ndoshta u mungojnë edhe qyteteve më të vjetra të botës. Në këtë kuptim Berati është një qytet elitar dhe i magjishëm, me shumë histori, me pafundësi vlerash arkitekturore, artistike, muzeale, kulturore etj.
E kush nuk dëshiron që të shijojë bukuritë e Kalasë së lashtë, vlerat që mbart muzeu "Onufri", pasuritë që ruan Muzeu Etnografik, befasitë që të zbulojnë "Kodikët e Beratit", bukuritë përrallore të lagjeve muzeale të "Mangalemit" e Goricës, magjinë e menusë së gatimeve karakteristike që të ofron kuzhina tradicionale beratase?!
Më tej, vetëm 30 kilometra larg Beratit, mysafirët mund të përballen pa asnjë problem me bukuritë përrallore të kanioneve të Osumit apo misteret e fshehura në gjirin e Malit Tomor. Ky është pak a shumë Berati, i cili fton vizitorët me zemër të bardhë dhe duke buzëqeshur u afron bardhësinë e shpirtit të njerëzve të tij bujarë dhe mikpritës.
Dy djem të rinj, të bukur dhe të pashëm jetonin dikur këtyre anëve. Njëri quhej Tomorr dhe tjetri Shpirag. Të dy ishin të dashuruar marrëzisht me të njëjtën femër: Zanën e maleve, e cila nuk mundi të vendoste as për njërin e as për tjetrin.
Historia e dashurisë zgjati shumë, derisa të dy djemtë rrëmbyen armët dhe dolën në shesh të mejdanit për ta zgjidhur e mbyllur këtë histori. Shpiragu ishte i armatosur me topuz ndërsa Tomorri mbrohej me një kamë të mprehtë.
Dylyftimi zgjati shumë. Tomorri me kamën e tij i shkaktoi shumë plagë Shpiragut duke e bërë vija - vija, ndërsa Shpiragu e goditi Tomorrin fort me topuzin e tij duke i hapur shumë gropa.
Zana e maleve që ndiqte luftën, nuk mundi të duronte dot këtë tragjedi që po ndodhte për shkak të saj. E shkrehur në lot, ajo iu lot perëndive që të ndalonin këtë dyluftim mizor. Perënditë ndërhynë duke ngrirë gjithçka. Trupat e dy djemve u shndërruan në dy male.
Po të shikohet me kujdes, Tomorri edhe sot ruan në trupin e tij gropat e shkaktuara nga topuzi i Shpiragut, ndërsa Shpiragu ruan ende vijat e shkaktuara nga shpata e mprehtë e Tomorit. Zana vetë u shndërrua në kodër të qytetit me kalanë e bardhë mbi të. Lumi i Osumit që kalon poshtë këmbëve të kalasë, nuk është gjë tjetër veçse lumi i lotëve të derdhur nga zana e maleve, lot që në emër të dashurisë nuk shteruan kurrë.Nata në Berat është një tjetër mrekulli e një magjie që nuk duhet t'i mungojë askujt. Është i njohur riti i përnatshëm i qytetarëve beratas, tashmë e pagëzuar me emrin "Xhiroja".
Gjithçka ndodh sapo nis të errësohet dhe në të dyja anët e bulevardit kryesor të qytetit, nga cepi i lagjes magjike "Mangalemi" e deri tek sheshi para hotel "Turizmit", njerëzit vërshojnë si lumë në xhiron e përnatshme. Kjo xhiro realizohet disa herë dhe aty njerëzit përshëndeten e takohen me njëri-tjetrin, por edhe marrin informacionin e ditës.Kjo xhiro shërben për të forcuar edhe miqësitë, veçanërisht të rinjve e të rejave, të cilët ngacmojnë njëri - tjetrin, gjithmonë në sensin e një lidhjeje të re miqësie apo dashurie. Kjo frymë miqësore i ka dhënë xhiros beratase karakter folklorik.
Me se mund të vihet në Berat!
Në qytetin që numëron mbi 71 mijë banorë e që administron vlera të admirueshme ekoturistike, nuk duhet shumë investim, lodhje apo mundim për të qenë qoftë edhe një natë mysafir mes njerëzve mikpritës. Mjafton të zbrisni në Portin e Durrësit dhe pastaj do të përshkuani 92 km rrugë tokësore nëpërmjet Lushnjës drejt Beratit. Nga Porti i Vlorës rruga është edhe më e shkurtër, vetëm 81 km nga Vlora në Berat.Për të qenë më komodë dhe më pak shpenzues mund të shfrytëzohen mjetet e transportit publik, të cilët lidhin Beratin me gjithë Shqipërinë. Berati ka linja të rregullta autobusi dhe minibusi me Tiranën, Durrësin, Vlorën, Fierin, Kuçovën, Çorovodën, Gjirokastrën, Sarandën, Korçën etj. Lëvizja e autobusëve dhe minibusëve fillon në orën 04:30 dhe mbyllet në 17:00.
Në çdo 30 minuta ka autobus për nisje dhe në çdo 15 minuta ka minibus për nisje, pa harruar shërbimin taksi që funksionon gjatë gjithë kohës. Një biletë autobusi për Tiranë kushton 300 lekë dhe një biletë minibusi kushton 350 lekë. Autobusët nisen nga qendra e qytetit, ndërsa minibusët nga sheshi para hotel "Turizmit".
