Diplomati që mori Çmimin Nobel në Letërsi – Jorgo Seferis
Jorgos Seferis është pseudonimi i poetit të famshëm grek Jorgos Seferiadis që lindi më 13 Mars 1900 në Izmir dhe ndërroi jetë në 20 Shtator 1971. Poet, eseist dhe diplomat grek që mori Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1963.
Nga Arjan Th Kallço
Më datën 20 Shtator mbushen plot 42 vjet nga ndarja me poetin e madh grek Jorgos Seferis. Vitet kalojnë, por poeti kujtohet gjithmonë në çdo vend ku shkoi dhe studjoi, ku punoi si diplomat, ku krijoi vargjet e tij të mrekullueshme gjithë shkëlqim surrealiste, ku shkroi vepra që ende mbeten gjatë në kujtesën e letërsidashësve në mbarë botën. Figura të tilla të letërsisë botërore nuk mund të kalojnë pa u vënë re apo pa u përkujtuar, pasi tek veprat e tyre gjejmë pathosin, dashurinë, frymëzimin tonë që të shohim tek e shkuara gjithçka të mirë që ata na lanë, por edhe të njihemi me jetën dhe kushtet në të cilat jetuan dhe punuan. Të njihemi me tiranitë që shpesh artin janë përpjekur ta futin nën kontrollin e tyre apo që ta përdornin si propogandë për botën që duhet të ecte sipas kutit të tyre dhe jo sipas rrjedhës normale. Të njihemi me heronjtë e vërtetë që u bënë drita me të cilën duhet të shihnim botën që të ecnim në rrugët e drejta edhe pse të vështira të nëj arti të vërtetë dhe jo të një arti në shërbim. Por si edhe më parë këngëtorë të oborrtarëve tiranë edhe sot në kohët tona moderne nuk mungojnë, duke i bërë një shërbim shumë të keq artit, kulturës dhe të gjithë traditës së pasur dhe magjepsëse të brezave.
E ndërsa rrëkesha të shkruaja për këtë poet që i kapërcen kufijtë e atdheut të vet, autori është përkthyer në shumë gjuhë dhe vende, nuk mund të mos më shkonte mendja tek një tjetër diplomat, këtë herë amerikan, që humbi jetën në mënyrë tragjikë në Libi. Një fat i mbrapshtë që rrallë herë e godet diplomacinë, pasi është arti i komunikimit dhe i gjetjes së rrugëzgjidhjeve të nevojshme të kontradiktave, bile edhe në minutën e fundit, pa iu referuar shprehimisht dhe detyrimisht armëve apo luftës. Një rast tragjik që së shpejti do të zbardhet për të mësuar një të vërtetë, nëse një e tillë do të gjendet apo do të serviret, ashtu siç kemi shpresuar dhe ëndërruar gjithmonë tek diplomacia e vërtetë e hapur dhe e pastër. Diplomacia dhe letërsia – mendoj se është binomi më fatlumë në shoqëri, pasi nuk ndodh shpesh që diplomati të bëhet poet, apo poeti të bëhet diplomat, edhe pse është zgjidhja më e gjetur e dy drejtimeve që delikatesën e kanë thelbin e vet të shfaqjes, vetëdijën që duhet të bëhet koshiencë dhe që i mungon poltikës. Disa kohë më parë në kthim nga një përvojë tepër positive në Itali, i nxitur edhe nga emri i Seferisit, nga gjenia e tij letrare, nga fakti se jetoi për gati dy vjet në Korçë, nga afria me fqinjët tanë, i propozova Bashkisë një projekt ku të krijohej një park letrar që të mbante emrin e Seferisit korçar. Kanë kaluar muaj dhe nuk ka asnjë përgjigje për propozimin tim, (artikullin sa për kujtesë mund ta gjeni të gjithë në internet në fundvitin 20110, që besoj se do të krijonte një hapësirë të gjerë komunikimi mes dy vendeve dhe një bashkëpunim reciprok, për më tepër gjithëpërfshirës, jo vetëm kulturor. Ndoshta mungojnë fondet, ndoshta ka paragjykime, ndoshta është një përvojë e parrahur tek ne dhe nuk dihet rezultati. Nëse do të kishte pak guxim, le ta provojmë një herë dhe më pas të reflektojmë, këtë vit, të paktën vitin e ardhshëm që është 50 vjetori i marrjes së Çmimit Nobel, lidhur me këto përvoja shumë pozitive perëndimore.
