Botuesit dhe bibliotekat
Afarizmi i botuesve të librit rrezikohet seriozisht në botën bashkëkohore, kur libri jepet, pos përmes “bibliotekave tradicionale”.
Mr.Sc. Nuhi Syla
Aktivitet rreth librit
Është bërë “traditë” që muaji qershor i çdo viti kalendarik në vendin tonë të shënoj “përmbylljen” e të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me librin. Në këto aktivitete, pos politikës që merr pjesë në prerjen “rutinore” të ndonjë shiriti “inaugurues”, fjalën kryesore e kanë bibliotekat, shtëpitë botuese, autorët, institucionet përkatëse dhe në fund, ata kryesorët, shfrytëzuesit (qytetarët), për të cilët edhe zhvillohet i gjithë ky aktivitet.
Në Kosovë edhe këtë vit u mbajt “Java e bibliotekës” gjatë së cilës u prezantuan aktivitet vjetore bibliotekare e që dorën në zemër, ishin riciklim i “aktiviteteve” të viteve të mëparshme, me shumë mangësi të bibliotekarisë “moderne”, ngase kurrsesi ato nuk po mund t’i ikin asaj “tradicionales”. U desh që, gjithashtu për shkak të “sëmundjes së harresës” të bibliotekave të Kosovës, mediat, ta përmendin 23 prillin, ditën botërore të librit, e që të “promovohet” libri shqip dhe ai i huaj, u desh që të mbahen edhe dy panaire të librit.
Panairet e librit, “përjashtuan” bibliotekat!?
Në këto panaire shtëpitë botuese e patën fjalën kryesor. Ato, pos që ekspozuan botimet e tyre, mbajtën tryeza të ndryshme, kryesisht për problemet e tyre në shoqëri, ftuan “politikën” dhe “inteligjencien” por “përjashtuan” bibliotekat.
Sot në rajon dhe në botë, në kohën e kopjuterizmit, kur çdo shërbim i kryer duhet paguar, pra edhe shërbimi i përhapjes së dijes përmes librit, zhvillohen debate se kush duhet t`i bartë shpenzimet e botimit. Afarizmi i botuesve të librit rrezikohet seriozisht në botën bashkëkohore, kur libri jepet, pos përmes “bibliotekave tradicionale”. Bibliotekat në një far mënyre në këtë kohën e biznesit, sipas analistëve, janë “shkaktari” kryesor i mosafarizmit të shtëpive botuese nga se rrezikojnë tregun e librit.
A është në fakt kështu?!
Së paku, sa i përket Kosovës ky “rrezik” është shumë larg, ngase edhe bibliotekat e saj janë shumë larg kompjuterizimit dhe digjitalizimit që do të ndikonte në shpërndarjen në sasi të librit. Në vendin tonë, përkundrazi, duhet patjetër të funksionojë një lidhje e fortë mes botuesve dhe bibliotekave. Bibliotekat janë institucione të cilat grumbullojnë, sistemojnë, ruajnë dhe japin në shfrytëzim librat. Në kuadër të parimeve bibliotekare ato kanë për detyrë të radhisin edhe koleksionet serike të shtëpive botuese, gjë që shkon në interes të botuesve.
Bibliotekat, gjatë procesit të krijimit të fondeve të tyre bibliotekare, nisen nga kriteret e standartizuara për bibliotekari. Ato, gjatë procesit të pasurimit të fondit bibliotekar, konsultohen me organet kulturore dhe arsimore të pushtetit; me shoqatën e shkrimtarëve; me arkivin; me shoqatat e historianëve dhe pas shfletimit të broshurave, katalogëve dhe të të dhënave bibliografike, kontaktojnë shtëpitë botuese për të hulumtuar ofertat dhe për të bërë përzgjedhjen e librave më të mira, më të lira dhe më të kërkuara. Rasti më i mire për të kryer këtë mision janë panairet e librave, sepse aty grumbullohet një numër i madh shtëpish botuese me ofertat e tyre.
Mu për këtë pra, shtëpitë botuese gjatë përzgjedhjes së librave për botim duhet të konsultohen me të gjithë faktorët relevant të kulturës, artit dhe arsimit në mënyrë që librat e ofruara në treg, pra edhe në panaire, të jenë aktuale, të zgjojnë interes dhe t’i përmbushin kërkesat e lexuesve. Bashkëpunimi mes bibliotekave të Kosovës dhe shtëpive botuese duhet të jetë sa më i madh, sepse kush më shumë mund të jetë në gjendje të din për kërkesat e qytetarëve në këtë aspekt se sa bibliotekat. Pos kësaj, shtëpitë botuese duhet të konsultohen edhe rreth anës teknike të përgatitjes së librit. Nuk janë të rralla rastet kur botuesit “harrojnë” standardet elementare të përgatitjes së një libri, gjë që bibliotekave u vështirësohet formimi i CIP katalogimit, e që është elementarja për zhvillimin e mëtejshëm të procedurës bibliotekare.
Pjesëmarrja e bibliotekave në panairet e Prishtinës, si në tryezat që u mbajtën nga organizatori rreth problemeve të plasimit të librit në treg e po ashtu edhe për blerjen e librit për nevojat e shfrytëzuesve të tyre, do t`i madhështonte ato, por nuk ndodhi as njëra e as tjetra. Do të ishte kënaqësi nëse njëra nga rreth 400 bibliotekat e Kosovës, përfshirë edhe Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, të bënte ndonjë demant se ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së panaireve të Prishtinës; ka marrë pjesë në tryezat e organizuara, apo ka blerë të paktën një libër në këto dy panairet e fundit. Kësaj radhe botimet e ofruara në këto panaire nuk patën “fatin” të radhiten në raftet e bibliotekave kosovare, qoftë për shkak të mjeteve financiare, qoftë për shkak të mungesës së projekteve për pasurimin e fondit bibliotekar.
(Autori është Magjistër Shkence, Dega e Bibliotekarisë)
Comments (0 posted)
Post your comment