Home | Culture | * * *

* * *

image
“Ky duhet të jetë nga hordhitë e vjetra”, po mendoja me vete, kur ai foli. “Unë quhem Kristofor Mërtiri”, tha me një zë të thatë, dhe nuk kam ardhur kot këtu. Ti duhet të flasësh e të shpjegosh veprimtarinë tënde armiqësorë, sepse këtu je në duart tona dhe nuk ke rrugë tjetër”. 

 

 

 

Spartak Ngjela

 

 


 
“Nuk e pranoj akuzën. Sill provat, me mua s’mund të ketë hetuesi abstrakte… ju s’keni asnjë provë”.
 
Për tri ditë nuk më thirrën më në hetuesi, ndërsa ditën e katërt u gjenda sërish përpara burrit që më ishte paraqitur si hetuesi im. Këtë herë ishim në një dhomë tjetër, të ftohtë dhe aspak komode, në një dhomë tipike hetuesie. Çfarë kishte ndodhur dhe kush është ky hetues që unë s’e njihja, por që e ndieja se ishte një njeri i rëndësishëm? “Unë jam Elham Gjika”, më tha dikur me një ton normal dhe më zgjati aktin me anë të së cilit më komunikohej akuza. “Kanë kaluar tri ditë”, i thashë unë dhe ai s’foli, por vetëm më zgjati fletën duke shtuar: “Drejtor i Hetuesisë në Ministrinë e Brendshme”. Ngrita kokën instinktivisht dhe ula sërish sytë mbi fletë, ku lexova edhe akuzën: “Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Më erdhi për të qeshur, por ndërkaq nuk e dija se përse ishin përplasur tre përbërës: drejtori, akuza dhe zyra e shëmtuar e hetuesisë, të tria të përziera si me kast në këtë ditë. “Sikur u lehtësove pak”, foli hetuesi si me qesëndi, sepse kishte menduar që mua më kishte shqetësuar deri tani çështja e akuzës. Diçka desha t’i thosha me një farë sarkazme, por e mbajta veten, sepse mu kujtua befas ajo gruaja e Kafkës te Procesi i tij që lante teshat para derës së sallës së gjyqit. Menjëherë më erdhi një si ide që të vijoja të pyesja hetuesin në absurd, por nuk vijova më me Kafkën, sepse gjendja mu duk edhe më absurde sesa ajo e Jozef K. Megjithatë nuk qëndrova gjatë, ndërrova mendje që të vijoja me absurdin dhe u ktheva te konkretja: “Nuk e pranoj akuzën”, thashë dhe nuk e di pse mu duk sikur po më paraqisnin një akuzë të lashtë sa vetë shteti dhe burgu, ose më mirë sa vetë akuza, madje më shumë sikur po më përsërisnin një fakt të njohur dhe një si idenë time të vjetër, tani, që thoshte se, përbuzja për një regjim apo për një sistem politik, nuk do të thotë edhe veprimtari kundër atij regjimi. Por, kujt t’ia thosha këtë, këtij hetuesi që menjëherë nisi të më flasë me pak zë të lartë? Ai ndërkaq po fliste me një si deklamim antiklasor, duke thënë: “Ne aq na bën, gjithçka e ke për të mirën tënde”. Por