Mbi etikën
“Çdo gjë reale është e arsyeshme, çdo gjë e arsyeshme është reale”, shprehet Hegeli.
Bujar Plloshtani
“Çdo gjë reale është e arsyeshme, çdo gjë e arsyeshme është reale”, shprehet Hegeli. Mirëpo, sot asgjë nuk ec drejt reales dhe të arsyeshmes. Secili individ tenton ta zë parakushtin e tij të çështjes, e jo fenomenet e mundshme që përkojnë me nderin dhe etikën e vërtetë. Nderi është karakteri ose principi i jashtëm që mbart njeriu për hir të vërtetës së brendshme. Në këtë kohë të neveritshme me plot shije meskine, nderi mund të vërehet rrallëherë si vullnet i ndërgjegjshëm, por më tepër si një shprehje e zakonshme që solidarizohet me rutinën e përditshme. Nderi, sot është vetëm një shprehje e zakonshme, që masa e përgjithshme e lakmon në pozita të nevojshme duke përfituar. Nisur nga pikëpamja e tezës së famshme të Hegelit, unë vlerësoj se, sot asgjë nuk është reale dhe e arsyeshme, për faktin se gjithkush mendon të imponojë ose përfitojë mendimin e njëjtë me pa të drejtë tek tjetri. Nuk ka një tolerancë që mund të shpresosh apo guxosh! Ose, kjo do të thotë se mendimi nuk hulumtohet, çdo gjë reale është e arsyeshme, por, sot realiteti njerëzor është i padrejtë dhe non sens duke lënë pezull mëkatet vetjake tek enden nëpër qiejt e gjithkujt. Prandaj, kohëve të fundit çdo gjë ka humbur ndriçimin e meritueshëm duke u marrë me çështjen, dhe duke e konsideruar mendimin e pazakontë si një gjykim jo kritik. Këtu është drita në fund të këtij tuneli që na verbon. As politika dhe as dashuria nuk kanë nder dhe etikë, por kanë një vullnet për të jetuar mbi etikën dhe nderin e rremë duke përfituar hipokrizisht!
Për hir të mendimit tim bazuar nga pikëpamjet e fundit të natyrës njerëzore, konsideroj se, sot nderi dhe etika janë jo reale, dhe realja nuk është e arsyeshme; sepse mungon ndërgjegja dhe gjykimi kritik. Edhe mendimi kritik nuk ka më sens, as politika nuk ka etikë, as dashuria nuk ka nder (ndërgjegje të jashtme). Por, ka një histeri të zakonshme të infiltruar nga koha e fundit, që për masën dhe intelektualët partiak, koha mbetet sot e kësaj dite diçka e frikshme dhe e neveritshme që duhet me çdo kusht jetuar. Gjithkush, sot është i prirur pas kohës, pas të zakonshmes, pas një dukurie që ngrihet në bazë të etikës moderne për të përfituar në kohë reale, pavarësisht se kthehen në eautontimoroumenoi, dënues të vetvetes, pa e ditur e ndier thelbësisht.
Përfitimi vetjak në kohë reale është dhe mbetet dukuri negative; konceptuar nga mendimi se kënaqësia e prodhuar nga ky përfitim është një ide fikse që të përmbys unin dhe veten. Nisur nga ky mendim, duke e shtrirë këtë gjendje reale edhe në politikë, edhe në dashuri, askush që vepron nën këtë trajtim nuk konsiderohet i përfillshëm. Ai që e konsideron veten të mençur, (që shumë pak ka të mençur) nuk përfiton në kohë jo të arsyeshme, dhe u shmanget përfundimisht të këqijave. Realisht, marrë këtë vështrim të sipërfaqshëm, duket qartë se scili që merret me politikë ose veprimtari të tjera nuk janë të arsyeshëm me shoqërinë dhe veten. Fakte ka plotë, dhe se askush që bën politikë zyrtare nuk ndodhet pranë reales, por bindjes vetjake të tij. Megjithëkëtë, ky grup njerëzish, qoftë elita politike apo ushtrues të ndryshëm nuk janë të drejtë aspak me realitetin dhe etikën që premtojnë, por janë në kontradiktë. Këta njerëz janë të lajthitur, dhe bredhin pas kënaqësive të kësaj jete duke përfituar në kohë, dhe fundja zakonshmërisht përballen me mashtrimin, dhe përfundojnë në humnerë.
Së fundi, që të kemi një etikë apo një nder kudoqoftë, në radhë të parë, siç thoshte Goethe “Përfito nga gjendja e mirë shpirtërore, sepse vjen rrallëherë”, duhet të sillemi në lëvizje të mirë me të gjitha prirjet e fshehura të natyrës sonë. “Vita motu constat” ka thënë Aristoteli, që jetën ta lëvizim si pasojë e rregullit të arsyeshëm, dhe të shmangemi nga mendime katekizmi.
Comments (0 posted)
Post your comment