Home | Culture | Jehonë e një të kaluare të trishtuar

Jehonë e një të kaluare të trishtuar

image © Photo: Drita Klosi
«Kur personi që kisha përballë e llogariti se unë e përfundova së lexuari letrën, urdhëroi me një ton të prerë:
— Vendos dhe përgjigju!

 

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 


―Kihet besim vetëm tek ata që kanë
besim në veten e tyre.

Talleyrand

 


Komanda e kampit të Qafë–Barit kishte vendosur një rregull, sipas të cilit të burgosurit duhej të bënin shërbim nate me radhë, në bazë të dhomave. E thënë me fjalë të tjera, ata duhej të ndihmonin gardianët e tyre!
Një forcë e marrosur tallet gjithmonë me të drejtën.
Atë javë brigada e Melit dhe e Diksit shkonte në punë turni i parë. Në darkë përgjegjësi i kapanonit i njoftoi ata se kishin radhën e shërbimit të natës: Diksi posta e dytë, ndërsa Meli posta e tretë. Ky bisedoi me përgjegjësin e kapanonit, i cili pranoi që ata të dy të ndërronin radhën e shërbimit midis tyre. Si postë e parë çdo ditë shërbente vetë përgjegjësi i kapanonit.
Megjithëse Meli e zgjoi gjysmë ore më vonë Diksin, ky nuk e pati të lehtë zgjimin në atë orë. Ortaku i punës e dinte që Diksi e kishte gjumin pikë të dobët. Një natë në minierë, gjatë turnit të tretë, Meli kishte qeshur me të madhe duke dëgjuar Diksin të thoshte me zë të ulët:
«Dreqi ta hajë këtë punë; kur do të ngopem një herë me gjumë?»
Diksi e gjeti kafen gati, si dhe një cigare me filtër – luks i kohës. Ai filloi ta pinte me kënaqësi kafen. Meli nuk ishte vetëm një teljaki kafeje, por edhe një mjeshtër i përgatijes së saj. Ndërsa ai po pinte kafen, Meli filloi të fliste:
— Më është dashur të të hapem nga halli, aspak nga dëshira. Më pak akoma, për të vrarë kohën me diskutimin e një çështjeje, dekonspirimi i së cilës do të më çonte para togës së ekzekutimit. Nuk të kam zgjedhur rastësisht ty për të ta besuar sekretin tim. Përkundrazi, të kam studiuar me shumë vëmendje këta muaj që njihemi bashkë, të cilët, për nga ngarkesat e vuajtjeve dhe të vështirësive të shumëllojshme, barazohen me vite. Nuk ka vend më të përshtatshëm se ky kamp pune i vrazhdë dhe as rrethana më të favorshme se këto që po përjetojmë ne çdo ditë e çdo natë, për të provuar forcën e karakterit, vendosmërinë e njeriut dhe cilësi të tjera të dorës së parë, të cilat karakterizojnë personin e denjë për një sekret të rëndësishëm. Për mua është fat i madh që të njoha. Kam pyetur shumë për ty dhe ato që kam dëgjuar nga persona të ndryshëm kanë qenë pothuajse të njëjta. Duke pasur parasysh çështjen që më preokupon mua, shpresoj se ajo që do të na ndante në jetën e lirë, këtu duhet të na bashkojë.
Meli e ndërpreu për një çast fjalën, u mbush mirë me frymë, thithi fort cigaren, piu një gllënjkë kafe dhe vazhdoi:
— Babai im rridhte prej një shtrese të varfër dhe ka qenë partizan i brigadës së parë. Babai yt, me sa më ke folur ti vetë dhe kushëriri yt që ndodhet këtu, rridhte nga shtresë e mesme, jurist, dhe ka qenë aktivizuar në lëvizjen
kombëtariste. Babai im qe plagosur në luftë dhe vdiq si pasojë e një operacioni që i bënë shumë vjet pas luftës, për t'i nxjerrë një cifël predhe nga kafka e kokës. Sipas fjalëve të nënës, ai më shumë duhet të ketë vdekur për shkak të brengave, sesa nga operacioni. Nëna më pat thënë se gjatë viteve të fundit të jetës së tij të shkurtër, babai përsëriste shpesh: «Derdhëm gjak për t'i sjellë një mynxyrë këtij populli. E ç'fitoi ai nga lufta jonë? Vetëm varfëri dhe frikë. Do të kishte qenë më mirë të më kishte lënë të vdekur në vend kjo cifël predhe, sesa të shikoja pasojat dëshpëruese të luftës sonë.»
«Para se të vdiste, babai e kishte lënë amanet që asnjëri prej djemve të tij të mos vazhdonte shkollë ushtarake. Ndofta ngaqë ai vetë kishte qenë oficer gjithë jetën dhe vdiq i zhgënjyer. Fati e solli që pikërisht unë, më tersi i fëmijëve, të përfundoja në një shkollë speciale ushtarake. Atje përgatiteshin kuadro për shërbimin sekret, organizmi drejtues i të cilit ishte DSJ [ Drejtoria e Sigurimit të Jashtëm ]. Ky ishte një institucion shumë i pushtetshëm. Aktiviteti ynë përqendrohej kryesisht jashtë shtetit. Në gamën e misioneve të DSJsë përfshihej edhe likuidimi fizik i kundërshtarëve aktivë të regjimit të Tiranës, të cilët mund të ishin shqiptarë të arratisur ose detektivë të huaj. Në këto lloj misionesh ne na kishin aktivizuar qysh në moshën 21 vjeçare.
«Për të siguruar bindjen tonë të detyruar, para se të fillonim aktivitetin jashtë shtetit DSJ na komunikonte pengjet familjare. Ata ishin dy prej njerëzve më të dashur të rrethit tonë familjar, të cilët do të ekzekutoheshin në mënyrë mafioze prej Sigurimit, në rast dezertimi nga ana jonë. Gjatë karrierës sime, ka pasur tre dezertime prej radhëve të DSJsë. Në të tre rastet ne na kanë shfaqur sekuenca filmike me aksidente automobilistike të improvizuara prej Sigurimit për zbatimin e dënimit me vdekje të pengjeve, ose me vrasje në forma nga më të ndryshmet. Ata e bënin një gjë të tillë për të na bindur se vdekja e pengjeve tanë ishte e sigurt, po të dezertonim. Rrjedhimisht, ca në saje të mashtrimit sistematik, ca prej papjekurisë së moshës kur fillonim aktivitetin dhe ca për shkak të rrezikut të pengjeve, DSJ arrinte të na detyronte të bëheshim mish për top, duke u futur në një rrugë pa kthim prapa. Rezultati: një dramë e vërtetë. Ndërsa babai im vdiq i zhgënjyer nga frutet e luftës partizane, unë jetoj i zhgënjyer prej fryteve të luftës së ftohtë. Në këtë kamp pune, ku më përplasi regjimi të cilit i shërbeva aq shumë, unë përpiqem ta harroj të kaluarën time, por më kot. Megjithatë e keqja nuk mbaron këtu për mua.
«Edhe në këtë gjendje kaq të dëshpëruar, e ardhmja ime është përsëri e kërcënuar për arsye që unë do të përpiqem të t'i sqaroj. Natyrisht, ti nuk ndryshon dot asgjë nga rrjedha e fatit tim, por rrëfimi im ka një qëllim të dyfishtë. E para, unë jam arrestuar befasisht dhe më duhet të çoj patjetër një amanet të rëndësishëm tek nëna ime, një amanet që do të ma lehtësonte vdekjen, po ta shkarkoja nga shpirti im i rënduar. E dyta, doja që dikush prej bashkëvuajtësve të mi ta dinte se tekniku i ndërtimit Hamit Meli ka qenë detektiv i DSJsë dhe, si i dënuar me kusht, mund të dalë kur të dëshirojë nga burgu, por veç për të rifilluar karrierën e mëparshme. Askujt nuk mund t'i shkojë