këtu qesha hidhur, vërtet, dhe mu dha që t’i thosha: “Sigurisht, që të ndihmoj regjimin në fuqi”; por ai nuk foli, më pa në sy, diçka desh të fliste, por nuk foli. Ndenji edhe pak ashtu pa folur dhe pastaj diçka murmuriti, por unë nuk ia vura veshin, se menjëherë i thashë: “Sill provat se me mua nuk mund të ketë hetuesi abstrakte dhe në funksion të frikës…ju s’keni asnjë provë”. “Ne i kemi të gjitha provat”, tha ai dhe unë i thashë prapë të njëjtën gjë se nuk kishin asnjë provë. “Po ti nuk e ke dashur këtë regjim”, tha ai pas pak, duke përdorur fjalën time dhe jo pushtet popullor, siç e kishin zakon. Ia pohova këtë, duke shtuar se “Veprimi nuk është dëshirë, por akt”. “Edhe aktet i kemi”, tha hetuesi. “Unë pres provat e aktit, jo provat e mendimit”, i thashë në fund, dhe ai lajmëroi që të më merrnin sërish për të më çuar në qeli, veçse, aty për aty, shtoi: “Nuk do t’ia falë trupi këtë që po kërkon t’i bëjë mendja”. “Nxir provat!”, përsërita unë edhe një herë si refrenin e një kënge, tamam në çastet kur gardiani po më merrte për të më çuar në dhomën time qeli. U ktheva në qeli dhe ai që ishte aty diçka priste, ndoshta priste që të më lironin, dhe sikur u mërzit kur i thashë se fillova hetuesinë dhe i tregova pak a shumë edhe qëndrimin tim, për të cilin ai nuk foli. Në fakt, këtu e kuptova se ai ishte një djalë i mirë. Doja të isha vetëm dhe ai sikur e kuptoi, kështu që unë nisa të mendoj me vete për të gjithë atë që më priste, ndonëse në fakt ndihesha i qetë së brendshmi tek e pashë vetë se cila ishte akuza. “Nuk do t’u pranoj asgjë”, thashë dikur dhe mendja sërish mu ngrit që të mbaja një qëndrim të prerë, jo vetëm mohues, por edhe atakues kundër regjimit. Por në çast u kujtova se në atë burg ishin të izoluar disa grupe që prisnin të ekzekutoheshin, që kishin qenë bashkëpunëtorë të afërt të atyre që i kishin arrestuar, e sidomos të Enver Hoxhës, dhe kjo lloj specie nuk kishte pyetur aspak dhe as që donte t’ia dinte, sepse nuk kishte asnjë lloj përgjegjësie. Menjëherë m'u kujtua interpelanca e Moros në Parlamentin Italian, ku e kishte quajtur qeverinë shqiptare të vitit 1972, Un governo senza nesun rensponsabilita, dhe e ndjeva se gjithçka do të ishte e kotë në këtë gjendje që isha unë, në një gjyq me dyer të mbyllura dhe në një burg të mbyllur që nuk kishte mundësi të të shihte askush. Por isha pikërisht në këtë gjendje mendore, kur, pa kaluar as tri orë nga kthimi im në qeli, dera u hap sërish dhe gardiani shoqërues më tha se duhej të shkonim sërish në hetuesi….
 
