Çmimi “Klosi”
Ky çmim, të cilin ne e dëshirojmë të përvitshëm, synon të nxisë një bashkëpunim më të afërt mes qytetarëve të këtyre viseve, sidomos në lëmin e Arsimit, Politikës dhe Krijimtarisë.
Nga Dea J Klosi
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar miq,
Kam qenë tejet e emocionuar gjatë tërë zhvillimit të këtij aktiviteti, dhe kjo ka disa arsye që do të përpiqem t’i përmend : së pari, ky aktivitet është bërë për nder të babait tim dhe vendlindjes së tij, Klosit, dikur një qytezë mesjetare, në krahinën e Mallakastrës.
Së dyti, për të rilidhur ende dhe njëherë lidhjet e mia shpirtërore me qytetin tim të Korçës, ku jam lindur dhe rritur.
Dhe së treti, për tërë zonën tonë të juglindjes ku përfshihen dhe ca troje jashtë kufinjve të Shqipërisë. Kam menduar gjithmonë se zona jonë gëzon një traditë mjaft të mirë në përcjelljen e vlerave më të fisme të një qytetarie të denjë për këtë emër.
Ky çmim, të cilin ne e dëshirojmë të përvitshëm, synon të nxisë një bashkëpunim më të afërt mes qytetarëve të këtyre viseve, sidomos në lëmin e Arsimit, Politikës dhe Krijimtarisë. Gjithashtu, fondacioni mbetet i hapur për çdo lloj nisme të mëvonshme që do të mund të vinte nga bashkitë përkatëse. Një vëmendje e veçantë është menduar t’iu kushtohet talenteve të reja, atyre që nesër do të kenë në dorë fatet e qyteteve tona.
Dëshiroj të falenderoj këtu të gjithë anëtarët e forumit Klosi.org për mendimet, sugjerimet, mbështetjen e tyre ndaj kësaj nisme.
Një falenderim i veçantë shkon për të gjithë bashkëpunëtorët tanë angleze dhe shqiptare, jurinë, të cilët bënë të mundur që këtij çmimi t’i jepet një realitet i prekshëm.
Këtu, do të doja të përmend grupin organizator të Korçës, Z. Pandi Bello, Renato Cepa, Femi Arifi nga Struga, Z. Ligoraq Riza, drejtuesit e Pallatit te Kultures, të cilët na ka vënë në dispozicion mjedisin ku jemi mbledhur, dhe në përgjithësi, një falenderim për të gjithë pjesëmarrësit, konkuruesit dhe fituesit.
Përfitoj nga rasti të falenderoj Kryetarin e rizgjedhur të Bashkisë, Z. Niko Peleshi, për praninë e tij dhe i uroj suksese në vazhdimin e projekteve të tij në të mirë të qytetarëve të Korçës.
Së fundi, falenderoj të gjithë miqtë tanë të përtej kufinjve, të cilët na kanë nderuar me ardhjen e tyre, dhe ju mirëpres të gjithëve pas një viti, në të njëjtën kohë.
Duke e mbyllur këtë aktivitet, ju ftojmë të merrni pjesë në një koktejl të vogël për t’u njohur më mirë dhe kaluar një copë kohë bashkë.
Ju uroj gjithë të mirat në jetën tuaj, suksese në gjithçka që ndërmerrni dhe bëni.
Ju falemnderit !
Comments (0 posted)
Post your comment