Pak histori e jetës dhe e veprave të poetit Seferis
Jorgos Seferis është pseudonimi i poetit të famshëm grek Jorgos Seferiadis që lindi më 13 Mars 1900 në Izmir dhe ndërroi jetë në 20 Shtator 1971. Poet, eseist dhe diplomat grek që mori Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1963. E braktisi Azinë e vogël kur ishte ende adoleshent dhe ndoqi liceun në Athinë. Kur familja e tij u transferua në Paris, hyri në Fakultetin e drejtësisë, kujtojmë se babai i tij ishte jurist dhe letrar i njohur. Ngjarjet e vitit 1922 ndikuan thellë në shpirtin e të riut që në vazhdim do të fliste në poezinë e tij për popuj dhe qytetërime në mërgim. U kthye në Athinë në vitin 1925 dhe dhe hyri në diplomaci duke patur një karrierë të shkëlqyer tek merrte detyra të rëndësishme në disa vende si Angli dhe Shqipëri nga viti 1936-1938. Gjatë Luftës së Dytë shkoi bashkë me qeverinë në mërgim në Kretë, Egjipt, Afrikën e veriut dhe Itali. U kthye përsëri në Athinë në vitin 1944 në mbarim të luftës. Rifilloi punën si diplomat dhe u bë ambasador në Turqi, Londër, Liban, Siri, Jordani, Irak, dhe së fundi përsëri në Londër derisa doli në pension. Në Paris kishte patur lidhje intensive në mjedisin artistik. Në Londër u njoh me poezinë e Eliotit dhe me autorë francezë si Malarmeja dhe Valeri, përkthimet e tija e ndihmuan në studimet e mëtejshme. Një pjesë jete e kaloi në Shqipëri, në Afrikën e veriut dhe në Lindjen e mesme. Fundi ynë është i sigurtë – thoshte Kavafisi – megjithatë poezia ende është e dobishme dhe na mëson që të reflektojmë një qind herë para se të flasim, pohoi Seferisi në një fjalim të vetin. Kush i ngre gurët peshë, bie menjëherë – janë fjalët e tij kundër çdo forme të tiranisë.. këta gurë i ngrita derisa munda / këta gurë i pëlqeva derisa munda…
Veprat
Kthesa 1931
Çisterna 1932
Legjenda dhe Katalia 1935
Fletore e ushtrimeve 1940
Gazeta e Bordit I ,1940
Gazeta e Bordit II ,1944
Gazeta e bordit III , 1955
Poezi 1961
Tre poezi sekrete 1966
E gjithë bota është atdheu i poezisë.
Në vitin 1963 Seferisi pati nderin dhe gëzimin që të ndodhej në Oslo, në atë sallë ku kishin qënë edhe shumë poetë dhe shkrimtarë të tjerë para tij, para asaj jurie dhe atij publiku dhe të mbante fjalën e tij tepër kuptimplote tek shpaloste patriotizmin e tij dhe dashurinë e pafundme për poezinë. Motivimi i dhënies së çmimit më prestigjoz ishte : Për lirikat e tij të menjëhershme, të frymëzuara nga dashuria e thellë për botën kulturore helene. Disa nga vargjet e tij u muzikuan nga kompozitori i njohur grek Mikis Teodorakis. Më poshtë po sjell një pasazh nga kjo fjalë që mban titullin :E gjithë bota është atdheu i poezisë.