* * *
 
Po rrinim aty kur gardiani trokiti dhe e hapi. Teksa hyra brenda, pashë që nuk ishte vetëm hetuesi Elham, por edhe një tjetër. Gardiani më zgjidhi duart e lidhura dhe unë u ula sërish në një karrige të ngulur në dysheme, gjithë po duke pritur që të niste një seancë e re. “Është hetues edhe ky”, thashë me vete, madje mendova se do të ishte patjetër hetuesi i Kiços, gjë që e rëndonte edhe më gjendjen. Mu duk një fytyrë e paqme krimineli si ata të mafies italiane, thinjosh e me flokë të lëpira që kuptohej se mezi priste të më fliste. Me intuitë po e kuptoja se kishte atë ngarkesën emocionale, që ka një inkuizitor që kërkon ta hapë rrjetën e tij të “grupeve armiqësore” për të më përfshirë gjithsesi në një rrjedhë me ata që ishin e po gjendeshin të izoluar në një kat më lart sesa qelia ime. Veçse nuk pata mundësi që të shkoja edhe më tej në mendimin tim, sepse Elhami ndërhyri befas duke folur me një ton shumë të rreptë. E kisha takuar tri apo katër herë deri tani, por kurrë nuk e kisha parë në këtë gjendje, thuajse ekstazë. “Është në rol”, thashë me vete dhe menjëherë e kuptova se ai, që ishte pranë tij e që kishte ardhur në këtë hetuesi, dukej që ishte ose më i rëndësishëm se hetuesi Elham, ose një individ i poshtër dhe i frikshëm njëherësh. Dhe Elhami fliste gjithë patos kundër armikut në përgjithësi, pastaj m’u drejtua mua: “Ne nuk mund ta pranojmë këtë rrugën tënde, këtu është hetuesi kundër armikut dhe t’i duhet të rrëfesh gjithçka, gjithçka di”. Këto ishin fjalët e fundit të hetuesit, i cili pushoi së foluri, por po qëndronte në këmbë. Kurse ai tjetri, duke më vështruar gjithë inat, nuk m’i ndante sytë dhe po priste të dëgjonte se çfarë do të thosha pas atij deklamimi të gjatë. “As mos prisni ndonjë lloj bashkëpunimi me mua, unë do të kërkoj pafajësinë time dhe kurrë nuk do ta pranoj akuzën tuaj”, i thashë unë Elhamit pa e parë aspak atë tjetrin. Ndenja dhe pak dhe pastaj e mbylla përgjigjen time duke i thënë: “Ju nuk keni asnjë provë dhe unë jam arrestuar pa prova; por kjo është dobësi dhe jo forcë nga ajo për të cilën më fole ti”. Pas kësaj në dhomë ra një heshtje, se siç duket ata të dy nuk e dinin mirë se kush e kishte radhën për të folur. Por kjo nuk zgjati më shumë se dhjetë sekonda, kur nga vendi, me një ton të ashpër si edhe i Elhamit, foli ai tjetri. “Ti je një armik”, tha ai, “dhe ne i dimë të gjitha, sepse ti ke qenë me trup këtu dhe me mendje në Perëndim”. E njoha menjëherë që ky ishe një hajvan nga hordhitë e para, ato të viteve 50- të, dhe e kisha pikasur tamam kur ma dha në mendje që ta quaja si mafioz të viteve 50-të. Më erdhi disi për të qeshur se fjalën Perëndim e shqiptoi me një urrejtjeje të brendshme, aq sa i doli me rr e jo me r. “E pse, kjo na qenka prova?”, e pyeta unë Elhamin pa e përfillur aspak zotninë tjetër, që kishte folur vetëm broçkullat e rëndomta të prokurorëve të regjimit. Por nuk e lashë që të përgjigjej se, pas pak çastesh, shtova: “Kush është ky person dhe me çfarë titulli procedurial më vjen e më kërkon përgjigje këtu, madje nuk qenka as jurist”. Tani sikur i zura që të dy, sepse ata e dinin që unë e njihja mirë ligjin procedurial. Atëherë sikur ra pak tensioni dhe unë po shihja që ai tjetri ishte bërë i verdhë në fytyrë. U panë të dy në sy dhe nuk vijuan më, sepse Elhami i ra ziles dhe pas disa çastesh erdhi gardiani, më lidhi duart e më mori sërish për të më çuar në qelinë time. Sapo dola nga dera e zyrës së tyre fillova ta ndieja se pas atij çasti hetuesia ime ose do të rëndohej, sepse ajo ose do të ishte një procedurë rutinë, ose do të vijonte me spazma të tilla e me atë fytyrë sërish, që tani isha i bindur se ishte hetuesi i Kiços; dhe ashtu më doli se ishte vërtet, ndonëse ende nuk po ia dija emrin. Ecja duke zbritur shkallët bashkë me gardianin, kur befas, djathtas shkallëve doli të zbriste një burrë i shkurtër, i shogët që unë e njihja. Ai siç duket kishte qenë në hetuesinë e “deshve” të