Hotel - restorantet:
Në Berat përveç turizmit familjar frekuentohen edhe hotelet, që janë të shumta, komode dhe me çmime të leverdisshme. Për një natë në një hotel të Beratit, madje në qendër të qytetit mund të paguash 6 - 10 euro. Dhomat janë dyshe apo edhe teke. Hotelet shërbejnë edhe si restorante ku një drekë e bollshme nuk mund të kushtojë më shumë se 10 - 15 euro.
Më i frekuentuar është hoteli i vendosur në qendër të qytetit. Në restorantet beratase serviret ushqim i traditës karakteristike beratase ku më i pëlqyeri është përsheshi me kaposh deti i cili shoqërohet me verë rrushi, prodhim i fabrikave vendase. Gjellët karakteristike beratase janë edhe mish me kumbulla të thata, çorbë dasme, kabuni me rrush të thatë, mish zogu me pilaf në saç etj.
Kalaja e Beratit
Në Berat nuk ke vizituar asgjë po qe se nuk viziton perlën e perlave: Kalanë. Ajo ngrihet mbi një kodër prej 187 metrash mbi pjesën e sipërme të qytetit dhe rrethohet nga mure të larta të ndara nga 24 kulla.
Brenda Kalasë ndodhen vlera të panjohura për shumë vizitorë siç janë Kisha e Shën Todrit me afreske të bukura, pikturuar nga piktori i njohur shqiptar Onufri. Në këtë kishë ndodhen disa ikona si: Krishti Pantokrator, Gjon Pagëzori, Virgjëresha Mari, etj, shumica vepra të Onufrit. Në një shesh të vogël ndodhet statuja e Onufrit, mjeshtrit të ikonografisë mesjetare.
Në qendër ndodhet Katedralja e Shën Mërisë dhe Muzeu i ikonave "Onufri", një nga më të vizituarit në Berat dhe nga më të rëndësishmit në Shqipëri. Ky muze përbëhet nga tri salla dhe është i hapur nga dita e martë deri të dielën në këto orare:
Në dimër: 9:00 - 16:00
Në verë 9:00 - 13:00 e 16:00 - 19:00.
Për të vizituar Kalanë do të paguani 50 lekë të reja në hyrje dhe 100 lekë të reja për të vizituar muzeun "Onufri".
Jashtë kalasë ndodhet Muzeu Etnografik, i pozicionuar në pjesën e poshtme të kodrës, në të djathtë të rrugës për në Kala. Muzeu është vendosur në një shtëpi karakteristike tipike beratase, e cila daton në shekullin e XVIII. Informacion për këtë kulturë të veçantë mund të merrni çdo ditë në dimër në orarin 09 - 16:00 dhe 09 - 18:00 në verë, duke paguar vetëm 200 lekë.
Mangalemi dhe Gorica, dy lagjet brilante dhe nga më të vjetrat në qytetin 2400-vjeçar, janë objektet më të vizitueshme dhe më të preferuara nga turistët. Këto dy lagje së bashku me kështjellën përbëjnë komplekset më karakteristike të qytetit dhe shumica e shtëpivë në këto lagje janë monumente kulture e mbrohen nga shteti. Në Mangalem do të njiheni me Shpellën e Memecit, Kisha e Shën Mëhillit e shek. XIII.
Të dyja lagjet lidhen me Urën e Goricës e shek. XVIII, me gjatësi 130 m dhe e gjerë 5,3 m. Ura ka shtatë harqe dhe ngrihet 10 m mbi nivelin e detit. Në Goricë, përballë Mangalemit, ndodhet Kisha e Shën Spiridhonit, si dhe më tej Kisha e Shën Thanasit që është një vend pelegrinazhi për besimtarë të shumtë.
Përveç kishave të shumta, Berati ka dhe xhami të njohura siç janë Xhamia e Beqarëve e ndërtuar në vitin 1827, Xhamia e Plumbit, Xhamia Mbret e ndërtuar në vitet 1481 - 1512 dhe që njihet edhe si Xhamia e Sulltanit. Fare pranë xhamisë do të njiheni me Teqenë e Halvetive, e cila vlerësohet si një nga më të bukurat në Ballkan.
Kodikët
Nuk mund të shijohet magjia e bukurive në Berat po qe se nuk merr informacion për Kodikët e purpurt të Beratit. Kodikët përbëjnë një pasuri të rrallë dhe ruhen si relike të çmuara. Fjala është për Kodikun e purpurtë të Beratit, i cili është më i vjetri dhe i takon shekullit VI pas Krishtit.
Ai përfaqëson një nga kopjet e vetme në botë që arkeologu dhe bizantinologu P. Batifol, më 1885-n, e quajti "Codexs Purpureus Beratinus 0" (Kodiku i purpurt i Beratit), të cilin të krishterët e Beratit e kanë pagëzuar "Ungjilli çudibërës i Shën Gjergjit".
Ky kodik besohet si një autograf i Shën Joan Kristostomit (Gojartit), kryepeshkopit të Kostadinopojës (Stambollit) 347 - 407, që iu fal qytetit të Beratit së bashku me dorëshkrime të tjera të shenjta, prej arhondit beratas Skuripeq në mbarim të shek. të XIII. Kodiku në fjalë ka 190 fletë.
Përveç këtij është dhe Kodiku i artë ose kodiku i dytë i famshëm, i cili është më i madhi kodik i shenjtë pergamenor i Beratit me 413 fletë dhe me kapakë të argjendtë të larë në flori dhe me shkronja ari të tretura.
Comments (0 posted)
Post your comment