Home | Culture | In Memoriam: Dr. Ardian Klosi (1957- 2012)

In Memoriam: Dr. Ardian Klosi (1957- 2012)

image
Biblioteka Kombëtare do të hapë dyert sot për mbajtjen e homazheve në nderim të publicistit, shkrimtarit, përkthyesit të njohur Ardian Klosi.

 
 
 
 
 
 
 
 
 
  
Miqtë dhe të afërmit do të kenë mundësi të bëjnë sot homazhe para trupit të pajetë të Ardian Klosit. Biblioteka Kombëtare do të hapë dyert sot për mbajtjen e homazheve në nderim të publicistit, shkrimtarit, përkthyesit të njohur Ardian Klosi.

Trupi i pajetë i tij do të vendoset në hollin e Bibliotekës Kombëtare sot, dhe nga ora 12.00-14.00 do të zhvillohen homazhet para përcjelljes së trupit të pajetë të Klosit për në banesën e fundit. 

 
Publicisti, përkthyesi dhe mendimtari, Ardian Klosi
 
 
Ardian Klosi, para se t’i jepte fund jetës, po përkthente “Kështjellën” e Kafkës dhe duket sikur edhe vetë ka humbur në labirintet absurde që krijon aty shkrimtari, duke lënë pa përfunduar një vepër që i dedikohet makthit të punëve pa përfundim, si jeta e tij. Ai ishte një nga përkthyesit më në zë nga gjermanishtja dhe një nga penat më autoritare në publicistikën shqiptare, duke i dhënë asaj volume pa fund esesh dhe shkrimesh.
 
Publicisti dhe përkthyesi Ardian Klosi u lind në vitin 1957, në Tiranë. U diplomua në fakultetin e Histori-Filologjisë në 1981 dhe në vitin 1990 mori doktoratën. Nga viti 1993-1998 ka jetuar në Gjermani. Si publicist, shkrimtar, përkthyes, aktivist i shoqërisë civile dhe mendimtar i njohur, ka botuar disa libra dhe ka sjellë në shqip autorët më në zë të letërsisë gjermane.
Në shqip atij i njihen disa botime publicistike. Në vitin 1991 boton “Refleksione”, bashkautor me Edi Ramën. Po atë vit del në shtyp “Shqipëria zgjim i dhunshëm” dhe në vitin 1993 “Quo vadis Shqipëri”. Në vitin 1993 boton në gjuhën gjermane “Mbijetesa shqiptare”. Në vitin 1997, ai rikthehet me një tjetër botim në publicistikë, “Shqipëria ç’mund të jetë” dhe me “Fjalor gjermanisht-shqip” (me W.Fiedler), si dhe mjaft tregime, ese, artikuj në shtypin shqiptar dhe të huaj. Vitet e fundit të jetës publicisti Klosi u shfaq dhe si aktivist i shoqërisë civile, ku mbështeti disa prej kauzave civile në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe në mbrojtje të mjedisit. Një vit më parë përgatiti për botim në bashkëpunim me Artan Lamen librin “Piramida e Tiranës, e hijshme, e braktisur, e rrezikuar”.  Por veprimtaria e Ardian Klosit është e lidhur veçanërisht me librat studimorë dhe me përkthimin.
 
Vitet e fundit ai themeloi dhe shtëpinë botuese K&B, duke sjellë botime nga autorë të njohur të letërsisë gjermane, si Heinrich Boll, Kafka e mjaft të tjerë,  por dhe botime në fushën e studimeve dhe filozofisë. Për punën e tij në këtë aspekt, Klosi është vlerësuar disa herë me çmime si përkthyesi më i mirë. Në vitin 2008, me përkthimin e veprës “Skënderbeu” të studiuesit Oliver Jens Schmitt, Ardian Klosi solli një imazh të ri të Heroit Kombëtar dhe ngjalli shumë debate në opinionin publik. Klosi kishte formuar një profil të njohur si një opinionist dhe mendimtar i temave politike dhe sociale në vend, duke u shndërruar në një figurë mediatike të njohur për publikun shqiptar.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00