Home | Culture | Në kërkim të zemrës së Sulejmanit të Madhërishëm

Në kërkim të zemrës së Sulejmanit të Madhërishëm

image
Trupi i tij u dërgua në Kostandinopojë, por zemra e tij u varros këtu, në një varr, i cili më vonë u bë një Kishë Katolike, dedikuar Virgjëreshës Mari, ose kështu lexohet në shënimin mbi Kishën Turbeki në lindje të qytetit.

 

 

 

 

 

Këtë muaj, një skuadër ekspertësh hungarezë do të publikojnë një raport mbi vendndodhjen e mundshme të zemrës së një prej sulltanëve më të famshëm të Perandorisë Osmane. Por, pse është bërë kaq e rëndësishme zgjidhja e kësaj gjëegjëze historike?

Shtetari francez, kardinali Richelieu, e përshkroi atë si “beteja që shpëtoi qytetërimin” - rrethimi i kështjellës hungareze të Szigetvar, 447 vjet më parë.

 

Turqit, më në fund, e pushtuan qytetin në shtator 1566, por përballuan humbje të mëdha, përfshirë edhe vdekjen e udhëheqësit të tyre, Sulejmanit të Madhërishëm. Humbjet qenë aq të mëdha sa ata nuk e kërcënuan më Vjenën për 120 vitet që vijuan.

 

Tashmë kërkuesit po gërmojnë në dhé dhe nëpër arkiva për zemrën e sulltanit.

 

“Kur hungarezët ecin nëpër oborret e kështjellës në Szigetvar, ata imagjinojnë se po ecin përmes një kështjelle hungareze. Por, natyrisht, kjo nuk është e vërtetë”, thotë Norbert Pap, profesor i gjeografisë në Universitetin e Pecs, ndërsa vërdallisemi nëpër rrënojat mrekullisht të restauruara prej tulle.

 

Ai buzëqesh: “Kjo në fakt është një kështjellë turke. Ajo hungareze u shkatërrua gjatë rrethimit të vitit 1566”.

 

Njësoj si kodrat e njëpasnjëshme të rajonit Zselic, secila pjesë e historisë fsheh tjetrën sa i përket rrethimit dhe ngjarjeve të pasuan. Secila zëvendëson një variant tjetër të ngjarjeve.

 

Në sipërfaqe, legjenda është e lehtë të ndiqet. Sulejmani i Madhërishëm mbërriti këtu me gati 100 mijë forca osmane, në gusht 1566. Kështjella ishte në rrugën e tij drejt Vjenës, qytet që ai kishte besim se do ta pushtonte dhe kështu do t’i hapte rrugën vetes për copa të mëdha të Evropës Perëndimore.

 

Ajri u trondit nga goditja e daulleve të mëdha të luftës të cilat prodhoheshin në atë kohë, si edhe sot, në qytetin e bukur të Edirnesë. Por, Miklos Zrinyi, komandanti i kështjellës dhe garnizoni i tij prej vetëm 2,300 burrash luftuan me aq trimëri saqë turqit u detyruan të ndalonin.

 

Zrinyi vdiq në sulmin final nga djegia e kështjellës. Sulejmani vdiq në tendën e tij. Disa burime thonë nga befasia e fitores së tij si e Pirros. Në fund të fundit, ai ishte 72 vjeç dhe pati luftuar hungarezët për mbi 40 vjet.

 

Trupi i tij u dërgua në Kostandinopojë, por zemra e tij u varros këtu, në një varr, i cili më vonë u bë një Kishë Katolike, dedikuar Virgjëreshës Mari, ose kështu lexohet në shënimin mbi Kishën Turbeki në lindje të qytetit.

 

“Por, kjo është vetëm një përrallë”, thotë profesor Pap. Pllaka me shënimin u vendos aty më 1916 nga një prift vendës, për arsye politike. Në atë kohë, Hungaria - apo Perandoria e Austro-Hungarisë - ishte një aleat i Turqisë Otomane: dy perandori të lashta që po rrëzoheshin nga shkatërrimet, balta dhe gjakderdhja e Luftës së Parë Botërore dhe ato kishin nevojë për simbole të miqësive të lashta.

 

Tashmë profesori Pap ka marrë detyrën për gjetjen e vendit të vërtetë të varrosjes së zemrës së Sulejmanit, gjithashtu për arsye politike.

 

Dy kryeministrat po shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Numri i turistëve turq që vizitojnë Hungarinë u rrit me 45 për qind vitin e fundit. Por, ka vetëm 500 shtretër për turistët në këtë qytet të përgjumur, ku dhjetëra mijë vetë dikur fjetën nëpër çadra, duke dëgjuar gjinkallat natën dhe duke u përgatitur për betejë.

 

Në lojë është ndërtimi i një apo dy hoteleve me pesë yje, si dhe restaurimi i mëtejshëm i kështjellës e një numri monumentesh të epokës osmane. Por, çdo gjë varet nga gjetja e vendit të prehjes së zemrës së Sulltanit të Madhërishëm.

 

Ka shumë harta. Një e tillë, e bërë më 1689, shënon vendin e supozimit të varrosjes. Të tjera që gjenden në arkivin e luftës në Vjenë, u përgatitën për trupat e Habsburgëve që rimorën qytetin më 1680. Ka më shumë informacion nëpër arkivat e Vatikanit, Venecias, Budapestit dhe Stambollit.

 

Profesori Pap dhe skuadra e tij e kërkuesve janë duke parë gjithandej. Rezultatet e kërkimit të tyre do të bëhen publike më 20 shtator.

 

“Kjo nuk është thjesht për zemrën e Sulejmanit, por për rindërtimin e çdo shtrese të historisë dhe gjeografisë të 400 viteve të fundit.”, thotë ai.

 

Hartat janë keqinformuese. Kur Habsburgët pushtuan kështjellën më 1689, trupat e parregullta serbe përzunë myslimanët që kishin mbetur. Katolikë gjermanë u vendosën këtu në shekullin e XVIII.

 

Edhe panorama ka ndryshuar. “Një Epokë Akulli e vogël përkoi me pushtimin osman”, shpjegon profesor Pap. Ajo që sot është një vijë uji e quajtur Almasi, në atë kohë ishte një lumë i rrëmbyer. Sziget do të thotë “ishull” në Hungarisht, një pjesë e ngritur në kënetat e krijuara nga përmbytjet e lumit.

 

Aty pranë, në parkun e miqësisë hungarezo-turke, është edhe vendi ku ushtria e Sulejmanit ngriti kampin. Aty ka gjithashtu edhe një varr për Sulejmanin, me lule të freskëta të vendosura mbi të. “Është thjeshtë simbolik”, thotë profesor Pap. Aty pranë gjendet edhe një varrezë e epokës së bronzit, të cilën gjenerata të tëra të banorëve vendës e quanin gabimisht, “varreza e turqve”.

 

Kryebashkiaku Janos Kolovics, me krenari thotë se rrënjët e tij familjare janë nga Bosnja e epokës turke. Ai hap laptopin e vet për të treguar krijimin e një artisti të një qendre të re vizitorësh, që duhet të ndërtohet me beton pranë xhamisë së qytetit.

 

“Është një dizajn hungarez dhe turqit nuk e pëlqejnë fare atë”, thotë ai me trishtim.

 

Por, kush ishte Sulltani i Madhërishëm?

 

Sulejman i Parë lindi më 1494, vdiq më 1566. Njihet në Perëndim si I Madhërishmi, ndërsa osmanlinjtë e njohën si Ligjvënësi, për shkak të kodit të ligjeve që ai hartoi dhe që jetuan për qindra vjet.

 

Ai sundoi Perandorinë Osmane kur ajo ishte më e fuqishme ushtarakisht, më e pasur dhe me më shumë ndikim kulturor. Kur ai vdiq, perandoria zgjatej nga Afrika e Veriut në kufijtë e Persisë, nga Arabia deri në Hungarinë e ditëve tona.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0