Home | Culture | Një pjesë e harruar e Shqipërisë natyrale

Një pjesë e harruar e Shqipërisë natyrale

image
E ngjyrosja territorin me te kuq dhe vizatoja shqiponjën ne mes me të zezë ashtu siç e kam bërë edhe tek kënga “Im proud to be Albanian”. 

 

 

 

 

Genc Prelvukaj

 

 


Në një kohë jo shumë të largët, në hartën e dëshiruar të shqiptarëve, Shqipëria ishte ndryshe. Hartë që kurrë nuk figuroi si e tillë në enciklopeditë botërore. Edhe ato kopje të vogla të një shekulli me parë që iu dërguan fuqive të mëdha u dogjën më shpejt se çdo letër tjetër. Vetëm ne i ruajtëm, i qëndruam besnik dhe me fanatizëm edukuam çdo brez që atë koncept gjeografik ta kenë si udhërrëfim për të ardhmen vështruar nga këndi nacional. Realisht, ka shumë mendime sot në lidhje me Shqipërinë natyrale e vizatuar shumë bukur një shekull më parë. Një pjesë e cilëson si utopi, të tjerët e konsiderojnë si të realizueshme derisa në mes qëndrojnë ata që thonë “nuk mund ta kemi të tërën”. Po sidoqoftë, është e drejtë e secilit të mendojë në mënyrë të pavarur.

Unë nuk do të them ku rreshtohem, por do të provoj të zbërthej një gjë krejt tjetër, por që serish ka lidhje me hartën që na rrëqeth trupin kur e shohim. Si fëmije, sa herë e kisha atllasin gjeografik në dorë e vizatoja Shqipërinë natyrale siç kisha mundësi, shpeshherë duke marrë me shumë se sa ç’duhej për shkak të frikës se mos do të leja gjë jashtë. E ngjyrosja territorin me te kuq dhe vizatoja shqiponjën ne mes me të zezë ashtu siç e kam bërë edhe tek kënga “Im proud to be Albanian”. Në sfondin e ngjyrosur me të kuqe në pjesën veriperëndimore të saj shtrihet një pjese tokësore qe sot nuk flet shqip. Deklarimi nacional i tyre sot është tjetër pa marrë parasysh që veshja nacionale e tyre është pothuajse identike me pjesët tjera të Shqipërisë veriore. Zakonet i kane të njëjta dhe kane një të kaluar të përbashkët me shqiptarët tjerë. Ata sot thirren me emër tjetër. Ne fakt vetë përcaktimi etnik është pjesë e lirive dhe të drejtave të njeriut që nuk mund t’i mohohet askujt por as prejardhja dhe origjina nuk mund të tjetërsohet. Nëse ata sot shikojnë drejt një identiteti të ri, ne duhet t’i shikojmë nga dritarja e origjinës, t’i trajtojmë si bashkëkombës, tu japim mundësitë për rikthim në identitet, e jo t’i largojmë përgjithmonë.

Shpeshherë më ka rënë rasti të vërej se një numër i madh i njerëzve në momentin që e dëgjon tjetrin të komunikojë në gjuhën serbokroate në mënyrë automatike të paragjykojë origjinën e tij. Është më se e kuptueshme me cilin nacionalitet lidhet ky paragjykim. Meqenëse është shekulli ku më së shumti potencohet fjala “cange”, atëherë kisha pasur shumë dëshire që këtu pikërisht kjo fjalë të marrë kuptim dhe të zbatohet. Rajoni veriperëndimor i hartës së Shqipërisë që ka figuruar në të gjitha kërkesat e qarqeve intelektuale shqiptare sot e flet këtë gjuhe, por assesi nuk kanë të bëjnë as me serbët e as me kroatët. Janë popull autokton, që dinë cilit fis i përkasin, që dinë çfarë origjine kanë dhe është më se e gabueshme të konsiderohen si të tjerë dhe të futen në një thes me të ardhurit e shekullit të gjashte dhe të shtatë.

