Home | Culture | Rrënimi i “Shtëpisë së Pavarësisë”, një goditje e pabesë ndaj Rilindasve

Rrënimi i “Shtëpisë së Pavarësisë”, një goditje e pabesë ndaj Rilindasve

image
Por nuk është rrënuar vetëm shtëpia ku ngriti flamurin e pavarësisë më 1916 Themistokli Gërmenji, po kështu është dëmtuar dhe shtëpia e Luigj Gurakuqit ...

 

 

 


Nga Pirro Prifti

 

 

 


Rrënimi i “Shtëpisë së Pavarësisë” para disa ditësh në Korçë nëpërmjet futjes së një buldozeri natën, është një paralajmërim i trishtë që i vjen historisë së Shqipërisë nga dy qarqe me të vërtetë antishqiptare të sotme:

 - Mafia e biznesit të ndërtimit, e cila nuk pyet për ligje, tradita dhe të drejta juridike.
-Së dyti, nga grupi i politikanëve anti-rilindas, të cilët nën maskën e luftës kundër trashëgimisë ish-komuniste po përpiqen të shkulin dhe nëse e kanë të pamundur, të lënë në harresë e të injorojnë Rilindjen e vërtetë shqiptare, e cila kontribuoi në mënyrë thelbësore në pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, si dhe në formimin e shtetit të ri shqiptar.


Por nuk është rrënuar vetëm shtëpia ku ngriti flamurin e pavarësisë më 1916 Themistokli Gërmenji, po kështu është dëmtuar dhe shtëpia e Luigj Gurakuqit ((http://gazeta-shqip.com/lajme/2012/07/27/vehbi-hoti-e-turpshme-qe-u-shkaterrua-shtepia-muze-e-gurakuqit/). Dhe nëse shtëpia e tij po rikonstruktohet, kjo e Korçës ka problem më të thella. Është e vërtetë që ideologjia komuniste injoroi disa figura të rëndësishme të kohës së formimit të shtetit shqiptar si Gjergj Fishta, parlamentarë shqiptarë dhe pjesëmarrës në ngritjen e flamurit në Vlorë, disa parlamentarë të nderuar, të cilët u vranë dhe u dënuan gjatë dhe pas luftës nacional çlirimtare, disa poetë dhe shkrimtarë, e plot intelektualë të ndershëm, dhe u bë mirë që u rehabilituan.
Problemi që po ngre sot është se ashtu si ka ndodhur në Shqipëri disa herë gjatë historisë së saj që kastat politike ndërhyjnë me qëllim dhe pa të drejtë në vendosjen e disa individëve si heronj të vendit dhe injorimin e disa të tjerëve të cilët faktikisht kanë dhënë kontribut thelbësor në pavarësinë e vendit. Unë këtu po ngre këtu zërin për injorimin e disa rilindësve, të cilët kanë bustet e tyre, shtëpitë e tyre i kanë muze dhe jo vetëm që nga koha e PPSH, por edhe që nga koha e Ahmet Zogut si Themistokli Germënji, Mihal Grameno, Thimi Mitko, Grupi i rilindasve që vinin nga Bukureshti, dhe nga Sofia e Bullgarisë, figurën e Fan Nolit dhe të ` Vatrës` dhe të disa dhjetra rilindasve që sot nuk përmenden më as në historinë e Shqipërisë të teksteve të sotme dhe as në Almanaket, duke harruar ashtu si pa qëllim datat e lindjeve, të vdekjeve, bëmat e tyre dhe përpjekjet e tyre për të bërë Shqipërinë, që po shfrytëzojnë sot individët e sipërpërmendur. Çështja ngrihet në parim, sepse tashmë po duket qëllimi i të grupeve të sipërpërmendura, të cilët me interesa krejt të kundërta po luftojnë kundër Rilindasve dhe Rilindjes kombëtare: Njëra palë për të përfituar financiarisht, nga pala tjetër e cila ka gëlltitur “lugën e çorbës” së tradhëtisë për të plotësuar angazhimet e marra në kulisat e shteteve të tjera. Një fakt interesant është mohimi i Rilindasve të krishterë, i cili duhet analizuar se përse po ndodh që pas 1997 intensivisht, por ka filluar që pas `90. Mendoj se shkak nuk është shkulja e trashëgimisë komuniste (që çuditërisht po bëhet nga ish- nomeklatura e kuqe në drejtim që pas `90). Këtë ju mund ta shihni në pasazhet kundër Fan Nolit, dhe rilindasve të tjerë ortodoksë si Mihal Grameno, i cili ishte një nga të parët që e bëri të njohur Çerçiz Topullin, ishte një nga të parët që ka marrë pension të përjetshëm nga Ahmet Zogu, etj., etj.


