Latest News
Njohja e gjuhës letrare...
Gjuha letrare shqipe e në mënyrë të veçantë përbërja leksikore e saj janë zhvilluar e përsosur përmes përpunimit të herëpashershëm të tyre. Ky përpunim parakupton kryesisht ndërhyrjet në të nga bartësit e gjuhës, si njohës e mjeshtër të saj, sigurisht jo në mënyrë të detyruar, por në përputhje me ligjet dhe prirjet e gjuhës...
Adron Duro*
Gjuha letrare shqipe e në mënyrë të veçantë përbërja leksikore e saj janë zhvilluar e përsosur përmes përpunimit të herëpashershëm të tyre. Ky përpunim parakupton kryesisht ndërhyrjet në të nga bartësit e gjuhës, si njohës e mjeshtër të saj, sigurisht jo në mënyrë të detyruar, por në përputhje me ligjet dhe prirjet e gjuhës, kur njësitë dhe format gjuhësore, si të thuash, “piqen” për t’u ndryshuar, ndoshta edhe për t’u hequr, duke u zëvendësuar me të tjera.
Po ta vështrojmë nga kjo pikëpamje procesin e përpunimit të njësive e formave gjuhësore në terminologjitë e fushave të ndryshme të shkencës dhe të teknikës, krahasuar me të njëjtin proces që kryhet në leksikun e përgjithshëm, do të vërehet se ky proces përbën një ndër drejtimet themelore të çdo terminologjie, çka përcakton edhe zhvillimin e saj sasior e cilësor, përsosjen e vazhdueshme në saktësimin e qartësimin e saj, njësimin më të plotë dhe pastrimin nga lënda e huaj.
Procesi i përpunimit, si parësor në terminologji, bashkëlidhet edhe me dy drejtime të tjera të rëndësishme: me ruajtjen e terminologjisë si produkt i përpunuar (kryesisht në fjalorët terminologjikë) dhe me aktin e përdorimit të saj në praktikën ligjërimore, në veprat shkencore e teknike, tekste mësimore etj. Të tria këto drejtime lidhen ndërsjellësisht dhe përcaktojnë gjendjen e terminologjisë në çdo prerje kohore që studiohet.
Në qoftë se shohim nga kjo anë historinë e terminologjive shqipe, sidomos në fillesat e saj, mund të përmendim zhvillimin që i kanë dhënë terminologjisë shqipe rilindësit tanë, si K. Kristoforidhi, N.Frashëri, S. Frashëri e më vonë A. Xhuvani e deri në ditët e sotme specialistë të fushave të ndryshme të dijes, të cilët mund të mbeten anonimë për shkak të numrit të madh të veprave, ku qarkullojnë termat e krijuar prej tyre. Puna e bërë nga rilindësit dhe pasuesit e tyre deri në ditët e sotme, edhe pse e kanë bërë këtë në mënyrë individuale, e kanë ngritur gjithë ndërtesën terminologjike, sot plotësisht të formësuar, mbi një bazament të shëndoshë me fizionomi shqiptare. Kështu, qysh nga rilindësit janë hedhur fillesat e bazave të terminologjive të fushave themelore të dijes si nga S. Frashëri: të gramatikës e të gjeografisë, një pjesë e të cilave përdoren edhe sot, si: nyj, emër, mbiemër, përemër, folje (gram), rrip, degë, gojë, buzë, hundë, mëngë (gjeogr); nga N. Frashëri mund të sillen një varg termash të gjeometrisë: brinjë, katror, kënd, pikë, qark, trekëndësh, vijë, të matematikës: pjesëtim, mbledhje, shumëzim, mbetje, etj. Një varg termash të fushës së gramatikës mund të sillen nga A.Xhuvani: pasthirrmë, rrjedhore, numëror, kryefjalë, kallëzues, kundrinë etj. Si krijime individuale mund të sillen një varg termash të formuar në vend të termave të huaj nga autorë të ndryshëm tekstesh si: trekëndëzim (për triangulacion), lëshues, (për starter), mbështetës (për stanok), brejtje (për korrozion) etj. Kjo tregon se edhe gjatë përpunimit individual të terminologjive të fushave të ndryshme të dijes autorët e teksteve mësimore, veprave shkencore, përdoruesit e terminologjisë kanë zgjidhur edhe një varg problemesh të terminologjisë si rregullimin e sistemin e saj, mbajtjen qëndrim ndaj termave të huaj, krijimin e termave me brumin vendës etj.
