Home | Culture | Logu

Logu

image
Hegeli do ta rifomulojë shumë qartë këtë ngjarje të drejtësisë, pikërisht në hullinë e krijimit emblematik të logut : « Hakmarrja dallohet qartë nga dënimi në këtë që ajo është një riparim i arritur nga një veprim i palës së lënduar, ndërsa dënimi është vepër e një gjykatësi.

 

 


Nga Henri Pena-Ruiz, filozof

 

 

 


O qytetarë të Atikës, ju që nesër do të gjykoni çështjet e para në lidhje me gjakun e derdhur, dëgjoni tani ligjin që do të vendos unë. Ky këshill gjykatësish do të jetojë sot e saherë tek populli i Egjeut. Selinë do ta ketë në këtë kodrinë të Aresit ku Amazonat patën hapur tendat e tyre, dhe ku nga urrejtja për Tezeun sollën luftën dhe ngritën përballë akropolit kullat e një qyteti të ri që ia blatuan Aresit, nga i cili e mori emrin dhe ky shkëmb këtu (areopage, log, shënimi im). Mbi këtë kodrinë, Respekti dhe motra e vet Frika do t’i pengojnë qytetarët, si ditën dhe natën, të kryejnë krime, me kusht që të mos luajnë me ligjet e tyre. Nëse një burim të kulluar e ndotim me llumra dhe prurje të pista, atëherë s’do të kemi ç’të pijmë. As anarki as despotizëm, e tillë është deviza që iu këshilloj qytetarëve, për ta ushtruar dhe nderuar, dhe gjithashtu për të mos e dëbuar frikën nga qyteti ; sepse, e cili i vdekshëm do të mbetet i drejtë nëse ska frikë nga asgjë ? Nëse e nderoni, ashtu si duhet, këtë pushtet të paprekshëm, ju do të keni këtu një mburojë për vendin dhe qytetin tuaj, një mburojë si asnjë tjetër në botë, që s’ekziston as tek Skitët, as në viset e Pelopsit. E pakorruptueshme, e madhërishme, e pamëshirshme, roje e pagjumë që ruan mbi qytetin e përfjetur, e tillë do të jetë gjykata që po e themeloj unë.

Eskili, Eumenidet, vargjet 684-702.


Nga çfarë na shpëton ligji dhe drejtësia ? Këtë na e thotë historia legjendare e Atridëve. Tragjedi e përgjakshme e hakmarrjes së përsëritur, në gjirin e së njëjtës familje. Gjaku i derdhur thërret gjakun. Gjakmarrja e pakufizuar, e cila copëton gjithçka, duke mpleksur përgjithmonë kujtesën dhe tmerrin. Mallkimi, brez pas brezi, ringjitet tek grindja zanafillore e dy vëllezërve, Atreut dhe Tiestit, rivalë për fronin e Mikenait. Atreu vret djemtë e vëllait, dhe ia jep t’i hajë në një gosti. I biri i Tiestit vret Atreun dhe i ati bëhet sërish mbret i Mikenait. I biri i Atreut, Agamemnoni, e dëbon Tiestin dhe ia zë fronin. Në krye të një ekspedite luftarake kundër Trojës, ai flijon të bijën Efigjeninë, me qëllim që erërat t’i kthehen në krah. Egisti, vetë i biri i Tiestit, bëhet dashnor i Klitemnestrës, gruas së Agamemnonit. Ky i fundit, pas kthimit fitimtar nga Troja, vritet nga Egisti dhe Klitemnestra. Dhe në fund, Oresti, i rikthyer në Mikenai, vret Egistin dhe Klitemnestrën.
Hakmarrja e përsëritur, edhe si gjëmë, edhe si udhëpakrye. Kush derdh gjakun e një njeriu, përgatitet ta shohë të vetin duke u derdhur. Këtu, i njëjti gjak s’pushon së derdhuri. Simbolikisht, njerëzimi e përjeton tragjedinë e hakmarrjes si një çështje familjare. Familje e mallkuar kjo, ku vrasja përcillet nga brezi në brez, deri në neveri, e cila i kap dhe vetë zotat. Kur do të përfundojë kjo vrasje ?