Është e qartë se këtu nuk janë përfshirë komunitetet fetare, të cilat duhen përgëzuar të paktën jo vetëm për tolerancën e tyre por dhe për indiferencën ndaj politikës; megjithatë raste të kërkesave të nderimit për heronj të disa individëve të cilat për ndonjë komunitet tjetër fetar ata janë tradhëtare- ka si p.sh., problem i Ballaban Pashë Baderës, Ali Pashë Tepelenës, disa pashallarëve e bejlerëve që morën pjesë në Lidhjen e Prizrenit, të cilët nënshkruan famëkeqen Kahrarname, e cila shkatërroi shpresat për krijimin e një shteti të madh shqiptar në rastin e Kongresit të Berlinit më 10 qershor 1878, etj. Këto kërkojnë studime nga historianët dhe jo nga politikanët, dhe këta personazhë janë historikë, por jo heronj.
Më bëri përshtypje një koment interesant për problemin e shembjes së shtëpisë së Pavarësisë në Korçë, koment i cili thoshte: “Problemin le ta shohim me thjeshtë: Në Korçë, Themistokliu apo Mistoja si ortodoks ngriti flamurin për pavarësi të Korçës prej grekëve dhe myslimanëve, për pasojë, myslimanët e Shqipërisë nuk e dëshironin Themistokliun dhe veprën e tij, po kështu edhe greku”.
Ismail Qemali, mysliman shqiptar i konvertuar, ngriti flamurin në Vlorë, për pavarësi nga Turqia, por myslimanët e Shqipërisë nuk e fundosën Ismailin sikundër lihej në hije derisa ja rrëzuan edhe shtëpinë Themistokliut”. (http://shekulli.com.al/web/p.php?id=3231&kat=94).