Megjithatë, si u theksua edhe më lart, kjo vijë përpunimi duke pasur karakter individual, i jep terminologjisë edhe një zhvillim të vetvetishëm, meqë, p.sh., për një fushë terminologjike në vende e kohë të ndryshme mund të punojnë persona të ndryshëm. Kështu në terminologjitë e ndryshme janë krijuar një varg problemesh që shfaqen në formën e dukurive të dëmshme për terminologjinë si sinonimia: ndemje – sforcim – tension (mek.), frekuencë – denduri – shpeshtësi – shpeshti (fiz.), polisemia (që krijohet ndonjëherë edhe nga prirja e skajshme për shqipërim) si lloj: 1) “lloj” 2) “specie” 3) zhanër.
Ndonjëherë krijohen vargje sinonimike (pseudosinonimike), ku termat bartin kuptimet e njeri-tjetrit si: gjedhe për “etalon” dhe për “model” ndonjëherë edhe për “kampion” (ku model është i diferencueshëm nga etalon), gërryerje dhe brejtje kalojnë për zëvendësimin e termave të huaj abrazion – korrozion – errozion, ku nuk del e qartë se cilin term të huaj zëvendësojnë përkatësisht gërryerje dhe brejtje. Këtu shembujt mund të jenë të shumtë.
Mangësi të shumta, të cilat kanë të bëjnë me mbingarkesën e terminologjive me variante dysore, me përdorimin e fjalëve të përgjithshme në vend të termave të mirëfilltë, vihen re në fjalorët e shumtë terminologjikë dy e më shumë gjuhësh. Kjo është një sasi kaq e madhe termash e jotermash që krijojnë probleme të shumta, saqë vetëm 3 fjalorët politeknikë (anglisht-shqip, frëngjisht – shqip dhe rusisht – shqip) përmbajnë 180000 terma. Po t’u shtosh këtyre edhe sasinë prej dhjetëra fjalorësh dygjuhësh rusishr-shqip dhe anglisht-shqip, të hartuar për nevoja të përkthimeve, për nevoja të mësimdhënies në shkollat e larta, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni, kjo shifër mund të arrijë në 400.000–500.000 terma e më tepër.
Vija e dytë ka të bëjë me përpunimin kolegjial të terminologjisë, e cila është shprehje më e përqendruar dhe e drejtpërdrejtë e realizimit të idesë së planifikimit dhe politikës gjuhësore në terminologji (në konceptin e shkollës së Vjenës kjo specifikohet për terminologjinë edhe si planifikim terminologjik). Ky lloj përpunimi ka si qëllim madhor realizimin e një varg objektivash si rregullimin, sistemimin dhe njësimin e terminologjisë, por edhe saktësimin e qartësimin e saj, pastrimin nga lënda e huaj dhe pasurimin me njësi të reja nga brumi i shqipes. Kjo vijë i jep terminologjisë një zhvillim të orientuar, ajo përbën një etapë të re të zhvillimit cilësor të terminologjisë dhe kryhet mbi baza institucionale, ku bashkëpunojnë gjuhëtarët, terminologët, specialistët e fushës përkatëse dhe sot në raste të caktuara edhe informatikanët. Kjo punë me terminologjinë fillon të realizohet kur krijohen kushtet materiale, ekonomike, politike e shoqërore, meqë lidhet me krijimin e institucioneve të specializuara për terminologjinë si edhe me planifikim fondesh, mjetesh, etj. Mbi këtë bazë ka funksionuar në Shqipëri sektori i terminologjisë (qysh nga viti 1955) dhe në Kosovë kanë punuar organizmat brenda Institutit të Albanologjisë. Në Shqipëri me punën e zhvilluar mbi bazën e komisioneve të përbërë nga gjuhëtarë, terminologë e specialistë vetëm brenda viteve ‘60-‘70 janë përpunuar rreth 15 fusha themelore të dijes (botanikës, matematikës, kimisë, ndërtimit etj.) dhe janë botuar fjalorët përkatës. Këta fjalorë janë ribotuar edhe në Kosovë duke iu shtuar gjuha serbo-kroate. Deri më sot janë botuar rreth 30 fjalorë me mbi 70.000 terma. Një sasi e madhe fjalorësh terminologjikë janë hartuar e botuar edhe nga Akademia Ushtarake e Shqipërisë me mbi 100.000–200.000 terma.