ndërmend se unë mund të flas për një temë të tillë me një person, babai i të cilit mund ta ketë pasur ndonjëherë emrin në listat e zeza të DSJsë, si person për tu likuiduar fizikisht. Për një sy të zakonshëm, kjo do të thotë që unë të ndodhem përballë një rreziku të dyfishtë tek ti. Pikërisht kanosja e këtij rreziku të dyfishtë e zbeh shumë dyshimin, se unë mund të flas me ty për të kaluarën time si detektiv. Ndërkohë qenë vendimtare edhe cilësitë që gjeta në personin tënd për një përçapje të tillë aspak të zakonshme.
Meli nxori cigaren e fundit nga paketa, flaku kutinë bosh nga dritarja, e ndezi cigaren dhe po bëhej gati të fliste përsëri, kur u dëgjua çanga që lajmëronte zgjimin e kampit. Të dy u çuan menjëherë në këmbë, se dëgjuan hapat e policëve të shërbimit të brendshëm që po ngjisnin shkallët. Ata u futën shpejt në dhomën e gjumit.


XVI
NËPËR LABIRINTET E NJË ÇËSHTJEJE DELIKATE

―Sekreti midis dy personave është sekret
Zoti; midis treve, është sekret i të gjithëve.‖
Proverb persian

Qysh prej natës kur i hapi zemrën Diksit, kontaktet me të iu bënë kërkesë shpirtërore e dorës së parë Melit. Ndërkohë Diksi e mirëpriste praninë e Melit, por ai nuk bëhej asnjëherë nismëtar i asaj bisede të gjatë rrëfimtare, rreth së cilës do të vërtitej dialogu midis tyre, sa herë që do të ndodheshin vetëm. Tashmë Meli e kishte kapërcyer pengesën më të vështirë për të: prezantimin e portretit të tij të dikurshëm, me të cilin lidheshin kujtimet më të hidhura të jetës së tij të deriatëhershme. Ai nuk ndiente më asnjë vështirësi të hynte drejtpërdrejt në temën e preferuar, kur ndodhej vetëm me Diksin. Mirëbesimi ndaj atij që ia dëgjonte ofshamat i krijonte Melit një lirshmëri të tillë komunikimi, saqë ai shtjellonte skenat më tronditëse të rinisë së tij të përgjakur.
Sa herë fliste për ato ngjarje, ish-detektivit i dukej sikur nxirrte gulfa-gulfa vrerin e shpirtit të tij. Këtë lehtësim të përkohshëm e paguante me një çmim jo të vogël. Duke kujtuar të shkuarën tronditëse, ai përjetonte ato situata që ishte përpjekur mjaft t'i harronte, por nuk ia kishte dalë dot ndanë. Tani, duke folur, fytyra i ndizej shpuzë e herë-herë i zverdhej krejt, dhe jo rrallë në cepat e syve të kaltër shfaqeshin bula lotësh.
— Ti je i vetmi njeri me të cilin kam folur për brengat e mia – do t‘i thoshte ai Diksit një natë në minierë.
Këto kriza periodike ishin një kurim i pazëvendësueshëm për ndërgjegjen e tij të pllakosur nga pendesa. Në rrethanat ku gjendej, Meli po shikonte me sytë e tij të vërtetën lakuriq, barbarinë e atij regjimi për forcimin e themeleve të të cilit ai kishte derdhur gjakun e të tjerëve dhe të tijin: gjatë kryerjes së një misioni në Athinë, ai ishte plagosur paksa mbi rrëzën e kofshës së djathtë. Meli po i njihte nga fare pranë se cilët ishin armiqtë e popullit. Ish-detektivi i DSJsë e pohonte vetë se nuk do ta besonte kurrë ekzistencën e një gjendjeje të tillë në burgjet shqiptare, po të mos ishte bërë dëshmitar okular i saj. Më se një herë, ai ishte shprehur:
— Në qoftë se ka pasur ndonjë gjë të domosdoshme për mua në këtë botë, ka qenë pikërisht ky burg.
Një ditë, gjatë punës në minierë, ish-detektivi e thirri Diksin tek një stol dërrase afër daljes së një galerie horizontale pranë planit të pjerrët. Ishte vendi ku ata manovronin vagonët e njërës prej galerive. Atje ai i tregoi një vizatim të gdhendur bukur mbi dërrasën e stolit nga dora e stërvitur e ndonjë të burgosuri ordiner, të cilët kishin punuar më parë në atë minierë. Në të tregohej një zemër njeriu e përshkuar prej një thike. Kjo simbolizonte brengën që përjetonte autori i

vizatimit nga ndarja prej ndonjë njeriu të shtrenjtë, sepse poshtë punimit lexohej: përsëri do të kthehem.
Duke i treguar këtë figurë me gisht, Meli i tha shokut të tij:
— Edhe zemra ime përshkohet prej një thike të tillë akulli. Ajo biseda e orëve të vona sikur filloi të ma shkrinte pak dhe dalëngadalë nisa të mbushem me frymë. Ndihmomë të çlirohem prej saj, sa më shumë të jetë e mundur. Prano vetëm të më dëgjosh, pa u mërzitur. Për ty kjo nuk është ndonjë sakrificë e madhe, kurse për mua është një shërbim i madh.

