Pse raporti mes absolutes dhe relatives është relativ?
Për absolutizimin e njërës anë të së vërtetës janë të prira më shumë forcat diktatoriale e diktatorët. Për prijësit apo liderët e këtyre forcave, që janë të ngarkuara edhe me komplekse të tilla si ato të “shkëlqimit diellor” e të inferioritetit ndaj të huajit të plotfuqishëm...
Kleanthi Zoto
Besoj se nuk kemi të bëjmë me një lojë fjalësh, aq më pak leksione teorike kur bëjmë përpjekje të trokasim në portën e labirinteve të tilla të panjohura mirë, sidomos në praktikën politike, siç janë ato që kanë të bëjnë me raportin mes absolutes e relatives, të dukurive të tjera që ekzistojnë, dhe mendojmë se ekzistojnë në kohë e në hapësirë, së drejtës së pamohueshme për t’iu qasur së vërtetës apo, në fund të fundit, kur duhet të dimë nëse e kthen apo jo fytyrën politika nga qytetari. Dhe po të bëhet fjalë për dukuri të ditëve tona, sidomos ato që janë pjesë përbërëse të kërkesave të domosdoshme për një jetesë normale, mendoj se problemi merr rëndësi të veçantë. Por le t’i hapim udhë debatit.
***
Pa dashur, por që në rreshtat e para të këtyre radhëve natyrshëm lindin pyetje të tilla, si: ka të vërteta absolute, që duam apo nuk duam ne janë realitete mendore? Kishte të drejtë Ajnshtajni me teorinë e relativitetit në fizikë, Bergsoni në filozofi, që pohuan të vërtetën relative si realitet mendor? Po Marsel Prusti kishte të drejtë kur ishte në kërkim të kohës së humbur? Pse i lindi një ide e tillë (në një artikull që paralajmëronte “furtunë” të botuar në gazetën “Zëri i popullit”: “Në kërkim të kohës së humbur”, një gazetë që ishte organ i KQ të PPSH-së) edhe personalitetit e akademikut tonë të nderuar Ylli Popa? Dhe pyetje të kësaj natyre lindin, po problemi i shtruar që në fillim të këtyre radhëve mbi raportin mes absolutes e relatives nuk është vetëm realitet mendor, që e vërejmë të shtruar në veprimtarinë teorike, por ky raport ka rëndësi, se ndriçon drejtpërsëdrejti veprimtarinë praktike. Në këtë raport politika, më saktë klasa politike në një vend demokratik, duhet ta drejtojë tërësisht vëmendjen e saj nga qytetari, sidomos te ndryshimet e thella që ndodhin në gjendjen e tij ekonomike në shkallë vendi e më tej. (Sot janë krijuar hendekë tepër të thellë mes shtresave të popullsisë në disa vende [mes tyre edhe në vendin tonë], mes vendeve të pasura e të varfra, Evropës, Afrikës, Azisë. Mendoj se rasti i fundit që ndodhi në Norvegji (ku një individ me një aparat konceptual, me ndjenja e botëkuptimin e një ekstremisti të djathtë, vrau mbi 76 njerëz të pafajshëm) tregon veç të tjerash jo vetëm anomalinë e krizën e tij mendore, por dhe depresionin e krizën e thellë ekonomike që ka mbërthyer deri SHBA-të e botën mbarë.
Në këtë sy mendoj se sa të vëmendshëm duhet të jemi ndaj elementëve ekstremistë, që për mendimin tim nuk ndodhen vetëm në radhët e politikanëve, por dhe në shtresat e shoqërisë civile (pa dashur të jem pjesë e polemikës, që shfaqet hera-herës deri në ekranet televizive, por elementë ekstremistë që shfaqen në politikë dëmtojnë rëndë interesat qytetare), të cilët, duke mos e pranuar të vërtetën si proces, sidomos kur janë në përbërje të politikës, absolutizojnë vetëm atë të vërtetë që u intereson. Një dukuri e tillë vihet re edhe në segmente të politikës sonë, sidomos nga liderë e lidershipë që vijnë nga radhët e shtresave të ulëta të popullsisë, nga “lumpeni” e nga zonat e thella rurale. Elementë të tillë janë të prirë për të absolutizuar një arritje, çirren e sokëllasin se janë aftësitë e zotësitë e tyre për këtë arritje, se për këto arsye ka një gjendje të ngritur të vetëdijes qytetare, se problemet që kanë qytetarët janë në udhën e zgjidhjes, se… (në elementë të pozitës) apo e kundërta (mohim deri mefistotelian në elementë të opozitës), kur realiteti flet ndryshe.