Sot procesi i përpunimit të institucionalizuar të terminologjive me komisione qysh nga viti 1990, krahasuar me vitet e mëparshme, i cili nga përmasat mund të quhet një lëvizje gjuhësore në fushën e terminologjisë, po rrëgjohet drejt zeros, ndonëse është ripërtërirë pak pas rikrijimit të Departamentit të terminologjisë. Rezultatet e përpunimit kolegjial të terminologjive, të pasqyruara në fjalorët e shumtë terminologjikë, me gjithë ndihmesat e dhëna për zgjidhjen e problemeve të terminologjisë (futjen e mjaft termave në përdorim, sidomos në tekstet mësimore të shkollës 8-vjeçare e të mesme si tretës, tretësirë, trysni etj.) kanë krijuar edhe një kundërvënie ndërmjet sasisë së madhe të termave të shqipëruar që kanë zënë vend në shumicën e këtyre fjalorëve dhe termave të huaj përkatës, barasvlerës së tyre, që qarkullojnë në përdorim, në tekste mësimore, në praktikën ligjërimore etj. Kështu, p.sh., mund të thuhet se s’kanë gjetur përdorim një pjesë e madhe termash nga fusha e anatomisë, gjinekologjisë, arkitekturës, minierave etj. Këtu po sjellim një varg shembujsh, të nxjerrë nga “Fjalori i termave të arkitekturës”, në të cilin numri i termave të shqipëruar, që s’kanë gjetur përdorim, krahasuar me fjalorët e tjerë, është më i madh. Në kllapa po japim barasvlerësit e huaj ose shqip që përdoren në vend të tyre e që janë ngulitur në ligjërimin e shkruar e të folur: kungë (absidë), mbërtheckë (agrafe-ja), dashtër (akant), banishtë (qëndërbanim), çeltinë (hapësirë drite), daltari (skulpturë), drekore (mensë), drithnik (silos), flugëz (listelë), mazgall (frëngji), fushak (tërthorëse), treme (hajat), hiptor (ashensor), pirg (kullë), landëtar (karpentier), landëtinë (ngrehë), mungade (kuvend, manastir), kambcuer (piedestal), thurë (grilë), urojmë, krua, (shatërvan), lëm (shkalle) (shesh), etj. (rreth 100 terma të tillë).
Shkaqet e kësaj gjendjeje janë komplekse (jashtëgjuhësore dhe brendagjuhësore) dhe nuk mund të trajtohen në caqet e ngushta të kësaj parashtrese. Këtu ne vetëm sa e nxjerrim në pah problemin.
