Ç’është Dita e Verës?
Ç’është Dita e Verës? Esht dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtësi të ëmbël.
Nga Faik Konica
Ç’është Dita e Verës? Esht dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtësi të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u fallen perëndivet që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajmë Ditë e Verës.
Në pak ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikë pa dashur dhe pa dijtur, do të rrethojnë me verore degët e thanavet, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.
Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk I bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë.
Comments (0 posted)
Post your comment