*
Një natë, ndërsa ata të dy po manovronin vagonët, njëri prej policëve të punës u afrua e u tha me një ton gazmor:
— Shtrëngohuni mirë sonte, se do të dalin mbi 90 vagonë mineral.
— Gjynah që nuk u bëkan njëqind – ia ktheu me ironi Meli, duke përthyer qafën e çizmes së grisur.
— Farmak e ke atë gjuhë të shkretë, o mustaqe, por ne njëqind vagonë do t'i bëjmë për inatin tënd – ia priti polici duke shtrënguar dhëmbët.
— Do t'i bëjnë thuaj, jo do t'i bëjmë – e korrigjoi Meli.
— Mbylle, mustaqe, se do të ta tregoj mirë gramatikën unë pastaj – iu hakërrua polici i bërë spec.
Diksi i vuri dorën në sup ortakut të punës dhe e shtyu drejt vagonit që duhej manovruar. Atë çast arriti një vagon i mbushur treçerek me mineral, mbi të cilin kishin vendosur një të burgosur të dëmtuar rëndë, që po rënkonte. Një vagon i dalë prej shinave e kishte ngjeshur të burgosurin e dëmtuar për anë të galerisë, duke e shembur keq. Prej dhimbjeve të mëdha, ai shante mbarë e prapë qeverinë që e kishte dënuar me heqje lirie dhe po i merrte jetën në punë të rëndë të detyruar.
Polici dëgjonte dhe s'fliste, duke mos ditur çfarë t'i bënte të aksidentuarit. Ai ishte njëri prej punëtorëve më të mirë midis të burgosurve dhe gardianit i vinte më tepër keq që ai nuk do të bëhej më për punë. Ndërkohë puna u ndërpre për shkak avarie në njërën galeri, prej nga dilnin më shumë vagonë me mineral. Polici u largua për të shoqëruar dy të burgosurit, që do të nxirrnin jashtë të dëmtuarin. Duke përfituar nga rasti, Meli nisi trajtimin e temës qendrore të bisedave të tyre:
— Të kam thënë, Sazan, se jam i dënuar me kusht. Unë lirohem menjëherë prej burgut, në qoftë se pranoj të rikthehem në detyrën e detektivit. Pasi më arrestuan në Berat, më futën në një dhomë të veçantë në DP të Brendshme të atij qyteti. Atje më erdhën dy persona, të cilët m'u paraqitën si përfaqësues të Sigurimit të KQ të partisë. Pa asnjë lloj hyrjeje, ata u futën drejt në temë:
«Para dy ditësh, familja juaj u ngrys me biografinë më të mirë në Gjirokastër dhe u gdhi me biografinë më të keqe. Ishit bijtë e një babai që ka luftuar qysh orët e para me brigadën e parë sulmuese dhe vdiq nga plagët e

