E mjera Piramidë, pa mbrojtje drejt shkatërrimit
Piramidat e Egjiptit, thonë mbrojtësit, nuk janë ndërtuar në demokraci, por në tiranitë më të pamëshirshme, që njeh historia.
Nga Rexhep Qosja
E mjera Piramidë!
Duan ta rrënojnë. Janë shumë të vendosur rrënuesit e saj.
Kanë nxjerrë ligj, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për rrënimin e saj!
Në vendet demokratike, për rrënimin e godinave të tilla, të monumenteve historike, me vlerë kulturore dhe historike, do të bëhej referendum.
Atje, në vendet demokratike, pyetet populli jo vetëm për më shumë, por edhe për më pak sesa për rrënimin e një monumenti të tillë, që është bërë një si metaforë kulturore dhe historike e kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë.
Por, te ne populli pyetet vetëm njëherë: në zgjedhjet vendore dhe në zgjedhjet e përgjithshme. Pyetet dhe gënjehet, pyetet dhe mashtrohet: e mashtrojnë organizuesit e zgjedhjeve duke vjedhur zgjedhjet.
E mjera Piramidë!
Duan ta rrënojnë fanatikët partiakë e fanatizmi është pasojë e indoktrinimeve, që mund të jenë të ndryshme: ideologjike, politike, fetare, krahinore. E të tjera.
Fanatizmi, zakonisht, as s'ka sy, as s'ka veshë, kurse dramaturgu e humanisti i lavdishëm gjerman, Lesingu, thoshte: as s'ka mend! Po të kishte do të shihte dhe do të dëgjonte çka mendon populli, çka thotë populli, çka dëshiron populli.
E siç është parë, numri më i madh i qytetarëve të Shqipërisë nuk e dëshiron rrënimin e piramidës. Pyetini në referendum.
Në Kosovë kemi pasur shumë raste të njohim gjithanshëm verbërinë; shurdhërinë, çmendurinë e fanatizmit, sepse fati i keq na ka ballafaquar shumë herë me fanatizmin e disa republikave jugosllave: me fanatizmin e tyre kundërshqiptar.
Por, tani jemi të ballafaquar me fanatizmin tonë të ndërsjellë partiak politik. E mund të mos jetë vetëm partiak politik: ndonjëherë, ndoshta, mund të jetë edhe fetar, ndonjëherë edhe krahinor, ndonjëherë edhe dialektor. Marrëzira nuk zgjedh as sasinë, as çfarësinë: mund të jetë e vogël e mund të jetë e madhe; mund të jetë e majtë e mund të jetë e djathtë.
E mjera Piramidë!
Duan ta rrënojnë fanatikët partiakë!
A i keni dëgjuar shpjegimet e tyre pse janë aq të vendosur, pa pyetur popullin, as në referendum, as në kuorum parlamentar, për rrënimin e saj!
Është ndërtuar, thonë duke përdorur kur emra, kur mbiemra e kur folje si përmbajtje të figurshmërisë, për ta amshuar, për ta përjetësuar, për ta bërë të pavdekshëm atë të cilit i është kushtuar.
E atë, të cilit i është kushtuar, herë e quajnë Faraon, herë Zeus, herë Diktator, por duke menduar gjithnjë, natyrisht, për Enver Hoxhën.
Është ndërtuar, thonë, për ta amshuar, për ta përjetësuar, për ta bërë të gjithmonshëm komunizmin si ideologji, si politikë dhe si praktikë të Faraonit.
Është ndërtuar, thonë, prej partizanëve të Faraonit, të cilët, duke e ndërtuar, kanë menduar siç kanë menduar edhe partizanët e Faraonit të ish- Jugosllavisë:
Mbas Titos - Titoja.
Mbas Enverit - Enveri!
Kush janë ata që thonë kështu, që bëjnë këso shpjegimesh, që me këso shpjegimesh e arsyetojnë rrënimin e Piramidës?
Është një numër i vogël i atyre që janë përndjekur, që kanë vuajtur, që kanë bërë burgje në kohën e komunizmit, por që sot nuk kanë farë postesh dhe nuk gëzojnë farë privilegjesh, sepse nuk u janë lënë mundësi prej më të shkathëtëve, më të gjithkundshmëve, që lumturinë e sotme ta ndërtojnë mbi vuajtjen e djeshme!
Shumë më i madh është numri i atyre që në kohën e komunizmit as nuk ishin të përndjekur, as nuk ishin të burgosur, por që nuk ngurrojnë që, duke u ngritur tash, vonë, pas rënies së komunizmit, kundër komunizmit, dhe kundër Faraonit, dhe kundër Piramidës shpresojnë të përfitojnë sa mund të përfitohet prej servilizmit të sotëm.
