Intervistë ekskluzive me poetin dhe publicistin e njohur, Bujar Plloshtani
Plloshtani: Njeriu është qenie e përsosur dhe e bukur. Por, ndonjëherë është kafshë iluministe që ndrit pa efekt. Politika është mbi individin, mbi kolektivin, mbi shoqërinë, andaj duhet të shërbejë për të mirën e tij.
Nga Drita Klosi
Klosi News: Ju duket se besoni në asgjë, pse ndodh kjo tek Plloshtani, poet dhe publicist?
PLLOSHTANI: Përkundër kësaj, unë besoj tek fjala dhe qiejt. Qiejt më japin bujarinë e fjalës, fjala më jep motiv për të besuar në diçka të shenjtë, hyjnore apo misterioze racionale. Të besosh mund të jetë dhe një mënyrë për të guxuar më tepër mbi veten. Meqë guxoj të jem lundërtar qiellor, atëherë është e ndershme të them se besoj në krijime të bukura që sjellin hare dhe paqe shpirtërore. Mendoj se këtu kemi një humnerë të vrazhdë ne lundërtarët poetë, që fshehim misteriozisht pikëpamjen vetjake.
Klosi News: Në poezinë tuaj, Ju i këndoni aq shumë Natyrës, diçka më tepër për dashamirësit tuaj?
PLLOSHTANI: A nuk është natyra arti universal? Sigurisht që prej natyrës vijnë këngët e pavdekshme, që prodhohen drejtpërdrejt nga shpirti i arrirë dhe i bukur. Të këndosh në natyrë është meritë, dashuri mistike, që vë në dukjen spikamën e gjithë tonimeve që e përbëjnë këtë natyrë si art. Është denjësisht reciproke, sepse dhe natyra i këndon poetit. Kush ka veshë mund ta dëgjojë e përjetojë një gjendje mahnitëse. Ndërsa, edhe unë përpiqem t’ia kthej me të njëjtën monedhë...
Klosi News: Atëherë, mendimi juaj për njeriun, Politikën, dhe Filozofinë?
PLLOSHTANI: Njeriu është qenie e përsosur dhe e bukur. Por, ndonjëherë është kafshë iluministe që ndrit pa efekt.
Politika është mbi individin, mbi kolektivin, mbi shoqërinë, andaj duhet të shërbejë për të mirën e tij. Por, këtu shpesh ndodh të bëjë katrahurë etike që torturon individin dhe shoqërinë.
Filozofia?! (qesh) Besoj se do ju mjaftonte një përkufizim i këtillë: Se filozofia jep mënyrën se si të flasësh drejt për çdo gjë dhe të fitosh admirimin e njerëzve më pak të mësuar. Rene Descartes
Klosi News: Ç'do të thotë për Ju të meditosh?
PLLOSHTANI: Të meditosh do të thotë dashuri, fjalë, shprehësi emocionale. Në meditim mund të hulumtosh në mënyrë krahasuese mbi udhëpërshkrimin e njeriut në këtë glob. Të meditosh do të thotë krijim, një mendje që prodhon pikëpamje intelektuale dhe shpirtërore.
Klosi News: Në rrethet letrare ju krahasojnë me Pushkin dhe Holderlin...?
PLLOSHTANI: Ndoshta (qesh). Absolutisht nuk mund të krahasohem, por mund t’i pëlqej jashtëzakonisht. Unë për Pushkinin dhe Holderlinin jam vetëm një pikë e largët ku vetëm do t’i lexoj përmendësh. Rrallë ndodh t’i prek, sepse janë kaq larg, larg meje, sa unë humbem. Më duhet shumë kohë që të flas si Pushkini ose Holderlini, sepse ata janë bijtë poetë, që i dhanë këtij planeti fjalën e bukur dhe mendimin mbi lirinë njerëzore.
Klosi News: Së fundi, Z.Plloshtani, Çfarë ju motivon dhe ç'është jeta për Ju?
PLLOSHTANI: Mua më motivon bukuria. Aty ku mungon bukuria unë thahem. Ndërsa, jeta është një pluhur, që përditë na mbulon me njolla. Duhet pasur kujdes të vëmendshëm.
Klosi News: Ju falemnderit!
Comments (0 posted)
Post your comment