Athina iu flet atëherë « qytetarëve të Atikës ». Mbretërimi i hakmarrjes ka zgjatur mjaft. Cikli kobzi i Atridëve shkon drejt fundit. Domethënë, rrethi i mbyllur i dhunës që thërret dhunën s’mund të bëjë tjetër veç të thyhet dhe t’ia lëshojë vendin një logjike tjetër. A duhet dhe Oresti, si vrasësi i fundit hakmarrës, të vritet dhe ai ? Erinetë, hyjnesha të tërbuara të hakmarrjes, e kërkojnë këtë vdekje. Si meçka nate dhe gjaku që me ulërimat e tyre gërricin kujtesën e pangopur, ato e nxisin kohën sepse drejtësia e tyre s’mund të shtyhet më. Sa herë që binte dikush, ato i bënin thirrje padurimit dhe vdekjes së radhës. Por mbretërimi i tyre ka marrë fund, nëse zotat, apo njerëzimi që vetëdijsohet për gjëmën e vet pa fund, e dëshirojnë këtë.
Athina vendos largësinë dhe pezullon kohën. Askush s’mund të gjykojë, nëse gjendet i mpleksur në njërin apo tjetrin krah. Por s’mund të gjykojë as edhe një njeri i vetëm, sepse ka shumë të ngjarë që drejtësia të varet vetëm nga një mendim. Duhet pra një tubim, që do të marrë kohë të debatojë dhe vendosë. Një kohë e veçantë kjo, e shkëputur nga vuajtjet dhe mundimet e drejtpërdrejta që kërkojnë shpagim të menjëhershëm. Procedurat dhe debatet, rrëfimet dhe shqyrtimet e arsyetuara, i mbajnë pasionet jashtë vendit dhe kohës së drejtësisë. Në kodrinën e lashtë të Aresit, zotit të Luftës, formohet një grup gjykatësish dhe togat e tyre të njëjta nxjerrin në pah madhështinë e tyre, duke i çliruar nga veçoritë e gjithsecilit. Kemi lindjen e logut.


Dhuna subjektive e dëshirës për hakmarrje, dhe ekuacionet kobzeza të të plagosurve dhe të vdekurve, zëvendësohen nga refleksioni i shumë zërave, refleksion i heshtur i cili mundëson shkoqitjen e çdo zëri. Dialogu i arsyetuar, ngadalësia e procedurave dhe leximeve i bëjnë ligjet e përbashkëta që të jetojnë sipas ritmit të vet, një ritëm ky i përcaktuar nga meraku për të qenë të drejtë. Vendimi vjen në një kohë të zbutur e të qetësuar, kusht dhe rezultat i së cilës është vetë logu. Të njohura nga të gjithë, dhe gjithmonë të lidhura me faktet e veçanta që i motivojnë, gjykimet do të kenë shumë shpejt një vlerë shembullore. Gjykata e drejtësisë ku çdo gjë peshohet në mungesë të pasioneve, bëhet mishërim i idealit.