Por, as ata të parët, as këta të dytët nuk mund ta vendosin fatin e Piramidës. Jo. Fatin e Piramidës e vendosë ai që ishte në listat e nomenklaturës, ai që ishte sekretari i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës i cili, kur po bëhej Piramida, brohoriste: Pas Enverit - Enveri!
Fatin e Piramidës do ta vendosin kështu poltronët e pabesë! Dhe, poltroneshat e poltronëve të pabesë!
E shkreta Piramidë!
Duan ta rrënojnë fanatikët partiakë.
Nuk u bëjnë përshtypje, nuk u bëjnë shenjë, fjalët e atyre që e mbrojnë Piramidën, që kërkojnë të mos rrënohet Piramida. Nuk u bëjnë shenjë fjalët e historianëve, të artistëve, të shkrimtarëve, të arkitektëve, qoftë shqiptarë, qoftë të huaj. Si t'u bëjnë shenjë? Fanatizmi nuk njeh dhe nuk pranon argumentet.
Janë të shumta dhe janë të ndryshme argumentet me të cilat njerëzit e shkencës, dhe të artit, dhe të kulturës, dhe të njerëzillëkut, që kurrë nuk i kanë munguar Shqipërisë, e mbrojnë Piramidën prej turrit rrënues të fanatizmit të fanatikëve partiakë politikë dhe të fanatikeshave partiake politike.
Kot flasin historianët! Kot Flasin mjeshtrit! Kot flasin arkitektët! Kot flasin artistët! Kot flasin miqtë e Shqipërisë nga bota.
Nuk ka kush t'i dëgjojë në Qeverinë e Shqipërisë dhe nuk ka kush t'i dëgjojë në Kuvendin e Shqipërisë ato argumente!
Kot shkojnë argumentet e tyre që do t'ia ndërronin mendjen çdo rrënuesi të Piramidës, përpos rrënuesit partiakisht të fanatizuar. Dhe, sidomos, përpos rrënueses partiakisht të fanatizuar.
Piramida ka vlerë artistike, thonë mbrojtësit.
Çfarë rëndësie ka kjo, përgjigjen rrënuesit e fanatizuar dhe rrënueset e fanatizuara!
Piramida ka vlerë historike, thonë mbrojtësit, sepse ka domethënie historike; është përbërëse shumë treguese e identitetit shtetëror dhe kulturor shqiptar në një periudhe të historisë shqiptare.
Pikërisht për këtë arsye duhet të rrënohet, përgjigjen rrënuesit partiakisht të fanatizuar dhe rrënueset partiakisht të fanatizuara.
E unë, këtu ku jam, nuk e di a janë të fanatizuar për shkak të ideologjisë, apo për shkak të leverdisë. Mund të jetë njëra e mund të jetë edhe tjetra, megjithëse mund të jenë edhe e dyta edhe e para - bashkë. Fanatizmi, më në fund, ndonjëherë ideologjinë e bën leverdi e ndonjëherë leverdinë e bën ideologji! Varet si është porositur dhe sa është i çoroditur.
Piramidat e Egjiptit, thonë mbrojtësit, nuk janë ndërtuar në demokraci, por në tiranitë më të pamëshirshme, që njeh historia. Gjatë ndërtimit të tyre kanë humbur jetën jo me dhjeta, por, si thonë disa arkeologë dhe historianë, me qindra mija skllevër. Dhe, mjeshtër, që sot u themi arkitektë. E, megjithatë, pasardhësit e faraonëve nuk i kanë rrënuar piramidat. Nuk i kanë rrënuar as skllevërit e çliruar. As beduinët. As Perandoria Romake: as Cezari, as Neroni, as Tiberi. As Perandoria Otomane: as sulltan Sylejmani, as sulltan Pajaziti, as sulltan Hamiti. Nuk i kanë rrënuar as kolonialistët: as Napoleoni, as Nelzoni. As Romeli, as Montgomeri.
Në demokraci nuk janë ndërtuar as pallatet madhështore të mbretërve e perandorëve evropianë. As sarajet madhështore të sulltanëve otomanë.
Në demokraci nuk janë ndërtuar as ndërtesat - varreza (mauzoletë) të tiranëve e despotëve të ndryshëm të qyteteve e shteteve të ndryshme evropiane.