Janë shumë individë nga ai rajon (Sanxhaku) që kanë qenë pjesëmarrës aktive nëpër të gjitha lëvizjet politiko-ushtarake shqiptare në shekullin e kaluar. Për të qenë më bindës do ta shkruaj emrin e z.Jusuf Mehonjic, i cili ka qenë ndër më të spikaturit e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës. Lista është shume e gjatë dhe një ditë sigurisht do të merrem në mënyrë më të gjerë me të. Por edhe nëse të tjerët merren me çështjen në fjalë, jam shumë i bindur se do të bënin punë që do të respektohej e çmohej shume. Këtë e them bazuar në vlerësimin qe i janë bërë studiuesve të shumtë gjatë ndriçimit të rasteve lidhur me shqiptarët e Sanxhakut të Nishit apo edhe çështjes Çame.

Do të kthehem edhe njëherë në rajonin që e kam vënë në shënjestër: Para disa viteve u publikua një video xhirim nga viti 1904 ku shihen banorë të Novi Pazarit shumë pastër brenda saj. Shihet veshja shqiptare tek secili individ. Më e rëndësishmja është se edhe nëse një dokument i shkruar apo një fotografi nga e kaluara mund të kontestohet, video-xhirimi prej disa minutash as që bëhet fjalë të polemizohet mbi vërtetësinë e tij. Më është dhënë mundësia të njoh shume njerëz që sot vetë-deklarohen si boshnjakë të rajonit të Sanxhakut dhe të familjarizohem me ndjenjën që e kanë në raport me vendet tjera shqiptare. Kam hyrë e detajizuar shumëçka në të kaluarën e tyre, por edhe në të tashmen. Janë dy skaje që po i veçoj: nga e kaluara - kam ndeshur respektin ndaj shqiptarëve të Kosovës, sidomos në rastin e ndihmës së dhëne Novi Pazarit gjatë luftës së dytë botërore kundër çetave - forcave të parregullta serbe (jo partizane); dhe në të tashmen - kam ndeshur dëshpërimin e tyre për trajtimin që sot iu është bërë viteve të fundit dhe vazhdon të ju bëhet.

Shkaku i këtij dëshpërimi (që unë nuk pajtohem, se disa raste individuale nuk bën të ndikojnë në bindje kolektive) ka njerëz nga ta që mohojnë kategorikisht që dikur ishin shqiptarë. Justifikim në këtë rast është pjesa tjetër që rreshtohet në pohimet për origjinën shqiptare. Një njeri nga këta të fundit para disa muajsh ma bëri një pyetje shume domethënëse: “pse është një Shkrel në Pejë më ndryshe se sa unë Skrijelj në Sanxhak”. Në fakt gjuhën mund ta kenë tjetër, por origjinën dhe etninë assesi. Jo vetëm një Skrijelj, por as një Muric, Pljakic, Ujkanovic, Lajic, Canovic, Saljanin, etj.

Ka shumë njerëz që shpeshherë e kane ngatërruar popullsinë e këtij rajoni duke e ndërlidhur dhe identifikuar me shtetin e Bosnjës. Në fakt, kjo ngatërresë në të shprehur ka hyrë automatikisht në shërbim të rretheve të ndryshme që kanë punuar vazhdimisht në thellimin e dallimeve mes nesh dhe tyre. Thonë për të larguar nga një gjë, duhet të të joshin me një gjë tjetër. E kjo gjëja tjetër është shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës, me të cilin territor, paraardhësit e boshnjakëve të sotëm të Sanxhakut përveç religjionit të njëjtë nuk e kane pasur asnjë element tjetër të ngjashëm. Edhe sot, pikërisht këta njerëz, në vendin ku janë lindur e rritur, nuk i trajtojnë si heronj figurat nga Tuzla apo Zenica, por figurat si Aqif Blyta, Ali Pashë Gusia, Jusuf Mehonjic, Feriz Sallku, etj., që edhe historia shqiptare i trajton si figura shumë të rëndësishme që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm gjatë shekujve të kaluar në çështjen shqiptare në përgjithësi.

Për fund, unë nuk bëj thirrje për ngritje ad-hoc të një komisioni apo programi shtetëror që do të investohej për të depërtuar atje, por kërkesa ime është modeste, si qytetar, në mes marrëdhënieve tona, të jemi më miqësorë në raport me ta. Të iu tregojmë se nuk i konsiderojmë ndryshe. Kjo mund të jetë më reflektuese se sa çdo veprim tjetër. Më produktive se sa që vetë e mendojmë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00