Home | Culture | Ç’bëhet me gjuhën shqipe!

Ç’bëhet me gjuhën shqipe!

image
Me gjuhën shqipe, me këtë mekanizëm praktikisht të përkryer historiko-shkencor – që shënoi për herë të parë në historinë e vendit kalimin nga të folmet krahinore ...

 

 

 

Nga Shpëtim ÇUÇKA 

 

 

 

 

 

 

Me gjuhën shqipe, duke nisur nga çlirimi demokratik i Shqipërisë, nuk po bëhet as më pak e as më shumë nga ajo që është bërë e bëhet me tokën bujqësore, me sistemin e kanaleve të kullimit dhe të vaditjes, me sistemin e ujësjellësve dhe shfrytëzimin e ujit të pijshëm në tërësi, me bregun e detit dhe brigjet e të gjitha sipërfaqeve dhe vijave ujore të vendit (liqene, ujëmbledhës, lumenj e përrenj), me pyjet, me kërkim-shfrytëzim-përpunimin e pasurive nëntokësore, me sistemin e ndërmarrjeve industriale, me sistemin e arsimit (shkolla, tekste, arsimtarë dhe edukues), të shëndetësisë (shërbim e kuadër mjekësor e farmaceutik, ambulanca e spitale, shkolla profesionale), të kulturës (libri, muzika, teatri, filmi, trashëgimia etnografike e ndërtimore), të shkencës (përgatitje e specialistëve dhe veprimtaria e planifikuar kërkimore vetëm në interes të vendit), me sistemin e marrëdhënieve shoqëri-familje, me përgatitjen e qytetarëve të rinj, punësimin e tyre dhe sigurimin e të ardhmes së tyre.

 

 

 

Lexuesi le të mendojë e të thotë me vete se në cilën nga këto fusha ka parë, ka dëgjuar a ka lexuar se është bërë përparim: pra, që sipërfaqja e tokës bujqësore është ruajtur (ose edhe shtuar); që sistemi i kullim-vaditjes është përmirësuar edhe më tej; që prodhimi bujqësor natyror është rritur; që fshati është forcuar dhe popullsia fshatare nuk ka largim të pandalshëm drejt qytetit për shkak të kushteve të rënda të jetesës; që rrjedhjet e ujërave, bregdeti e pyjet nuk kanë pësuar një shkatërrim të vërtetë; që sistemi i kërkimit, nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve, në përgjithësi sistemi i prodhimit industrial, është fuqizuar dhe modernizuar; që shkolla, shëndetësia, kultura dhe shkenca shqiptare janë vënë edhe më shumë e më mirë në shërbim të shoqërisë, domethënë të qytetërimit të jetës sonë shoqërore.

 

 

 

Me gjuhën shqipe, me këtë mekanizëm praktikisht të përkryer historiko-shkencor – që shënoi për herë të parë në historinë e vendit kalimin nga të folmet krahinore (zhvillime të një njësie gjuhësore të padokumentuar e shkencërisht vështirë të hamendësueshme) në gjuhën gjithëshoqërore, nga të folurit e thjeshtë të jetës së përditshme te ligjërimi qytetar dhe përgjithësimi shkencor, nga padituria mbarëkombëtare te shkollimi dhe kulturimi i përgjithshëm – ka ndodhur e njëjta gjë: ajo u shpërfill, sistemi i saj i rregullave u la pa kujdes e pa mbrojtje, pa folur për lëmimin e tij të mëtejshëm, mbështetja që i vinte nga arsimi dhe shtypi u shkallmua, bashkërendimi i veprimtarisë së institucioneve arsimore e shkencore të gjuhës dhe letërsisë amtare u la në bjerrje të vazhdueshme deri në shuarje, u lejua përbaltja dhe poshtërimi publik i saj. Shkurt, ashtu si në drejtimet e tjera edhe në fushën e gjuhës kthesa e quajtur demokratike, që mori shoqëria jonë, u shfaq si një forcë shkatërrimtare. Përgjegjësinë e parë dhe më të madhe për këtë veprimtari të rëndë kundërkombëtare e mban shteti, pra, ato institucione – dhe zyrtarët në krye të tyre – të cilët kishin për detyrë përpara vendit dhe historisë ta mbronin gjuhën shqipe dhe nuk e bënë këtë gjë.