“I përkas një vendi të vogël. Një dalje shkëmbore në Mesdhe, asgjë nuk e dallon vetëm përpjekjet e njerëzve të vet, deti dhe drita e diellit. Është një vend i vogël, por tradita e tij është e pafund dhe u trashëgua gjatë shekujve pa ndërprerje. Gjuha greke nuk pushoi kurrë se foluri. Kaloi përmes të gjitha ndryshimeve ku kalojnë gjërat e gjalla, por kurrë nuk pati thyerje. Kjo traditë karakterizohet nga dashuria për njeriun; drejtësia është rregulli i saj. Në tragjeditë klasike njeriu që e kalon masën ndëshkohet prej Erinit. Ky ligj i drejtësië ka vlerë edhe në mbretërinë e natyrës. Është kuptimplote që Suedia dëshiron ta nderojë poezinë, edhe kur origjina është nga një vend i vogël. Sepse besoj se poezia është e nevojshme në këtë botë moderne në të cilën jemi prekur nga ankthi dhe frika. Poezia i ka rrënjët e veta tek frymëmarrja njerëzore : e çfarë do të ishim nëse ajo do të mungonte? Poezia nuk është një akt besimi : kush e di nëse sikleti ynë nuk varet nga mungesa e besimit? Sot duhet ta dëgjojmë atë zë njerëzor që e quajmë poezi, atë zë që gjithnjë rrezikon të shuhet nga mungesa e dashurisë, por që rilind gjithmonë. Kërcënon, e gjen gjithmonë një strehë. Kur e refuzojnë, i hedh përsëri rrënjët në vendet që nuk i marrim me mend. Nuk bën dallim midis vendeve të mëdhenj apo të vegjël; atdheu i vet është në zemrën e njerëzve të të gjithë botës; ka forcën e shmangies së rrethit vicioz të zakonit”.
Pas Nobelit, Nobelisti Seferis mori shumë vlerësime dhe diploma ad honorem për veprimtarinë e vet letrare në Amerikë nga Universiteti i Kembrixhit, 1960, Oksfordit 1964, Princetonit 1965 dhe në Europë nga ai i Selanikut 1964.
Seferisi është poeti grek më i njohur në botë bashkë me Kavafinsin, Elitisin dhe Ritson. Surrealistë të tjerë janë Embrikosi dhe Elitisi. Një drejtimi tjetër interesant është ai orfik me Sikelianosin, Kazancakin, Kariotakisin dhe krepuskolari Agras. Intelektual fin ai njihte shumë letërsi klasike dhe të gjitha rrymat kulturore europiane të kohës. Në kritikën italiane poeti ka një vend të rëndësishëm dhe janë të shumta shkrimet për veprat e tija. Në morinë e tyre po shkëpus një pasazh që mendoj se nxjerrin në pah atë që theksova më sipër lidhur me patriotizmin, por edhe problematikën e njeriut modern: Poezia e tij esenciale, ndonjeherë hermetike karakterizohet nga ndjenja e të qënit grek; kategori origjinale e shpirtit për ta interpretuar realitetin dhe gjendjen njerëzore. Poet me kulturë fine, është autor i lirikave ku pejsazhi, melankonia e mërgimit dhe shqetësimet e njeriut modern shprehen me një gjuhë konkrete dhe aluzive.
Italia dhe Seferisi
Periudhën e fundit të krijimtarisë së tij e shkroi në Itali, në mbarim të Luftës së dytë botërore, ku shfaqen referime tipike ndaj pamundësisë së qënieve dhe sendeve në jetë. Në Itali pjesa më e madhe e veprave është përkthyer nga Pontani. Në gusht të këtij viti doli romani i tij Gjashtë netë në Akropoli, botim i dytë i shtëpisë La Zisa që është romani i vetëm i Seferisit dhe i pari në versionin italisht. Romani, i ngjizur në vitet e rinisë, u ripunua në vitet e pjekurisë dhe me të drejtë mund të konsiderohet një roman i formimit sui generis, i riparë dhe i pasuruar në dritën e përvojave të ndryshme kulturore të autorit, duke konsideruar edhe udhëtimet e tij të shumta, si në kuadrin grek të origjinës së tij, ashtu edhe në atë europian. Vepra mishëron një përzjerrje nga ana formale dhe kalohet nga tregimtaria, në ditar dhe prozë lirike. Karakteristikë themelore e veprës është një shkëmbim i pandërprerë i roleve mes errësirës dhe personave të gjallë, si dhe kalimi nga regjistri i relaitetit tek ai i ëndrrës dhe fantazisë.