luftës çlirimtare, siç i kishte hije. Njëri prej vëllezërve të nënës suaj është hero i popullit, ndërsa tjetri dëshmor i luftës për çlirimin e vendit. Po t'iu shtoje këtyre fakteve të admirueshme edhe misionet e realizuara me sukses nga ti kur militoje në DSJ, nuk gjeje dot fjalë për të përshkruar meritat e familjes suaj. Ndërsa sot nuk gjen dot fjalë për të shprehur përmbysjen që ka ndodhur në familjen tuaj:
«Aktualisht ti je vëllai i një të arratisuri, në ndërgjegjen e të cilit ke ndikuar negativisht me sjelljen tënde arrogante dhe përçmuese ndaj realiteti tonë shoqëror. Veç kësaj, tetë udhëtime të tuat me mision jashtë shtetit kanë qenë të kontrolluara nga vëzhgues të posaçëm. Ti je fotografuar në shtete të ndryshme duke biseduar me të arratisur politikë, një krim i rëndë ky që dënohet prej ligjeve në fuqi. Për këto dy arsye të forta e meriton plotësisht arrestimin. Megjithatë partia, duke marrë parasysh edhe të kaluarën tënde si detektivi më rezultativ i shërbimit tonë sekret, s'ka ndërmend të të shtyjë në atë greminë, buzë së cilës ke shkuar me këmbët e tua. Ajo ka vendosur të të japë edhe një herë dorën.
«Duke thënë fjalët e fundit, ai nxori nga çanta dy fotografi dhe, pasi ma tregoi të parën, më pyeti:
— E njeh këtë person?
— Po, iu përgjigja.
«Ishte njëri prej ish-instruktorëve tanë, i arratisur në vitin 1969.
— Po këtë tjetrin? më pyeti, duke më treguar fotografinë e dytë.
— Edhe këtë e njoh – iu përgjigja sërish.
«Ishte një shoku im i profesionit, i arratisur qysh vitin e parë të aktivitetit, më 1971.
«Pastaj ai nxori nga çanta një fije letre të palosur me kujdes dhe ma zgjati duke më thënë:
— Lexoje me vëmendje dhe duam përgjigje për sa shtrohet në të.
«Hapa letrën dhe lexova:
Hamit Meli të lihet i lirë, me kusht që, pas një periudhe tranzitore dyjavore, të pranojë të rikthehet në detyrën e tij të detektivit, me këtë mision të posaçëm:
Brenda një periudhe katërvjeçare nga dita që do të rifillojë detyrën e detektivit të zbulojë (i ndihmuar edhe nga burimet e tjera informative që disponon shërbimi ynë sekret) dhe të asgjësojë me çdo kusht personat që do t'i rekomandohen.
Në rast mospranimi të këtij propozimi, Hamit Meli të mbahet nën arrest dhe t'iu dorëzohet organeve të hetuesisë.
Për Komitetin Qendror të PPSH
Manush Myftiu
«Kur personi që kisha përballë e llogariti se unë e përfundova së lexuari letrën, urdhëroi me një ton të prerë:
— Vendos dhe përgjigju!

— Dua të mendohem – i thashë – Ndërkohë dua të më sillni dhe pak ujë, se kam etje.
— Jo vetëm ujë, por edhe raki, të cilën ti e do aq shumë – shtoi ai.
«Personi tjetër që e shoqëronte nxori nga çanta një shishe 0,5 kg raki rrushi e mandej të dy dolën jashtë, duke më thënë:
— Ne po largohemi, që të mendohesh në qetësi. Pas një ore do të kthehemi të marrim përgjigjen përfundimtare.
«Duke dalë, ata e mbyllën derën me çelës nga jashtë.

