Home | Culture | Piramida dhe sindroma e prishjes

Piramida dhe sindroma e prishjes

image
Sindroma e prishjes, shprehje e mendësisë totalitare dhe ves i trashëguar nga e kaluara (legjenda e Rozafatit dhe e Urës së Artës nuk kanë lindur rastësisht në Ballkan), është e fortë tek ata; është gjenetike.

 

 

 

 

Agim Vinca

 

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro dhe asnjë kundër, por pa praninë e opozitës, ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, gjë që do të thotë se u mor tashmë përfundimisht vendimi për prishjen e qendrës ndërkombëtare të kulturës “Pjetër Arbnori”, të njohur gjerësisht si Piramida për shkak të formës së saj.

Me fjalë të tjera, organi më i lartë legjislativ i vendit, Parlamenti, dënoi me vdekje një objekt monumental në zemër të kryeqytetit shqiptar (në emër të ndërtimit të një tjetri mbi të) dhe tani pritet ekzekutimi i tij në ditët që vijnë.

“Nuk mund ta ruajmë vendin ku fle fantazma e diktatorit”, u shpreh një deputet i shumicës parlamentare të Shqipërisë, Partisë Demokratike, plot 21 vjet pas daljes së saj në skenën e historisë dhe po aq vjet nga legalizimi i pluralizmit politik në Shqipëri.

Tani më dilemë nuk ka: Ish-muzeu i Enver Hoxhës, i cili në vitin 1991 u ripagëzua në Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, kurse nga viti 2006 mori emrin e Pjetër Arbnorit, pas vdekjes së këtij të fundit, do të zhduket nga faqja e dheut.

Si pasojë e zhvillimeve të ditëve të fundit, u rindez, doemos, debati për fatin e Piramidës, debat ky që do të vazhdojë edhe në të ardhmen, për të mos thënë se s’do të pushojë kurrë. Njerëz të artit, të shkencës, të kulturës, të medias etj., dhe në radhë të parë ekspertët e urbanizmit dhe të arkitekturës, u ngritën edhe një herë në mbrojtje të këtij objekti, duke u deklaruar kategorikisht kundër shembjes së tij, por më kot.

Reagoi Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë dhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore; reaguan pjesëtarët e shoqërisë civile; reaguan individë me ndikim dhe qytetarë të thjeshtë, me një fjalë të gjithë ata që e konsiderojnë të dëmshëm aktin e rrënimit të Piramidës, qoftë edhe për të ndërtuar mbi të godinën e Parlamentit të ri shqiptar, përsëri kot. U shfaqën shumë ide për rifunksionalizimin e saj; u bënë shumë propozime konkrete; u fol me fakte e argumente. Por kot. Gjithnjë kot. Njerëzit që aktualisht gjenden në krye të “piramidës” shtetërore të Shqipërisë, edhe një herë e bënë veshin të shurdhër ndaj opinionit publik shqiptar, e injoruan dhe e shpërfillën keq zërin e tij. Të dehur nga vetëbesimi që u jep pushteti dhe nga ideja fikse e shembjes së “të vjetrës” dhe e “luftës me fantazmat”, pushtetarët e Tiranës nuk duan ta dëgjojnë, e aq më pak ta marrin parasysh zërin e arsyes dhe forcën e argumentit.

Sindroma e prishjes, shprehje e mendësisë totalitare dhe ves i trashëguar nga e kaluara (legjenda e Rozafatit dhe e Urës së Artës nuk kanë lindur rastësisht në Ballkan), është e fortë tek ata; është gjenetike. Edhe kur veprime si ky bëhen në emër të “së resë” dhe demokracisë, ato s’kanë të bëjë fare me lirinë dhe demokracinë.

Komunistët, kur erdhën në pushtet në vitin 1945, jo vetëm në Tiranë, por edhe gjetkë, rrënuan shumë godina e institucione që nuk u pëlqenin atyre dhe që nuk përputheshin me ideologjinë dhe vizionin e tyre mbi botën.

Demokratët e sotëm shqiptarë (dikush mund të thotë me të drejtë: të vetëquajturit “demokratë”) po bëjnë me Piramidën atë që udhëheqësit komunistë shqiptarë bënë me disa godina e simbole të vjetra të Tiranës: po i vënë kazmën. Gjashtëdhjetë e sa vjet më vonë, në vitin e zotit (Anno Domini) 2011, rishfaqet i njëjti sindrom! Dhe ku? Mu në mes të kryeqytetit shqiptar, në Tiranë.

Tirana është kryeqytet i shtetit shqiptar, Republikës së Shqipërisë, por Tirana është në njëfarë mënyre edhe kryeqytet i të gjithë shqiptarëve. Prandaj, edhe ne që jetojmë jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore kemi të drejtë të shfaqim mendimin tonë për çështje që kanë të bëjnë me kryeqytetin e Shqipërisë dhe tonin, me të cilin na lidhin fije të shumta ndjenjash e kujtimesh individuale e kolektive. Sa e sa herë me miqtë tanë në vitet që lamë pas jemi marrë vesh të takohemi te Piramida. Sa e sa herë kemi pirë kafe në lokalet e saj; kemi bërë fotografi për kujtim përballë saj; kemi marrë pjesë në promovime librash, në tribuna e debate për çështjen kombëtare, në shënimin e përvjetorëve të shkrimtarëve tanë, veçanërisht të atyre disidentë (Arbnori, Trebeshina etj.), që kanë qenë kundër sistemit të vjetër, shi në mjediset e Piramidës.

Është e vërtetë se ky objekt ishte konceptuar fillimisht si muze (muze e jo mauzole, siç thonë bosët e prishjes, sepse s’është e njëjta gjë) i Enver Hoxhës, por kjo është një arsye më shumë që ai të ruhet si dëshmi për brezat e rinj, të cilët duhet ta njohin historinë e vendit të tyre, ashtu siç është, realisht, jo për ta glorifikuar atë, por për të nxjerrë mësim prej saj.

Pas ndryshimeve politike të viteve nëntëdhjetë këtij objekti iu ndërrua emri dhe destinimi; u eksperimentua shumë me të pastaj, për vite me radhë, kurse në kohët e fundit, sidomos prejse u shfaq publikisht ideja e ndërtimit të ndërtesës së re të Parlamentit në vend të tij, u abandonua krejtësisht, duke u lënë në mëshirë të fatit.

Dhe e gjithë kjo jo pa qëllim. Duhej përgatitur terreni për aktin final të goditjes së godinës në fjalë, rrënimin e saj, kur të vinte koha, momenti i përshtatshëm: menjëherë pas përfundimit të garës maratonike për zgjedhjen e kryebashkiakut të Tiranës, që përfundoi (ashtu si përfundoi) në favor të kandidatit të PD-së, Lulzim Bashës dhe në valën e pushimeve të verës, kur njerëzit e kanë mendjen te hijet dhe plazhet.

As mendimi i ekspertëve shqiptarë e të huaj, në mesin e të cilëve edhe arkitektë me renome botërore, mbi vlerat e mëdha arkitekturore të kësaj vepre dhe as pikëpamja se ajo, fundja, e tillë çfarë është, ajo është dëshmi e një kohe dhe pjesë e historisë së këtij vendi dhe të këtij populli, nuk ndihmuan që të hiqej dorë nga zhbërja e saj.

Bota ruan gjithçka nga e kaluara, madje edhe burgjet dhe kampet e përqendrimit, kurse ne fshijmë nga faqja e dheut një objekt të bukur në qendër të Tiranës, me një arkitekturë specifike e pamje mbresëlënëse dhe vija që rrallë hasen te ndonjë objekt tjetër i kësaj natyre në hapësirën shqiptare (kemi parasysh periudhën e mirëmbajtjes dhe jo të abandonimit të tij).

Objekte në formë piramide, të ngjashme me piramidat e Egjiptit të lashtë; një lloj shëmbëllimi i largët i tyre, kanë edhe vendet e tjera të botës dhe rajonit, por askujt nuk i shkon mendja t’i rrënojë ato, siç veprohet në Shqipëri.

Askush nuk është kundër ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, aq më shumë tani që jemi në prag të njëqindvjetorit të shpalljes së pavarësisë, sado që kostoja e tij duket të jetë tejet e lartë për Shqipërinë e vogël e të varfër, po përse ai duhet të ngrihet mu në këtë vend e jo diku tjetër? A nuk mund të gjendet në gjithë atë Tiranë një truall tjetër për ndërtimin e godinës së re të Kuvendit, por u dashka të prishet objekti i gatshëm, i përshtatshëm për të zhvilluar veprimtari nga më të ndryshmet (kulturore, artistike, shkencore, politike e të tjera), Piramida e famshme, që me pamjen e saj dhe gjithçka tjetër ka hyrë tashmë në kujtesën e njerëzve?!