Byrosë Politike, që ishte një kat më lart, dhe tani po dilte nga burgu. Befas u pamë në sy, por ne kishim qëndruar mu te pragu pas derës dhe dera ishte ende e hapur kur ai foli: “Më ktheheshin zorrët mbrapsht sa herë që e shihja këtë nëpër Tiranë”. Nuk ia zgjata: “Do takohemi”, i thashë, “por nëse do ta kesh të lehtë”. Nuk, foli, por iku duke shpejtuar hapin. Ishte një fytyrë e njohur nga ata të Sigurimit që e kisha parë në Tiranë, por që nuk ia dija dhe ende nuk ia di emrin, se kurrë më nuk e pashë kur dola nga burgu, por që e dija se ishte nga llojet e hordhive të Enver Hoxhës, që ishin ushqyer me urrejtje, por që në fakt urrejtjen patjetër e kanë pasur natyrën e tyre primare, edhe më parë përpara sesa të takoheshin me Hoxhën. …Tek ngjisja shkallët se ç’më kapi një ndjesi e tillë, e cila sigurisht që lidhej patjetër me hetuesin që më priste: “Pse po më merr në pyetje dy herë brenda një dite”, po mendoja tek po i afroheshim derës së shëmtuar të dhomës së hetuesisë, dhe sigurisht që kishte qenë kjo logjikë e brendshme që më kishte dhënë imagjinatën dhe kujtimin e torturës. Por, krejt si me kast, për të vërtetuar shqetësimin tim të papritur, aty brenda pashë se ishin dy njerëz; në fakt ishin sërish të dy hetuesit. “Prapë ka ardhur ky maskara”, mendova me vete tek qëndroja në këmbë përpara dy qenieve të çuditshme, që nuk kuptoheshin fare se çfarë lloji specieje i takonin. Jashtë ishte natë, por unë nuk mund ta dija me saktësi orën se sa ishte. U ula në karrigen e ngjitur pas dyshemesë dhe po prisja. I pari foli hetuesi im, sigurisht me të njëjtin ton dhe me të njëjtën kërkesë. “Ne sikur e thamë në mëngjes”, i thashë unë aty për aty. “Po ja që mua m’u ndërrua mendja, tha shpejt Elhami, ti duhet të flasësh për veprimtarinë tënde armiqësore”. Ndërkohë ai tjetri, të cilit unë ende nuk i dija as emrin, nuk fliste, por rrinte dhe shihte me një pamje të ngrysur që nuk kuptohej ishte në një rol, apo e ndiente ashtu vërtet gjendjen. “Ky duhet të jetë nga hordhitë e vjetra”, po mendoja me vete, kur ai foli. “Unë quhem Kristofor Mërtiri”, tha me një zë të thatë, dhe nuk kam ardhur kot këtu. Ti duhet të flasësh e të shpjegosh veprimtarinë tënde armiqësorë, sepse këtu je në duart tona dhe nuk ke rrugë tjetër”. Nuk desha t’i flisja se e mendova që donte të hynte në rrjedhën e presionit dhe prandaj mund të më ndodhte gjithçka. Ajo natë ishte në fakt një çast vendimtar për të ardhmen e hetuesisë sime. Ndenja dhe pak, e mandej, jo pa e menduar i thashë: “Ty nuk të njoh fare, të kam thënë edhe njëherë tjetër se je në një pozicion ekstraprocedurial, prandaj as mos e hap gojën fare, se nuk ke aspak lidhje me mua”. Ai ndenji pak, pa nga Elhami, dhe mandej u ngrit në këmbë dhe filloi të deklamojë: “Ti je një armik i betuar i pushtetit popullor dhe ne e kemi ditur me kohë këtë. Të njohim mirë, sepse ke hyrë dhe je bërë një prishës i madh i politikës së Partisë në një rreth të lartë…por këtu nuk ke më kohë, këtu duhet të tregosh për të gjithë helmin që ke derdhur nëpër Tiranë e kudo që ke qenë; ndonjë të lëkundur edhe e ke bërë me vete; por tani nuk ka më Perëndim, tani ka rrëfim, tregim me gojën tënde për të gjitha ato që do të të pyesim”. Dhe ai vijonte të fliste, kurse unë e shkëputa vëmendjen dhe po kujtoja se ata njerëz, të harbuar nga një urrejtje e brendshme, as vetë nuk e dinin se kë kishin armik e kë kishin mik. Në fakt, ata ishin lodra të akorduara që ndienin kënaqësinë e dhunës që ushtronin, e asgjë më, por ndiheshin edhe të trembur. Ajo që dinin mirë dhe që e urrenin veçanërisht deri në përbetim e për të bërë atë aleancën e madhe të ligësisë, ishte pa dyshim kultura, dija dhe qytetërimi. Në realitet, ata armikun më të rrezikshëm të tyre kishin vetë Enver Hoxhën, por ishin të verbuar dhe nuk e njihnin politikën e tiranisë së shekullit të njëzetë. Ata, përgjatë vitit 1972 ishin trembur shumë, ndërsa tani e kishin shpërthyer hapur ligësinë e tyre. “As që e dinë