Home | Culture | * * *

* * *

image
Sërish SHBA sikur nguron të njohë Shqipërinë. Zyrtarët tanë tregohen të zgjuar. Ushtrojnë presion. U bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve amerikanë, të lënë pasaportat amerikane dhe të pranojnë ato shqiptare. 

 

 

 

 

Nga Robert Papa

 

 

 

 

Në fakt njohja ishte realizuar, qysh në vitin 1920, kur Cekrezi kishte shkuar në SHBA dhe kishte pranuar nga qeveria e Uillsonit, si Përfaqësues i Shqipërisë. Të duket i habitshëm interesimi, ngulmimi, mbështetja, dëshira dhe padurimi i madh për burimet e naftës në vendin tonë. Të duket i habitshëm, kur mendon se tani blejmë aq shumë karburant duke shpenzuar miliona dollarë.Komunikime ndër sekretarë shteti, departamente të qeverisë amerikane i kushtonin kohë ndaj Shqipërisë. Telegrame mes sekretarësh të departamenteve të ndryshme, nuk është pak, madje është shumë tregues intrigues, por mjaft domethënës. Ky interes nuk është kurrë sot për Shqipërinë.

Mesa duket, në vitet 20-të, qeveritarët tanë kanë qenë më të zgjuar, më të aftë, më të përkushtuar, se sa shtetarët tanë ''modernë'', duke ditur të ndjellin interes. Dijnë të thërrasin kureshtjen, deri në skuta zyrash të vogla e deri te tavolinat e kabinetit të presidentit amerikan.