*
«Dilema ime ishte e vështirë. Pas gjashtë vjetësh shërbimi si detektiv, DSJ më kishte pezulluar nga detyra. Shkak u bë alkoolizimi im kronik, si pasojë e të cilit m'u dobësua mjaft vetëkontrolli. Villja vrer pa doganë kundër regjimit që i kisha shërbyer, duke përdorur si shkak çdo dukuri të rëndomtë të jetës së përditshme që më ngacmonte nervat. Pas disa paralajmërimesh, më pezulluan pa afat nga puna, në pritje të reagimit tim. Unë e intensifikova më tej përdorimin e alkoolit. Në këtë drejtim ndikoi mjaft edhe mungesa e dëshirës për tu rikthyer në profesionin e mëparshëm. Ndërkohë DSJ më dërgonte sinjale, se do të ishte e gatshme të më riaktivizonte, sapo të jepja shenjat e para të përmirësimit të sjelljes sime. Ndërsa unë bëja të kundërtën.
«Për shkak të rrahjes së një polici në hotel Turizmi në Gjirokastër, më dënuan gjashtë muaj burg. Edhe atëherë më propozuan të ma falnin burgun, me kusht që të rifilloja detyrën e detektivit. Preferova vuajtjen e dënimit. Ndihesha shumë i lodhur nga nervat si prej profesionit të dikurshëm, ashtu edhe prej realitetit të zymtë shqiptar. Sikur të kisha arritur të arratisesha siç mendoja, do të isha tërhequr në jetën private, për të harruar gjithçka. Kujtesa ime e fortë më kishte ndihmuar shumë gjatë veprimtarisë si detektiv. Po aq shumë po më shqetësonte ajo pas braktisjes së profesionit, mbasi nuk më linte të harroja. Harresa është një dukuri e rëndomtë me kosto të lartë: ajo vjen për të prishur punë, kur njeriu nuk e do, dhe e refuzon ftesën e tij, kur njeriu dëshiron të harrojë.
«Pas arrestimit në Berat, DSJ përfitoi prej rrethanave për të më vendosur përballë alternativës së vështirë: burg ose rikthim në detyrën e detektivit. Kur dy përfaqësuesit e KQPPSH erdhën në dhomën ku më kishin mbyllur, unë e kisha pirë të shumtën e rakisë. Pa pritur pyetje prej tyre, u ktheva përgjigjen e përgatitur:
— Nuk mund ta pranoj propozimin tuaj.
«Kryesori prej atyre të dyve u prish në fytyrë. Me sa dukej ishte përgatitur shpirtërisht për të kundërtën, mbasi duhej ta kishte marrë si fillim pazari kërkesën time për tu menduar. Pas një heshtjeje të shkurtër, ai pyeti me një ton të vrazhdë:
— Cila është arsyeja e refuzimit?
— Personi i parë ka qenë njëri prej instruktorëve më të përgatitur të shkollës sonë (ai na mësonte përdorimin e thikës). Këtë fakt e dinë mirë të gjithë ata që e kanë njohur nga afër. Ai mbetet gjithmonë superior në konsideratën time si ish-nxënës i tij. I dyti ka qenë shoku im i ngushtë. Edhe këtë gjë e dinë ata që i lidhte puna me ne. Megjithëse ka dhjetë vjet që unë nuk e kam parë, po të vihem përballë tij, e di që nuk do të më bëjë dora ta godit, mbasi me të më lidhin shumë kujtime. Përveç kësaj, askush nuk më siguron dot se ata të dy nuk janë aktivizuar me ndonjë shërbim sekret të huaj, i cili aktualisht i ka në mbrojtje.
— Edhe ashtu mund të jetë; prandaj të është lënë në dispozicion një goxha kohë: katër vjet!
— Sidoqoftë, unë e vlerësoj të pamundur realizimin e këtyre dy misioneve nga ana ime. Vazhdoni veprimet tuaja.
— Këtu përfundojnë veprimet tona. Më tej, janë të tjerë ata që do të merren me ty, pasi të largohemi ne. Para se të ndahemi, po të themi edhe këto fjalë: ke për të vuajtur aq shumë, saqë do të na kërkosh por nuk do të na gjesh dot më. Megjithatë nuk po ta mbyllim plotësisht derën edhe kësaj here, me qëllimin e mirë që në horizontin e së ardhmes tënde të afërt të mos shikosh vetëm tela me gjemba. Po të bëjmë të ditur këtë adresë të shkurtër (ajo përbëhej nga katër fjalë dhe një numër). Fiksoje mirë në kujtesë. Qysh prej këtij çasti e deri sa të plotësohen dy vjet, kurdoherë që mund të ndryshosh qëndrim ndaj ofertës sonë, mjafton t'i thuash hetuesit (gjatë procesit hetimor) të transmetojë në emër tënd fjalën "dakord" në këtë adresë dhe ti menjëherë do të lirohesh, sipas kushteve që lexove në letrën që të paraqitëm. Kur të jesh në kamp, mjafton një copë letër në këtë adresë me të njëjtën fjalë dhe përsëri do të lirohesh, gjithmonë sipas të njëjtave kushte. Mbetsh me shëndet!
«Pas këtij takimi, më kaluan direkt në hetuesi speciale, ku më katandisën të ecja tre muaj këmbadoras. Më shkatërruan veshkën e djathtë, më bënë me sëmundje zemre dhe ma acaruan më tej sistemin e dëmtuar nervor me seanca elektroshoku. Megjithë këto tortura shkatërrimtare për organizmin tim, unë nuk pranova asnjërën prej akuzave që më bënin. Megjithatë ky fakt nuk i pengoi fare të më dënonin me 17 vjet burg. Por kjo nuk ka më aq rëndësi. Njeriu merret me të shkuarën, kur nuk e kërcënon e ardhmja. Pikërisht këtu ―më vret këpuca mua.‖
«Muajin e ardhshëm, në gusht, plotësohen dy vjet nga afati që më kanë caktuar ata për tu menduar. Refuzimet përfundimtare të këtyre lloj ofertash DSJ i vlerëson si ―dezertim nga detyra shtetërore me rëndësi të posaçme‖ dhe autorët e tyre i gjykon e i dënon në mungesë. Dhe, ç'është më e keqja, vendimet e dënimeve me vdekje të kësaj natyre ekzekutohen në heshtje. Raste të tilla ka pasur edhe kur unë militoja pranë DSJsë. Në rrethanat e mia, një helmin nëpërmjet ushqimit është mënyra më e thjeshtë dhe më e sigurt për të më hequr qafe.


