105 vjetori i Kongresit të Alfabetit Shqip
Në Maqedoni sot shënohet 105 vjetori i Kongresit të Alfabetit Shqip, me aktivitetet kryesore në qytetin e Manastirit.
Në Maqedoni sot shënohet 105 vjetori i Kongresit të Alfabetit Shqip, me aktivitetet kryesore në qytetin e Manastirit. Nën patronatin e Qeverisë së Maqedonisë do të organizohet një manifestim me akademi solemne në Manastir. Zëvendëskryeministri Musa Xhaferri pasdite do të vizitojë Muzeun e Kongresit të Alfabetit në Manastir, ndërsa në kuadër të kësaj vizite do të jetë e pranishme edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro.
Në Shkup, Instituti për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve ka organizuar aktivitete me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit. Ky përvjetor i Alfabetit e ka gjetur Shkupin gjithashtu në një atmosferë festive, në prag të 101 vjetorit të Flamurit dhe Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Në Manastir do të zhvillohet pasdite një takim midis zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, Musa Xhaferri, dhe ministres së Kulturës të Shqipërisë, Mirela Kumbaro. Ndërsa në mbrëmje, në Pallatin e Kulturës në këtë qytet do të mbahet Akademi Solemne me rastin e kësaj dite, në organizim të Muzeut të Alfabetit mbështetur nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë. Dita e sotshme, 22 Nëntori është festë shtetërore për shqiptarët në Maqedoni.
Comments (0 posted)
Post your comment