Home | Culture | Dita botërore e lirisë së shtypit

Dita botërore e lirisë së shtypit

image
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit festohet çdo vit, anë e mbanë botës, me 3 Maj. Ky, sipas Kombeve të Bashkuara, është një rast për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit, si edhe për të vlerësuar lirinë e shtypit...

 

 

 

 

Frank Shkreli

 

 

Organizata e Kombeve të Bashkuara, UNESCO ka njoftuar se përkujtimi i Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit do të mbahet sivjet në Washington. Konferenca ndërkombëtare titullohet: “Media në Shekullin e 21: Mundësi të Reja, Pengesa të Reja”, duke theksuar në mënyrë të veçantë rëndësinë e Internetit, si një burim i fuqishëm informativ për publikun. Konferenca e radhës organizohet zyrtarisht sivjet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe bashk-sponsorizohet nga disa organizata jo-qeveritare.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit festohet çdo vit, anë e mbanë botës, me 3 Maj. Ky, sipas Kombeve të Bashkuara, është një rast për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit, si edhe për të vlerësuar lirinë e shtypit anë e mbanë botës, për të mbrojtur mediat nga sulmet ndaj pavarësisë së tyre dhe për të nderuar gazetarët të cilët kanë humbur jetën duke kryer detyrën e tyre.

Në deklaratën e Kombeve të Bashkuara me këtë rast thuhet: “Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit 2011, u bëjmë thirrje të gjitha qeverive të bashkohen me Kombet e Bashkuara për të garantuar dhe për të promovuar lirinë e të shprehurit në shtyp, në radio-televizion si edhe në Internet”.

Ndërsa në një mesazh të Departamentit Amerikan te Shtetit që është organizuesi kryesor i kësaj konference për vitin 2011, thuhet se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga vendosmëria e disa qeverive për të censuruar dhe për të heshtur individë të caktuar si dhe për të kufizuar shpërndarjen e lirë të informacionit. Ne shënojmë ngjarjet si Dita Botërore e Lirisë se Shtypit brenda kontekstit të angazhimit tonë të vazhdueshëm në përkrahje të lirisë së shtypit dhe të zgjerimit të përhapjes së lirë të informacionit në këtë shekull digjital”. Ndërsa Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton tha se “shtypi i lirë është jetik për një shoqëri të mirë-informuar, për një qeverisje të përgjegjshme dhe për një zhvillim të nevojshëm ekonomik. Kudo që sulmohet pavarësia e medias, aty minohet liria njerëzore si edhe përgjegjësia qeveritare”.

Shtypi i lirë është gur-themeli i të drejtës së lirisë së të shprehurit dhe përbën një dritare nëpërmjet së cilës mund të zbulohen të gjitha abuzimet e të drejtave të njeriut. Me fjalë të tjera, liria e të shprehurit është , si të thuash nëna e të gjitha të drejtave të njeriut. Por edhe gazetarët dhe media në përgjithësi kanë përgjegjësitë e veta. Eduard R. Morrov konsiderohet si një figurë me rëndësi në gazetarinë amerikane. Ai ishte njeriu që filloi gazetarinë transmetuese me valë të radios nëpërmjet transmetimeve të tij nga Londra gjate Luftës së Dytë Botërore. Për një kohë ai pat kryesuar Entin Amerikan të Informacionit, pjesë e të cilit ishte edhe Zëri i Amerikës ku kam patur nderin të punoj për pothuaj 30 vjet. Ai besonte në lirinë e shtypit. Me një rast ai e përmblodhi filozofinë e tij për një shtyp të lirë, me këto fjalë: “Që të kemi mundësi të bindim të tjerët, ne duhet të jemi të besueshëm…, e që të jemi të besueshëm, ne duhet të themi e të shkruajmë të vërtetën”. Platforma e gazetarisë është që ajo të jetë e paanshme. Kjo është përgjegjësia e gazetarit dhe e botuesit.

Në ketë ditë që përkujtohet liria e shtypit anë e mbanë botës duhet të kujtojmë dhe të reflektojmë edhe mbi punën dhe kurajën e atyre individëve që gjatë diktaturës komuniste, jo vetëm anë e mbanë Evropës Lindore, por edhe në trevat shqiptare në Ballkan, për pothuaj 50 vjet, me shkrimet dhe veprat e tyre të ndaluara nga regjimet komuniste, insistuan – shpesh duke e paguar me jetë –për lirinë e shtypit dhe për një të ardhme më të mirë për veten dhe për vendin e tyre. UNESCO-ja po inkurajon të gjithë ata që festojnë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit që të mbajnë një minutë heshtje në kujtim të gazetarëve që kanë dhenë jetën për të drejtën për të qenë të informuar, dmth për lirinë shtypit dhe të shprehjes së lirë.

20 vjet më parë, ra Muri i Berlinit dhe liria u vendos anë e mbanë botës komuniste në Evropë, pjesërisht si rrjedhim i punës dhe sakrificave të njerëzve parimorë, të cilët, shkruanin haptazi dhe fshehurazi, (nëpërmjet atyre që quheshin “samizdat”, demonstronin dhe përpiqeshin të flisnin haptas duke kërkuar të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, përfshirë edhe të drejtën e lirisë së shtypit. Është një përgjegjësi e rendë për gazetarët e ish-vendeve komuniste, që në këtë Ditë Botërore të Lirisë së shtypit të angazhohen që të mos abuzojnë por të ruajnë me gjithë shpirt flakën e lirisë së shtypit, duke raportuar vetëm të vërtetën, duke ndihmuar kështu jo vetëm fuqizimin e lirive në vendet e tyre, por edhe anë e mbanë botës.

Ky pra është mesazhi i Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila është një e drejtë themelore e njeriut, një pjesë përbërëse e çdo shoqërie tolerante dhe e hapur dhe është jetike për një shtet të ligjit dhe qeverisje demokratike, tha Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova duke njoftuar, në të njëjtën kohë, se gazetari i burgosur Iranian, Ahmad Zeidabadi është këtë vit fituesi i Çmimit të Lirisë së Shtypit në Bote, për “kurajën e tij të jashtëzakonshme, për rezistencën dhe për angazhimin e tij ndaj lirisë së të shprehurit, demokracisë, të drejtave të njeriut, tolerancës dhe njerëzimit në përgjithësi”.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0