— Ushqimi këtu gatuhet dhe ndahet prej të burgosurve. Është e pamundur që ata të pranojnë të bashkëpunojnë me të burgosur për veprime sekrete kaq të rëndësishme – e kundërshtoi Diksi idenë e ish-detektivit.
— Ashtu është. Mirëpo kur unë vazhdoja aktivitetin në DSJ, kisha marrë vesh nëpërmjet shokëve të profesionit, se në raste të veçanta Sigurimi fuste në burgun e Burrelit ndonjë agjent të tij si të burgosur. Ai kontrollonte nga brenda situatën e burgut në përgjithësi dhe persona të caktuar, në veçanti. Një agjent i tillë mund të bënte ç'të donte me jetën e të burgosurve realë, pa i shkuar askujt ndërmend se nga i kishte ardhur e keqja. Të njëjtën ndërhyrje ata mund ta bëjnë ku t'ua dojë puna. Këtë problem po e diskutoj me ty jo se mund t'i gjendet zgjidhje, por për të mos qenë i panjohur për ty. Ashtu siç dëshiroja që dikush ta dinte se unë nuk kam qenë vetëm teknik ndërtimi në jetën e lirë, po ashtu dëshiroj që ti ta dish se ndonjë vdekje e befasishme e imja nuk do të jetë pa shkak të jashtëm.
Diksit i erdhi keq për pozitën e vështirë të bashkëvuajtësit. Në qoftë se brenda telave me gjemba mbretëronte pasiguria e përgjithshme, për Melin kishte shkaqe suplementare pasigurie, edhe më kërcënuese. Ai asnjëherë dhe në asnjë rrethanë s'mund të ishte i qetë.
«E keqja s'paska fund as brenda kësaj të keqeje njerëzore - burgut», – mendoi Diksi, tek po shikonte bashkëvuajtësin në siklet të shumëfishtë.
Me keqardhje të dukshme, ai i tha Melit:
— Më dhimbsesh, Hamit, por veç funksionit të dëshmitarit të heshtur, nuk mund të luaj dot rol tjetër në dobinë tënde. S'kanë thënë kot: «Më mirë një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr pa fund.»
Për çudinë e Diksit, Meli i regjur me pusitë e vdekjes mendonte ndryshe:
— Gjendja nuk do të jetë gjithmonë njëlloj, Sazan. Me plotësimin e afatit dyvjeçar, unë do të shpëtoj në ndonjë formë prej tyre: ose do të më heqin qafe, ose do të më hiqen qafe. Cilado që të ndodhë, për mua nuk është e papritur.
*
Javët kalonin e bashkë me to edhe turnet e punës. Herë punonin ditën e flinin natën, herë punonin natën e flinin pjesërisht ditën. Për çudi, me afrimin e gushtit, Meli po tregohej më i kënaqur dhe nganjëherë i thoshte shokut të tij duke qeshur:
— Vapa ikën me gushtin, thotë populli. Në qoftë se vapa e sivjetme nuk do të më marrë me vete, do të përjetojmë bashkë një vjeshtë të freskët, si nga klima natyrore dhe nga ajo njerëzore.
Por koha nuk i vërtetoi parashikimet e tij. Ndonëse pas gushtit po kalonte edhe shtatori, pikërisht atëherë, kur ai mendonte se ―e kishin fshirë nga lista‖, i ndodhi e papritura më e madhe.

Fragment nga Romani "Odiseja e Një Dedektivi", i Agim Hamitit

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00