Në demokraci nuk janë ndërtuar as monumentet madhështore fetare në Itali, në Spanjë, në Francë, në Gjermani, në Britaninë e Madhe, në Rusi apo në Indi, në Iran, në Arabinë Saudite, në Siri, në Tunizi, në Marok, në Irak e në një varg vendesh të tjera evropiane, aziatike e afrikane.
Por, askush, kurrë, nuk e ka kërkuar rrënimin e atyre pallateve, atyre sarajeve, atyre ndërtesave - varreza, atyre kishave e xhamive madhështore, sepse na qenkan bërë me shumë të vdekur gjatë ndërtimit, sepse na qenkan ndërtuar në tirani, në despoti, në diktatura. Jo. Madje, as Musolini, as Stalini, as Hitleri, as Sadami nuk kanë kërkuar rrënimin e tyre, sado ishin fanatikë ideologjikë.
Si ta kërkojnë? Do i ndalte populli që e sundonin, sepse nuk do të lejonte kurrë dhunimin e kujtesës historike.
E kaluara kulturore, e kaluara e një populli në përgjithësi, është e shënuar përgjithmonë në kujtesën e tij. Cenimi i kësaj të kaluare, rrënimi i kësaj të kaluare, është dhunë ndaj kujtesës, ndaj Mendjes. Filozofi i lavdishëm anglez, Xhon Loku, thoshte se shpirti i njeriut është si një pllakë e pastër në të cilën gjatë jetës, prej lindjes e deri në vdekjen e tij, shënohen përshtypjet që sjellin ato që shohim, ato që dëgjojmë, ato që lexojmë, ato që përjetojmë. Kështu janë shënuar në shpirtin e shqiptarëve veç e veç dhe të shqiptarëve në përgjithësi gjithë ato që janë parë, që janë dëgjuar, që janë bërë, që janë përjetuar edhe gjatë dyzet e pesë vjetëve të komunizmit. Pjesë e jetës shoqërore, historike, të popullit shqiptar, deshëm s'deshëm, deshi s'deshi kush, deshi s'deshi ndonjë fanatik partiak, politik, ideologjik, fetar, krahinor a dialektor është prandaj edhe periudha e diktaturës komuniste. Ne, natyrisht, nuk duam ta ruajmë, nuk duam ta përsërisim gjedhen e saj partiake, politike, ideologjike, pushtetore, por si e kaluar, si kulturë, si histori ajo është pjesë e pashlyeshme e historisë shqiptare sot e gjithmonë. Piramida në Qendrën e Tiranës, sot e quajtur shumë domethënshëm Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, por jo domethënshëm e emëruar Pjetër Arbnori, është një e dhënë, një dëshmi artistike, kulturore e të kaluarës sonë, natyrisht, jo shumë të largët, e qenies sonë në atë të kaluar jo shumë të largët, që është bërë përbërës i identitetit të kryeqytetit të Shqipërisë. Tirana me Piramidën në Qendër është shënuar kështu në kujtesën e qytetarëve të Tiranës, në kujtesën e qytetarëve të Shqipërisë. Dhe, jo vetëm të Shqipërisë. Ta zhdukësh këtë Piramidë, tani, këtë përbërës të identitetit arkitekturor dhe kulturor të Tiranës, do të thotë të ushtrosh dhunë mbi Mendjen, mbi Shpirtin, mbi Përjetimet e qytetarëve të Tiranës. Dhe, të Shqipërisë. Dhe, jo vetëm të tyre.
A i mendojnë të gjitha këto ata që duan ta zhdukin Piramidën, në të cilën mblidhen, shihen, dëgjohen, përjetohen frytet e Mendjes e të Dhuntisë krijuese artistike e shkencore shqiptare e botërore dhe në vend të saj të vendosin kompleksin e Kuvendit të Shqipërisë e me të gjithë atë dhunë foljore, gjithë atë fanatizëm partiak, që po dëgjojmë e po shohin në atë Kuvend?A i mendojnë këto ata që me heshtjen e tyre dhe me mosveprimin e tyre do ta lejojnë zhdukjen e Piramidës?
Por, fanatikët tanë partiakë e kërkojnë rrënimin e Piramidës sonë pavarësisht prej argumenteve që paraqesin mbrojtësit e saj!
E mjera Piramidë!
Duan ta rrënojnë fanatikët partiakë megalomanë!
Keni lexuar çka ka thënë një mendimtar emri i të cilit në këtë çast nuk po më kujtohet: "Nuk ka gjë më të rrezikshme sesa megalomania e të vegjëlve"! Kur i vogli i djeshëm bëhet megaloman sot - ruajna Zot.Të gjitha janë të mundshme. Edhe rrënimet e monumenteve historike, edhe rrënimet e monumenteve me vlerë të veçantë kulturore, edhe monumentet që për një kohë flasin më shumë se shumë e shumë të dhëna, argumente, dokumente të tjera historike e kulturore.