Pak Histori. Shtëpia ku patrioti Themistokli Gërmenji më 10 dhjetor 1916 ngriti flamurin e shpalljes së Korçës krahinë autonome, e cila u shemb një javë më parë, do të jetë gati (e ringritur plotësisht), ditën e 100-vjetorit të shpallej së Pavarësisë, pra më 28 nëntor. Kjo shtëpi gjatë viteve 1916-1917 shërbeu si seli e qeverisë së krahinës autonome të Korçës. Në qendër të Korçës, në një nga bulevardet kryesore të qytetit, i cili mban emrin e ish-kishës së madhe të Shën Gjergjit, përballë bibliotekës “Thimi Mitko”, gjendet një godinë rishtas e rrënuar. Ndërtesa është ngritur rreth viteve 1880-1885 në bulevardin kryesor të Korçës së asaj kohe. Si fillim, ishte pronë e familjes Sugari, prej së cilës ka dalë i shquari profesor i fizkulturës në Liceun francez Sotir Sugari. Ai ishte njëkohësisht nga të parët që organizoi në qytet aktivitetet e ndryshme artistike e fizkulturore, duke dhënë një kontribut tepër të madh në ngritjen kulturale të qytetit. Me nisjen e Luftës së Parë Botërore dhe me hyrjen e trupave e ushtrive të huaja në Korçë, kjo godinë u okupua nga ushtria franceze për t’u bërë qendra e veprimtarisë së tyre politiko-ushtarake. U zgjodh kjo shtëpi, ngaqë në të gjithë atë bulevard ishte e vetmja me ballkonin që shihte nga rruga. Dhe kjo përzgjedhje u bë me qëllim: që në atë ballkon të dukej mirë flamuri francez kur të valëvitej. Duke shfrytëzuar mosmarrëveshjet e ushtrisë greke me atë franceze, patriotët korçarë fillimisht me anë të një kërkese iu drejtuan kolonelit francez De Burnazel, të cilit i kërkuan që Korça dhe rrethinat e saj të administroheshin nga shqiptarët nën juridiksionin ushtarak francez. Kërkesa e patriotëve shqiptarë u prit menjëherë prej francezit, i cili pasi kontaktoi me komandën ushtarake, me bashkëpunimin e kolonel Dekoenit, vendosën që këtë kërkesë të patriotëve korçarë ta pranojnë. Nga ana tjetër, vetë Themistokli Gërmenji, i kthyer nga Bullgaria, u ndal në zonën e Pogradecit, ku kërkoi kontakte dhe bisedime me autoritetet franceze, me të cilat ra dakord për pikat e programit. Fillimi i muajit dhjetor në vitin 1916 e gjeti Gërmenjin në Korçë.

Në shtëpinë e tij u mbajtën mbledhjet për përcaktimin e këshillit dhe administratës shqiptare e u vendos që Korça, për arsye të ruajtjes së tolerancës fetare, të përfaqësohej me 14 delegatë, 7 myslimanë e 7 të krishterë. “Në mëngjesin e datës 10 dhjetor, një turmë njerëzish pritën para shtëpisë së tij Themistokliun, i cili doli në bulevard aty nga ora nëntë e ca e mëngjesit dhe i vënë në krye të turmës, me lumturinë e shpirtit të tij, që i pasqyrohej në sy, zbriti dhe hyri në godinën e prefekturës franceze”, shkruan dr. Haki Mborja, si dëshmitar i ditës së 10 dhjetorit 1916. Në këtë godinë, në maj të vitit 1920 u ngrit flamuri shqiptar për të dytën herë nga dora e patriotit të madh Vasil Tromara, veprim ky që zyrtarizoi Korçën si shqiptare dhe u dha fund provokimeve territoriale të fqinjëve. “Shtëpia e Sugarëve” vazhdoi të ishte akoma në shërbim të administratës shqiptare. Aty u vendosën zyrat e gjendjes civile të Korçës dhe aktet e tjera deri në akomodimin e ndërtesës së Bashkisë së qytetit, e cila ndodhej disa metra më poshtë. (http://gazeta-shqip.com/lajme/2012/08/21/selia-e-republikes-rrezohet-cfare-humbjeje/)


Interesant është fakti që `Shtëpia e Pavarësisë` në kohën e demokracisë ndërroi destinacion pikërisht për faj të pushtetarëve lokalë duke u bërë sallon krehjeje, bilardo etj. Çfarë turpi! Një mungesë respekti totale. Sensibilizimi për këtë problem shqetësues e kam ngritur disa herë, dhe nëse qetësoj shpirtin tim me botimin e këtij shkrimi, problem mbetet dhe i takon publikut dhe mediave që ta kuptojnë se sa e vështirë është kur politika dikton interesat e saj në historinë e vendit, në një kohë që duhet të ndodhte e kundërta. Është e vërtetë që “Bashkë me shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë dhe me atë të Kongresit të Lushnjës, kjo ishte godina më me shumë rëndësi historike në Shqipëri”. Lajmi i mirë janë fjalët e Niko Peleshit dhe të Abaz Hafos të cilët pohuan shembjen e qëllimtë por dhe dëshirën e mirë për ta rindërtuar. Problemi qëndron kush do ti përkujtojë?

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00