 

 

 

Përgjegjësi kanë të gjithë ata drejtues institucionesh arsimore dhe kërkimore, të cilët kishin jo vetëm për detyrë shkencore, por edhe morale e qytetare, ta ngrinin zërin me vendosmëri e publikisht në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe të demaskonin në çdo rast shkatërrimin e organizuar që i bëhej asaj, por nuk e bënë këtë. Mjafton të shihet intervista e kohëve të fundit e drejtorit të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë V. Memisha, në të cilën nuk gjendej asnjë rresht për veprimtarinë e këtij institucioni në mbrojtje të gjuhës shqipe! Ai post, i mbajtur dikur nga gjuhëtari i shquar dhe drejtuesi i talentuar i procesit madhështor shkencor të kristalizimit të sistemit të gjuhës shqipe Androkli Kostallari, kërkon ose mbrojtjen e ndershme e deri në fund të trashëgimisë më të madhe të shkencës shqiptare ose dorëheqjen qytetare, kur të gjitha përpjekjet për të vepruar pengohen nga hallkat e epërme. Shqiptarët e mëdhenj kanë bërë shumë më tepër për çështjen e gjuhës shqipe. Përgjegjësi mbajnë edhe të gjithë ata specialistë të gjuhës shqipe, sidomos gjuhëtarët, që nuk ngritën zërin me argumente shoqërore dhe profesionale kundër shkatërrimit të gjuhës. Por ç’po ndodh konkretisht në këta njëzet e ca vjet me gjuhën shqipe?

 

 

 

Së pari, keqpërdorimi i saj masiv, domethënë në të gjithë përbërësit e saj sistemorë dhe në të gjitha fushat e jetës. Ky keqpërdorim i gjuhës ka synuar, sikurse tregon jeta, shkëputjen e saj nga populli, veçanërisht nga përdoruesit e rinj në moshë, ngjalljen e neverisë së brezit të ri për gjuhën amtare. Bindja ime është se kjo në masë të madhe është arritur. Keqpërdorimi i gjuhës ka synuar, sikurse përsëri e dëshmon jeta, edhe përligjjen e hapit të dytë: ndërhyrjen për ndryshimin e kodit të brendshëm të saj.  Së dyti, rrëgjimi i sistemit të institucioneve të specializuara për studimin dhe mësimdhënien e gjuhës shqipe. Praktikisht kjo ka qenë mënyra për të ngrirë dhe ndalur veprimtarinë e planifikuar të gjuhësisë shqiptare. Një gjë e tillë ka sjellë edhe rënien e cilësisë dhe saktësisë së gjuhës së përdorur në tekstet mësimore, rrjedhimisht edhe rënien e nivelit të zotërimit të gjuhës nga arsimtarët. Bindja ime është se kjo gjë është arritur. Ngrirja e veprimtarisë së gjuhësisë shqiptare dhe rënia e cilësisë së gjuhës së përdorur në tekstet shkollore kanë synuar lehtësimin e ndërhyrjes për ndryshimin e kodit të gjuhës shqipe. Së treti, krijimi i këshillit ndërakademik për gjuhën si mekanizëm për realizimin lëndor të ndryshimit të gjuhës shqipe.  Në këtë pikë dalin në mënyrë të logjikshme një varg pyetjesh: 1) Cila nga dy akademitë, ajo e Kosovës apo jona, u bë nismëtare e ngritjes së këshillit ndërakademik për ndryshimet në normën e gjuhës shqipe? Ky veprim nuk është thjesht një akt procedurë. Ai ka rëndësi historike, pasi dëshmon se kujt i takon nderi i madh i nismës për vulgarizimin e gjuhës, në të vërtetë për prishjen e thelbit të saj shkencor.

 

 

 

2) A e njoftoi paraprakisht kryesia e Akademisë sonë të Shkencave qeverinë e atëhershme dhe a mori miratim prej saj për të vepruar më tej? Nëse jo, kjo është një shkelje e rëndë e logjikës së shtetit dhe flet për karakterin kundërshkencor të hapit të ndërmarrë: Akademia, si institucion shtetëror, nuk mund të veprojë pa miratimin e organit që i cakton buxhetin. Dhe pa miratimin e qeverisë propozimet e këshillit ndërakademik nuk mund të bëhen të detyrueshme. Si mund t’i parashtrohet për miratim organit më të lartë urdhërdhënës të shtetit rezultati i një pune të nisur pa dijeninë dhe miratimin e këtij të fundit? 3) Përse Akademia e Shkencave e mori vetë përsipër çështjen e ngritjes së këshillit dypalësh dhe nuk ia la këtë gjë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, sikurse do të ishte e arsyeshme dhe institucionale? Sado të zotë të jenë gjuhëtarët akademikë, autoriteti i veçantë shkencor i secilit prej tyre por edhe autoriteti i tyre si grup nuk mund të ngrihet kurrsesi në lartësinë e autoritetit të Institutit, që sipas logjikës institucionale është autoriteti shkencor më i lartë në vend në fushën e gjuhësisë. 4) A bashkëpunoi Akademia me Ministrinë e Arsimit për këtë nismë? A e pa të arsyeshme të lidhej zyrtarisht – në bashkërendim me Ministrinë e Arsimit – me universitetet tona, ku ka departamente të gjuhës shqipe, si dhe me drejtoritë arsimore të qyteteve tona për të vjelë bashkëpunimin e kuadrove të këtyre institucioneve?

 

 

5) A bashkëpunoi Akademia për nismën e saj me një bashkësi shkrimtarësh dhe përkthyesish si përdorues të kualifikuar dhe ndër më prodhimtarët e gjuhës shqipe? 6) Cilët përfaqësues të palës sonë u morën me hartimin e projektplatformës së punës dhe të përbërjes së këshillit, cila ishte zotësia juridiko-administrative dhe profesionale e tyre? Cila instancë i ngarkoi me hartimin e projektplatformës dhe ua miratoi atë? Apo nuk ka pasur fare as projektplatformë dhe as platformë? 7) Cili është qëndrimi që platforma – nëse ka një të tillë – mban ndaj Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe vendimeve të tij? Cili është qëndrimi i shprehur dhe jo i nënkuptuar që kjo platformë mban ndaj gjuhës shqipe në krahasim me të folmet krahinore si shkallë përfaqësimi dhe zhvillimi? 8) Cili është qëndrimi i platformës ndaj gjendjes së gjuhës shqipe pas 1990-ës dhe ndaj përgjegjësisë së shtetit për këtë gjendje? 9) Çfarë përcakton kjo platformë si synim të punës së këshillit: saktësimin e masave për mbrojtjen e gjuhës nga shkulturimi, domethënë nga rrënimi i sotëm, apo ndërmarrjen e ndryshimeve të rregullave drejtshkrimore (me shkasin e disa dhjetëvjeçarësh përvojë, por praktikisht pa e shqyrtuar rrënimin e këtyre viteve të fundit), në të vërtetë fillimin e ndryshimit të kodit të brendshëm të gjuhës shqipe? 10) Cila është baza faktike, statistikore, mbi gjendjen e përdorimit/keqpërdorimit të gjuhës shqipe në Shqipëri (për Kosovën përgjigjen përfaqësuesit e saj), mbi të cilën këshilli ka vendosur të mbështetë vlerësimet dhe të ndërtojë propozimet e veta? A ka ky këshill një bazë të dhënash më të mirë se ajo e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, i cili, sipas thënies së drejtorit V. Memisha, është lënë jashtë punës së këshillit? 11) Përpara kujt do t’i paraqesë Akademia përfundimet e punës së këshillit: përpara qeverisë? Për të kërkuar miratimin dhe lëshimin prej kësaj të urdhrit të zbatimit? Apo thjesht do t’i shpallë ato publikisht duke kërkuar me autoritetin e vet formal zbatimin e tyre? 12) A gjykon Akademia se puna e këtij këshilli mund të ketë autoritet dhe cilësi shkencore të njëjtë me punën e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972? 

 

Për këto dhe plot pyetje të tjera anëtarët tanë të këshillit ndërakademik nuk kanë dhënë asnjëherë njoftim të hapur e pa dy kuptime. Dhe kjo flet shumë qartë për qëllimin e vërtetë të punës së këshillit, e cila praktikisht mohon frymën shkencore të vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit: ngritjen e gjuhës së folur në lartësinë e gjuhës së shkruar (siç ngrihen zakonet e pashkruara në lartësinë e ligjeve) dhe vendosjen përfundimisht të gjuhës së shkruar si qendër rëndese dhe pikënisje të çdo studimi. Në tërësi puna e këshillit është një shkelje e hapur e parimeve të demokracisë dhe të tejpashmërisë në veprimtarinë shoqërore. Ajo ngjan më tepër me një veprimtari prapaskenash dhe dëshmon për trajtimin e gjuhës shqipe si pronë vetjake. 

 

Një qëndrim i tillë përvetësimi vihet re edhe në fusha të tjera si studimi i historisë amtare, veprimtaria teatrore, kinematografike, muzikore, dhe në tërësi në jetën tonë kulturore. Kjo dukuri është në pajtim të plotë me praktikën njëzeteçavjeçare të privatizimeve në Shqipëri, veçanërisht me praktikën e ndjekur nga elita jonë politike, e cila e ka privatizuar tërësisht jetën politike të vendit.  A mund të priten të mira nga veprime të tilla përçmimi dhe pabesie ndaj popullit shqiptar?....

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0