Sa bukur i rri Tiranës ajo Piramidë. I rri bukur, përpos të tjerash, edhe pse është mu në qendrën e saj. I rri bukur, përpos të tjerash, sepse është monument historik i artit e i kulturës, në të cilin zhvillohen shfaqje kulturore, mbahen panaire të librave, hapen ekspozita dhe organizohen ligjërata për çështje të ndryshme shkencore, kulturore, artistike, politike, të djeshme, të sotme e të nesërme, sepse në të mblidhen njerëz të krijimtarisë artistike e shkencore, sepse në të afrohen shqiptarët mes vete dhe shqiptarët me të tjerët, që vijnë aty: në qendrën kulturore shqiptare.
Duan ta rrënojnë megalomanët pse gjendet pikërisht në qendër të Tiranës. Duan ta rrënojnë Qendrën kulturore duke thënë se po rrënojnë komunizmin e në të vërtetë duke mbuluar me hallakamë dhe me fanatizëm të përtashëm partiak të kaluarën e vet fanatike komuniste.
Duan ta rrënojnë Piramidën që të vendosin veten në Qendër të Tiranës! Në Qendër të Shqipërisë.
Çfarë përmbysje! Çfarë anasjelle! Çfarë megalomanie!
Në Qendër të Tiranës në vend të Mendjes dhe Dhuntisë së Homerit, Eskilit, Platonit, Aristotelit, Virgjilit, Dantes, Bokaços, Xhordano Brunos, Galileos, Da Vinçit, Mikelanxhelos, Shekspirit, Servantesit, Khajamit, Magelanit, Kopernikut, Al Ghazalit, Dekartit, Spinozës, Monteskies, Rusoit, Volterit, Hjumit, Lokut, Kantit, Hegelit, Bajronit, Balzakut, Floberit, Tomas Manit, Tolstoit, Niçes, Orson Uellsit, Ajnshtajnit, Çaplinit, Hemingueit, Naimit, Samiut, Pashko Vasës, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës do të kemi "dhuntinë" e Sali Berishës dhe të Jozefina Topallit!
Kuku për ne!
Do ta kemi Shqipërinë të kthyer me kokë teposhtë!
Çka nuk bën megalomania? Të ultën e ngre lart e të lartën e ul poshtë!
E shikova dhe e dëgjova kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, duke ua shpjeguar, oh sa qëndisshëm, të ftuarve të privilegjuar maketin e kompleksit parlamentar të Shqipërisë. Ishte aq e entuziazmuar nga shpjegimet "profesionale" që bënte saqë disa herë rrëmbyeshëm ia rrëmbeu mikrofonin arkitektit që ishte ftuar për të dhënë shpjegime profesionale. Më erdhi keq për të, por më shumë keqardhje më shkaktuan shpjegimet "profesionale" të kryetares, sepse prej tyre sikur mësova se: kastës politike shqiptare, në mënyrë të veçantë, kastës politike në pushtet, nuk ia kënaq megalomaninë pushtetore ndërtesa e tashme, mjaft e mirë dhe përbrenda mjaft e bukur, por do të ndërtojë një kompleks parlamentar, mu në qendër të Tiranës, mu në vendin e Piramidës dhe, ashtu, me atë kompleks parlamentar, t'i konkurrojë Romës, Madridit, Berlinit, Parisit, Hagës, Brukselit! Deputetët anglezë mund të mblidhen, qeveritarët anglezë, politikanët e shtetarët anglezë, mund të mblidhen në një ndërtesë të para shumë kohësh që përbrenda edhe sot duket siç është dukur para shumë kohësh, por kryetarja e Kuvendit tonë dhe kryeministri i Qeverisë sonë, nuk janë anglezë: këta meritojnë më shumë - meritojnë Senat Romak, Versajë a Kremlin! Se në ç'shpërpjesëtim, se në ç'kundërshtim artistik dhe etik do të jetë kompleksi parlamentar me rrethinën e ngushtë e, sidomos, me rrethinën e gjerë shqiptare, në përgjithësi, se në ç'shpërpjesëtim, se në ç'kundërshtim politik dhe etik do të jenë kiç-shkëlqimi dhe krim-pasuria e kastës politike në pushtet, në krye me kryeministrin dhe me kryetaren e Kuvendit të tij, të vagëlluar prej megalomanisë, me varfërinë e numrit më të madh të shqiptarëve - e për këtë nuk e lodhin aspak mendjen ata! Pse ta lodhin? Pse ta lodhin ata kur s'e lodh rinia shqiptare! Pse ta lodhin ata kur s'e lodh populli shqiptar që mund t'ua ndalë turrin rrënues atyre dhe mund t'ua kthejë në sjellje normale megalomaninë atyre.