se çfarë i pret”, po thosha me vete kur ai mu afrua dhe po më fliste jo më larg se një metër. Isha i bindur qysh në atë kohë se këta bastardë do të shkatërroheshin dhe shkatërrimi do t’u vinte nga vetvetja. Kjo është arsyeja e të gjitha pushteteve të tilla, që bëjnë sikur janë të përqendruara në bazën e një ideologjie dhe vrasin në emër të saj. Por dikur ai ndaloi së foluri, sepse e kuptoi që s’po e përfillja fare dhe më tha: “E di, ne të dukemi injorantë ty”, dhe qëndroi disa sekonda për të marrë një hov të ri të brendshëm urrejtjeje, por unë nuk e lashë shumë, se, aty për aty, iu përgjigja: “Jo vetëm ju”, i thashë me njëfarë ironie, që me kast po e shprehja edhe në fytyrë. Ai u step, nuk e priste këtë dhe prandaj bëri sikur nuk ishte më në rol, sepse mori menjëherë një tjetër qëndrim. “Ashtu!”, tha pak si me zë zvarrë, dhe menjëherë u kujtua siç duket se ishte vënë në një pozitë inferiore, sepse kujtoi që ajo ishte gjëja kryesore e urrejtjes së tij. Nuk po fliste, por dridhej, sepse nuk ndihej i sigurt. E kuptoja që s’kishte shumë siguri dhe dhuna që po ushtronin e kuptoja gjithashtu se nuk i dilte për ta qetësuar në atë idenë e përgjithshme se koha do të ndryshonte. Por nuk vijoi shumë në atë gjendje të goditur, nga ajo që i kisha thënë, sepse nisi të flasë. Atëherë unë befas kuptova se të dy po mendonim për të njëjtën gjë, për kohën, për të ardhmen, por me një sens të kundërt. “Asgjë nuk keni se çfarë të na bëni, tha ndërkaq, ne jemi më të fortë se kurrë, kemi forcë dhe ekonomi të shëndoshë, i kemi të gjitha. Ne nuk pyesim fare, sepse kemi zemrën që na ka dhënë Partia, dhe ta dish mirë ti, se ato që mendon ti kurrë nuk do të realizohen në Shqipërinë tonë…se ne do t’i vëmë zjarrin botës”. Këtu mu duk se injoranca dhe ligësia e Kriostofor Mërtirit sikur kishte arritur kulmin, sepse edhe ai nuk foli më pas kësaj, por gjithsesi priste nga unë. Tani isha i bindur se të dy po mendonim për të ardhmen, por ai për ta djegur me zjarr, kurse unë për të parë ndëshkimin e kësaj specie të përbuzur që e kisha edhe aq afër: aleancën e madhe të ligësisë në Shqipëri. “Me se do t’ia vini këtë zjarr?”, e pyeta unë ndërkaq me një zë të qetë, a thua se isha duke luajtur në një skenë teatri, sepse doja që ta mundoja edhe më shumë, “me pishat e Pukës?”, dhe vura buzën në gaz me ironi, sepse më pëlqeu edhe vetë shprehja që sapo nxora. Ai sikur ra nga ndonjë lartësi dhe u përplas në tokë. U afrua pranë karriges dhe u ul si i pafuqishëm. E kisha thyer, sepse i kisha thënë të vërtetën. Më shihte në sy e nuk fliste. Pas ca çastesh ktheva kokën djathtas dhe sërish i thashë Elhamit: “Do të vijojmë procesin ne apo ke vendosur të më sjellësh këtu turlilloj njerëzish të rëndomtë, që duan të nxjerrin kuriozitetin e tyre? Nëse nuk del jashtë ky individ alogjik, unë pres me ty çdo lloj komunikimi me zë”. “Jo, tha Elhami menjëherë, edhe ky hetues është, nuk ka për të dalë jashtë sipas urdhrave të tua, sepse, ia sheh thinjat e bardha? Në luftë kundër armikut i janë bërë. Pozitën proceduriale do t’ia gjej unë”. Më vinte realisht për të qeshur me thinjat e Kristoforit, që ia kishin bërë “dhuratë” armiqtë e shumtë të “pushtetit popullor”, por nuk e dhashë veten, se ç’kisha për t’u thënë ua kisha thënë që të dyve. Megjithatë, në dhomë u bë heshtje dhe bashkëbisedimi nuk po vijonte. Elhami siç duket nuk donte të më thoshte ende të vërtetën për këtë person, por gjithsesi ishte i shtrënguar të mos fliste se e dinte që unë i kisha kapur në procedurë. Ata, sado abuzivë që ishin, kishin si shkollë dhe si urdhër të brendshëm e të rreptë të veprimtarisë së tyre, që gjithçka duhej të ishte e puthitur sipas ligjit, ndonëse gjithçka ishte e falsifikuar. Unë këtë e dija, por dija gjithashtu se në këtë rast nuk kishin sesi t’ia dilnin sepse unë e njihja mirë ligjin e tyre procedurial. Kjo ishte arsyeja që, pas pak çastesh thirrën gardianin shoqërues dhe unë u nisa sërish për në qelinë time.
 
