Latest News
Farsë sugjestive dhe provokative për vetveten dhe aktualitetin
Megjithatë, Teatri i Tetovës, pas një heshtjeje të frikshme gati dy vjeçare e ngriti siparin. Të shpresojmë që kjo shfaqje do të jetë një ogur i mirë dhe në të ardhmen shfaqje të tilla e të tjera do ta pasurojnë jetën kulturore të Tetovës universitare.
Hashim Baftiari*
Komedia “ Dashuria, teatri dhe marrëzi të tjera” me autor Salajdin Salihun dhe Refet Abazin, premiera të cilës u dha 06.04.1012 kënaqi dhe befasoi për të mirë publikun artdashës në Tetovë. Kjo komedi, solli në Tetovë një humor të natyrshëm dhe me sens të hollë qytetarie.
U pa qartë që, autori thyen rregullat e ngurta të teatrit tradicional, duke mos e trajtuar në mënyrë konsekuente linjën kryesore të syzheut të pjesës. Subjekti i komedisë është i thjeshtë: Protagonisti i komedisë, Suloja, një beqar një çikë i vonuar, bën një jetë prej një Robinson Kruzoje të shkretë e komik, edhe pse është tip i lidhur ngushtë me artin dhe jo vetëm me të. Ai është pronar i një kafeneje ( Bujtina n’qosh) por, si ëndërrimtar e dashamirë i artit, kafeneja e tij shndërrohet edhe në “teatër “ ku aktorët vijnë e bëjnë provat. Sulo kujdeset edhe për Agronin, të cilit i ka vdekur babai, ndërsa nëna e ka braktisur. Agroni, një tip ku rafsha mos u vrafsha, kërkon nga tutori i tij që ai t’i bëhet baba i vërtetë. Dhe, që këtu fillon të forcohet ambicia e protagonistit për t’u martuar me nënën e Agronit, sepse vetëm atëherë mund të jetë baba i vërtetë i tij. Dhe në fund, pas një varg peripecish Sulo ia arrin qëllimit jetësor: lidhet me nënën e Agronit, që e ka dashur gjithmonë, por, këtë bashkim autori nuk e ka parë të udhës ta shqyrtoj si më gjatë. Ajo në fund bën para, bën pasuri, por, si e arrin këtë, kjo gjë nuk elaborohet në vepër.
Në komedi parodizohen një varg vesesh e shëmtish të reja e të vjetra, që vijnë nga jeta e aktorëve, nga arti, nga sfera shoqërore, politike e kombëtare, kur me humor të lehtë e kur me ironi të hidhur si: dalldisja e të rinjve pas flirteve virtuale në internet, duke vazhduar me mungesën e vullnetit institucional për të mbështetur kulturën kombëtare në Tetovë, e duke vazhduar me indinjatën rreth gjendjes së përgjithshme.. e duke lakmuar kohët e kaluara. Protagonisti, në një rast, thotë: Përpara kishte rend, bre vëlla, rregull, e tash..
Linja bosht e subjektit rrjedh gradualisht duke shpërfaqur pamjen e plotë tragjikomike të jetës së personazhit kryesor të komedisë. Por, pjesa duke u konceptuar nga autori e regjisori si vepër postmoderne me shume ndërkallje intertekstuale (skena groteske e Mbretit Lir dhe ajo ku aktori që dëshiron të luaj vetëm role kryesore, për të shpëtuar nga hafijet qe e ndjekin luan Revizorin e Gogolit) e digresione sugjestive ( koloneli i Markesit konvertuar në realitetin aktual shqiptar) mbi tema nga aktualiteti artistik, shoqëror e politik e bën krejt të parëndësishëm fabulën e pjesës. Poenta nuk bie te syzheu por te problemet që ngrenë personazhet në dalldisjet e dialogët e tyre, e që janë jo vetëm ekzistenciale e pragmatike, por edhe teorike, metafizike e politike. Për këtë tezë, mjafton të kujtojmë skenën kur dy aktorët që bëjnë provat i futen Sulos në shtëpi (sikur të mos u mjaftonte lokali) që aty të ushtrojnë rolet e tyre. Mpleksja e jetës private me atë intime sjell dhimbje e ankth tragjikomik për të. Ai është mbërthyer në shakullinën e këtyre dy realiteteve. Ai nuk mund ta gëzojë jetën sepse i janë ngatërruar keq dy jetët. Këtu nxjerr krye një problem i ndërlikuar psikologjik e teoriko-letrar e që lidhet me raportet e mjegullta të individit me Unin, Tjetrin e Demiurgun, që në teatrin botëror i pari këtë çështje e ka shtruar Luigji Pirandelo në dramën “ Gjashtë persona kërkojnë autor”.
Në këtë komedi, batutat, skeçet e situatat komike të goditura shfaqen natyrshëm dhe gati njëtrajtshëm. Ato bazohen jo vetëm te loja e shkëlqyer e aktorëve si romuzet,vulgaritetet, kapardisja, gjestikulacioni etj. por edhe te keqkuptimi, loja e fjalëve, ironia, dromcat burleske, aluzioni, parodia, sarkazmi, sharja, grotesku, paradoksi etj.
Suloja është, padyshim, komik, për arsye se është tip i mbyllur në guaskën e vet, ngurrues, i hutuar, i vonuar, romantik, tekanjoz, ëndërrimtar e fantast, por dhe i zgjuar sa për t’ua hedhur dy hafijeve e për t’u bërë simpatik në sytë e spektatorëve. Hafijet, siç ngjet rëndom në komedi, janë të trashë nga trutë, inferiorë, të ulët, që si thuhet në popull “ e hanë sapunin për djathë”, e kështu “ të këqijtë” bëhen të parrezikshëm realisht.
Afrimi “ i tepërt” me tema të identifikuara si aktuale (mbase edhe të nxehta) në një anë dhe batutat e bazuara te frazeologjia dialektore,edhe pse shumë të mirëpritura nga publiku, mund të errësojnë përmbajtjen dhe mesazhet e veprës, pas një periudhe kohe dhe në qendra të tjera. Problemet që shtron arti duhet të kenë një fije lidhjeje me realitetin, por jo të jenë të barasvlershme me të.
Megjithatë, Teatri i Tetovës, pas një heshtjeje të frikshme gati dy vjeçare e ngriti siparin. Të shpresojmë që kjo shfaqje do të jetë një ogur i mirë dhe në të ardhmen shfaqje të tilla e të tjera do ta pasurojnë jetën kulturore të Tetovës universitare.
*Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Gjimnazin e Tetovës
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment