Kuvendi i Berlinit
Toka arbnore,tokë me nâm (Blé me pash e shitë me pllâmë, Pashi argjand, pllâma florî,) N' daç per bjeshkë e n' daç per vrrî...
Gjergj Fishta
Deh! oj Zânë, tý t' kjosha true!
A thue din ti me m'kallxue,
Se ç'ká ndêjë tue bumbullue
Andej larg kah Rumelija,
Ka' ajo Plevna e Bulgarija?
A kjenë topa a veç kjenë gjâmë,
Qi u dridh toka ashtû nên kâmë?
Besa,jo, pra nuk kjenë gjâmë
Qi u dridh toka ashtu nên kâmë;
Por kjenë topat e Rusís,
Kjenë havanet e Turkís
Qi bumbulluen fushës s' Rumelís,
Nâtë e ditë tue rrahë pá dá,
Rumelín t' tânë n' gjak tue e lá
Kah na u pré Turku me Shkjá,
Me Miskov Turku ka' u pré.
Rrëmej gjaku shkulm mbí dhé:
Si mjerë Zêmra e atyne nânave,
Qi i pa'n djelmt atyne âneve,
Perse kryet nên grykë t' havanave,
Kur të rrahin kta batare,
S' i bân nierit, jo nji pare.
Bre mâ zí 'dhe pat per t' ndollë,
Pse tue u rrasë kje Shkjau n'Stambollë,
Me zhbî Mbretin m' post te vet;
Veç se u rán Krajlat ndermjet,
Edhe pushka tashti prâni.
Sod t'shtatët Krajlit e Sulltani
N' at Berlin na jânë bashkue,
Na kan nise me e bisedue
Se si pûnen me e vendue,
Per ma vû paq edhe besë,
Per me shue luftë e ngatrresë,
Zêmer t' keqe, mní e resë,
Tue ngulë gúr, tue ngulë kufí,
Per gjith vend, per gjith mbretní,
Giatë Balkanit m' Dét te Zí.
Por tue kênë se besë e fé
Nuk po kisht', jo, sod mbi dhé,
E se forti, n' armë merthye,
Aj po kisht' gjithmonë arsye,
Un tue e pasë jam ktû do frigë
Ser na bîn ndo' i pûnë e ligë
Per Shqypní e per Shqyptarë:
Ke kta s' kan miq as kumarë,
Qi me e folë per ta nji fjalë,
Qi me hî atyýzot me u dalë,
Pse, edhe qe, qaj Knjaz Nikolla,
Lshue dollamen pola-pola,
E me 'i strugë të gjânë dý pllàmë,
Me ' kosh rrethe neper kâmë,
Shkye shallvarësh mbî kupë te giûnit
Me ju dhimët gurit e drunit:
Aj po u del Krajlave para,
E me fjalë e dokrra t' mara
Po ja nisë atý me kjá,
Se aj tokë buke nuk po ká,
Bjeshkë e vrrî se atî i jânë thá:
I jânë tha e i jânë shkrumue,
Te tânë shkam e rrasë e lmue,
Pa nji kallzë, pa nji shkop drûje,
Sa qi poplli, rreshkun ûje,
Asht ka' i del prej Cernagore,
Po s' i u lshue nji tokë gratçore,
Si, bjen fjala, toka arbnore.
Toka arbnore,tokë me nâm
(Blé me pash e shitë me pllâmë,
Pashi argjand, pllâma florî,)
N' daç per bjeshkë e n' daç per vrrî,
N' daç per dhên e n' daç per dhí,
Si per bukë, si per tagjí
Si per pûnë, si per tregtí.
Edhe Krajlat po e ndigionin,
Po e ndigiojn- as s'po e qortojn;
Veç se bashkë me Mbret t' Stambollës,
Po na i napin dorë Nikollës,
Me mârrë Plavë, me mârrë Guci,
Me mârrë Shkodren me Malci,
Dér kû dán vendi me Drî:
Si atë Zoti m' a marroftë,
Mbret,a Krajl, a kushdo kjoftë,
Qi vû dorë m'leter mâ i pari
Vendit t' vet me dalë Shqyptari,
Ase rob me ndêjë nen Shkjá,
Pagë e t' dheta atij tue i lá!
