Home | Culture | Jehona aktuale e Kongresit të Manastirit

Jehona aktuale e Kongresit të Manastirit

image
Kur u arrit uniteti gjuhësor para 102 vjetëve, shqiptarët nuk i kishin mundësitë e sotme që të krijojnë një hapësirë të përbashkët kulturore e shpirtërore. 

 

 

 

 

Lindita Sejdiu

 

Për gjuhën shqipe në të kaluarën janë flijuar jetëra njerëzish. Sot nuk është koha për flijime të tilla. Flijimi minimal që mund të bëhet sot është praktikimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e përdorimit zyrtar, publik, medial, arsimor me bukurinë dhe veçantinë që ajo e ka. Çdo shmangie nga ky synim, gjuhën shqipe e bën viktimë të pazotësisë sonë kolektive për të ruajtur identitetin kulturor e gjuhësor.


Kur u arrit uniteti gjuhësor para 102 vjetëve, shqiptarët nuk i kishin mundësitë e sotme që të krijojnë një hapësirë të përbashkët kulturore e shpirtërore. Platforma e Rilindasve tanë për të shkruar gjuhën amtare me një alfabet të vetëm, do të prodhojë më vonë përpjekjen iluministe për vetëdijen gjuhësore, e cila do t’i bashkonte shqiptarët në një rrafsh gjithëkombëtar. E kultivuar fillimisht jashtë hapësirës politike shqiptare, gjuha shqipe u përdor nga ideologët dhe patriotët shqiptarë, si arma më e fuqishme për të risjellë argumentin e mëvetësisë së kombit shqiptar. Për germat shqipe u flijuan shumë atdhetarë shqiptarë, kurse lufta për ta mbrojtur gjuhën shqipe u bë lajtmotivi kryesor i rezitencës shqiptare ndër vite.

E kundruar në planin aktual, gjuha shqipe ka përjetuar një stad mjaft të lartë të zhvillimit. Ajo u zhvillua bashkë me vetëdijen kulturore e shtetformuese të shqiptarëve, duke ndjekur hap pas hapi ritmin e lëvizjeve kulturore e shpirtërore në hapësirën gjithëshqiptare.

Me hapjen e shkollave e universiteteve, erdhën duke u përsosur edhe kërkesat e shqiptarëve për gjuhën shqipe. U mbajtën takime gjuhëtarësh, si dhe Kongresi i Drejtshkrimit, në vitin 1970, i cili kodifikoi pak a shumë normën e përdorimit të gjuhës shqipe në planin gjithëkombëtar. Ky kongres, në fakt, paraqet tubimin e dytë më të madh, pas Kongresit të Manastirit (1908), i cili kristalizonte tërësinë e kulturës gjuhësore të shqiptarëve në një rrafsh unifikimi të dallimeve krahinore e dialektore. Me këtë akt unifikues, shqiptarët u radhitën në familjen e kombeve të mëdhenjë të botës, të cilët kishin një gjuhë unike dhe përmes kësaj gjuhe unike shprehnin vetëdijen për tërësinë shpirtërore e kulturore.

Duke demonstruar një unifikim të tillë gjuhësor, shqiptarët refuzuan dhe hodhën poshtë të gjitha tezat dhe idetë, që mundoheshin t’i paraqitnin ata si etnitet pa rrënjë, pa identitet dhe pa vetëdije gjuhësore. Pretendimet e tilla vinin, sidomos nga bota akademike sllave, e cila kishte punuar me shekuj të tërë në relativizimin e identitetit kulturor e gjuhësor të shqiptarëve. Sepse ata ishin shumë të vetëdijshëm, se vetëm një komb pa vetëdije dhe identitet gjuhësor mund të pushtohet më lehtë territorialisht e shpirtërisht.

Beteja për të ruajtur hapësirën kulturore e shpirtërore të pacenuar nga invazionet e huaja, vazhdon edhe sot. Shqiptarët sot janë më të arsimuar se kurdoherë më parë, mirëpo ata njëkohësisht janë më të kanosur se kurdoherë nga rreziku i ndikimeve të huaja gjuhësore.

Sot, pas 102 vjetëve, kur shqiptarët nuk kanë dilema, se cilin alfabet ta përdorin, ata, megjithatë ndodhen para sfidave civilizuese që sjell njohja dhe kontakti me gjuhët dhe kulturat e huaja. Na duket tepër e panatyrshme praktika e marrjes kallëp të kalkeve e shprehjeve të huaja, si zëvendësim i trajtave shqipe, duke demonstruar kështu një mungesë të theksuar sensi për rëndësinë e statusit të gjuhës shqipe, brenda kulturës identitare të popullit tonë.

Jehona aktuale e Kongresit të Manastirit do të duhej të zgjojë nga letargjia ata individë, të cilët me lehtësi marramendëse braktisin gjuhën shqipe në këmbim të “kulerizimit” gjuhësor, që do t’i bënte ata gjoja më të civilizuar, vetëm e vetëm pse dijnë shkel e shko një gjuhë të huaj. Ata që nuk e njohin në themel gjuhën e tyre amtare, nuk mund të pretendojnë se e njohin një gjuhë të huaj dhe na duken, si karikatura të mjera të gjithë ata mburravec, të cilët mungesën e formimit gjuhësor mundohen ta kompensojnë me njohje gjysmake të gjuhëve të huaja.

Për gjuhën shqipe në të kaluarën janë flijuar jetëra njerëzish. Sot nuk është koha për flijime të tilla. Flijimi minimal që mund të bëhet sot është praktikimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e përdorimit zyrtar, publik, medial, arsimor me bukurinë dhe veçantinë që ajo e ka. Çdo shmangie nga ky synim, gjuhën shqipe e bën viktimë të pazotësisë sonë kolektive për të ruajtur identitetin kulturor e gjuhësor.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00