Dhe këto britma e sokëllima i dëgjon nga ata politikanë që synojnë ose për të ruajtur fronin kur janë në pozitë, ose për t’u ulur në të kur janë në opozitë, por (me ndërgjegje apo pa ndërgjegje ) gjithnjë duke u mbështetur te mohimi i së vërtetës si proces dialektik. Mirëpo një opinion i tillë i liderëve të politikës, sidomos i liderëve të partive kryesore (kur janë parti në rotacion në pozitë apo opozitë) e ngrenë ose e ulin artificialisht një gjendje psikologjike; e ngadalësojnë zhvillimin e vendit ose e ngurosin apo, më keq akoma, e kthejnë mbrapsht. Ndaj në raportin mes absolutes e relatives duhen marrë si realitete të dyja anët e së vërtetës; mohimi i njërës apo i tjetrës anë të shpie në gabime të rënda, ndërsa në praktikën politike absolutizimi të shpie deri në faje të pafalshme, që rëndon mbi qytetari (siç është koha që humbet një popull nga një rend ekonomiko-shoqëror, qoftë ky dhe kur politikanët kryesorë janë me mbeturina të theksuara tribale, kur i pohohet, p.sh., qytetarit se “gjendja ekonomike është e shkëlqyer”, ndërkohë që në vend ka papunësi, mungesë frontesh pune, varfëri e mungesë parash në treg, humnera mes shtresash të popullsisë; një rënie e theksuar e psikologjisë në tërësi e asaj qytetare në veçanti, që vjen edhe nga bombardimi i vetëdijes së tyre me të pavërtetën). Pohomi i Kroçesë se “...teoria e Prustit (në kërkim të kohës së humbur, shënimi im. K.Z) ishte në të njëjtën kohë një llamburitje shikimi të drejtë, një varfërim dhe një zhvlerësim i vizionit të realitetit në histori”. (Benedeto Kroçe, “Filozofia ime”, f. 261) vjen deri në ditët tona. Në këtë sy mendoj se është e drejtë kërkesa që vjen nga qytetarë e personalitete të shkencës e kulturës për një rivlerësim të historisë në segmente të veçanta të saj. Lind pyetja: pse në segmente të veçanta të historisë e jo në të tërën e saj? Se ka grimca të së vërtetës absolute nga duhet të niset shkenca historike për të rishikuar të kaluarën (e ritheksoj), shkencëtarët historianë dhe jo politikanët. Kjo se e vërteta është proces dhe për të arritur tek e tëra duhet gjurmuar grimca e njohur.
Kështu, teza se populli ynë nuk e ka pranuar në asnjë periudhë historike okupimin e vendit nga sundimi i huaj (gjë që vihet re që nga romakët, anzhuinët, osmanët, fashistët e nazistët) përbën një të vërtetë absolute; ndërsa kundërshtimi i dhunës nga ana e popullit, format e luftës qytetare, krerët, trimat, trimëritë e heronjtë, forcat politike që i kanë udhëhequr, liderët e lidershipët, kanë të bëjnë me të vërtetën relative. Po kështu edhe në pohimin që e gjejmë në të gjitha tekstet shkollore, p.sh., që kundërshtimin e hapur kundër pushtuesve osmanë në Shqipëri e përballuan për 25 vjet rresht luftëtarët shqiptarë, tërë populli, kjo gjithashtu përbën një të vërtetë absolute. Ndërsa kur pohohet se në këtë luftë një rol të rëndësishëm kishin edhe individë e personalitete të tilla (jo mitikë, siç i kanë fryrë forca të ndryshme politike), siç është Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti e krerë të tjerë shqiptarë, kjo është një vërtetë relative, që ka nevojë ende të studiohet e të debatohet. Kjo se historia është shkencë dhe jo mitologji që të kënaqë ata apo këta fronarë. Gjergj Kastriotin e ktheu në një hero- mit PP-ja për të justifikuar sundimin e izolimin e vendit nga bota e qytetëruar, por kërkojnë ta kthejë në mit edhe forca ekstreme kur i atribuojnë atij vetëm atë të mbrojtësit të krishterimit.
***
Për absolutizimin e njërës anë të së vërtetës janë të prira më shumë forcat diktatoriale e diktatorët. Për prijësit apo liderët e këtyre forcave, që janë të ngarkuara edhe me komplekse të tilla si ato të “shkëlqimit diellor” e të inferioritetit ndaj të huajit të plotfuqishëm, nga i cili mendojnë se varet froni i tyre e me “virueset” tribale e egocentrike; janë të huaja e të papranueshme mendimet e tjetrit, sidomos debatet. Për ta rruga e zgjedhur prej tyre është e padiskutueshme dhe e vetmja. Ndodh kështu se perdja që mbulon arsyen e shëndetshme nuk i lejon të shohin progresin pozitiv e rrugë të tjera për të ecur drejt tij. Kështu, ish-udhëheqja komuniste me Enverin në krye, p.sh, operonte me të “vërteta” të tilla absolute si: PK-ja e më vonë PP-ja me Enver Hoxhën në krye ishte e vemja forcë progresive, me të cilën lidheshin të gjitha arritjet e vendit tone. Por le të gjykojmë. Një pohim i tillë, që në thelb është i gabuar, mendoj se ka grimca të së vërtetës absolute, por vetëm “grimca”. Kjo se edhe në diktaturë pati arritje në segmente të veçanta të saj. Pa i numëruar arritjet në arsim, kulturë, shëndetësi, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, mendoj se janë realitete që nuk duhet t’i lejojnë hapësirë mohimit mefistotelian që e sheh realitetin vetëm bardhë-bardhë ose zi-zi. E them këtë se ekstremistë (që nuk mungojnë për shkaqe që dihen as te ne), të mbarsur me filozofinë e fillimit të botës nga zeroja, mohojnë gjithçka, madje edhe ato vepra që kanë djersëm e mençurinë e popullit, të qytetarëve të ndershëm, të intelektualëve.
Hidrocentralet, p.sh, që u ndërtuan mbi lumin Drin janë jo vetëm vepra moderne e të kohës, por ato kanë vulën e mundit, sakrificës e deri gjakun e qytetarëve si dhe mençurinë e shkencëtarëve tanë. Në vitet e diktaturës nga minerali i bakrit (CuCl2,CuCO3) u arrit të prodhohej bakër blister (CU) e flori (Au) e deri në tela bakri të kërkueshëm në tregun botëror; prodhuam nitratin e amonit (NH4NO3) e superfosfatin; u ngri virusi i gjakmarrjes, që korrte e korr edhe në ditët tona jetë njerëzish; u shuan gjurmët e thella të analfabetizmit; u krijuan plantacione e u arrit të mekanizohet punimi i tokës deri te drenazhimi i saj. Po diktatura pruri edhe shumë të këqija: na largoi me dhunë nga mendimi ndryshe, nga lëvizja, që është bazë e jetës; mbolli kudo monizmin, duke mpirë kështu energjinë e një populli të tërë; e shpalli Enverin person të pazëvendësueshëm, vuri në krye të qoshes idhujt, nepotikët, besnikët, militantët e verbër (idhuj që kërkoi t’i zbonte Dekarti që në shekullin XVII), duke i shërbyer vetes e jo qytetarit. Diktatura mbronte dhe i thurte kult vetvetes dhe jo popullit, ajo e shndërroi pronarin e ligjshëm në proletar e fshatarin në bujkrob. Ndaj nga mendësia diktatoriale mbinin edhe parulla deri në faqet e kodrave e të maleve: “Rroftë KQ i PPSH-së me shokun Enver në krye!” Me këtë rast më kujtohet viti 1980, kur isha ngarkuar të informoja në katedër për një shkrim të gazetës “Le Monde”, ku mes të tjerash, pasi fotografonte një parullë të shkruar në faqen e një mali: “Rroftë KQ i PPSH-së me në krye shokun Enver!” e në një tjetër: “Rroftë sa malet Enver Hoxha!”, poshtë tyre me shkronja kapitale shkruante: “SHPEJT TË BËJMË GATI GIJOTINËN SE ËSHTË NGJALLUR LUIGJI XIV!” Dhe socializmi në të vërtetë nga çdo pikëpamje ishte një lloj i veçantë i feudalizmit, besoj nuk gaboj po ta nominojmë “feudalizëm të kuq”.
***
Kur pohojmë se e vërteta është proces dialektik, një ligjësi e tillë duhet parë kudo, por së pari në demokraci, në teorinë dhe praktikën e saj politike. Them në lëmin e politikës se, megjithëse demokracia ka rrënjë të thella në popull, në segmente të saj politikanë të veçantë mund të “sëmuren” me “viruse” të ish-udhëheqjes komuniste. Ndaj qytetarët, gazetarët… që kanë të drejtë të nominojnë deri liderë e lidershipe përmes procesit të një votimi real, jo vetëm duhet të jenë “mjekë” të aftë e të zotë për të njohur shkallën e imunizimit të politikanëve nga këto “viruse”, por përmes selektimit, siç veprohet në SHBA e gjetkë, të krijojnë opinionin e shëndetshëm për ta bërë praktikë edhe te ne këtë proces. Kjo se “liderë e lidershipe të përjetshme nuk ka, se njerëz të mbërthyer në një karrige vyshken edhe në mendime”. Ndaj politikani i vërtetë, që e do dhe e respekton qytetarin, që punon me ndershmëri për vendin e vet, e lëshon vetë fronin. Rotacioni real dhe dorëheqja janë norma demokratike për çdo politikan në vendet me demokraci të arrirë. Vetëm diktatorët e autokratët nuk i njohin institucionet e votës dhe të dorëheqjes. Ndaj filozofët, shkencëtarët nëpër shekuj, që kanë ndriçuar edhe lëmin e politikës, kanë pohuar të vërteta të tilla që kanë të bëjnë me pavarësinë dhe varësinë e pushteteve e të institucioneve; me raportin mes faktorëve të jashtëm e të brendshëm, sidomos tani që bota është bërë më globale; mes vendeve të pasura e të varfra; mbi zhvillimin e pabarabartë mes vendeve; me raportet e kalimit nga vende industriale në vende posindustriale; me përpjekjet për të lënë pas këtë rend e në kërkim të një rendi të ri shoqëror. Këto janë probleme jo vetëm të teorisë, por dhe të praktikës, sidomos të praktikës politike.
***
Në fund të këtyre radhëve desha të theksoj se me raportin mes vartësisë e pavarësisë së institucioneve e pushteteve janë marrë e merren politikanë, filozofë, qytetarë. Në sistemet monarkike, p.sh., në teori e në praktikë absolutizohet vartësia e institucioneve dhe pushteteve, ndërsa në demokraci politika priret nga pavarësia e tyre. Mirëpo, kur pohojmë se institucionet janë edhe të varura edhe të pavarura, kjo duhet kuptuar thellë e qartë si nga politika, ashtu dhe nga qytetari. Them “duhen kuptuar qartë e thellë” se në demokraci institucionet në interes të qytetarit janë sa të pavarura aq edhe të varura. Të pavarura në kuptim të funksionimit të tyre, të varura në drejtim të marrëdhënieve që kanë në mes tyre; ndërsa ato janë tërësisht të varura nga interesat qytetare. Kështu, kur e kërkojnë interesat qytetare që të krijohet ky apo ai institucion, politika s’ka pse të mbyllet brenda guaskës së saj. Një politikë e tillë, në fakt, është në shërbim të vetvetes.
Comments (0 posted)
Post your comment