I bindur se humnera do të jetë gjithmonë një pus pa fund, shkroi për dobinë e poezisë. Në veprën e tij zhgënjimi i Greqisë bëhet simbol dhe metaforë e një zhgënjimi më të gjerë që lidhet me shoqërinë bashkëkohore. Zhgënjimi shoqërohet nga një impenjim i fortë moral, ashut si pejsazhi grek i gurtë pret erën e detit, ritmin e vet të gjerë dhe jetësor. I këndoi jaseminit që mbeti i bardhë edhe pse bëhej natë dhe tek kjo qënie greke të demistifikuar të futur në një kozmologji patetike të kohëzgjatjes dhe dhimbjes qëndron joshja e Seferisit.
Intermexo gëzimi
Ishim plot me gëzim gjithë atë mëngjes
O Zot, çfarë gëzimi.
Më parë ndritnin gurët, gjethet, lulet dhe pastaj dielli
Një diell i madh gjithë gjemba, kaq lart në qiell.
Një nimfë i priste ankthet tona dhe i varte në pemë,
Një pyll me pemë të Judës….
Ishim plot me gëzim gjithë mëngjesin:
Ishte humnera e një pusi të mbyllur
Aty shkelte këmba e butë e një faune pa mjekër
Të kujtohet e qeshura e saj? Çfarë gëzimi!
Pastaj re, shi dhe toka e lagur.
Ti nuk qeshe më kurrë në kasolle
Shqyeve sytë e tu të mëdhenj, duke pare
Arkengjëllin të stërvitej me shpatën e zjarrit-
Është një mister – thoshe – një mister
Unë nuk i kuptoj njerëzit:
Sado që argëtohen
Me ngjyrat, janë të gjithë zeher. (A.K)
Në Itali është shkruar për jetën dhe veprën e tij edhe në enciklopedinë më të madhe italiane, Treccani, ku midis të tjerash thuhet se pelegrinazhet e imponuara nga detyra, përfshirë edhe ato pas qeverisë greke pas pushtimit fashist, rrënjosën tek shpirti i tij ndjenjën e mërgimit, e eksperimentuar më parë me eksodin e popullsisë greke nga Azia e vogël pas traktatit të Lozanës 1923. Poezitë e debutimit ndoqën rrugën e simbolizmit francez të Valerisë, duke dhënë origjinalitetin e ecurisë hermetiko-aluzive dhe koherencën e fortë të gjuhës dhe ritmit…Paramendimi i konfliktit botëror dhe provat e hidhura të përballuara gjatë viteve të mërgimit i errësojnë poezitë e Gazetës së Bordit I dhe më shumë tek II. Fryt i ndjenjave kontradiktore të ngjallura nga kthimi në atdhe ishte poema Mëllenja, një kryevepër e letërsisë të të gjitha kohëve që lëviz nga humnera e errët e luftës dhe e luftrave vëllavrasëse drejt dritës së një shprese të përkohëshme.
Një antologji tjetër e poetëve të viteve ‘900, të botuar nga Nikola Kroçeti, me shtëpinë botuese me të njëjtin emër, të specializuar në letërsinë neogreke, përfshin edhe Seferisin, dhe daton që nga fillimet e poezisë neogreke në fund të viteve ‘700, kur lindi idea kulturore dhe politike e Greqisë moderne, pra gati dy shekuj me poezi.
Comments (0 posted)
Post your comment