Edhe Kosova ishte në rrugë që të çoroditej prej megalomanisë, sado nuk i ka shpëtuar shumë kësaj çoroditjeje. Para disa vjetësh, prej njeriut të megalomanizuar, që ia kishte mbushur vetes mendjen se është dhe do të jetë përgjithmonë qendra politike dhe pushtetore e Kosovës ishte dhënë propozimi, në të vërtetë ishte dhënë urdhri, që të bëhej Shtëpia e Bardhë e Kosovës. Frymëzimi shëmbëllyes ishte marrë prej dy anësh: prej Shtëpisë së Bardhë në Uashington dhe prej Pallatit të Bardhë të Titos në Beograd. I njëjti njeri, i pushtuar prej megalomanisë, kishte propozuar, dhe propozimi i tij kishte filluar të festohej, që të shpallej Dita e Presidentit të Kosovës! Kosova duhej të festonte ditën e kryetarit të vet pa qenë ende shtet ashtu siç e festonte Jugosllavia, me stafeta, me tubime të rinisë nga e gjithë Jugosllavia në stadiumin më të madh të Beogradit dhe me solemnitete të tjera madhështore, në të vërtetë megalomane, ditëlindjen e Kryetarit Tito. Por prej të njëjtit njeri ishte propozuar, njëkohësisht që, përpos me Shtëpinë e Bardhë dhe me Ditën e Presidentit, Kosova të stolisej edhe me Shtëpinë e Mbledhjeve Solemne të Kuvendit të Kosovës në Gërmi, në të cilën përfaqësuesit e popullit do të mblidheshin në raste solemne dhe do të pushonin gjatë festave dhe gjatë të shtunave e të dielave!
Mbas fitores së çlirimtarëve, para katër vjetësh, njëherë për njëherë Kosova shpëtoi prej kësaj megalomanie, por nuk jam i sigurt se do të ketë shpëtuar përgjithmonë, dhe nuk jam i sigurt se do të ketë shpëtuar përgjithmonë: e para, sepse mund të marrë për shembull Shqipërinë dhe, e dyta, sepse megalomania, sipas të gjitha gjasave, është një prej manive të politikës sonë, në mënyrë të veçantë të politikës sonë të përfaqësuar prej disa mendjeve të topallizuara!
A do ta lejojë Shqipëria pa referendum a pa protesta parandaluese rrënimin e monumentit kulturor, i quajtur Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, që ka trajtën e Piramidës, që do të ishe rrënim i një pjese të historisë shqiptare,që do të ishte rrënim i kujtesës historike, që do të ishte fitore e fanatizmit partiak dhe megalomanisë mbi Historinë dhe Arsyen, do të shihet.
E mjera Piramidë!
Duan ta rrënojnë fanatikët partiakë!
Ende nuk jam i gatshëm të besoj në këtë ndodhi tragjiko-komike.
Duke e shkruar këtë fjali papritmas m'u kujtuan një mendje e krisur politike ballkanike dhe një Mendje e ndritur evropiane. M'u kujtua së pari Çaushesku, i cili, për të ndërtuar kompleksin e tij parlamentar, kishte rrënuar disa monumente arkitekturore të çmuara në Bukuresht, të cilin, kompleks parlamentar, në sajë të vendimit historik të popullit rumun, nuk kishte arritur ta gëzonte.
Dhe, m'u kujtua autori i jetëshkrimit më të mirë të paraardhësit të Evropës së Bashkuar, Erazmos së Roterdamit, Stefan Cvajgu, i cili shkruan aty: "Është pashmangshmëri e çdo fanatizmi që më në fund ta mashtrojë vetveten. Arsyeja, kjo dhuratë e madhe e atyre që e kanë, mund të presë, pa u dorëzuar. Nganjëherë, kur të tjerë tërbueshëm flasin e sillen, ajo duron. Por koha e saj, koha e Arsyes, vjen, gjithmonë vjen, gjithmonë përsëri vjen."
Koha e Arsyes, pashmangshëm, do të vijë edhe në jetën tonë. Dhe, fanatizmi e megalomania do të mposhten. Por, sa do të vonohet mposhtja e tyre nuk është e lehtë të thuhet. Deri atëherë Arsyeja le të durojë.
Prishtinë, 21.3.2011
Comments (0 posted)
Post your comment