Latest News
Dita e Flamurit në Prizren
Në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit - Festës së Flamurit Kombëtar, në Prizren pritet që të performojë Grupi Polifonik i qytetit të Gjirokastrës. Grupi muzikor nga Shqipëria është ftuar nga Fondacioni për Trashëgimi Kulturore, në mënyrë që anëtarët e tij të jenë pjesë e disa aktiviteteve kulturore...
Prizren, 24 Nëntor – Në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit - Festës së Flamurit Kombëtar, në Prizren pritet që të performojë Grupi Polifonik i qytetit të Gjirokastrës. Grupi muzikor nga Shqipëria është ftuar nga Fondacioni për Trashëgimi Kulturore, në mënyrë që anëtarët e tij të jenë pjesë e disa aktiviteteve kulturore, të cilat tradicionalisht realizohen për nder të Ditës së Flamurit dhe në të njëjtën kohë të paraqesin para publikut prizrenas vlerat e muzikës polifonike.
"Fondacioni për Trashëgimi Kulturore sjell në Prizren grupin polifonik të qytetit të Gjirokastrës, me qëllim të njohjes me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe prezantimit të traditës dhe pasqyrimit artistik të polifonisë", ka thënë Arben Shala nga FTK-ja. Sipas tij, në bazë të agjendës së konfirmuar planifikohet që më 28 nëntor, grupi polifonik nga Gjirokastra të jetë prezent si mysafir nderi në hapjen solemne të objektit të rinovuar të ShKA "Agimi", pastaj të jetë mysafir në hapjen solemne të shtëpisë së Shuaip Spahisë, prej nga pritet që bashkë me udhëheqjen komunale të vizitojë objektin e Lidhjes së Prizrenit, ku do të performojë disa këngë.
"Ndërsa në mbrëmje në Shtëpinë e Kulturës ky grup do të ketë një performancë gjysmë orësh, pas së cilës do të mbahet koncert tradicional i ShKA 'Agimi'", ka deklaruar Shala.
Aktivisti i shoqërisë civile ka bërë të ditur se bashkë me grupin polifonik në Prizren do të vijë edhe nënkryetari i Gjirokastrës, me qëllim të shqyrtimit të mundësisë së binjakëzimit të dy qyteteve.
"Ideja e Fondacionit është që t’i bëjë bashkë këto dy qytete që njihen si vatra të kulturës e të trashëgimisë, të ndërveprojnë mes vete e të gjejnë mundësi për bashkëpunim në të ardhmen", ka theksuar Shala.
Isopolifonia shqiptare është ndër vlerat e rralla të folklorit muzikor shqiptar, që bën pjesë edhe në traditën folklorike botërore. Më 25 nëntor të vitit 2005 është shpallur "kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit", e mbrojtur nga UNESCO-ja. Në të njëjtën kohë konsiderohet se i jep karakter dallues muzikës tradicionale shqiptare.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment