"Intelektuali dhe Mallkimi i Vegjetimit" – Harresa e imponuar në veprën letrare të Fatmir Terziut
Leksion Publik në Londër. "Intelektuali dhe Mallkimi i Vegjetimit" – Harresa e imponuar në veprën letrare të Fatmir Terziut...
Dr Gëzim Alpion
Universiteti i Birminghamit
"Intelektuali dhe Mallkimi i Vegjetimit" – Harresa e imponuar në veprën letrare të Fatmir Terziut
Leksion Publik në Londër
E Shtunë, 6 Dhjetor, 11:00-13:00
St Augustine’s School, Oxford Road
NW6 5 SN
Përmbledhje e shkurtër:
Në këtë leksion do të përqëndrohem kryesisht në tre tema. Në filim do të ndalem në ‘traditën’ dhe mënyrën se si ky koncept është perceptuar dhe trajtuar në faza të caktuara në Letërsinë Shqiptare. Shembujt në këtë pjesë të Leksionit janë përzgjedhur nga krijimtaria e klasikëve si Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Andon Z. Çajupi, Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Faik Konica dhe Ismail Kadare.
Në pjesën e dytë të bisedës do të ndalem në veçantitë në jetën e disa autorëve të lartpërmendur për të kuptuar motivet e tyre për përzgjedhjen e ‘traditës’ si leitmotiv thelbësor i krijimtarisë së tyre.
Në pjesën e tretë theksi do të jetë në botimet e Fatmir Terziut, dhe veçanërisht në romanet “Grykës” (2010), “Bunari” (2012) dhe “Kojrillat” (2013). Krijimtaria shumë planëshe e Terziut do të trajtohet në aspektin biografik, rolin e intelektualit mërgimtar në postmodernizëm, tematikën e tre romaneve të lartpërmendura dhe trajtimin origjinal të ‘traditës’.
Një vend të veçantë në këtë pjesë të leksionit do t’i kushtohet romanit “Bunari” që, për mendimin tim, përbën një pikë kulmore dhe një premtim në krijimtarinë e Terziut, si dhe një arritje për letërsinë bashkëkohore shqiptare. Kjo vepër, do të argumentoj në leksion, dëshmon aftësinë krijuese, kurajon intelektuale, dhe integritetin e autorit për t'u ballafaquar me tabu. “Bunari” është një hymn i vonuar për një nga krahinat më të shquara dhe tragjikisht më të harruara në Dibër, Shqipëri, dhe përkushtimin e banorëve të saj fjalëpak ndaj Atdheut.
Leksioni do të konkludojë se ‘tradita’ dhe ‘harresa’ në veprën e Terziut kanë gjetur një krijues të përkushtuar që shpërfill korrektësinë politike dhe që është gjithmonë në gjurmim të së harruarës, zbulimi i të cilës njeherazi na fajëson kolektivisht dhe tregon se ç'duhet bërë që të mos përsëriten gabimet.
Letersia, për mua, është art që e ka kryer misionin kur të shqetëson, dhe jo argëtim. Në qoftë se jeni të përgatitur të sëkëlldiseni, atëherë Fatmir Terziu është autori që duhet të lexoni.
***
Aktiviteti organizohet nën kujdesin e Z. Lutfi Vata.
Comments (0 posted)
Post your comment