Nga sa thamë më lart del se lënda e gjerë dhe e pasur, e përpunuar në mënyrë individuale ose kolegjiale, me anët pozitive (pastrim, njësim, shqipërim të terminologjisë) dhe me anët negative (që i përmendëm) krijon një kontradiktë të thellë ndërmjet gjendjes së arrirë (rezultatet pozitive dhe negative), pra sasisë jashtëzakonisht të madhe të termave (varianteve terminologjike në formën dytësore) dhe prapambetjes së theksuar në verifikimin e kësaj gjendjeje, mbajtjen nën kontroll të saj dhe pamundësisë për ta studiuar e nxjerrë përgjithësime me metodat klasike, të cilat vijojnë ende të zbatohen (vjeljet me dorë, puna me skeda, etj.). Kësaj kontradikte i duhen shtuar edhe zhvillimet kontradiktore të vërejtura pas viteve 90-të në fushën e gjuhës në përgjithësi, të cilat pasqyrohen edhe në fushën e leksikut terminologjik, si parapëlqimi i termave të huaj, sidomos nga anglishtja (fidhek, fider, menaxhim, menaxher, staf) dhe rikthimi tek termat e huaj, dikur të shqipëruar si dimension (për përmasë), solucion (për tretës), insufiçencë (për pamjaftueshmëri), ekuilibër (për baraspeshë), etj.
Siç u theksua më sipër, kontradikta ndërmjet rezultateve të veprimtarisë përpunuese në terminologji dhe ruajtjes së saj, nga njëra anë dhe sasia e madhe e termave që qarkullojnë në përdorim nga ana tjetër, bëjnë të domosdoshme futjen e metodave kompjuterike në terminologji për ta grumbulluar e ruajtur gjithë lëndën si bazë të dhënash, përpunuar në sistem, për të nxjerrë produktet përkatëse (fjalorët terminologjikë) dhe për të ndërtuar në të ardhmen një bankë terminologjikë gjithëpërfshirëse. Sot kjo punë në Shqipëri është në pikën e nisjes së një projekti për informatizimin e kartotekave të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, ku është përfshirë edhe terminologjia, por për terminologjinë ky projekt duhet të specifikohet më shumë, duke u konceptuar puna me terminologjinë si projekt më vete.
Si detyrë parësore afatgjatë mund të ishte krijimi i një baze të fuqishme të dhënash nga e gjithë lënda që qarkullon (rreth 1.000.000 njësi, nxjerrë nga fjalorë, tekste mësimore, vepra shkencore, komunikim gojor, etj.), për të cilën duhen planifikuar mjetet e fondet përkatëse.
Së dyti, duhet përpunuar lënda e grumbulluar duke e ndarë sipas fushave me paraqitje hierarkike, si p.sh., duke ndarë më vete shkencat humanitare, shkencat e përpikta, ato të zbatuara, etj., dhe më tej shkencat e veçanta: matematika me degët e saj, fizika me degët e saj etj.
Së treti, duhet të fillojë puna për përpunimin në sistem të terminologjive, duke i përqasur sistemet terminologjike shqipe me ato të huaja (të standardizuara).
Së katërti, duhet të fillojë hartimi i fjalorëve terminologjikë sipas fushave të gjera, si p.sh. fjalori i ekonomisë, i mjekësisë etj., mbi bazën e fjalorëve të fushave të ngushta të hartuara deri më sot.
Së pesti, të krijohen bankat terminologjike për çdo fushë (si detyrë që do të realizohet në mënyrë graduale në një të ardhme më të largët).
Si detyrë me një afat të shkurtër, që do të kërkonte bashkërendim të forcave shkencore nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ishte hartimi i një fjalori terminologjik mbi bazën e termave tashmë të ngulitur dhe që kanë fituar të drejtën e përdorimit, i cili mund të quhej “Fjalor themelor i shkencës dhe i teknikës” me rreth 10.000-15.000 terma themelorë të fushave bazë të dijes.
Së fundi del i nevojshëm hartimi i një plani bashkërendues për terminologjinë me tri qendrat themelore në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, si edhe me qendrat terminologjike ndërkombëtare (Infoterm, Vjenë etj.)
* Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment