Shija klasike
Shija klasike duhet kuptuar si: - një vlerë e ngritur shpirtërore e cila mbetet e pavdekshme në art, por edhe në çdo lloj krijimi tjetër ku shpirti dhe mendja përcaktojnë teorinë e njohjes.
Bujar Plloshtani
Shija klasike lind nga kohëzgjatja e ndjenjave të larta njerëzore, e cila kontribuon drejtpërdrejt në cilësinë e mendimit racional, dhe edukimit estetik të shpirtit krijues, ku si shkak parësor pasuron veprimin e shpirtit dramatik, tek e cila e bën të joshet pas mjeteve që ia ndriçojnë vetitë e brendshme të shpirtit inteligjent. Duket që vepron në mënyrë të përkorë për bashkimin e ideve iluministe, e cila ndikon qartë në përmirësimin e imagjinatës shpirtërore, dhe kështu përmes shijes bën të mundur të joshë çdo pamje të ndryshme njerëzore. Vlerësoj ta quaj shijen klasike një bindje dramatike shpirtërore, e cila lind nga nevoja e domosdoshme e shpirtit krijues për të krijuar vepra jetësore, të cilat më pas mund të shërbejnë për të mirën e njerëzimit. Zhvillimi i imagjinatës shpirtërore është sistematizim i planit të shijes, ngase, ndjenjat e larta ndikojnë në rritjen e vëllimit të intelektit te njeriu. Shija ndikon në përmirësimin e gjendjes shpirtërore duke e trajtuar në kushte paqeje, madje duke e transformuar në kriteriume mistike në kushte të tilla paqeje, njeriu mund të përfitojë ndiesinë e gjërave me vlerë, siç është arti i të jetuarit dhe shpirti krijues, të cilët mund ta joshin drejt stilit dhe pamjes së veçuar. Duke e përfituar shijen nga natyra e ngritur shpirtërore, dhe njëkohësisht duke e njohur si pjesë intime e shpirtit krijues që e frymëzon për nga stili dhe pamja e veçuar, në radhë të parë njeriu nxjerr në sipërfaqe atë që ka më të virtytshmen, dhe nga pikëpamja intelektuale hyn në krijimin e natyrës krijuese për të bërë vepra të mëdha.
Duket që një shije e bukur e ndërtuar prej një norme klasike e pajis shpirtin krijues me një ndriçim të pazakontë, me një thyerje të joshur brenda, që ia jep gati formën e një drithërime dramatike. Shija klasike e ndjen veprimin e shpirtit krijues që po kërkon ta kthejë botën në paraqitje mistike, si pjesë e dashurisë njerëzore. Shija klasike, fillimisht është e lindur, pastaj mund të përfitohet në eksperiencë njerëzore sipas planit të përvojës krijuese, ose përsa kohë njeriu mund të kishte punuar në ndërtimin e shijes brenda emocionit të brendshëm shpirtëror për ta mishëruar në vepër jetësore. Mendoj se përcakton vlerën intelektuale të një njeriu në kuptimin ideo-estetik duke e ngritur shpirtërisht, dhe se gjërat që bëjnë pjesë në intimitetin krijues të shpirtit mund t’i joshë fare lehtë. Shija klasike duhet kuptuar si: - një vlerë e ngritur shpirtërore e cila mbetet e pavdekshme në art, por edhe në çdo lloj krijimi tjetër ku shpirti dhe mendja përcaktojnë teorinë e njohjes. Për të vënë në pah atë që njeriu ka më të ngritur, më parë duhet të jetë i pajisur nga njohja e vërtetë e shquarjes së gjërave, pastaj duke futur në esencë shijen, ku kjo e fundit kërkon të jesh i pajisur me dhunti shpirtërore, dlirësinë, fisnikërinë dhe artin e të menduarit, sepse përmes këtyre virtyteve që posedon një shpirt krijues mund të krijojë vepra gjeniale, të cilat mbeten dëshmi historike në kohë të vazhdueshme. Ajo diktohet brenda shpirtrave që janë të veshur me prirje intelektuale për të krijuar vepra dhe veprimtari të vlefshme, që i hyn në punë njerëzimit, e cila njëherit shpirtit i jep ambicie të pazakonshme shpirtërore për t’i shquar më me ngritje ndijore sendet në këtë realitet. Mirëpo, për të ngritur një letërsi apo një art me shpirt krijues, që më pas të ekzistojë autentike, më parë duhet një natyrë shpirtërore me shije klasike që të çojë veprimet njerëzore drejt sjelljeve intelektuale, të cilët janë të prirura për bujë. Klasikja kërkon një shpirt të bukur pa iluzione, që është e aftë të ndiejë artet e bukura në udhë të ngritura shpirtërore për të cilën hap udhë traktatit të mendimit iluminist, pra një shpirt që është i prirur drejt progresit dhe mundësive më të mprehta për të pohuar ekzistencën e të vërtetës përmes arsyes shpirtërore.