Sekretari i Tregtisë i dërgon një telegram sekretarit të shtetit


Uashington 26 prill

“Së fundi kam mësuar nga një përfaqësues i kompanisë së Naftës Sinclair se kompania është shumë e interesuar në mundësitë e shfrytëzimit të burimeve të naftës në Shqipëri. Duket se kompania kërkon të sigurojë koncensione mbi të drejtat mbi naftën''. Më poshtë, sekretari i tregtisë shton se “është e vështirë se Shqipëria po i premton Italisë dhe Britanisë, sepse këto dy shtete e kanë njohur Shqipërinë”. ''Në lidhje me këtë situatë, a nuk do ishte e mundshme për ju, të jepni një konsideratë serioze për njohjen e Shqipërisë... ose të çoni disa agjentë të qeverise amerikane në Shqipëri, për të treguar interes dhe mbështetje të interesave në Sinclair?”
Përsëri Departamenti i Shtetit nguron. Sërish një sulm ndaj tij, kësaj rradhe një letër nga zëvendëspresidenti Sinclair, i cili shkruan ndër të tjera se ''e gjitha vjen ngaqë SHBA nuk e ka njohur Shqipërinë, pse të mos ndjekë shembullin e shteteve të mëdha të Evropës. Ne, me forcë rekomandojmë, njohjen e Shqipërisë dhe dërgimin e një përfaqësuesi të kësaj qeverie në atë vend”. (Arkivi i Departamentit të Shtetit, Foreing Relations 1922).
Shteti ndjen presionin e biznesit privat. Shteti përgjigjet; sa prapa jemi në Shqipëri! (Kur ish- komunistët u rikthyen në pushtet, SHBA dha si dhuratë për popullin 10 milionë dollarë grurë. Desk oficeri më deklaronte: “Ua kemi dhënë qysh në tetor dhe në mars u nënshkrua nga qeveria shqiptare dhe kush ka dhënë më shumë dollarë në dorë për ministrin dhe kryeministrin, ka fituar të drejtën të bëjë transportin. (Bisedë telefonike me desk-oficerin e Shqipërisë, Eric Lundberg në prill 1998).
Në vitin 1922 është ndryshe. Reagimi i sekretarit të shtetit është i menjëhershëm. Në datën 27 prill i dërgon një telegram agjentit diplomatik dhe konsull i përgjithshëm. Për Blake: “Departamenti po shqyrton njohjen e Shqipërisë, përpara se të ndërmarrim veprim. Duam të na raportoni për situatën aty, stabilitetin e qeverise dhe interesat amerikane aktuale të perspektivës. Ju jeni instruktuar të veproni sa më shpejt të jetë e mundur drejt Romës për t’u konsultuar me ambasadën dhe të vëzhgoni korespondencën rreth Shqipërisë. Nga Roma do të shkoni në disa pika të Shqipërisë, përfshi Tiranën, ku do ta shikoni të arsyeshme të kryeni hetime. Departamenti do t'ju çojë me kabëll në Romë instruksione të tjera”. (Arkivi i Departamentit të Shtetit Foreing Relations 1922, Albania)
Sekretari Huges i kujton diplomatit të tij të ketë kujdes me shpenzimet, duke mos kaluar 600 dollarët në kufi, por i kërkon atij të vendosë sa e kërkon rrogën.
Viti 1922. Shqipëria e vogël lufton të njihet nga SHBA. Ambasadori amerikan në Romë Child, nuk përton të dërgojë sërish telegram për shefin e tij në Uashington. Më 27 prill, 1922 ora 17:00 mbasdite, telegram që merret të nesërmen në orën 12:24 nga Sekretari i Shtetit, thekson: ''Fuqitë në Këshillin Suprem kanë njohur Shqipërinë de'jure. Nga këto fuqi, Anglia dhe Italia kanë dërguar nga një ministër. Franca përfaqësohet nga një konsullatë në Shkodër. Japonia nuk ka përfaqësues. Vendet e tjera të cilat e kanë mohuar de'jure janë Finlanda, Zvicra, Belgjika dhe Jugosllavia dhe nga këto, vetëm Jugosllavia përfaqësohet me nga një të ngarkuar me Punë (Charge d'Affairs). CHILD (Arkivi i Departamentit të Shtetit, Foreing Relations 1922 Albania).
Sërish SHBA sikur nguron të njohë Shqipërinë. Zyrtarët tanë tregohen të zgjuar. Ushtrojnë presion. U bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve amerikanë, të lënë pasaportat amerikane dhe të pranojnë ato shqiptare. Nuk është thjeshtë një thirrje, por autoritetet shqiptare u konfiskojnë pasaportat shqiptare. Amerikanët egërsohen. Është një telegram i Uiliam Philips, në emër të sekretarit të shtetit për konsullin e përgjithshëm, me mision special, Blake, ku ndër të tjera thotë: “Sa të arrish në Shqipëri, të protestosh te autoritetet shqiptare dhe t’u tërheqësh vëmendje te ndikimi i pafavorshëm me një ndikim e trajtim të tillë ndaj qytetarëve amerikanë dhe kjo nuk do ta bëjë qeverinë amerikane të ulet''. (Arkivi i Departamentit të Shtetit- Telegram për të Dërguarin e SHBA në Tiranë Blake, Foreing relations 1922 Albania).
Sakaq, duket se Shqipëria punon mirë me evropianët. Ata e kanë njohur dhe kërkojnë ndihmë. Departamenti amerikan ia kalon përgjegjësinë për Shqipërinë, ambasadës në Francë. Mbase nuk janë të kënaqur nga ambasada e tyre në Romë. Më 18 Maj, Sekretari i Shtetit, Huges i dërgon një telegram ambasadorit amerikan në Paris, Herrick. Ai i thotë se: “Këshilli i Ligës së Kombeve ka vendosur që Liga të ushtrojë një protektorat mbi Shqipërinë dhe ka emëruar disa specialistë financiarë, ekonomikë dhe ligjorë të ndihmojnë Shqipërinë. Departamenti është veçanërisht i interesuar në pavarësinë e Shqipërisë dhe barazinë e mundësinë për SHBA dhe nënshtetasve të saj”. (Arkivi i Departamentit të Shtetit- Telegram i Sekretarit të Shtetit, Ambasadorit në Paris, Foreing Relations1922 Albania ).
SHBA ndjen një pasiguri se evropianët po marrin më shumë në Shqipëri dhe se dyert po i mbyllen SHBA dhe biznesmenëve të saj. Departamenti kërkon sqarime nga misioni i tyre në Zvicër. Ministri amerikan në Bernë, Greu, përpiqet me telegramin e darkës 20 maj, ora 11:00 e natës, të bindë eprorët e vet se nuk ka asnjë rrezik dominimi nga ndonjë shtet evropian mbi Shqipërinë. ''Asnjë ide dominimi, por vetëm një marrëveshje e ngushtë bashkëpunimi për të bërë pavarësinë efektive. Mundësitë amerikane do të përfitojnë se sa do të humbasin pas kësaj marrëveshjeje''. (Arkivi i Departamentit të Shtetit. Telegram i botuar i plotë në Foreing relations 1922 Albania)
“Kujtoni Zogun për 25 qershorin”

Departamenti njofton Smithin t'i kujtojë kryeministrit shqiptar, letrën e 25 qershorit, ku kryeministri garantonte lëshime për amerikanët. "Me sa duket, aty ka prirje të ndalojnë interesat amerikane. (Telegram për Smith, nr 8765363/82. Foreign Relations 1923, volI, faqe 385). Smith ia tregon kryeministrit shqiptar letrën dhe reagimi nuk vonon. Komisioni parlamentar kundërshton variantin anglez. Londra proteston me forcë. Smith njofton Uashingtonin më 26 maj se: "Kryetari i Asamblesë Kombëtare, ka deklaruar para komisionit se po nuk u dhamë koncesionin anglezëve, Shqipëria mund të humbasë territoret e jugut”. (Arkivi i Departamentit të Shtetit. Telegram 875.636/84 Foreign Relations 1923, Vol I, faqe 387). Ndërkohë, kryeministri shqiptar luan më Romën. Ai garanton ministrin italian në Tiranë, se do t'u japin edhe atyre lëshime.

 

Fragment nga libri “Pragmatizëm”, i autorit Robert Papa

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0