* * *
 
Kristofor Mërtiri ishte një bandit nga ata të Sigurimit, hetues dhe torturues profesionit, i cili kishte ndenjur gjithmonë pranë hetuesit tjetër, Nevzat Haznedari, edhe ky një nga ata të shumtët e Sigurimit, që kishte vrarë pa gjyq e kishte torturuar sipas rastit. Sipas të gjitha dokumenteve, që gjenden në dosjet e hetuara nga Sigurimi i Shtetit, nuk ka pasur asnjë grup, ose individ të rëndësishëm që ka kaluar nga hetuesia politike e Sigurimit e të mos ketë pasur brenda vetes shenjën Haznedari. Ka qenë manipulatori më i paskrupullt i hetimeve të Sigurimit, derisa vdiq në mënyrë enigmatike mu në mes të rrugës. Ka të dhëna se me terrorin është njohur që në kohën e Luftës Nacional Çlirimtare; dhe nga shumë burime, familjes Qirinxhi i rezulton që ka shumë mundësi të ketë vrarë mbrapa krahëve Raqi Qirinxhiun, matematikan i shkëlqyer dhe njeri shumë i ditur që kishte mbaruar studimet shkëlqyer në Francë. Haznedari është në fakt një simbol i terrorit në Shqipëri dhe, kundrejt tij, mendoj se do të vijë koha që të bëhet një hetim i imët historik për të nxjerrë në pah të gjithë aktivitetin e tij në “vërtetimin” e grupazheve që pillte nga mendja Enver Hoxha. Por, brenda kësaj histerie, si më i vogël, por i mbajtur afër nga Haznedari, rezulton të jetë edhe Kristofor Mërtiri, sepse janë bashkë nga një zonë, nga Leskoviku. Është disi e rëndë kur e kujtoj, sepse, pas disa ditësh, nga vetë Elham Gjika e mora vesh se ai na qenkësh në fakt hetuesi i tim ati; kurse më vonë mësova që ai kishte qenë edhe hetuesi i Beqir Ballukut. Dhe kuptohej se përse, siç duket, ose Kadri Azbiu, ose vetë Hoxha kanë dashur që ta implikojnë Kiçon me grupin e Beqirit; por siç duket Beqiri nuk ka pranuar që të arrijë deri këtu dhe çështja e Kiços ka mbetur gjithmonë e izoluar, pa pranuar asnjë gjë, dhe duke dalë nga hetuesia e gjatë si një njeri normal, nga të rrallët që nuk ia dha kënaqësinë Hoxhës për të shijuar fantazinë e tij kriminale. Por kuptohet se ajo që e ka shtyrë këtë hetues injorant, që më vonë edhe u burgos nga Partia e tij, ishte mendimi se mund të më thyenin mua e të më nxirrnin dëshmitar kundër tim ati. Madje duke menduar në birucë, pasi mësova se ai ishte hetuesi i Kiços, isha i bindur se qëllimi i Mërtirit kishte qenë vetëm ky. Ai mendoi se mund të isha i trembur dhe do ta arrinte manipulimin, mjafton që unë të thyhesha në fillim e, mandej, ai të më krijonte mundësinë dhe shtratin psikologjik që të bija në iluzionizëm. Frojdi thotë se “Njeriu rron në botën e iluzioneve, sepse iluzionet e ndihmojnë të durojë varfërinë e jetës reale”. E ndoshta kjo është e vërtetë, sepse të shumtë kanë qenë të burgosurit e regjimit të Tiranës që kanë rënë në iluzionizëm, madje kjo sëmundje ishte e përgjithshme në goditjen penale të botës komuniste. Mendoj se qëndrimi im e ka detyruar të bindet që nuk kishte mundësi të më thyente. Kishte dalluar me sy urrejtjen time karshi tyre, dhe në të njëjtën kohë nuk kishte mandat për torturë. Madje unë e dija mirë se, tipa si ai duheshin fyer në lidhje me injorancën dhe prapambetjen e tyre për sa i përket qytetërimit, sepse këtë e ndienin shumë, prandaj edhe eksperienca ime me këtë tip këtë tregoi, se sa herë që e fyeja duke i treguar injorancën e tij, ai stepej, ngrinte zërin, por humbiste nën shtypjen e saj. Duke u nisur nga kjo, hetuesia ime me të kishte përfunduar, ndonëse ai erdhi edhe disa herë të tjera, foli broçkullat e tij, por për çdo rast dëgjoi vetëm mohimin tim tërësor. Kristofor Mërtiri edhe atë ditë, pasi përmendi “zjarrin që do t’i vinin botës”, nuk foli më, por nuk foli as Elhami, derisa erdhi më në fund gardiani që më mori për të më çuar në qeli.

 

 

Fragment nga "Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare", i Spartak Ngjeles

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00