Shijen e konsideroj si vlerë të ngritur shpirtërore, e cila diktohet për të bërë vepra jetësore. E vërteta është një pamje e brendshme që njeriu duhet ta ndriçojë nëpërmjet arsyes duke futur shijen si emocion i ngritur shpirtëror. Ajo është kaq e lidhur reciprokisht me shijen, saqë shija ndikon në ndjenjat intelektuale duke i caktuar drejt mendimit etik për një njohje konsekuente. Kjo shije kërkon, madje të ndërlikuarën ta bëjë sa më të thjeshtë duke mos i thyer aspak rregullat e saj të ngurta, rrallëherë një shije e tillë do të kishte fatin e mbarë të lindte te ndonjë shpirt human i zgjedhur nga natyra, tek i cili, më pas do të shërbente si arma më e fortë e tij drejt udhës vetjake për të vënë tek njerëzit vetëdijen shpirtërore. Megjithatë, në këtë kohë moderne vështirë se mund të rezultojmë shije klasike në veprimtarinë dhe kulturën tonë shpirtërore, sepse koha është kaq agresive brenda lëvizjeve shpirtërore dhe morale, saqë dhe njerëzit janë drejt shndërrimit të vlerave njerëzore. Kemi një realitet të hidhur me një ekonomi fatale, që njerëzit janë shndërruar drejt joshjeve fundamentale për të mbijetuar ekzistencialisht; kemi një shoqëri civile me komplikim të proceseve psikologjike, një konkurrencë me njohje delikate ose të krisura që kanë dhënë rezultatin me korrespondencë për të pasur një shije klasike të natyrës krijuese. Jetojmë në një kohë të brishtë ku progresi dhe motivet për një jetë mondane janë gjithnjë në degradim e sipër, madje ku janë ftohur logjikisht trajtimet e jetës në teatër e në politikë. Po ndodh në ndërgjegjet e tyre një krisje e vërtetë morale dhe shpirtërore. Fajin duhet kërkuar gjithnjë te vetja, sepse aty ndodhet misteri i gjithë botës sonë.