Oresti pret fatin e vet. Ushtritë janë në prehje, asgjë s’kurdiset tinëz, pavarësisht ankimeve të shurdhëra të Erineve.
Athina përzihet me gjykatësit e çështjes së parë në lidhje me gjakun e derdhur. A do ta lirojnë Orestin ? Votat dalin baraz. Pritet vota e Athinës, dhe ajo voton për të.
Është e qartë, cikli i dhunës është thyer. Nuk bëhet fjalë për të pafajësuar, por liruar, sepse logu përuron një periudhë të re dhe s’mund të varet më nga periudha e vjetër.
Fillon era e së drejtës. Erinetë rikthehen në hije dhe turfullimet prej shtazërie bruto përfundojnë në funksionin e tyre të ri, të parashikuar nga Athina. Tashmë roje të fshehta të Qytetit, ato do të jenë « Eumenidet », « tejet të mirat ». Me këtë emërtim të ri, kërkohet dashamirësia e tyre, ana e butë e syçeltësisë së tyre. Sepse, si kujtesë e asaj ç’mund të ndodhë me njerëzimin nëse dhuna fiton sërish, ato rrinë në pritje, në dëm të ligjeve dhe drejtësisë.
Një tjetër tekst, Bibla, e përmend këtë lloj prehistorie të së drejtës që është ligji i Talionit. Talioni vjen nga latinishtja talis (« i tillë »). Si krimi, ashtu ndëshkimi. « Sy për sy, dhëmb për dhëmb » (Eksodi, 21, 23-25 ; Deuteronomi, 19, 21). Ligji zbatohet për të gjithë. Bëhet fjalë për të rregulluar hakmarrjen, por duke e pranuar atë : dhunës pa caqe të atij i cili mendon të hakmerret njëqind fish për një fyerje, e frymëzuar kjo nga Kodi i Hammurabit, i kundërvihet një kërkesë e rreptë për përputhje mes krimit dhe ndëshkimit. Hap i parë ky drejt drejtësisë. Por duhet ende një hap tjetër. Shpikja e logut, pleqësia e të tretëve që do të gjykojnë aq më mirë po të jenë të jashtëm ndaj palëve, thotë gjithashtu se askush s’mund ta vendosë vetë drejtësinë, qoftë dhe duke iu përmbajtur barazimit të saktë mes ndëshkimit dhe fajit.
Që hakmarrja të zhduket nga rendi juridik, duhet që pasioni të mposhtet në etikën e marrëdhënieve mes njerëzve. Duhet dalë nga rrethi i dhunës pa fund, nga gjakmarrja e pamëshirshme. Kjo është vështirësia e një tronditjeje të tillë të përshkruar nga Merimée në Kolomba, ku heroi, Orso della Rebbia, nxitet me pahir që të marrë hak kundër Barrincinëve, si vrasës të hamendësuar të të atit.

Është pikërisht kundër këtij shfrenimi kobzi që mund të marrin kuptim formulimet paradoksale që Ungjillët ia kanë mveshur Krishtit : « Duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë, bekojini ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që ju shajnë. Ai që të qëllon në njërën faqe, kthejani tjetrën ; dhe ai që ta merr pelerinën, mos e pengo të ta marrë dhe tunikën » (Ungjilli sipas Lukës, 6, 27-29).

Në rendin juridik, dhënia e së drejtës për të ndëshkuar një instance të ndryshme nga viktima, do të jetë vendimtare. Ashtu si ideja që paqja civile nënkupton pëlqimin e përgjithshëm të një ligji të përbashkët dhe një instancë të paanshme gjykimi. Por është sidomos shkëputja nga çdo logjikë hakmarrjeje ajo që do të vulosë ardhjen e drejtësisë. Nga ku rrjedh formulimi i prerë i një parimi : « Askush ska të drejtë ta vendosë vetë drejtësinë. »
Hegeli do ta rifomulojë shumë qartë këtë ngjarje të drejtësisë, pikërisht në hullinë e krijimit emblematik të logut : « Hakmarrja dallohet qartë nga dënimi në këtë që ajo është një riparim i arritur nga një veprim i palës së lënduar, ndërsa dënimi është vepër e një gjykatësi. Ja përse duhet që riparimi të kryhet nëpërmjet dënimit, sepse tek hakmarrja ndërhyn pasioni dhe për rrjedhojë e drejta gjendet e turbulluar. Për më tepër, hakmarrja nuk ka formën e së drejtës por të arbitraritetit, sepse pala e lënduar vepron gjithmonë me ndjenja ose me një shtysë subjektive. Kështu, e drejta që merr formën e hakmarrjes përbën vetë një lëndim të ri ; ajo përjetohet thjesht si një sjellje individuale dhe shkakton, pashmangshmërisht dhe pafundësisht, hakmarrje të reja » (Hegel, Parahyrje filozofike, § 21.) ■

 

© 2001, Henri Pena-Ruiz, profesor filozofie në Paris, në liceun Fenelon dhe në Institutin e studimeve politike.

© Urim Nerguti, 2012, për përkthimin shqip.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00