Se, per Zotin- kjoftë levdue!-
Per pa u bâ gjaku der m' giû,
Kurr Shqypnín a'kem' per t'a lshue.
Se kur t' mêrret, vall, Shqypnija,
Flakë do t' ndezet rrokullija,
E do t' binden fiset t' tâna
Kah bjen dielli e kah mêrr hâna.
Gjaku i jonë, po, ká me vlue,
Nama e jonë, po, ká me ushtue,
Ka me i shkue m' vesh Perendís,
Edhe i lumi, n'frymë t' idhnís,
M' vend Europian ká me e vrá:
Te tânë n' gjak ká per t' a lá.
Kúr ka ndie qaj Knjaz Nikolla,
Se atí Europa edhe Stambolla
Dorë i dhânkan mbî Shqypnî,
Me dale cubi nji zotni:
Vû kapicen m'njanin sý,
Se ç' â hjedhë e ç' ká lodrue,
Se ' dhe kangës ç' i a ká fillue,
Porsi krushku tue Vallzue!
Lum e lum, po, i biri i Shkinës,
Se nder ksolla te Cetinës,
N' ato kohë qi kan me ardhë,
Ká me ngrânë aj bukë të bardhë,
Ká me zí aj mish taroçit,
Ká me pí, po vênë prej poçit,
N' të dý faqet me i plasë gjaku,
Kacadrê me i ndêjë mustaku.
Në Cetinë mandej ká dalë,
Pál Milanit ká çue fjalë:
More Pál, more yi djalë,
Nji sahat mos t' bâjsh me u ndalë,
Por fluturo si gjeraçina,
Edhe peja ke Cetina;
Pse due t' ap un t'ý nji ushtrí:
Pêsë taborre djelm të rí,
T 'tânë Sokola lé n' Mal t' Zí,
Per me i qitë un n' at Shqypní:
N' Hot e n' Grudë, n' Plavë e n'Gucí
E ato vende me m'i shtrue,
Se ato Krajlat m' i dhanë mue,
Me shkelë m' to gjith si të due.
E mandej, si per nji javë
T' m'i keshë shtrue Gucí e Plavë,
M'beh t'm 'i bijsh Lekve t' Malcís,
Si njaj ujku prej pusís,
E me shpatë e me konop.
Të m'i bâjsh mue Lekët per Shkop,
Edhè vendin, gjânë e giatë,
T'm'a pushtojsh der m'Prrue te Thát.
Pse, si shtrue t'a kem' Malcín,
T' kem' mârrë Plaven e Gucín,
At herë na po t' rrasna n' Shkoder,
Tue lujtë valle e tue kcye loder,
Si ata mâzat neper lâmë,
Pa na hî kund ferrë në kâmë.
Pál Milani thotë nji fjalë:
Njeksaj pûnë â vshtirë me i dalë;
Se p'r 'i javë s' shtrohet Malcija,
Se as me pushkë s' mêrret Shqypnija.
Vênu shêj. po, fjalve t' mija,
E mos nguc grênzat me krande,
Perse ngucë te zezen t' ande,
Pse edhe jashtë n' ket pûnë ké marrë:
Per pá t' pasë kush gjak as varrë,
Nuk thotë Zoti, as s'e ep kanûni
Në vend t' huej me hî perdhûni.
Jo, po, m' thuej në zjarm me rrânë,
Me i rá - detit ânë e m' ânë,
Se n' fjalë t' ande atje do t' veta;
Por n'Shqypní, besa, s'mund t' veta.
Qeshi Knjazi vesh e m' vesh,
Se ti kênke-o burrë prej nesh:
Kênke burrë veç me ngrânë pshesh,
Q' se i a nisë me m' predikue,
Thue se 'i grue vetë kam qillue
Qi me u trêmë prej fjalve t' ueja,
Per çka m' flet, per vende t' hueja
Jo, po, mirë do t' isht' per tý
Kamelef me vû ti n' krye,
Me lshue mjekren dér nen gjí,
E me dalë Pop ti n' Mal t' Zí
Per n' mos daç ti n' shpí me shkue
Me njitë furken porsi grue,
E aty n' derë, ndêjë mbî ndo'i krroqe,
Me tjerrë m'bosht me t'ande shoqe,
Tuj u zé me tê n' shullâ:
Se per luftë s'u dashtke gjâ.
Sa per luftë âsht Mark Milani
Burrë si motit, trim si luani,
Qi edhè ushtrís ka per t' m' i prî,
Per me shtrue Plavë e Gucí,
Per me shkelë Lekë e Malcí.
Edhe Shkoders mrendë me i hî;
Me i hî mrenda me bajrak:
Me bâ Shkodren Karadak.
Kshtû tha Knjazi e lshoi kushtrimin,
Per me mledhë n'ushtrí burrnimin.
Pingroi Zâna neper molla:
Hajde! hajde! or, Knjaz Nikolla,
Se pak giatë jé shtý me fjalë:
Se vjen moti per kadalë:
Se s' din nieri kû mund t' dalë,
Po kje 'imend se lshon aj vrapin
Mâ të madh se t' a két hapin:
Si, me giasë, ti don m' e lshue,
Q' se nder mend ty t' âsht ngujue
Ne Gucí nji ushtrí me e çue,
Shqyptarín nji herë pa e pvetë:
A thue e lshon Gucín e shkretë,
A thue e lshon Malcín e ngratë,
Per pa i shprazë dý pushkë m' te thatë.
Me Shqyptarë, more Nikollë,
Mundet nieri ngusht me ndollë,
Po s'u shkoi aj mrendë per mik;
Se ata lé kishin çelik,
E vû sý kishin me dekë,
M'erz a m' tokë me pasë me i prekë,
S' ka shka bân nder ta i huej'!
Se ata gjallë s' i shtrohen kuej,
N' dashtë t'jét Knjaz, a n'dashtë t'jét Mbret;
Se atà Mbret po ishin n' dhé t' vet:
Fort gabon kush i gerget!
Para ushtimës e gjamës, qi vjen nga Rumelija, Poeti pëvetë Zanën e vet per t' i diftue se shka jânë Pergjegja âsht e qartë. Lufta ndermjet Turqís e Rusvet kishte shpërthye dhe do të kishte shkue gjatë, po mos të kishin hï ndermjet fuqít e mdhá europjane. Kështu nxen fill Kuvendi i Berlinit. Mjerisht per Shqipni së mendon kurrkush n' atë mbledhje. Perkundra Knajz Nikolla, sado i veshun si lypës, paraqitet dhe pranohet në kuvend. Ankesat e tija të përvájshme prekin dhe thejnë zemrat e të mdhajavet. Këta, në godí me Sulltanin, i apin dorë të lirë mbi viset shqiptare të Veriut dhe dájnë qi Plava, Gucia, Shkodra e Malsia t'i kalojnë Malit të Zí, kufini i të cilit do të kapej deri në rrjedhën e Drinit. Ky vendim i padrejtë ban poetin të namë nenshkruesët e aktit mizuer dhe përbétohet se Shqipnija s' ka per t'i u lëshua kujë, para se gjaku të derdhet deri në gjû dhe bota marë të kállet flakë.
Gëzimi i Knjazit âsht i pamasë. Ai tashti s'mendon veç kohën e ardhëshme plot pasuni e të mira, plot madhní e nderime. Këthehet në Cetinë dhe thrret Päl Milanin, të cilit i urdhnon të gatojë sá mâ parë pêsë taborre dhe me to të nisej per tokat shqiptare. E porositë dhe i ep planin e luftës. Pali, mâ i urtë se trim, pleqnon me vedi e bindet per fjalët e Knjazit, per të cilin ishte gadi me u hjedhë në flakë të zjarmit e në valë t' ujit, por jo me rá në shqipní. Qeshë Nikolla para ligshtësis së prísit dhe nísë t' a tallë tuj e këshillue, si në gaz, të bâhej pop a por të njeshte furkën e grues per të tjerrë, në vend të sajë, te dera e shpís. Ata shka s' ndigjon Pali, ka per të m' a çue në vend Mark Milani - thotë krajl - dhe me nji herë ep urdhër të thirret tanë burrnimi n' ushtrí.
Tuj bá të vetat fjalët e Zanës i sjellet Poeti Knajz Nikollës dhe e qorton per gabim qi ishte tuj bâ, mbasi rrêhet keqas kushdo, qí i nget në të pádrejtë Shqiptarët.
Comments (0 posted)
Post your comment