Gjenitë, shija klasike, e bukura në artet plastike lindin të mëvetësishme, ku më vonë natyra e krijuesit vendos të krijojë arsyet imagjinare dhe shkencore me modelin për të qartësuar efektin kundër absurditetit të kësaj shoqërie që ka rënë brenda realitetit të hidhur. Pikërisht kjo thjeshtësi për të ngjizur të vërtetën dhe veprimin e akteve psikike me shijen klasike së vepruari tangon drejt një vepre cilësore, që do të mbahet mend për dekada më radhë. Ky thjeshtëzim i të ndërlikuarës me artin e gjuhës së veçuar është arti i të krijuarit. Me modelin e thjeshtëzimit klasikja tejkalon së pushuari ndjenjat dispeptike, hedonizmin, depresionet e ndryshme psikologjike. Sepse shija klasike është intimiteti i çdo lloj krijimtarie që kapërcen nevojat e ndjenjave dhe shpirtrave të vobektë, por ajo është dhe një ngritje emocionale e edukimit të njeriut në trajtimet më të qarta shpirtërore. Ajo të mbërthen në idealizmin me përmasat e njohjes së botës duke të dhënë shijën dhe stilin e të kundruarit me arsye, pastaj, ngjiz brenda fatit dy nocionet e botës: pesimizmin si realitet i hidhur, por dhe i domosdoshëm, si dhe optimizmin si realitet shpresëdhënës për të bërë veprimtari jetësore. Shija klasike është estetike për nga vullneti shpirtëror e prodhuar nga stili unik i natyrës, por që është tepër vështirë të përfitohet nga format e ndryshme të vullnetit, ndërkaq ajo lind brenda shpirtit krijues i ndriçuar nga vullneti hyjnor, dhe nëpërmjet vullnetit shpirtëror kërkon sistematikisht të edukohet apo inicohet drejt zhvillimit normal. Në disa raste është dhunti hyjnore, e aftë të depërtojë brenda shpirtit të njeriut me formësimin për të pohuar mbi njohjen e ekzistencës së përsosur; pra është thjeshtësia e shpirtit të veçuar në të kundruarit e botës, hera-herës të mundëson të shkëputesh nga vuajtja të fut brenda dëshirave dhe inspirimeve atë që quhet motivi dhe vullneti për të bërë punë të mëdha siç janë: - triumfi mbi dashurinë e vërtetë, - arsyeja mbi njohjen e krijimit të Universit, - natyra si provë e individualitetit hyjnor, - aftësia për të njohur mbi thelbin negativ të kënaqësisë.
Shija klasike e zhvilluar te shpirti i ndërtuar prej një arti apo shkence të vërtetë, njëherit mbeten një shprehje individuale me origjinë shpirtërore, që ndryshojnë natyrën njerëzore në formën më të ngritur intelektuale. Shija është element i brendshëm, i lindur më herët te njeriu, por më vonë i krijuar sipas një eksperience intelektuale në natyrën krijuese për të modifikuar konceptet prapanike të shoqërisë për një jetë më të përshtatshme. Ajo është e lindur si një talent natyror në ndijimin shpirtëror, ku njeriut të vetëdijshëm i ndërtuar nga edukimi klasik, për nga forca elastike mund t’ia japë vlerën e mundshme të papërsëritur ndonjëherë, prandaj, një shije e bukur dhe elastike mund të ndryshojë kuptimin e arsyes drejt rregullit për orientimin e njohjes, dhe në zhvillimin e inteligjencës njerëzore si natyrë krijuese. Metoda për ta transformuar shijen në stade edhe më të ngritura emocionale, fillimisht intelekti duhet të pajiset me arsye të shëndoshë, që do t’i ndihmonte në vlerën e përgjithshme të njohjes, e cila, në fakt është e pajisur me njohje reale të të njohurit në natyrë, dhe njëkohësisht, shijes i duhet të shkëputet nga çdo vullnet i dyshimtë që mund të vijë në shprehje t’ia ngurtësojë shqyrtimet e natyrës përmes përvojës. Pra, i bindur në shpirtin, i cili duhet të edukohet nga vëllimi i diturive të sigurta shkencore, me qëllim që ambiciet e shpirtit të lidhen me shijen klasike për t’u transformuar në stade të ngritura emocionale. Ky shpirt i ndikuar nga shija e bukur nxjerr vlerën e njohjes. Kjo arsye e pajisur me njohje të sigurtë e krijon shijen për të pasur efektin e të njohurit të sendit në thelbin inteligjent, dhe kështu sistematizimi i përgjithshëm i shijes i jep autoritetin e duhur shpirtit krijues për të qenë natyrë krijuese dhe e pavdekshme ndonjëherë.
Comments (0 posted)
Post your comment