Sipas të dhënave që ofron media shqiptare, ata që janë për ruajtjen e Piramidës, pra kundër shembjes së saj, janë shumë më të shumtë sesa ata që janë për rrënimin e saj.

Në vendet demokratike, në këso rastesh, kur mendimet janë të ndara, pro et contra, merret mendimi i qytetarëve: deklarimi i lirë i tyre përmes referendumit. Çështja e Piramidës do të duhej të zgjidhej në këtë mënyrë dhe, mundësisht, edhe me konsensus e jo nëpërmjet vendimeve arbitrare që, edhe atëherë kur kanë legjitimitet formal, janë pjellë e ndërhyrjeve dhe makinacioneve politike të politikanëve të tipit të Sali Berishës dhe ekuivalentit të tij femëror, Jozefina Topallit.

Të irriton sidomos sjellja e kësaj të fundit, Kryetares së Kuvendit, në tërë këtë proces: fjalët që flet, gjestet që bën, fytyra që i shkëlqen si të ishte prishja e Piramidës kulmi i lumturisë së kësaj bote! Sjellja e tillë e kryeparlamentares s’është veçse vazhdim i sjelljes së saj arrogante e primitive, aspak demokratike, në sallën dhe seancat e Parlamentit, që është institucioni më i lartë demokratik i vendit.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, është e vetmja politikane në botë që u kërcënohet vazhdimisht me gisht kolegëve të vet deputetë dhe urdhëron që të nxirren jashtë ata, sa herë që rebelohen ndopak, duke i kapur “për zhelesh”, si shprehet ajo!

Në vend se si femër, grua dhe nënë, të sillte frymën e butësisë, të mirësisë dhe të tolerancës në Parlamentin shqiptar, ajo u tregua më mashkull se Servet Pëllumbi, Pjetër Arbnori, Kastriot Islami e, madje, edhe se Namik Dokle!

Kolegu dhe rivali i saj politik, kryetari i porsazgjedhur i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, me të cilin i takojnë të njëjtës parti dhe janë që të dy pretendentë të “fronit” të saj pas ikjes së shefit të madh, në një takim të mbajtur me intelektualët e Tiranës gjatë fushatës zgjedhore pat deklaruar se ai personalisht është kundër prishjes së Piramidës.

Dihet se me atë rast Jozefina pat bërë zhurmë të madhe në zyrat e partisë, duke e kritikuar rreptë sjelljen e kolegut të saj, i cili ishte treguar i arsyeshëm lidhur me çështjen e Piramidës, por tani që ligji kaloi në Kuvendin e drejtuar nga zonja që kërcënohet me gisht (gishti në institucionet shtetërore nuk u ka hije as meshkujve, e jo më femrave!), do të jetë i obliguar, natyrisht, të sillet konform tij.

Nuk do mend se në Shqipëri fjalën kryesore për gjithçka, fjalën e parë dhe të fundit, si thuhet, e ka Kryeministri aktual i vendit dhe kryetari i partisë në pushtet, Sali Berisha, dhe se aktorët e tjerë politikë lëvizin nën dirigjimin e dorës së tij të fortë si marionetat në teatrin e kukullave.

Nuk kemi ndërmend këtu të flasim për profilin politik të Sali Berishës në përgjithësi, por vetëm për aq sa lidhet me problemin në fjalë: vendimin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar mbi themelet e Piramidës, me gjithë kundërshtimin e fuqishëm nga të gjitha anët. Si shpjegohet gjithë kjo këmbëngulje e prishjes me çdo kusht? Të jetë tekë, kapriçio, inat, tender, afarizëm i dyshimtë, për të mos thënë i pistë, provokim ndaj atyre që mendojnë ndryshe, sfidë kundërshtarit politik apo diç tjetër? Secila veç e veç dhe të gjitha nga pak.

Është e qartë se cili është qëllimi i atyre që qëndrojnë pas këtij vendimi: të tregojnë se ç’janë në gjendje të bëjnë kur janë në pushtet, kur kanë në duart e tyre pushtet thuajse të pakufizuar politik, ekonomik dhe mediatik. Ju mund të bëni çdo gjë, sepse e keni me vete forcën brutale - u pat thënë frankistëve filozofi dhe poeti i shquar spanjoll, Unamuno, në vitet ’30, por të na mbushni mendjen s’do të arrini kurrë!

Koha tregoi se kush pati të drejtë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00