Home | Culture | “Habemus Francesco Papam”

“Habemus Francesco Papam”

image
Arqipeshkopi i Buenos Airesit, Papa i ri i Romës, është intelektual, shkencëtar kimist dhe Profesor. Ashtu si Shën Francesku, urren shpërdorimin e parasë dhe mendon se Kisha duhet të rifitojë autoritetin e humbur nga skandalet nëpërmjet thjeshtësisë, frymës dhe shërbimit. Ai është jezuit dhe i përket asaj pjese që është e hapur me urdhrat sovranë në mbarë botën...

 

Ilir Kulla

 

 

 

 

 

Tymi i bardhë i konklavës e dha Papën e shumëpritur në raundin e pestë! Quhet Bergolio, me origjinë piemonteze, vjen nga Argjentina e largët, është jezuit dhe ajo që është më kuptimplota, ka zgjedhur emrin PAPA FRANCESKO, në përkujtim të Shën Franceskut të Asisit, themeluesit të urdhrit të franceskanëve. Fjalia e tij e parë ishte një mesazh shumë i gjatë dhe i thellë: “Kërkonin peshkopin e Romës (d.m.th. Papën) dhe shkuan e zgjodhën në fund të botës” (d.m.th. në Argjentinë). Po kjo është hera e parë që një Papë nuk vjen nga kontinenti i vjetër europian, por nga ana tjetër e botës, e ungjillëzuar pasi u zbulua kontinenti amerikan, ndryshe nga Ratziger, që kish zgjedhur emrin Benedikt (Shenjtin Mbrojtës të Europës).

 

* * *

Në fakt, tetë vjet më parë, pasi kishte ndërruar jetë Papa Vojtila, Bergolio kishte qenë shumë afër për t’u zgjedhur Papë, por nuk kishte pranuar dhe mbështetjen e vet dhe të kardinalëve amerikano-jugorë ia kishte dhënë Ratzigerit, pasi një emër i madh si Vojtila nuk mund të mos zëvendësohej nga emri më i madh i asaj kohe, gjermani Ratziger. Tetë vjet më vonë, kur ishte kuptuar edhe nga vështirësitë e Kishës dhe të Papës Emeritus të dorëhequr se duhej një ndryshim epokal, që të përshtatet me ndryshimin e botës, me frymën e Kishës së Pjetrit, me mileniumin e ri, por edhe t’i japë një mesazh të fortë ekumenik besimtarëve dhe Vatikanit.

 

* * *

Francesku i Asisit, përpara se të bëhej murg eremit duke themeluar urdhrin e tij dhe të ungjillëzohej duke jetuar në varfëri të plotë në emër të Zotit, kishte qenë shumë i pasur dhe vinte nga një familje shumë e pushtetshme. Ai braktisi pasurinë dhe pushtetin dhe u dha pas urdhrit dhe jetës prej murgu, duke i shpërndarë franceskanët në 5 kontinente për të ungjillëzuar në emër të Kishës Katolike rreth 2 miliardë besimtarë në të gjithë botën. Franceskanët ruajnë edhe Kishën e lindjes së Krishtit në Betlehem, i gjen në Azi e kudo në Europë, në Oqeani e Australi. Ky është mesazhi i Papës së ri, me Frymën e Shën Franceskut të Asisit, duhet të përballemi me Rendin e Ri Botëror, me globalizmin, dhe Kisha duhet të përballet me këto sfida.

 

* * *

Arqipeshkopi i Buenos Airesit, Papa i ri i Romës në qytet ecën me autobus, është intelektual, shkencëtar kimist dhe Profesor. Ashtu si Shën Francesku, urren shpërdorimin e parasë dhe mendon se Kisha duhet të rifitojë autoritetin e humbur nga skandalet nëpërmjet thjeshtësisë, frymës dhe shërbimit. Ai është jezuit dhe i përket asaj pjese që është e hapur me urdhrat sovranë në mbarë botën, më të hapur me shkencën, me zhvillimin, me ndryshimin, por do të na duhet të shohim nëse është po aq i hapur edhe me dy besimet e tjera monoteiste, Hebraizmin dhe Islamin.

 

* * *

Papa Francesku nuk është i ri në moshë, dy vjet më i vogël seç ishte Ratziger para se të bëhej Papë, por nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e aparatit burokratik dhe konservator të Vatikanit. Ka shërbyer në veprën fetare gjithnjë në Amerikën e Jugut, larg intrigave dhe luftërave të oborrit. U bë kardinal nga Vojtila, pavarësisht se ndaj tij kishte shumë kritika për heshtjen ndaj diktaturave të djathta ushtarake në Argjentinë dhe Kili. Ky do të jetë Papa i kontinentit të Amerikës dhe në një lloj forme kënaq edhe ata që e donin Papën nga Amerika e Veriut, edhe ata që e duan Papën italian, edhe ata që e duan konservator, edhe ata që e duan jezuit, por edhe ata që e duan reformator, spiritual, që duhet të zhdukë korrupsionin dhe të ringjallë besimin e milleniumit të ri.

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00